Poema e lamtumirës

Nga José Ángel Buesa

Përktheu Fatbardha Statovci

Të them lamtumirë e ndoshta ende të dua,
Ndoshta s’duhet të të harroj, por të them lamtumirë.
S’e di nëse më ke dashur… S’e di nëse të kam dashur…
Apo ndoshta u deshëm për së tepërmi.

Këtë dashuri të trishtë, pasionante dhe të çmendur, 
E mbolla në shpirt veç për ty.
S’e di nëse të desha shumë… S’e di nëse të desha pak,
Por e di që kështu s’do të dashuroj më kurrë.

Më mbetet buzëqeshja jote fjetur në kujtimin tim,
E zemra më thotë që s’do të të harroj.
Kur sapo vetëm mbetem dhe e di se po të humbas,
Ndoshta nis e të dua sikur s’të kam dashur kurrë.

Të them lamtumirë dhe ndoshta me këtë përshëndetje
Më e bukura ëndërr brenda meje vdes.
Por të them lamtumirë për gjithë jetën,
Edhe pse gjithë jetën do të vazhdoj të mendoj për ty.