Osmani: Porti i Durrësit kursen kohën dhe koston e bizneseve kosovare

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë ditës së dytë të vizitës shtetërore që po zhvillon në Shqipëri, ka qëndruar edhe në qytetin e Durrësit, shkruan KultPlus.

Gjatë takimit me kryetaren e Bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako tema e diskutimit ka qenë për sezonin turistik, si dhe mundësitë e bashkëpunimit me komunat e Kosovës.

Presidenca njoftoi se presidentja Osmani dhe kryetarja Sako kanë vizituar Pikën Doganore të Kosovës në Portin e Durrësit, me ç`rast kanë takuar drejtorin e Doganave të Kosovës, Agron Llugaliu dhe homologun e tij nga Shqipëria, Genti Gazheli.

“Presidentja Osmani ka theksuar rëndësinë e përdorimit të këtij Porti nga ana e bizneseve kosovare. Sipas saj, Kjo Zyrë kursen kohën dhe koston, sikurse edhe e lehtëson operimin e bizneseve kosovare në tregjet ndërkombëtare”, thuhet në njoftim.

Nga presidenca njoftuan gjithashtu përmes komunikatës zyrtare se të dy drejtorët e doganave kanë prezantuar bilancin e shkarkimit të mallërave nga Kosova në këtë Port dhe mundësive për përdorim më të shumtë të tij në këtë funksion. /KultPlus.com

Rama: Lungomare e re e Durrësit, do t’i japë një vlerë të re krejt zonës bregdetare

Punimet në kantierin e Lungomares së re të Durrësit po vijojnë me ritme të larta.

Kryeministri Edi Rama ka publikuar pamje nga punimet në këtë kantier dhe nga projekti final sesi do të bëhet kjo shëtitore.

Rama thekson se, Lungomare e re e Durrësit, do të jetë një shëtitore e bukur që bashkë me sipërfaqen e zgjeruar të rërës, do t’i japë një përmasë e vlerë të re krejt zonës bregdetare të qytetit turistik.

Lungomarja e re do të ketë 3 kilometra vijë bregdetare, me gjelbërim, parqe dhe hapësira sportive.

Në gjithë vijën bregdetare janë rreth 58 godina hotelerie me 3100 shtretër.

Projekti merr një rëndësi të madhe duke pasur parasysh se gjatë sezonit turistik, popullsia në këtë zonë rritet me 600 mijë banorë./ atsh / KultPlus.com

Alabbar: Porti turistik i Durrësit, një nga marinat më të mëdha të Mesdheut

Investitori Mohamed Alabbar ka deklaruar se fillimi i vitit të ardhshëm do të shënojë edhe hapat e parë për ndërtimin e Portit Turistik të Durrësit.

Në një intervistë televizive, Themeluesi i “Emaar Properties” Mohamed Al Alabbar thekson se ky port do të jetë një nga marinat më të mëdha të Mesdheut.

“Është shpallur tenderi ynë i parë i ndërtimit. Kështu që të mos gabohem, presim që në rreth 4 javë të marrim çmimet e ofertës dhe pasi të kalojë kjo fazë, shpresoj që për një muaj e gjysmë apo dy muaj të instalojmë vinçat dhe të fillojmë punën”, u shpreh Alabar.

Ai bëri të ditur se “gjatë këtyre tre vjetëve kam negociuar për këtë projekt dhe me të vërtetë respektoj atë që po bën shkëlqesia e tij Edi Rama. Më pëlqen zemra e tij, mendon për popullin, i bën punët të pastra, premton dhe realizon pavarësisht presionit politik”.

Alabbar thekson se në këtë kompani është ortaku kryesor dhe vendimmarrësi, por që ka edhe partnerë e tij në Lindjen e Mesme.

“Zakonisht, projekte të mëdha si ky duhet t’i shtojnë prodhimit të brendshëm bruto rreth 4-5% 4-5 % të prodhimit të brendshëm bruto të qytetit. Studimet tona gjithmonë e tregojnë, por përsa i përket turizmit, është i jashtëzakonshëm. Ju premtoj që nëse do e bëjmë projektin siç duhet, çdo turist që do vijë në Shqipëri, 90% e tyre do të vijnë këtu”, u shpreh ai gjatë intervistës televizive.

Themeluesi i “Emaar Properties” deklaroi se në portin turistik të Durrësit do të hapen rreth 40-50.000 vende të reja pune./Report TV/ KultPlus.com

“Amerigo Vespucci” tërhoqi rreth 10 mijë vizitorë në portin e Durrësit

Rreth 10,000 qytetarë vizituan anijen italiane me famë botërore, “Amerigo Vespucci”, e konsideruar si ndër anijet më të bukura në botë.

Kjo anije u ankorua në 16 tetor në portin e Durrësit, ku gjatë ditëve të qëndrimit tërhoqi vëmendjen e mijëra vizitorëve.

Autoriteti Portual Durrës shprehu mirënjohjen për punën e bërë nga ekipet operacionale dhe të Sigurisë Portuale.

E ndërtuar në vitet ‘20 në kantieret e Castellammare di Stabia, anija “Amerigo Vespucci “është kthyer në një shkollë lundruese që ka edukuar breza të tërë oficerësh.

Ajo ka kryer mbi 70 fushata trajnimi në mbarë botën. Prej vitit 1994  “Amerigo Vespucci” nuk kishte lundruar më në ujërat shqiptare.

APD njoftoi se anija ka vijuar sot lundrimin e tyre drejt destinacionit të radhës. / atsh / KultPlus.com

Rama: Porti më i madh turistik i Mesdheut do të bëhet në Durrës (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga projekti i portit më të madh turistik të Mesdheut që pritet të bëhet në Durrës.

Rama theksoi se dje u hodh një hap vendimtar me nënshkrimin e Memorandumit të Bashkëpunimit.

Ky Memorandum hap rrugën drejt procedurës parlamentare për kontratën historike për ndërtimin e portit më të madh turistik të Mesdheut në Durrës.

“Mirëmëngjes dhe me kënaqësinë e hedhjes së një hapi vendimtar dje, me nënshkrimin e Memorandumit të Bashkëpunimit, që hap rrugën drejt procedurës parlamentare për kontratën historike për ndërtimin e portit më të madh turistik të Mesdheut në Durrës, falë një investimi prej mbi 2MLD USD, me mbështetjen e drejtpërdrejtë të Presidentit të Emirateve të Bashkuara, Sheikh Muhammed Bin Zayed, ju uroj një ditë të mbarë.” / KultPlus.com

“1000 buzëqeshje për turistët e huaj” në portin e Durrësit (FOTO)

Një pikë informacioni për udhëtarët e kroçerave dhe jahteve do të funksionojë gjatë gjithë sezonit turistik në portin e Durrësit.

Gjithçka është instaluar në sheshin pranë Drejtorisë Ekzekutive të Autoritetit Portual Durrës (APD), në kuadër të një projekti që mbështetet nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit.

Bashkë me Info-point turistik, një instalacion me çadra shumëngjyrëshe do t’i urojë simbolikisht mirëseardhjen me “1000 buzëqeshje për turistët e huaj”, që zgjedhin të vizitojnë Durrësin dhe qytetet historikë të vendit. / KultPlus.com