Pse s’më thua

Poezi nga Osman Gashi

Pse s’më thua
Kjo borë është e bardhë si shpirti yt
Ti hesht e më shtyn të hesht dhe unë
E unë aq shumë desha të të flas
Qëkur flas vetëm me vetveten
Dhe i shoh konturat e tua të tejdukshme
Në ajër

Kjo borë e bardhë është si shpirti yt
Unë rri i humbur
Para pafundësisë
Ti më merr për dore e më çon shtigjeve të fëmijërisë
E m’i ngul sytë pa më thënë gjë

Asgjë s’kam
Mund t’i kem harruar këto shtigje
Po fëmijë jam ende
Fëmijë i pafajmë dhe i etur
Pse s’më flet
Pse s’më thua

Kjo borë bie mbi mua gjithnjë
Kjo borë e bardhë si shpirti yt
E di ç’të vlon në kraharor
Qiellin do ta përmbysja vetëm të ta shuaj
Atë dhembje të përjetshme
Brengën vetminë…

Marrë nga vëllimi “Përtej harresës”, 1999. / KultPlus.com