Presidentja Osmani uron 7 Marsin: Mësuesit tanë janë heronj të dijes

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani mësueseve dhe mësuesve ua ka uruar 7 Marsin.

Presidentja Osmani ka thënë se mësueset e mësuesit tanë janë dëshmuar në kohë shumë të vështira, ndaj ata janë heronj të dijes.

Në vijim gjeni të plotë urimin e Presidentes Osmani:

136- vjet më parë, në Korçë nisi punën mësonjëtorja e parë shqipe, e cila trasoi rrugën e arsimit shqip gjithandej, duke luajtur rol qenësor në formimin e vetëdijes kombëtare që prej Rilindjes Kombëtare.
Mësuese e mësues tanë janë dëshmuar në kohë shumë të vështira, ndaj ata janë heronj të dijes.
Ata nuk janë vetëm persona që japin dituri, por edhe mentorë, udhëzues dhe burim frymëzimi.
Në këtë ditë, të gjithë jemi mirënjohës për kontributin e çmuar të tyre në formësimin e të ardhmes sonë.
Arsimi cilësor është bazamenti i një shteti dhe shoqërie të suksesshme!
Mësuese e mësues të dashur, urime 7 Marsi! / KultPlus.com

Presidentja Osmani dekoron me Medaljen Presidenciale komandantin e Gardës Kombëtare të Iowa-s, Benjamin Correl

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot  në takim një delegacion të SHBA-ve, të prirë nga gjeneralmajor Benjamin J.Correl,  komandant i Gardës Kombëtare të Iowa-s, ambasadori amerikan Jeffrey Hovenier dhe zyrtarë të tjerë të lartë të mbrojtjes.

Pasi që ka falënderuar gjeneralmajorin Correl për gjithë angazhimin e tij në fushën e bashkëpunimit bilateral ndërmjet FSK-së dhe Gardës Kombëtare të Iowa-s, si dhe kontributin në fushën e mbrojtjes së Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj, Presidentja Osmani e ka dekoruar me Medaljen Presidenciale Ushtarake.

Presidentja Osmani, tha se Programi i Bashkëpunimit në fushën e Sigurisë i Departamentit të Mbrojtjes të SHBA-ve, të kryesuar nga Byroja e Gardës Kombëtare, respektivisht Partneriteti shtetëror me Iowa-n, është thelbësor për marrëdhëniet strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.  Në këtë kontekst, ajo ka çmuar angazhimin e deritashëm të gjeneralmajorit Correl, duke shfaqur shpresën se marrëdhëniet në fushën e sigurisë ndërmjet të dy shteteve vetëm sa do të thellohen në të ardhmen.

“Rezultatet tua në fushën e bashkëpunimit janë të dukshme dhe rrjedhojë e këtij partneriteti me Gardës Kombëtare të Iowa-s. Falënderoj shtetin e Iowa-s për qindra burra dhe gra të Gardës Kombëtare me uniformë, të cilët kanë shërbyer në Kosovë gjatë viteve në kuadër të KFOR-it, sikurse të gjithë ata që janë pjesë e programit të partneritetit”, është shprehur Presidentja Osmani.

Më tej, Presidentja Osmani ka theksuar se Garda Kombëtare e Iowa-s ka kontribuar ndjeshëm në profesionalizimin dhe besueshmërinë ndërkombëtare të Forcës së Sigurisë së Kosovës, duke qenë kontribuuese në misionet ndërkombëtare bashkërisht me trupat amerikane.

Ndërkaq gjeneralmajori Correl tha se ndihet i nderuar me dekoratën e Presidentes Osmani, e cila sipas tij do të shërbejë si një kujtim i çmuar i partneritetit me ushtrinë dhe shtetin e Kosovës. Gjeneralmajor Correl ka potencuar se do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në  çfarëdo kapaciteti që do të jetë i angazhuar./ KultPlus.com

Osmani: Ashtu siç diti Rugova të ndërtojë miq e aleatë, ashtu do t’i ruajmë ato në rrugën tonë përpara

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka nderuar lartë jetën dhe veprën e ish-presidentit, Ibrahim Rugova, në 17 vjetorin e vdekjes.Osmani thotë se Rugova iu dha zë të gjitha kërkesave të drejta të popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi.

“Sot në këtë përvjetor të shkuarjes në amshim të atit themeltar të Republikës së Kosovës, presidentit historik, Ibrahim Rugova, e përkujtojmë me mall njeriun i cili i dha zë kërkesave të drejta të popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi”.

“Natyrisht se është trashëgimia që ai la pas që na shërben si dritë udhërrëfyese në përpjekjet tona të pandalura për shtetin tonë dhe shtetin që u ndërtua me aq shumë mund e sakrificë të shumë burrave e grave të Kosovës”.

