Më 26 janar mbahet protesta “Asnji cent ma shumë” kundër shtrenjtimit të rrymës në Kosovë

Më 26 janar në Prishtinë mbahet protesta kundër shtrenjtimit të rrymës në Kosovë duke filluar nga ora 12:00, përcjell KultPlus.

Me 28 janar 2021 Qeveria e Kosovës pritet ta miratojë propozimin e ZRrE-së për vendosjen e bllok tarifës dhe rritjen prej 9% për të gjithë konsumatorët/et që shpenzojnë deri në 600 kWh, ndërsa rreth 200% rritje të çmimit për konsumatorët/et që e tejkalojnë 600 kWh.

Faqja e krijuar si një kauzë në rrjetin social Facebook, “KEDS t’i kthehet Kosovës” ka njoftuar për këtë protestë e cila nis tek sheshi “Zahir Pajaziti” dhe përfundon tek ndërtesa e Qeverisë me dy kërkesa kryesore: Mos-aprovimi i bllok tarifës së propozuar nga ZRre-ja dhe Nacionalizimi i KEDS-it.

Më poshtë KultPlus ua sjell të plotë njoftimin e tyre:

Vendosja e bllok tarifës do ta afektojë jetën dhe buxhetin e secilit/ës prej nesh. Gjatë sezonës së dimrit konsumi energjetik i një familje mesatare në Kosovë e kalon në çdo formë 600 kWh. Kjo do të thotë që nëse ne e kemi paguar një faturë prej 58 eurove me tarifën e re do të paguajmë rreth 108 euro.

Përveç që i palogjikshëm, ky propozim do t’i pasurojë edhe më tej bizneset, në kurrizin tonë. Sipas propozimit, çmimi i energjisë për bizneset nuk rritet fare. Kjo i bie se një familje mesatare në Kosovë që synim e ka jetesën apo edhe mbijetesën, paguan edhe për bizneset që synim e kanë qarkullimin e fitimin.

KEDS-it nuk i mjaftojnë 17 milion euro fitim në vit por e ka bërë argat ZRrE-në dhe Qeverinë e Kosovës që nga ky vit kësaj kompanie private t’i shumëfishohet fitimi. E gjithë kjo nga buxheti, edhe ashtu i dërrmuar, i qytetarëve/eve të Kosovës.

Këto shantazhe, ne qytetarët e këtij vendi nuk do i lejojmë kurrsesi. Në këto kushte, protesta mbetet e vetmja rrugë që ta parandalojmë barrën që mundohen të na ngarkojnë Qeveria e Kosovës përmes ZRrE-së e me KEDS-in.

Andaj, ju ftojmë që të mërkurën, duke filluar nga ora 12:00, të mlidhemi e ta kundërshtojmë e ta parandalojmë këtë padrejtësi të rradhës ndaj nesh. Protesta nisë tek sheshi “Zahir Pajaziti” dhe përfundon tek ndërtesa e Qeverisë dhe ka dy kërkesa kryesore:

1.Mos-aprovimi i bllok tarifës së propozuar nga ZRre-ja;

  1. Nacionalizimi i KEDS-it / KultPlus.com