Ish-presidenti Sejdiu promovon librin ‘Ora e Kosovës – Pavarësia dhe Shtetndërtimi’

Ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka promovuar librin e tij “Ora e Kosovës – Pavarësia dhe Shtetndërtimi” në Tiranë.

Ish- presidenti Sejdiu përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, ka bërë të ditur se të pranishëm në këtë promovim ishin akademikë e profesorë të ndryshëm.

“ Të pranishëm ishin akademik Skender Gjinushi, kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, zv. Mistrja e Punëve të jashtme Artemis Malo, ambasadori i Kosovës më Shqipëri Skender Durmishi, ish kryeministri Pandeli Majko, ish minstrja e punëve të jashtme Arta Dade, Rektori i Kolegjit AAB nga Kosova Lulzim Tafa si dhe personalitete të shumta nga fusha akademike dhe ajo publike.

Për librin folën Akademik Anastas Angjeli, Presidenti Alfred Moisiu i cili është njëri nga recensentët, Presidenti Bamir Topi, akademik Ardian Civici – rektor i Universitetit, pastaj profesor Paskal Milo, profesor Ksenofon Krisafi dhe profesor Ibrahim Berisha që ishtë redaktor i librit“, ka shkruar Sejdiu./KultPlus.com

Aktorja Angelina Jolie shkruan në shqip njoftimin për publikimin e librit të saj në Kosovë dhe Shqipëri

Aktorja e famshme Angelia Jolie, ka bërë një postim në gjuhën shqipe, duke njoftuar se libri i saj “Njihni të drejtat tuaja dhe kërkojini ato”, i shkruar nga ajo, Amnesty International dhe Geraldine Vab Bueren, tanimë është publikuar edhe në Kosovë dhe në Shqipëri, shkruan KultPlus.

Përmes një publikimi në instagram, Jolie u është drejtuar ndjekësve të saj edhe në gjuhën shqipe.

“Për t’i kërkuar të drejtat tuaja, duhet t’i njihni ato. Neni 42 i Konventës për të Drejtat e Fëmijëve i detyron qeveritë të sigurohen që fëmijët dhe prindërit të jenë të vetëdijshëm për parimet dhe të drejtat e mbrojtura me konventë. Jam e lumtur që libri ynë për të drejtat e të rinjve tani është publikuar në Shqipëri, Kosovë, Poloni, Rumani dhe Moldavi, dhe ua dërgoj respektin tim të gjithë aktivistëve/eve që mbrojnë të drejtat e fëmijëve në rajon dhe që përdorin të drejtën e tyre të jenë të zëshëm.”, thuhet në shkrim./KultPlus.com

Autori Ag Apolloni promovon librat ‘Kësulkuqja – Përrallë për të rritur’ dhe ‘Një fije shprese, në fije shkrepëse’ në Bavari të Gjermanisë


Nën organizimin e Shoqatës Kulturore Shqiptaro-Gjermane “Sali Çekaj” u promovuan dy romanet e autorit Ag Apolloni, “Kësulkuqja – Përrallë për të rritur” dhe “Një fije shprese, në fije shkrepëse”, shkruan KultPlus.

Prezantimi i dy librave u bë në Bavari, konkretisht në Pfaffenhofen an der Ilm, ku pas prezantimit të librave të pranishmit patën mundësi për bashkëbisedim me autorin e librave, Ag Apolloni.

“Autori Ag Apolloni prezentoi dy libra në Bavari, konkretisht në Pfaffenhofen an der Ilm. Nën organizimin e Shoqatës Kulturore Shqiptaro-Gjermane “Sali Çekaj” u promovuan dy romanet e Ag Apollonit, “Kësulkuqja – Përrallë për të rritur” roman ky i cili në panairin e sivjetëm të librit në Leipzig fitoi çmimin “Special Mention” të European Union Prize for Literature si dhe librin “Një fije shprese, në fije shkrepëse”. Pas fjalëve përshëndetëse dhe prezentimit të librave, të pranishmit patën mundësi për një bashkëbisedim e shkëmbim me autorin”, thuhet në një njoftim në facebook./KultPlus.com

Çun Lajçi promovon romanin “Kur fryjnë ernat”, Behar Gjoka: Brenda tij është e gjithë Kosova

Bujar Meholli

Me një monolog të Çun Lajçit, para të pranishmëve në Bibliotekën Kombëtare u hap ngjarja e promovimit të librit më të ri të Lajçit, i botuar nga Shtëpia Botuese “Buzuku”, shkruan KultPlus.

Abdullah Zeneli nga Shtëpia Botuese “Buzuku” e prezantoi librin derisa theksoi se do të bashkëpunojë me autorin edhe në të ardhmen.

Studiuesi Behar Gjoka tha se Lajçi përveçse aktor është edhe mjeshtër i fjalës. “Çun Lajçi është njeriu i artit dhe i botës shqiptare, ai është simbolika më e qartë e fjalës si aktor dhe si shkrimtar e veprimtar”.

Tutje Gjoka foli për romanin dhe theksoi se brenda tij është e gjithë Kosova.

“Brenda tekstit është Kosova, është ai gjak, i cili po të mos ishte ne s’do të mund të flitshim sot. Plisi është simbol, kryehero, është e sotmja dhe e nesërmja e Kosovës dhe e shqiptarësisë”, potencoi ai.

“Kur fryjnë ernat” është roman i përbërë nga 24 kapituj dhe konsiderohet si poemë epike në prozë.

Edhe shkrimtari Nazmi Rrahmani pati fjalë të mira për romanin e Lajçit. Ai foli më gjatë për përmbajtjen e tij.

“Autori i lidh gjitha ngjarjet me veprën e vet. Plisat janë simbol i rezistencës, me të cilët autori i lidh ngjarjet në veprën e vet. Pastaj kulla si simbolikë ndërlidhet vetvetiu me familjen Jashari. Gjithashtu tregohet vazhdimësia e jetës së atyre që mbetën nën rrënojat e kullës”. Në roman përcaktohen në mënyrë simbolike ngjarjet e kohës, u shpreh Rrahmani.

Aktori Xhevat Limani u paraqit me një recitim të vjershës së Fan Nolit “Jepni për nënën” derisa autori Çun Lajçi lexoi prapë pjesë nga libri para të pranishmëve.

Tashmë “Kur fryjnë ernat” gjendet nëpër libraritë e kryeqytetit. /KultPlus.com