Osmani, mes tjerash, tha se ashtu siç Rugova ndërtoi miq e aleatë që e mbështetën Kosovën në ditët më të errëta ashtu do të vazhdojnë t’i ruajn këto aleanca në rrugën përpara të vendit.

“Ashtu siç diti presidenti Rugova të ndërtojë miq e aleatë që e mbështetën Kosovën në ditët më të errëta e të rënda ashtu do i ruajmë këto aleanca në rrugën tonë përpara përderisa Kosova vazhdon të përballet me sfida. I përjetshëm është kujtimi për të , trashëgimia e tij do të rrojë përherë edhe në brezat e ardhshëm”, tha presidentja Osmani.

Presidentja përkujton Enver Malokun: Siç bëri ai për të vërtetën, duhet të bëjmë ne, duke zbardhur autorët e vrasjes së tij

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka përkujtuar atdhetarin dhe gazetarin Enver Maloku, në 24 vjetorin e vrasjes.

Presidentja Osmani shprehet se duhet zbardhur e vërteta mbi vrasjen  e tij dhe autorët e saj duhet të përballen me drejtësinë.

Postimi i plotë i Presidentes Osmani:

Në 24 – vjetorin e vrasjes së atdhetarit e gazetarit Enver Maloku, e kujtojmë me respekt bashkëpunëtorin e presidentit historik, dr.Ibrahim Rugova dhe drejtuesin e Qendrës për Informim të Kosovës, zërin e të vërtetës sonë nga kohët e errëta.   

Siç bëri ai për të vërtetën, duhet të bëjmë ne, duke zbardhur autorët e vrasjes së tij dhe duke i përballë me drejtësinë!

Qoftë i paharruar kujtimi për Enver Malokun! / KultPlus.com

Presidentja Osmani uron Krishtlindjet nga Pjetërshani

Presidentja Vjosa Osmani së bashku me familjen e saj ka kaluar mbrëmjen e Krishtlindjes në fshatin e bukur të Pjetërshanit.

Osmani ka shkruar në rrjetet sociale se qytetarëve të këtyre fshatrave bujare ua ka uruar kremtën e Krishtlindjes e pastaj janë mirëpritëm edhe në Famulli.

“Kremta vazhdoi në familjen Simoni, me gjithë mikpritjen tradicionale shqiptare. Nga aty uruam edhe një herë që paqja dashuria, mirëkuptimi dhe toleranca të mbizotërojnë gjithmonë ndër ne. Gëzuar Krishtlindjen”, ka shkruar ajo./KultPlus.com

Pas rastit tronditës të shtatzënës, mblidhen sot krerët e shtetit

Pas ngjarjes tronditëse, presidentja Vjosa Osmani ka thirrur për sot mbledhjen e Këshillit për demokraci dhe të drejta të njeriut.

Në këtë takim, ku do të marrin pjesë të gjithë liderët institucionalë, pritet të dilet me qëndrime konkrete për masat që duhen ndërmarrë për parandalimin e dukurisë së vrasjes së vajzave dhe grave në Kosovë Osmani tha për RTK se si shtet dhe shoqëri jemi para një sfide serioze , sepse femicidi urgjentisht duhet të ndalet dhe nuk duhet të tolerohet.

“Në këtë takim përveç liderëve institucional do të marrin pjesë edhe udhëheqësit e institucioneve të drejtësisë, të sigurisë, përfaqësues të shoqërisë civile, të institucioneve të pavarura. Në agjendë janë dy pika konkrete: E para, secili institucionin të jetë në inputin e vet lidhur me mangësitë që ekzistojnë në sistemin tonë për mbrojtjen e jetës së vajzave dhe grave dhe e dyta do të dalim me përfundime dhe konkluzione konkretet se si të parandalojmë këto akte të dhunës dhe këtë femicid, sa më urgjentisht që të jetë e mundur. Shpresoj shumë që secili nga institucionet e Kosovës do të vijë me një listë veprimesh konkrete të cilat nënë ombrellën e Këshillit për demokraci dhe të drejta të njeriut dhe i cili do të mbikëqyrë zbatimin e tyre do të shtyhen përpara, duke kuptuar seriozitetin e kësaj situata jashtëzakonisht tronditëse për gjithë shoqërinë dhe shtetin tonë. Si shtet dhe shoqërisë jemi para një sfide serioze, sepse femicidi urgjentisht duhet të ndalet dhe nuk duhet të tolerohet”, tha Osmani.

I dyshuari për vrasjen për vrasjen e ish-gruas së tij shtatzënë në oborrin e QKUK-së mbrëmjen e së mërkurës, ndodhet ende në arrati.

