Platforma digjitale që zbulon Tiranën rurale përmes ushqimit

Platforma digjitale të turizmit po diversifikojnë informimin në çdo drejtim që i shërben dhe nxit vizitorët dhe turistët e huaj për të eksploruar Shqipërinë.

Trural Gastro Guide është një platformë digjitale që fton vizitorët të shijojnë kuzhinën tradicionale, natyrën dhe mikpritjen në zonat rurale të Tiranës.

Kjo platforme digjitale, i vjen në ndihmë vizitorëve të rezervojnë lehtësisht online, mbështet komunitetet lokale për zhvillimin e biznesit dhe i ndihmon turistët të shijojnë  udhëtime autentike në zona të veçanta të kryeqytetit.

Ky produkt është zhvilluar me mbështetjen e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, programit gjerman GIZ, nëpërmjet projektit TIP.

Kjo platformë pason inovacionet e reja digjitale që po nxisin zhvillimin e sektorit të turizimit, siç ështo ajo e agroturizmit, apo ajo e-Visitor, platforma që po modelohet për të siguruar të dhëna në kohë reale mbi “trafikun” e turistëve të akomoduar, kapacitetet akomoduese, netqëndrimet, origjinën e turistëve, tipologjinë gjeografike të shpërndarjes në territor etj. /atsh/ KultPlus.com

Lansohet platforma online për promovimin e Muzeve të Kosovës

EC Ma Ndryshe ka lansuar platformën online për Muzetë e Kosovës, duke ofruar një burim të pasur informacioni për muzetë në qytetet si Prishtina, Prizreni, Mitrovica dhe Gjakova. Platforma përmban të dhëna të detajuara mbi llojet e muzeve, artefaktet e ekspozuara, lokacionet, oraret e punës dhe informacionet e kontaktit, duke synuar qasjen më të lehtë për qytetarët dhe turistët.

Ky projekt synon të promovojë muzetë e Kosovës, të rrisë interesin e vizitorëve dhe të lehtësojë orientimin e turistëve, ndërsa njëkohësisht mbështet digjitalizimin e trashëgimisë kulturore.

Platforma do të vazhdojë të përditësohet me informacione të reja për të përfshirë sa më shumë muze dhe të dhëna relevante. Ky zhvillim është pjesë e projektit “Trashëgimia kulturore për të gjithë: Ruajtja, edukimi, zhvillimi dhe inovacioni,” i mbështetur nga Ministria e Kulturës.

Lansohet platforma për monitorimin e të drejtave të fëmijëve

Me rastin e 1 Qershorit, Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, është lansuar Platforma për Monitorimin e të Drejtave të Fëmijëve.

Siç njofton UNICEF-i në Kosovë, platforma është pjesë e përpjekjeve të qeverisë për fuqizimin e sistemit për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve në gjurmimin e progresit të arritur për fëmijët dhe sigurimin e një tabloje gjithëpërfshirëse të situatës së fëmijëve dhe të rinjve në Kosovë.

Për këtë qëllim, UNICEF-i thotë se platforma ofron të dhëna për treguesit kryesorë për të drejtat e fëmijëve në Kosovë dhe përshkrime të angazhimit institucional për të përmirësuar jetën e fëmijëve.

Këto u thanë gjatë një takimi të Komitetit Ndërministror për të Drejtat e Fëmijëve të kryesuar nga Zyra për Qeverisje të Mirë.

“Është arritur shumë në lidhje me realizimin e të drejtave të fëmijëve në Kosovë, por mbetet shumë e rëndësishme që qeveria të vazhdojë të ketë vëmendjen dhe të zotohet për fëmijët më të cenueshëm dhe të përjashtuar, në veçanti fëmijët me aftësi të kufizuara. Në ditën e fëmijëve, UNICEF-i i bën thirrje Qeverisë që ta finalizojë dhe aprovojë Projektligjin për Vlerësimin, Njohjen e Statusit, Përfitimet dhe Shërbimet për Personat me Aftësi të Kufizuara. Ky ligj e ka mbështetjen e plotë të UNICEF-it, mbështetjen e të gjitha agjencive të OKB-së dhe mbështetjen e shumicës së organizatave të shoqërisë civile që punojnë me persona me aftësi të kufizuara”, tha UNICEF-i në njoftimin për media.

Pjesëmarrës në takim kanë qenë fëmijët, të cilët patën mundësinë t’i ndajnë kërkesat e tyre kryesore për realizimin e të drejtave të tyre me zëvendësministrat e ministrive të linjës, përfaqësuesit nga Zyra e UNICEF-it në Kosovë, Ushtruesin e Detyrës së Udhëheqësit, Benjamin Fisher, Drejtoreshën e KOMF, Donjeta Kelmendi, dhe organizata të ndryshme për mbrojtjen e fëmijëve.

Në njoftim u tha se tridhjetë e katër komunat kanë krijuar Ekipet për të Drejtat e Fëmijëve të udhëhequra nga kryetarët e komunave, një përpjekje për bashkëpunim e iniciuar nga Zyra për Qeverisje të Mirë në kuadër të Zyrës së Kryeministrit dhe Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal.

Përveç kësaj, me mbështetjen e UNICEF-it, u tha se në tetë komunat, kuvendet komunale kanë zhvilluar dhe miratuar Planet e Veprimit të Ekipit për të Drejtat e Fëmijëve. Këto plane ofrojnë udhëzim strategjik, ndërhyrje dhe burime për shërbime komunale cilësore dhe gjithëpërfshirëse që mbështesin mbrojtjen dhe zhvillimin e fëmijëve.

UNICEF-i tha se në ditën ndërkombëtare të fëmijëve është gjithashtu e rëndësishme që të theksohet nevoja për adresimin e krizave globale të shkaktuara nga ndryshimi klimatik, ndotja mjedisore dhe humbja e biodiversitetit pasi që fëmijët janë më të cenueshmit dhe meritojnë të mbështeten me lëvizje globale që janë të fokusuara në parandalimin e ngrohjes së mëtejshme globale dhe zbutjen e efekteve më të rënda të tyre. /Klankosova.tv/ KultPlus.com