‘Hija’ nga Zhaneta Barxhaj, poezia fituese në konkursin e poezisë ‘KultStrofa’

Poezi nga Zhaneta Barxhaj

Hija 

Kam filluar të kërrusem. 
Sytë më picërrohen e gati ma thyejnë zverkun, 
në orvatjen për të parë edhe një grimë jetë. 

Si kulpër rreh gjithçkaja rreth meje, 
veç asaj… hijes. 
Ajo qëndron drejt, pa u trembur nga asgjëja e frikshme. 

Hija, qepur në thembrat e këmbëve të mia, 
më tërheq me fije të tejdukshme 
e nuk më le të humbas… të bie… 

Unë konia e lidhur, ajo sunduesja, 
që më mban fort mos t’i iki…se ikën edhe vetë. 

Eci e trusur edhe më. 
Ku e ka vallë dobësinë hija? 
Ta thyej, ta copëtoj e të kërrusem e lirë…! 
Te thembra e këmbës, më thotë nata. 

Ah! Po ku ta gjej një shigjetë e hark, 
dhe mërinë e Akilit që ta shpoj? 
Ta shoh cofëtinë të bjeri e të ngrihet hiri, 
dhe le të jetë kjo një harakiri… 

–Poezia e shkruar nga Zhaneta Barxhaj, fituese e çmimit të parë në edicionin e pestë të konkursit mbarëkombëtar të poezisë ‘KultStrofa’, organizuar nga gazeta online për kulturë KultPlus./KultPlus.com