Policia gjatë ditës së djeshme e ka shpallur në kërkim të njëjtin duke kërkuar edhe ndihmën e qytetarëve për ta kapur, shkruan Reporteri.net.

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla gjatë ditës së djeshme ka thënë se ka kërkuar angazhim maksimal të të gjithë zyrtarëve policorë për arrestimin e menjëhershëm dhe sjelljen para drejtësisë të Sokol Halilit.

Sveçla ka thënë se arrestimi dhe drejtësia janë urgjenca e këtij rasti.

Të njëjtit siç u raportua dje, i është gjetur vetura në sheshin “Ahmet Shtimja”. Policia tha se i dyshuari është kërkuar në disa lokacione, por ende nuk kanë arritur ta kapin. / KultPlus.com

Presidentja Osmani priti në takim kongresistin amerikan, Ritchie Torres

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani priti sot në takim kongresistin amerikan, Ritchie Torres, njëherësh bashkëkryesues i Grupit për Çështjet Shqiptare në Kongresin amerikan, të cilin e falënderoi për punën e tij të jashtëzakonshme në mbështetje të Republikës së Kosovës, si dhe e njoftoi për zhvillimet në Kosovë dhe situatën aktuale të sigurisë.

Në takim me kongresistin Torres, Presidentja Osmani vuri theksin në forcimin e partneritetit strategjik me SHBA-të, si dhe angazhimin e tij për mbështetjen e mëtejme të Kosovës. Në këtë drejtim, Presidentja Osmani theksoi se kongresisti Torres po e vazhdon trashëgiminë historike të kongresistit Eliot Engel, duke qenë një zë i fuqishëm i Kosovës në Kongresin amerikan.

Kongresisti Torres theksoi se Kosova është mike dhe aleate e palëkundur e Shteteve të Bashkuara dhe se do të punojë afër me administratën amerikane për ta vazhduar mbështetjen për Republikën e Kosovës. / KultPlus.com

Presidentja Osmani udhëton zyrtarisht për në Paris, merr pjesë në Forumin e Paqes

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për në Francë ku do të marrë pjesë në Forumin e Paqes në Paris krahas liderëve të tjerë botërorë e udhëheqësve të organizatave ndërkombëtare.

Përgjatë këtij forumi, ku Presidentja Osmani është ftuar së bashku me Zotërinë e Parë, z.Prindon Sadriu, ajo do të marrë pjesë në pritjen e organizuar nga Presidenti Macron dhe Zonja e Parë e Francës për liderët botërorë, e poashtu do t’i drejtohet panelit të diskutimit mbi bashkëpunimin në kohë kritike për kontinentin tonë bashkë me presidenten e Hungarisë, Katlin Novák, si dhe Jean-Marie Guéhenno. Krahas aktiviteteve të forumit, Presidentja Osmani do të zhvillojë takime bilaterale me liderë tjerë për të diskutuar thellimin e bashkëpunimit për tejkalimin e sfidave aktuale të paqes dhe sigurisë.

Edicioni i pestë i Forumit të Paqes në Paris do të mbledhë liderë nga mbarë bota, si dhe përfaqësues të lartë të organizatave ndërkombëtare, bizneseve, bankave zhvillimore për të diskutuar eliminimin e krizave të shumëfishta globale, duke promovuar forcimin e bashkëpunimit dhe multilateralizmit. / KultPlus.com

Presidentja Osmani në 20 vjetorin e vrasjes së Ukë Bytyqit: Guximi, vendosmëria e urtia e fjalës së tij mbetet shembull për politikanët e sotëm e të nesërm

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu ka përkujtuar kryetarin e parë të Suharekës së pasluftës dhe veprimtarin e shquar të Kosovës për lirinë dhe pavarësinë e vendit, Ukë Bytyqin në 20 vjetorin e vrasjes.

Presidentja Osmani ka thënë se sot përkujtojmë 20-vjetorin e vrasjes së kryetarit të parë të Suharekës së pasluftës, Ukë Bytyqit, veprimtarin e shquar të Kosovës për lirinë dhe pavarësinë e vendit, aktivistin e devotshëm e bashkëmendimtarin e bashkëveprimtarin e presidentit historik të Kosovës, dr. Ibrahim Rugovës

“Uka u vra së bashku me dy përcjellësit e tij, Bafti Bajramin e Bajram Bytyçin,  vetëm një ditë pasi ishte rikonfirmuar fitues në garën për të parin e komunës. Guximi, vendosmëria e urtia e fjalës së tij mbetet shembull për politikanët e sotëm e të nesërm”, ka thënë Presidentja Osmani.

