‘Pranverë, o kohëz dashurie, ç’më mbush plot me pikëllim’

Poezi nga Aleksander Pushkin

Në mes mjegullash të nxira
hëna zhduket, hëna bredh.
Mbi të trishtëmet rrafshira
trishtëm dritën ajo derdh.
Udhës shkretë dimërore
rend kjo trojka gjithnjë.
Zile e kalit monotone
mezi ndihet nëpër të.
Seç më kap një mall rinie
karrocieri kur këndon,
herë gas çapkënërie
herë mall ai më zgjon.
S’shoh as zjarr e as kasolle
vetëm borë si pambuk.
Dhe përtej shtyllat rrugore
duken, zhduken tek e tuk.
Ah, ç’mërzitje… nesër, Ninë,
tek e shtrenjta do të vi.
Pranë zjarrit kur të rrimë
të të shoh me mall në sy.
Dhe akrepi i sahatit
do vij’ rrotull me qetësi
E mërzitshmja mesnatë
s’do na ndajë përsëri.
Mërzi udhës dimërore
karrocieri zu dremit
Zile e kalit monotone
hënë e mjegullt që ndrit.

Pranverë, o kohëz dashurie,
ç’më mbush plot me pikëllim.
Sa mall sërish ti po më bie
në shpirtin tim, në gjakun tim.
Për mua gazi është i huaj…
çdo ngazëllim e çdo shkëlqim
më sjell mërzi, më bën të vuaj.

Oh, nëmëni shqotën, suferinën
dhe të pafundmen natë dimri.
Pse, moj jetë je dhuratë
që të bie rasti kot?
Pse të dha i fshehti fat
një ndëshkim me tmerr në botë?
Ç’është ai pushtet i nxirë,
që prej hiçit më ka thirë,
që në shpirt më dha mundime
dhe dyshim në mendjen time?
Pa një dritë e një qëllim,
më rreh zemra në shkreti.
Më mbush plot me pikëllim
jeta gjith monotoni./ KultPlus.com

Lulja

Poezi nga Aleksander Pushkin

LULJA

Lulen e vyshkur dhe pa erë,
Në mes të një libri e vështroj.
Dhe shpirtin tim prapë këtë herë,
Një varg me ëndrra se ç’e zgjoi.

Kur lulëzoi? Ç’pranverë thua?
Kush e këputi edhe ku?
Një dorë e njohur a e huaj?
Dhe pse e vuri vallë këtu?

A për kujtim të një takimi?
Apo për ndarjen plot trishtim?
A për një ëndje pikëllimi,
Në heshtje fushash pa mbarim?

Ai, ajo jetojnë vallë?
Ku vallë janë, ku bredhin, ku?
Apo mos vallë janë tharë,
Si dhe kjo lulezë këtu?

Sa ju kam dashur

Poezi nga Aleksander Pushkin

Sa ju kam dashur! Ndofta dashuria
Nuk eshte shuar krejt në shpirtin tim!
Po s’dua që prej dhembjeve të mia
Te ngryseni sërish në dëshperim.

I heshtur e pa shpresë u përvëlova
Me ndrojtje,xhelozi e mall për ju
Po kaq me dlirësi ju dashurova,
Sa, Zot! ju dashte tjetër kush kështu!/ KultPlus.com