‘Psikoterapia e Kohezionit të Brendshëm’ prezantohet në librin e Shëndetit Mendor të Cambridge University Press & Assessment

Profesori universitar, Fitim Uka ka njoftuar se libri “Psikoterapia e Kohezionit të Brendshëm” do të prezantohet edhe në librin e Shëndetit Mendor të Cambridge University Press & Assessment, shkruan KultPlus.

Përmes një njoftimi në rrjetin social “Facebook”, profesori Uka ka thënë se prezantimi i librit  në Cambridge University Press, është vulë e një suksesi të padiskutueshëm.

“Po, po, hiq më pak se në librin e Cambridge University do të shkruhen emrat e një gjenerate të re studiuesish nga Kosova. Ata do të jenë autorët e një kapitulli që e prezanton psikoterapinë tonë në mbarë botën.

Një herë Wiley, e tash edhe Cambridge University Press, janë vula e një suksesi të padiskutueshëm.

Mirënjohës për mbështetjen dhe mbani mend këta emra: Arian Musliu, Rineta Maliqi, Vanesa Sopjani, Lum Zharku, Adela Bajrami, Lira Baliu, Albina Statovci, Fjolla Rexha, Loretë Tovërlani, Drin Shehu, Erestina Uka, Altina Limani”, ka shkruar profesori Uka./ KultPlus.com

Shtëpia botuese prestigjioze ‘Wiley’ boton në gjuhën angleze librin ‘Psikoterapia e Kohezionit të Brendshëm’ të autorit Fitim Uka

Shtëpia botuese prestigjioze Wiley e ka botuar në gjuhën angleze librin “Psikoterapia e Kohezionit të Brendshëm” të autorit Fitim Uka, shkruan KultPlus.

Autori Uka përmes një postimi në rrjetin social “Facebook” ka thënë se libri “Psikoterapia e Kohezionit të Brendshëm’ i botuar tashmë në gjuhën angleze është shëndrruar në trashëgimi të shkruar të psikoterapisë globale.


Më poshtë gjeni shkrimin e plotë të autorit Uka:

Megjithatë, nganjëherë ëndrrat e takojnë realitetin!

Kur ishte vetëm një ide, askush (përfshirë edhe veten time) nuk besonte se do të rrugëtonte kaq suksesshëm dhe do të arrinte kaq larg. Sot, duket thuajse e pabesueshme të shohësh kopertinën e këtij libri dhe të kuptosh që shtëpia botuese prestigjioze Wiley e ka botuar në gjuhën angleze Psikoterapinë e Kohezionit të Brendshëm. Kritika e konsideron: “një qasje inovative dhe praktike”, “një burim të pazëvendësueshëm”, “një qasje kreative dhe të dobishme” dhe “një revolucion integrativ në psikoterapi”… dhe unë jam pa fjalë!

Kohezioni i Brendshëm ka folur fillimisht shqip, ndërkaq sot, ideja që ka për afiliacion Universitetin e Prishtinës, do të jetë pjesë e bibliotekave universitare në mbarë botën. Nga viti 2022 konceptualizimi ynë është prezantuar në ligjërata të ftuara, konferenca dhe simpoziume, ndërsa nga sot është edhe trashëgimi e shkruar e psikoterapisë globale.

Më duhet ta pranoj që sot jam më i lumtur se kurrë, krenar si asnjëherë më parë, por gjithashtu i përulur dhe thellësisht falënderues ndaj secilit që ka dhënë kontribut për këtë libër.

Në shkurt na pret një superpromovim i këtij botimi!

P.S. Siç thonë zakonisht: ky është vetëm fillimi dhe s’keni parë gjë akoma!/ KultPlus.com