Në vijim gjeni të plotë postimin e Presidentes Osmani:

Sot përkujtojmë 20-vjetorin e vrasjes së kryetarit të parë të Suharekës së pasluftës, Ukë Bytyqit, veprimtarin e shquar të Kosovës për lirinë dhe pavarësinë e vendit, aktivistin e devotshëm e bashkëmendimtarin e bashkëveprimtarin e presidentit historik të Kosovës, dr. Ibrahim Rugovës.

Uka u vra së bashku me dy përcjellësit e tij, Bafti Bajramin e Bajram Bytyçin,  vetëm një ditë pasi ishte rikonfirmuar fitues në garën për të parin e komunës. Guximi, vendosmëria e urtia e fjalës së tij mbetet shembull për politikanët e sotëm e të nesërm.

Këto vlera, të cilat e shndërruan atë në njeri të dashur e të besueshëm për qytetarët e Suharekës dhe të gjithë Kosovës, do të jetojnë gjatë e do të shërbejnë si shembull se si duhet e punohet për atdheun.

Dy dhjetëvjetësha nga atëherë, qytetarët e Suharekës dhe të gjithë Kosovës e kujtojnë me respekt të thellë personalitetin dhe veprën e tij në shërbim të vendit.

I përjetshëm do të jetë kujtimi për Ukë Bytyqin! / KultPlus.com

Presidentja Osmani pret nesër Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do të presë nesër në takim Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, shkruan KultPlus.

Takimi do të mbahet në Presidencë nga ora 09:00.

Pas takimit, Presidentja Vjosa Osmani dhe Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen do të mbajnë konferencë për media./ KultPlus.com

Presidentja Osmani në kuadër të Forumit per Gratë, Paqen dhe Sigurinë zhvilloi disa takime bilaterale me  zyrtarë të lartë të disa shteteve

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në kuadër të edicionit të parë të Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë ka zhvilluar një sërë takimesh bilaterale me zyrtarë të lartë të disa shteteve.

Në takim me ministren gjermane të shtetit për Evropë dhe Klimë në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë, Ana Lührmann e ka falënderuar për mbështetjen dhënë Kosovës për liberalizimin e vizave dhe anëtarësimin në Këshillin e Evropës. Presidentja gjithashtu ka mirëpritur progresin e arritur në takimet e fundit te nivelit ministror të Procesit të Berlinit në Berlin drejt finalizimit të disa marrëveshjeve që i kontribuojnë bashkëpunimit rajonal e në veçanti lëvizjes së lirë pa viza në mes 6 shteteve të rajonit dhe krijimit të Tregut të Përbashkët Rajonal.

Sipas Presidentes Osmani, ky  proces i nisur për së mbari duhet të vazhdojë krahas mbështetjes së Gjermanisë ndaj Ballkanit Perëndimor. Presidentja Osmani, në takim me ministren Lührmann, ka ritheksuar se Kosova tashmë ka plotësuar të gjitha kriteret për liberalizim dhe se pret që heqja e vizave të ndodhë deri ne dhjetor, duke mos u kushtëzuar me ETIAS, për fillimin e zbatimit të të cilit nuk ka ndonjë datë të qartë as Komisioni Evropian.

Kurse në takim me Anita Vandelbeld, sekretare në Ministrinë për Zhvillim Ndërkombëtar të Kanadasë, Presidentes Osmani i është konfirmuar mbështetja e këtij shteti në rrugën euro-atlantike të Kosovës.

Edhe me Ilhan Kyuchuk, bashkëkryuesues i Aleancës  Liberal-Demokrate të Evropës (ALDE), njëherësh eurodeputet, me të cilin, gjithashtu diskutuan për liberalizimin e vizave dhe anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Eurodeputeti Kyuchuk konfirmoi mbështetjen për liberalizimin e vizave për Kosovën, sikurse edhe për anëtarësimin në Këshillin e Evropës.

Ndërkaq me ish- presidenten e Estonisë, Kersti Kaljualid, ka potencuar se Kosova gjithnjë ka pasur vizion euro-atlantik dhe se shumica e kosovarëve jo vetëm që ndajnë vlerat e njëjta me vendet evropiane, por edhe janë më shumicë pro integrimit në BE.

Në takim me Eric Nelson, ambasador rezident në George C Marshall Center for Security Studies, Presidentja Osmani ka diskutuar për përmbushjen e agjendës WPS, duke falënderuar SHBA-të për mbështetjen në organizimin e Forumit të sivjetmë. Një pjesë e takimit iu kushtua sulmeve dhe kërcënimeve kibernetike, me të cilat Kosova po përballet kohën e fundit. Ambasadori Nelson ka premtuar mbështetje ndaj Kosovës kundër sulmeve kibernetike.

