Letra që drejtori i shkollës ua dërgoi prindërve para fillimit të provimeve të fëmijëve të tyre

Një drejtor shkolle në Singapor ua dërgoi këtë letër prindërve para fillimit të provimeve të fëmijëve të tyre.

Të dashur prindër

Provimet e fëmijëve tuaj do të fillojnë së shpejti. E di që të gjithë jeni vërtet në ankth që fëmijët tuaj të dalin sa më mire në provime.

Por, ju lutem mbani mend, që në mesin e nxënësve që do të ulen për provime ka një artist, i cili nuk ka nevojë ta kuptojë Matematikën. Ka një sipërmarrës, të cilit nuk i intereson Historia e letërsisë Angleze. Ka një shkrimtar, për të cilin shënimet në Kimi nuk do të kenë rëndësi. Ka një atlet, aftësia fizike e të cilit është më e rëndësishme sesa vet Fizika. Nëse fëmija juaj merr pikë të larta, do të ishte e mrekullueshme! Por nëse ai ose ajo nuk e bën këtë, ju lutemi mos e hiqni besimin dhe dinjitetin prej tyre.

Thuaju se është në rregull, është vetëm një provim! Ata janë të prerë për gjëra shumë më të mëdha në jetë. Thuaju atyre, pavarësisht se çfarë rezultati arrijnë, se ju i doni ata dhe nuk do t’i gjykoni.

Ju lutemi bëni këtë, dhe kur ta bëni, do ti shihni vërtet aftësitë e fëmijëve tuaj. Një provim ose një pikë e ulët nuk do të heq ëndrrat dhe talentin e tyre. Dhe ju lutem, mos mendoni se mjekët dhe inxhinierët janë të vetmit njerëz të lumtur në botë.

Me përshendetje të ngrohta. /fotografitëqëkanëbërëhistorinë/ KultPlus.com

Studentët në Itali do t’i mbajnë provimet në mes të ullinjve

Imagjinoni t’i nënshtroheni provimeve finale ulur në një tavolinë pikniku në qiellin e kaltër dhe në mes të plantacioneve të ullinjve, e zhurmës së zogjve në periferi të Umbrias.

Ky skenar dramatik i pret studentët në Institutin Agrokulturor Ciuffelli, pasi organizimi i provimeve në ambient të mbyllur është i pasigurt dhe i paparashikueshëm shkaku i koronavirusit, shkruan agjencia Reuters.

Në kampusin 75 hektarë të shkollës në periferi të qytetit Todi të martën, shtatë profesorë dhe një student kanë bërë një provë për provimet që do të mbahen muajin e ardhshëm.

Në Itali gjithë studentët i nënshtrohen provimeve me gojë dhe me shkrim për të marrë një diplomë apo gradë. Normalisht të gjithë ato mbahen në ambient të mbyllur, por këtë javë provimet me shkrim janë anuluar për të evituar ngarkesën në klasa shkollore.

Zyrtarët e institutit kanë vendosur të mbajnë provimet me gojë në ambient të jashtëm.

Profesorët, duke mbajtur maska, qëndronin ulur me laptopët e tyre dhe printerët në një tavolinë pikniku rreth 19-vjeçarit Matteo Lenticchia, që po i përgjigjej një numri të pyetjeve hipotetike për qumështin, djathin, sigurinë e ushqimit, konsumimin dhe shpërndarjen.

Ata ishin vendosur nën hije të pemëve.

“Në fakt, është më relaksuese të jesh jashtë. Është më relaksuese të dëgjosh tingujt e zogjve sesa të dëgjosh sirenat e veturave”, ka thënë Lenticchia.

Në Institut gjatë pesë vjetëve studentët mësojnë çdo aspekt të agrokulturës, si të drejtosh një fermë, për kafshët, për bimët dhe madje edhe si të përdoren dronët për të monitoruar lagështinë në fusha.

