Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), në kuadër të mandatit të tij për mbrojtjen e shëndetit publik, ka njoftuar se vazhdon monitorimin e cilësisë së ujit në pishinën e Gërmisë.
Rezultatet e mostrave të ujit të marra më 23 korrik 2025 janë brenda standardeve të parapara sipas rregullores për pishina, duke siguruar se cilësia e ujit është e sigurt për përdorim nga qytetarët.
Me qëllim të mbrojtjes së shëndetit publik, ekipet e departamentit të Ekologjisë Humane/IKSHPK do të vazhdojnë monitorimin e ujit të pishinës, si dhe ujit për pije, për të siguruar që çdo burim uji i përdorur për konsum të jetë i pastër dhe i sigurt,transmeton KultPlus.
IKSHPK fton qytetarët të vazhdojnë të respektojnë udhëzimet dhe rekomandimet për përdorimin e ujit të pishinës dhe të kujdesen për higjienën e tyre personale dhe kolektive, për të parandaluar çdo mundësi rreziku për shëndetin publik./KultPlus.com