Presidentja Osmani, në kuadër të aktiviteteve të Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, ka takuar edhe Ruth Gaby Vermot, bashkëkryesuese e organizatës Peace Women Across the Globe./KultPlus.com

Presidentja Osmani ndan medalje presidenciale për gratë e Ukrainës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka ndarë medalje presidenciale për gratë e Ukrainës siç tha ajo për trimërinë dhe kontributin e tyre.

Kjo u bë në Forumin për Gratë, Paqen dhe Sigurinë që po mbahet në Prishtinë.

Në këtë forum Presidenti i Maltës, George Vella tha se ka ende gra të nënpërfaqësuara në nivel vendimmarrëse.

“Gratë janë akoma të nënpërfaqësuara në nivele vendimmarrëse, i ekspozohen dhunës dhe janë në situata të pavolitshme. Në bazë të publikimit të Kombeve te Bashkuara paraqitet progresi që është bërë për të shmangur ligjet diskriminuese dhe për të mbrojtur më shumë gratë dhe vajzat”, tha ai.

Ai tha se Malta beson që nevojitet një qasje shoqërore për të zbatuar agjendën për gratë paqen dhe sigurinë.

“Të theksojmë nevojën për të parandaluar veprimet e dhunës, seksuale, gjinore, familjare, në mënyrë që të ngadhënjejë paqja. Gjendja për gratë, paqen dhe sigurinë duhet të ketë diçka të përgjithshme. Duhet të sigurohemi që bota për të cilën po flasim të sheh që kjo të mos mbetet vetëm në letër, ndryshimet duhet të bëhen në teren, këto mundësi duhet të shtyhen përpara, të punojmë së bashku për të mirën e grave dhe vajzave në mbarë botën. Përfitojnë i gjithë populli jo vetëm gratë, kjo është rruga përpara, gratë burrat duhet përfitojnë përmes pjesëmarrjes më të madhe të grave në vendimmarrje dhe kjo rrit aktivizimin”, tha ai.

Zëvendëskryeministrja e Malit të Zi, Jovana Maroviq tha se barazia gjinore është e drejtë bazike njerëzore.

Ajo tha se ka ende punë për të bërë për barazinë duke shtuar se gratë vazhdojnë të ballafaqohen me diskriminim.

“Gratë shpesh ballafaqohen me diskriminim në punësim, edhe nëse arrin të marrin një punë kanë të drejta të tjera që u cenohen atyre, janë të nën përfaqësuara në vendimmarrje. Ka shumë gra në pozita të rëndësishme në këtë forum por jashtë akoma ballafaqohen me situata të pavolitshme, duhet të bëjmë çmos të të tërheqim vëmendjen për gratë dhe rolin e tyre. Pjesëmarrja e grave e bën botën një vend më të mirë dhe më të sigurt për të jetuar”, tha ajo.

Ndërsa, zëvendëspresidentja e Republikës Palau Uduch Sengebau Senior tha se duhet bashkuar rreth qëllimit për të drejtat e barabarta.

“Sikur edhe paraardhësit tanë nëse kemi guximin me u ballfaqu me çështjet e moralit të kohës sonë duhet të jemi konsistent me mundësitë sikur këto që të bëhemi bashkë për t’i kombinuar përpjekjet dhe vizionet për një botë të barabartë, një synim që e ndajmë të gjithë. Agjenda për gratë në p,aqe dhe siguri projekton punën e përbashkët, sjell ndryshimin, jemi të rëndësishme dhe rolet e pozitat që mbajnë janë të rëndësishme”, tha ajo.

Ky është edicioni i parë i Forumit Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, i cili ka mbledhur në Prishtinë rreth 500 pjesëmarrës nga 33 shtete të botës./ KultPlus.com

Presidentja Osmani: Historia e Kosovës, është histori e secilës grua që hoqi një gur nga rruga 

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se Forumi Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, një organizim i pari i këtij lloji, është e rëndësishëm për njerëzimin në përgjithësi.

Sipas saj, historia e Kosovës është histori e secilës grua e cila siç ka thënë, ka larguar një gur nga rruga drejt barazisë.

Në fjalën e saj para të pranishmëve, e para e shtetit ka falënderuar partnerët vendorë dhe ndërkombëtarë për ndihmën në organizimin e këtij eventi.

“Ne besojmë që nëse i njohim praktikat e partneritetit, çdo fëmijë do të na jep kontributin që të ndërtojmë një botë paqësore. Pjesëmarrja dhe vetëbesimi është mbushur me liderë, ekspertë nga e gjithë bota, të cilët e kanë mësuar mësimin e tyre për botën si një botë të sigurt. Dua t’i falënderoj miqtë që e kanë bërë këtë Forum, të gjitha institucionet kosovare dhe partnerët tanë ndërkombëtarë”, u shpreh Osmani.