Umbria, që gjendet në qendër të Italisë, është e famshme për prodhim bujqësi. / KultPlus.com

UP’ja preferon që afati i provimeve të qershorit të mbahet në fakultete

Prorektori për mësim dhe çështje për studentë në Universitetin e Prishtinës, Hysen Bytyqi tha se nuk kanë pasur ndonjë vendim nga Ministria e Shëndetësisë sa i përket mbajtjes së provimeve të afatit të qershorit në njësitë akademike.

Bytyqi tha për Gazetën Express se UP’ja gjithsesi do të preferonte që të zbatohej faza e tretë e cila fillon nga 1 qershori, e paraparë në masat e reja të Ministrisë së Shëndetësisë, ku edhe parashihet që të mbahen provimet në Arsimin e Lartë.

Për shkak të pandemisë Covid-19, në Universitetin e Prishtinës është pezulluar procesi mësimor dhe provimet për afatin e jashtëzakonshëm të muajit prill nuk janë mbajtur.

Por për afatin e qershorit, po planifikohet që provimet të mbahen në formë online nëse stafi akademik dhe studentët nuk do të mund të kthehen në njësitë përkatëse akademike.

Prorektori i UP’së, Hysen Bytyqi tha se deri më tani nuk kanë diçka konkrete nga MSH’ja sa i përket mbajtjes së provimeve për afatin e rregullt të qershorit dhe po presin që të zbatohet faza e tretë e masave të vendosura nga MSH’ja

“E para e punës është se nuk kemi diçka konkrete prej Minsitrisë së Shëndetësisë, por faza e tretë që fillon me datë 1 qershor, ku parashihen që mund të mbahen provimet, por se a do të ndodhë kjo apo jo, me siguri do të ketë vendim qeveritar për këtë”, ka thënë Bytyqi.

Ai u shpreh se Universiteti “Hasan Prishtina” do të preferonte variantin e parë që stafi akademik dhe studentët të mbajnë provimet në njësitë akademike.

“UP’ja do ta preferonte variantin e parë që ne të kthehemi në njësitë akademike tona dhe provimet të mbahen në mënyrë fizike kjo është e dëshirueshme nga studentët dhe nga ne”, tha ai për Express.

Tutje, Bytyqi shtoi se nëse afati i qershorit nuk do të jetë e mundur të organizohet në objektet akademike atëherë provimet do të organizohen në formë digjitale.

“Nëse kjo nuk do të na mundësohet nga MSH’ja atëherë provimet e qershorit do të mbahen online dhe karshi situatës UP’ja edhe do të organizoj mbajtjen e provimeve, por ne patjetër duhet të startojmë në formën online”, shtoi ai.

Ai tha se sipas rregullores së UP’së provimet e afatit të qershorit fillojnë më 1 qershor dhe mbarojnë me 30 qershor, por për shkak të pandemisë, kjo do të shtyhet deri më 20 korrik.

“Provimet fillojnë prej 1 qershorit sipas rregullores, por për shkak të pandemisë ne këtë herë kemi lënë fleksibilitet tek njësitë akademike, disa prej tyre në pjesën e parë të qershorit do të mbajnë disa provime të  praktikës dhe atyre laboratorike. Por provimet duhet të përfundojnë deri më 20 korrik”, tha Bytyqi.

Vendimet e reja të Ministrisë së Shëndetësisë të cilat kanë hyrë në fuqi nga data 4 maj 2020, parashihen të zhvillohen në tri faza.

Faza e parë nga data 4 maj deri më 18 maj, faza e dytë nga data 18 maj deri më 1 qershor.

Ndërkaq faza e tretë fillon data 1 qershor, ku mes tjerave parashihen të mbahen edhe provimet në arsimin e lartë konform rregullave të vendosura me protokollin epidemiologjik.

Shefi i Kabinetit të Ministres në detyrë të Arsimit, Hykmete Bajrami, Lulzim Krasniqi i tha Gazetës Express se UP’ja ka autonomi të plotë sa i përket çështjes së mbajtjes së afatit të qershorit në njësitë akademike apo në formatin online, dhe se MASHT’i nuk interferon në këtë./ KultPlus.com