Pjetër Rraboshta, ‘mjeshtri i fotografisë’ së përditshmërisë

Në kuadër të “Muajit të Fotografisë” ministrja e Kulturës, Elva Margariti publikoi një fotografi nga Pjetër Rraboshta.

Ajo e cilëson Raboshtën si mjeshtër i fotografisë, që fiksoi në celuloid detaje të jetës së përditshme.

Pjetër Rraboshta lindi në Shkodër në 1917, në një familje artizanësh. Ai studioi në kolegjin jezuit dhe vitet e rinisë së hershme i kaloi në studion e Kel Marubit, si ndihmës i tij. Kreu shërbimin ushtarak në Gjirokastër, ku edhe atje u mor me fotografi. Në 1940 kthehet në Shkodër për të punuar së bashku me të  birin e Kel Marubit, Gegën. 2-3 vjet më vonë hap studion e tij “Foto Rraboshta”, në rrugën kryesore të qytetit.

Qyteti, në fotografinë e Rraboshtës, nuk vinte kaotik, por aty mungonte klasa e lartë. Imazhet përcjellin atmosferën e një qyteti mesdhetar që ngjall vizione nostalgjie.

Talenti i Rraboshtës qëndron në aftësinë e tij për ta sjellë realitetin ashtu siç është, ashtu siç paraqitet edhe në foton e përzgjedhur nga ministrja Margariti, ku kemi një moment pune në fabrikën e karameleve.

Një punë të madhe Rraboshta ka bërë në malësinë e Shkodrës, ku realizoi shumë foto dokumentesh, pas një urdhri të autoriteteve për censusin e popullsisë. Portretet e Rraboshtës duken si të ngrirë në kohë, dhe të vështrojnë ngultas drejt e në sy, edhe sot.

Pas mbylljes së sipërmarrjeve private, në 1963, ai ju bashkua kooperativës shtetërore të artizanëve. Vetëm vitet e fundit të jetës, për shkak të gjendjes shëndetësore, i la udhëtimet maleve dhe punoi në zhvillimin e fotove të kolegëve, të cilët e quanin “mjeshtri i dhomës së errët”.

Pjetër Rraboshta vdiq në Shkodër, në 1987./ata/ KultPlus.com

Ekspozohet koleksioni i Pjetër Rraboshtës, fotografi që risjellin Shkodrën e viteve ‘40

Pas një periudhe të gjatë mbyllje për vizitorët për shkak të pandemisë, për herë të parë pas 70 vitesh në Muzeun Kombëtar të fotografisë “Marubi” u hap ekspozita e Pjetër Rraboshtës, njërit prej fotografëve më të njohur të qytetit të Shkodrës gjatë gjysmës së dytë të shekullit të kaluar, imazhet e së cilit sjellin jetën e qytetit në mes të viteve 1949-1959.

Ai vjen me një rrugëtim imazhesh të cilat paraqesin jetën e qytetit, ritet e aktivitetet fetare, tregtare, sportive si dhe manifestimet politike. Nuk mungojnë as temat e ushtrisë, apo ato në malësi që njihen si fotografitë për letërnjoftime.

Në ekspozitën e fotografit Pjetër Rraboshta janë ekspozuar 84 foto dhe rreth 150 imazhe të projektuara, pjesë e koleksionit prej më shumë se 16 mijë imazhesh, të cilat ai j’a dhuroi shtetit shqiptar në fillim të viteve ‘70 të shekullit të kaluar.

Kuratori i ekspozitës, profesori i historisë së artit dhe pikturës Zef Paci, thotë se fotografia e Rraboshtës bart një gjurmë vërtetësie, nganjëherë duke mos u kujdesur shumë për kuadrin, por kjo i jep atyre një lloj grafizmi dhe vërtetësie prekëse.

“Ndryshe prej fotografëve të tjerë ai është i vendosur me aparatin e tij fotografik pranë lulishtes së qytetit, pranë katedrales, duke qenë se ai ndjek shpesh herë ritualet e krezmimeve të fëmijëve të ndryshëm apo ngjarjeve të tjera, që gjithnjë kanë lidhje të ngushtë me fëmijët”, thotë ai.

Fotografët e njohur të Shkodrës të shekullit të kaluar njiheshin nga emërtimet që u kishin vënë banorët. Kështu, Marubin e thërrisnin “fotografi i zotnijve”, Picin “fotografi i malësive”, Jakovën si “fotografi i të rinjve”, ndërsa Rraboshtën si “fotografin e fëmijëve”.

Ndërsa, drejtori i muzeut, Luçian Bedeni, thotë se koleksioni i fotografit Rraboshta ruhet në arkivën e muzeut dhe përbëhet prej më shumë se 16 mijë imazhesh. Ekspozita, thotë ai, ven pas një pune të gjatë për dixhitalizimin e koleksioneve të fotografëve të tjerë, përtej dinastisë Marubi.

“Kjo ekspozitë nuk kërkon për me e shterru prurjen interesante që bjen një fotograf si Pjetër Rraboshta, por kërkon me dhanë një pamje se çfarë përmbajnë këto 80 e sa imazhe të printume dhe disa të projektume. Me dhanë një shije të qëndrimit të tij, botëkuptimit të tij dhe, për pasojë, edhe të Shkodrës së periudhës kur ai operoi si fotograf”, ka thënë Bedeni.

Fotografi Pjetër Rraboshta rininë e tij të hershme e kaloi si nxënës pranë “Dritëshkrojës” së Kel Marubit. Për shumë vite ai punoi te studioja e Marubëve me Gegë Marubin.

Ndërsa, në fillim të viteve ’40, ai hapi në rrugën kryesore të qytetit studion e tij “Foto Rraboshta” ku punoi deri ne vitin 1963, kohë kur në Shqipëri u mbydhën akitvitetet private.

Në imazhet e Pjetër Rraboshtës është një pjesë e konsiderueshme e Shkodrës të atyre viteve që në këto 30 vite shumëçka ka humbur dhe i vetmi ngushëllim janë pikërisht këto foto.

Të shumtë janë sot qytetarët e Shkodrës, që gjejnë fëmijërinë e tyre te fotot e Rraboshtës. / VOA / KultPlus.com