Përgjatë dy ditëve sa do të zgjasë ky Forum, folës, panelistë e diskutues të tjerë do të debatojnë në temën bosht “Ndërtimi i Aleancave për Paqe të Qëndrueshme”./ KultPlus.com

Presidentja Osmani mban konferencë për media lidhur me Forumin Ndërkombëtar për Gratë Paqen dhe Sigurinë

Presidentja Osmani mban konferencë për media lidhur me Forumin Ndërkombëtar për Gratë Paqen dhe Sigurinë.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani nesër (21.10.2022), në orën 13:30, do të mbajë konferencë për media.

Në këtë konferencë, Presidentja Osmani do të shpalosë detaje para fillimit të Forumit Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.

Forumi për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, do të mbahet më 22 dhe 23 tetor 2022, në Prishtinë, ku do të marrin pjesë personalitete të shumta të jetës politike, shkencore, kulturore dhe nga shoqëria civile nga vende të ndryshme të botës.

Konferenca do të mbahet në objektin e trashëgimisë kulturore, Hamami i Madh i Prishtinës./ KultPlus.com

Presidentja Osmani në Ditën e Vajzave: Sa më të fuqishme vajzat e sotme, më të fuqishme janë gratë e së nesërmes

Më 19 Dhjetor 2011, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi Rezolutën 66/170 për të shpallur 11 Tetorin si Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve Vajza, për të njohur të drejtat e vajzave dhe sfidat unike me të cilat përballen vajzat në të gjithë botën, njëkohësisht ky është edhe muaji i ndërgjegjësimit për personat me sindromën Down, përcjellë KultPlus.

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, përmes një statusi në Facebook, ka shkruar se fëmijëve vajza duhet t’ua krijojmë mundësinë që të mund ta realizojnë potencialin e plotë.

“Fëmijëve vajza duhet t’ua krijojmë mundësinë që të mund ta realizojnë potencialin e plotë. Sa më të fuqishme vajzat e sotme, më të fuqishme janë gratë e së nesërmes”, shkruan Osmani.

Tutje presidentja është shprehur se Tetori nuk është vetëm muaji i vajzave, por edhe i ndërgjegjësimit për personat me sindromën Down për të cilët është shprehur që kanë nevojë për përkrahjen tonë çdo ditë.

“Tetori nuk është vetëm muaj i vajzave, por edhe i ndërgjegjësimit për personat me sindromën Down. Ata janë si ne, të ngjashëm, të ndryshëm, por të barabartë. Për këta fëmijë nuk mjafton e as nuk duhet të jetë vetëm një ditë. Fëmijët me sindromën Down kanë nevojë për përkrahjen tonë çdo ditë. Çdo ditë e tyre është ditë e jona, e çdo ditë e jona vë në qendër të vëmendjes kujdesin ndaj tyre”, përfundon Osmani. / KultPlus.com

Presidentja Osmani priti në takim admiralin Munsch, Komandant i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli



Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim admiralin Stuart B. Munsch, Komandant i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli, të cilin e ka falënderuar për mbështetjen e vazhdueshme të NATO-s në ruajtjen e stabilitetit dhe paqes në Kosovë dhe rajon.

Në takim me admiralin Munsch, Presidentja Osmani ka theksuar se institucionet e Kosovës mbeten të përkushtuara për bashkëpunim me NATO-n dhe KFOR-in, kundër rreziqeve të sigurisë, si dhe për të kontribuar në mënyrë të suksesshme për paqe dhe siguri në tërë territorin e Kosovës.

Presidentja Osmani e njoftoi admiralin Munsch se Forca e Sigurisë së Kosovës është në tranzicion dhe po zhvillohet profesionalisht në përputhje me standardet e NATO-s. Presidentja Osmani ka theksuar se FSK-ja i mundëson Kosovës të bëhet një kontribuuese aktiv në kuadër të sigurisë rajonale dhe globale.

Në raport me agresionin e Rusisë në Ukrainë, Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova është plotësisht në linjë me sanksionet e BE-së dhe SHBA-së kundër Rusisë. / KultPlus.com

Osmani falënderon kryeministrin belg për mbështetjen për anëtarësim në KiE

Gjatë vizitës në Pragë, në kuadër të samitit inaugurues të Komunitetit Politik Evropian, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka takuar kryeministrin e Belgjikës, Alexander De Croo, me të cilin ka diskutuar për marrëdhëniet bilaterale dhe çështjet aktuale ne kontinentin evropian.

