S’më kujtohet çfarë stine ishte…

Poezi e shkruar nga Ismail Kadare. 

S’më kujtohet çfarë stine ishte
Sdi përse qëlloi që u ndamë
Di se ditët e mia, pa ty ishin
Të turbullta si në gjendje nokdauni.

Pa ty ishin lajmet e mbrëmjes,
Evropa,
Dimri mbi Azi.
Pa ty,
Stolit vjeshtor diçka i mungonte
Dhe pishinës në periferi.

Diçka i mungonte të shtunës
Po bota kish mbetur po ajo
Po ata qenë të pushkatuarit e komunës
Dhe kufijtë shtetërorë po ato.

Ti atëherë atë vajzë lëre
Siç e leme cigaren me zor

Që të dëbosh nikotinën e verdhë
Nga shpirti dhe nga gishtat e tu,
Që peizazheve të jetës tënde
Hëna të bjerë si dikur./KultPlus.com

Në parkun që mbuluan fletët

Poezi e shkruar nga Ismail Kadare.

Në parkun q’ë mbuluan fletët
Të dy ne ecim qetësisht,
Pas shijes saj ka shtruar vjeshta
Qilim të verdhë natyrisht.

Dhe ndoshta si një ëndërr e zbehtë
Ju fanit një muzg i vonë
Ky park q’ë kan’ mbuluar fletët
Ku pas kaq shekujsh ti po shkon.

Nga vagabondët me cigare
Ti mos u tremb e dashur kot
Imazhin tënd as dinosaurët
Shekuj më parë s’e shtypën dot.

Që ti të vije kaq e bukur
Me këta flokë, me këtë hap
Toka të egrën klimë e zbuti
Dhe akullnajat ktheu mbrapsht.

Dhe s’kish se si të ndodhte ndryshe
Të ndodhte ndryshe s’kish se si.
U desh të zhdukeshin përbindshat
Që te kjo botë të vije ti… /KultPlus.com