Rihapet pas restaurimit shtëpia-muze e piktorit Vangjush Mio

Shtëpia muze e Vangjush Mios në Korçë hap dyert sot në ditën e Krishtlindjes.

Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cila theksoi se “kanë kaluar veç dy muaj kur vizituam shtëpinë e Mios, që për shkak të dëmtimeve të tërmetit, ishte mbyllur për publikun”.

“Në ditën e Krishtlindjes ajo hapi sërish dyert, falë përkushtimit të Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Korçë, duke i dhënë mundësi vizitorëve të shumtë të qytetit, që nuk është vetëm i serenatave, të shijojnë magjinë e pikturës së Vangjush Mios”, tha Margariti.

Banesa-muze e Piktorit të Popullit, Vangjush Mio është një nga më të vizituarat në qytetin e Korçës. Për vlerat etnografike që mbart dhe për faktin se aty lindi një nga piktorët më të shquar shqiptarë, kjo shtëpi është shpallur shtëpi-muze.

Gjatë karrierës 40-vjeçare, Vangjush Mio realizoi mbi 400 vizatime dhe 130 piktura.

Rreth 60 punime të tij zënë vend në koleksionin e Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë. Veprat e tjera, nën kujdesin e së bijës Rozeta, ekspozohen në shtëpinë-muze të tij. / KultPlus.com