Presidentja Osmani, teksa ka folur për agjendën evropiane të Republikës së Kosovës, ka rikonfirmuar përkushtimin e institucioneve të vendit për të vazhduar punën në reforma të rëndësishme në të gjitha fushat, teksa Osmani ka ritheksuar rëndësinë e përfundimit sa më parë të procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Mes tjerash, Osmani ka falënderuar De Cross për mbështetjen belge për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, duke theksuar rëndësinë e anëtarësimit për të gjithë qytetarët e Kosovës pa dallim.

Në kontekst të integrimit evropian, Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova është e përkushtuar që ta avancojë këtë proces, duke aplikuar për anëtarësim në BE si hap i radhës./ KultPlus.com

Presidentja Osmani takon presidentin e Estonisë gjatë vizitës në Nju Jork

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë vizitës në New York është takuar me presidentin e Estonisë, Alar Karis.

Diskutimi u fokusua në thellimin e marrëdhënieve dypalëshe, zhvillimet në rajon e më gjerë, si dhe bashkëpunimin e mëtejmë.

Presidentja Osmani e falënderoi homologun estonez për mbështetjen e vazhdueshme dhënë anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës dhe në organizatat e tjera ndërkombëtare.

Në takim me presidentin Karis, Presidentja Osmani theksoi përkushtimin e Kosovës për ta avancuar integrimin euroatlantik dhe në të njëjtën kohë shtroi nevojën e  përmbylljes urgjente të liberalizimit të vizave.

Ndërkaq sa i përket dialogut me Serbinë, Presidentja Osmani theksoi se Kosova mbetet palë konstruktive në dialog, i cili synon një marrëveshje përfundimtare, të përqendruar në njohjen e ndërsjellë.

Në raport me luftën në Ukrainë, Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova ka dënuar pa mëdyshje luftën e paprovokuar të Putinit kundër Ukrainës dhe se Kosova është plotësisht në linjë me sanksionet e BE-së dhe SHBA-së kundër Rusisë.

Në takim u diskutua edhe për mundësitë e bashkëpunimit strategjik në fushën e digjitalizimit./ KultPlus.com

Presidentja Osmani takoi këshilltarin e Departamentit të Shtetit të SHBA-së, Derek Chollet dhe të dërguarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar

Presidentja e Republikës së Kosovës, në kuadër të vizitës në New York, është takuar me  këshilltarin në Departamentit Amerikan të Shtetit, z. Derek Chollet dhe të dërguarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Në takim me zyrtarët e lartë amerikanë, Presidentja Osmani ka diskutuar për zhvillimet e fundit në rajon dhe më gjerë si dhe bashkëpunimin e mëtejm për ta avancuar integrimin euroatlantik të Kosovës,  si një parakusht për stabilitet afatgjatë.

Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen e saj për mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-ve, dhe në veçanti përkrahjen e SHBA-ve në procesin e dialogut.  Ajo gjithashtu theksoi nevojën për të ecur përpara me procesin e dialogut me Serbinë, të përqendruar në njohjen reciproke. Presidentja Osmani,  potencoi nevojën që Serbia t`i zbatojë obligimet e saj nga marrëveshja për udhërrëfyesin e energjisë dhe nevojën urgjente që të arrihet sukses sa i përket marrëveshjes për të zhdukurit me dhunë. / KultPlus.com

Presidentja Osmani: Mbretëresha do të mbahet mend si një simbol i forcës dhe i qëndrueshmërisë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, do të marr pjesë në ceremoninë e varrimit të Mbretëreshës Elizabeth II.

Osmani ishte edhe pjesë e pritjes së organizuar nga Mbreti Charles III për krerë shtetesh dhe bashkëshortët e tyre nga mbarë bota, të cilët do të jenë prezent në varrimin e Mbretëreshës së Mbretërisë së Bashkuar, Elizabeth II, e cila ndërroi jetë më 8 shtator.

“Krahas Familjes mbretërore dhe liderë të tjerë botërorë, ne morëm pjesë në pritjen e Mbretit të HM në Pallatin Buckingham për të nderuar trashëgiminë e Mbretëreshës Elizabeth II të HM. Mbretëresha do të mbahet mend si një simbol i forcës dhe i qëndrueshmërisë, dhe për angazhimin e saj të palëkundur ndaj shërbimit publik”, ka shkruar Osmani.

Pas varrimit të Mbretëreshës Elizabeth II, më pas Osmani do të jetë pjesë e pritjen së organizuar nga Sekretari për Punë të Jashtme i Mbretërisë së Bashkuar, James Cleverly. / KultPlus.com

Presidentja hungareze në Kosovë, pritet me ceremoni nga presidentja Osmani

Presidentja e Hungarisë, Katalin Novak, sot po qëndron në Kosovë për vizitë zyrtare.

