‘por – no Prishtina’ promovon albumin ‘Dyftyrëshi’, shpalosin temën e refugjatëve që vijnë nga zonat e luftës

Suada Qorraj

Një punë që filloi katër vite më parë, me një numër të madh muzikantësh që janë pjesë e saj, jetësoj “Dyftyrëshi”, albumin që do të promovohet sot nga grupi “por – no Prishtina”, shkruan KultPlus.

Në një intervistë për KultPlus, pjesëtari i grupit “por-no Prishtina”, Dritëro Nikqi ka thënë se punën për incizimin e këtij albumi e kanë filluar që në vitin 2016, me një ekip të vogël, por që ndryshoi gradualisht dhe bëri që “Dyftyrëshi” të jetësohet në disa lokacione e me numër të madh të bashkëpunëtorëve.

“Me incizimin e “Dyftyrëshi” kemi filluar herët, qysh në vitin 2016, pasi i kemi përfunduar koncertet promovuese për albumin e vitit 2014 – “Zhurmuesi”. Fillimisht kemi nisë punën si një ekip më i vogël në mënyrë që si në albumin paraprak me qenë të shpejtë në studio, por natyra e këngëve edhe fakti që kemi filluar me gati 30 këngë na bëri me kohë me ndrru planin dhe me e marrë procesin më të shtruar në përgjithësi. Kështu kemi përfunduar me incizimin e albumit në disa studio e lokacione dhe me numër më të madh të bashkëpunëtorëve”, ka pohuar Nikqi.

Sipas tij, albumi përmban dhjetë këngë që kanë një lidhje konceptuale mes vete. Ai ka shtuar se në këtë album, për dallim nga albumet paraprake, mungon violina dhe muzika ka një sens më orkestral.

“Në album janë 10 këngë të cilat i kemi zgjedhë si përfundimtaret e që e kanë një lidhje konceptuale mes vete. Për dallim me albumet ose EP tjera vërehet se mungon solo violina, sikur ajo e Krenar Ismailit në Zhurmues, dhe në përgjithësi muzika ka një sens më orkestral edhe më pak homogjen në kuptim të tingullit të por-no. Kjo duhet me qenë edhe si kontribut i shumë muzikantëve në këtë album, ku secili shton ngjyrën e personalitetin e vet aty. Edhe pse solo violina në këtë rast zëvendësohet me më shumë piano (Liburn Jupolli), ritëm seksioni prej Nesim Maxhunit e Michael Haves mbetet i njëjtë, e si zakonisht gjithçka ndërtohet prej kësaj”, ka shtuar tutje Nikqi.

Dritëro Nikqi ka thënë se ndonëse këngët si frymëzim fillestar e kanë temën e refugjatëve që vijnë nga zonat e luftës, ato janë këngë më intime e njëkohësisht më të drejtpërdrejta.

Tutje ai ka deklaruar se arsyeja se pse albumi quhet “Dyftyrëshi” është sepse përgjatë punës ka ekzistuar ideja e një minialbumi të dyfishtë me dy tituj. Ai ka shtuar se emrat mbesin çdo herë të hapura për interpretim, mirëpo këtë herë i përgjigjet më shumë shoqërisë së politizuar kosovare.

“Më së shumti për arsyen se gjatë punës ka qenë prezente një ide që mundet me qenë album ose minialbum i dyfishtë e me dy tituj – diçka që është qartësuar me kohë, por mbetet koncepti i dyzimit. Zakonisht në rastet e emrave edhe të emërimit, gjërat mbeten krejtësisht të hapura për interpretim, në këtë rast mendoj që më së shumti i flenë përshkrimit a qasjes së shoqërisë së politizuar kosovare”, ka thënë pjesëtari i grupit por-no Prishtina.

“Dyftyrëshi” do të vie për publikun edhe në formën e librit, me përmbajtjen e poezive të papublikuara më parë të poetëve e poeteshave si Eli Krasniqi, Arbër Selmani e Arbër Zaimi. Nikqi ka treguar se poezitë shoqërohen në faqe me një fotografi analog bardh e zi të zhvilluara në vitet e 80-ta.

“Dimensionit fizik të bartësit të albumit i kemi dhënë formën e librit, por për dallim prej artwork, librave të zakonshëm ku shfaqen tekstet e këngëve, këtu kemi poezi (kryesisht) të papublikuara prej poetëve/poeteshave si: Eli Krasniqi, Shpëtim Selmani, Ervina Halili, Arbër Zaimi, Jana Sotzko, Alban Fejza, Arbër Selmani e Genc Kadriu. Secila poezi shëqërohet në faqe me një fotografi analog bardh e zi të cilat janë të gjyshit të Dritëros, Jusuf Venharit, të shkrepura e të zhvilluara prej tij në vitet 50-60. Në fund të librit gjëndet QR code me anë të cilit shkarkohen këngët e albumit në rezolucionin më të lartë dhe si mp3. Kjo sipas nesh, i jep kuptim dy fytyrave të konceptit të albumit dhe bashkëpunimit me komunitetin artistik, diçka që ka qenë gjithmonë pjesë e por-no”, ka përfunduar kështu intervistën anëtari i “por-no Prishtina”, Dritëro Nikqi.

“Dyftyrëshi” ka në vete artistë të shumtë instrumentalist, e bashkëkompozitor duke filluar nga Dritëro Nikqi, Nesim Maxhuni, Liburn Jupolli e Michael Haves, Benjamin Ëeidekamp, Edona Vatoci, Mimoza Hajdini, Rron Qena, Fatos Derguti, Blerta Kosova, Armend Xhaferi, Krenar Ismaili, Jeton Shala, Edmond Krasniqi, Toton Pllana, Albin Abazi, Mardit Lleshi, Eduard Hallulli, Labinot Krasniqi, Dukagjin Muhaxheriheri, Gur Mal Nikqi, Ivica Jankulovski, Fatjon Miftari, Vladimir Krstev, Maja Efremova, Dubravka Zajkova dhe Marija Mihajlovska./ KultPlus.com