Ajo u prit nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani, me ceremoni të lartë shtetërore.

Fillimisht, ajo u prit në aeroport nga kryediplomatja Donika Gërvalla.

Pas takimit në Presidencë, Osmani dhe Novak do të dalin në konferencë për media./ KultPlus.com

Presidentja Osmani u prit nga kryetari i Senatit Çek, adreson çështjen e liberalizimit të vizave

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ndodhet për vizitë zyrtare në Çeki është takuar me kryetarin e Senatit Çek, Miloš Vystrčil.

Në takim me kryetarin Vystrčil, Presidentja Osmani ka theksuar se Republika e Kosovës e konsideron Republikën Çeke si aleate të rëndësishme, me të cilën ndajnë vlera dhe vizion të përbashkët për paqe, prosperitet dhe integrim euroatlantik.

Presidentja Osmani ka adresuar çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën dhe avancimin e agjendës evropiane të Kosovës në mandatin e Çekisë, e cila aktualisht udhëheqë me presidencën e Këshillit të Bashkimit Evropian.

“Kosova ka nevojë për rrugë të qartë drejtë BE-së gjatë Presidencës Çeke. Mbështetja për procesin e liberalizimit të vizave duhet të jetë në agjendë, sepse është një padrejtësi e madhe ndaj qytetarëve të Kosovës”, ka theksuar Presidentja.

Në takim, Presidentja Osmani ka kërkuar edhe përkrahjen e senatit çek për procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës, duke pasur parasysh rëndësinë e madhe që parlamentarët luajnë në këtë proces, sidomos në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

Presidentja Osmani ka diskutuar me kryetarin Vystrčil për rëndësinë e mbështetjes për anëtarësimin e Kosovës në Partneritetin për Paqe e më pas në NATO. Të dy bashkëbiseduesit janë pajtuar për zgjerimin dhe thellimin e marrëdhënieve bilaterale, sikurse edhe në forcimin e diplomacisë parlamentare ndërmjet dy vendeve. / KultPlus.com

Presidentja Osmani në Ditën e Personave të Zhdukur: Ata janë dëshmia e përpjekjes së regjimit gjenocidal serb për shfarosjen tonë

Sot është Dita Ndërkombëtare e Personave të Zhdukur. Kur janë bërë 23 vjet nga përfundimi i luftës në Kosovë, zyrtarisht edhe mbi 1600 persona figurojnë si të zhdukur.

Në këtë ditë ka reaguar edhe presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani e cila është shprehur se të zhdukurit janë dhimbja dhe kujtesa jonë kolektive. Ata janë dëshmia e përpjekjes së regjimit gjenocidal serb për shfarosjen tonë.

“Në Ditën Ndërkombëtare të të Zhdukurve, familjarët, sikurse edhe e gjithë Kosova ende është në pritje të zbardhjes së fatit të mbi 1600 personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Ata janë dhimbja dhe kujtesa jonë kolektive. Ata janë dëshmia e përpjekjes së regjimit gjenocidal serb për shfarosjen tonë. Mbi të gjitha, ata janë pengu i lirisë sonë, ndaj zbardhja e fatit të tyre është përkushtim i çdoditshëm.

Paqe të qëndrueshme nuk mund të ketë pa zbardhjen e fatit të të zhdukurve me dhunë në luftën e fundit në Kosovë. Jemi të përkushtuar e të vendosur që fati i tyre të zbardhet, e vërteta të ngadhënjejë dhe drejtësia të triumfojë”, shkruan Osmani. / KultPlus.com

Presidentja Osmani në takim me gazetarët ukrainas: Kosova do ta mbështesë popullin e Ukrainës deri kur atje të triumfojë liria dhe paqja

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani për nder të 31-vjetorit të pavarësisë se Ukrainës, ka pritur sot në takim gazetarët ukrainas që po qëndrojnë në Kosovë si pjesë e programit “Gazetarët në Rezidencë”, shkruan KultPlus.

Presidentja Osmani gjatë këtij takimi është shprehur se Kosova do ta mbështesë populli e Ukrainës deri kur atje të triumfojë liria dhe paqja.

“Në Ditën e Pavarësisë së Ukrainës, i sigurova gazetaret që po qëndrojnë në Kosovë si pjesë e programit “Gazetarët në Rezidencë”, që Kosova do ta mbështesë popullin e Ukrainës deri kur atje të triumfojë liria dhe paqja!

Në një bashkëbisedim frymëzues me to, potencova mbështetjen tonë të plotë për punën e tyre të guximshme në mbrojtjen e së vërtetës dhe në forcimin e miqësisë në mes të popujve tanë’, shkruan Osmani. / KultPlus.com