Gjirokastër, punime restauruese në Manastirin e Shpërfytyrimit

Në Manastirin e Shpërfytyrimit (Metamorfozës së Krishtit) pranë fshatit Mingul në Gjirokastër po kryhen punime restauruese.

Ky manastir ndodhet rreth 30 minuta ecje larg fshatit Mingul dhe dallon për arkitekturën interesante pasbizantine të zonës.

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Gjirokastër në një postim në rrjetet sociale ndau momente nga puna për pastrimin e ambienteve përreth si dhe restaurimin total të portës hyrëse, e cila ka qenë në gjendje jo të mirë dhe ka pasur nevojë të menjëhershme për ndërhyrje

Mbishkrimi i ndërtimit i ruajtur në brendësi të manastirit mban vitin 1666. Kjo është një kishë në formë kryqi me kupolë trikonkë, e ndërtuar me gur poroz. Faqet e jashtme të kishës janë dekoruar në mënyrë relativisht të pasur me harqe dhe korniza të artikuluara./ atsh / KultPlus.com

Ura e Prokopit në Himarë, nisin punimet restauruese

Kanë filluar punimet e mirëmbajtjes, restaurimit e konsolidimit, në një tjetër objekt monument kulture kat I-rë, Ura e Prokopit, në bashkinë Himarë, pjesë e paketës së mirëmbajtjes të Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Vlorë, për vitin 2022.

Pas hartimit të projektit nga Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Vlorë dhe miratimit të projektit në Këshillin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Materiale, zbatimi i punimeve të mirëmbajtjes, restaurimit e konsolidimit, kryesisht konsiston në: pastrim nga bimësia e lartë, konsolidimin e muraturës së urës nëpërmjet plotësimit të fugave, restaurim të shtresës së kalldrëmit, pastrim të fasadës nga pluhuri dhe depozitimet, vendosje gabionash për mbrojtjen e bazamentit të urës, qepje e çarjeve të urës me shufra inoksi si dhe vendosje tirantash tërthor për forcimin e strukturës.

Për vetë rëndësinë arkitektonike dhe historike që mbart kjo Urë, e shek. XVIII, me gjatësi 17.5 m, gjerësi 3.8 m, hapësirë drite të harkut 6 m, e cila emrin e ka marrë prej kishës që ndodhet në afërsi të saj, Kisha së Prokopit.

Brenda muajt nëntor ajo do të jetë plotësisht funksionale dhe një vlerë e shtuar ndër atraksionet natyrore e kulturore të ndodhura në bashkinë Himarë. / KultPlus.com

Punime restaurimi në Urën e Leshnicës së Poshtme, monument kulture

Janë duke vijuar me ritëm të lartë, punimet e mirëmbajtjes, restaurimit e konsolidimit, në Urën e Leshnicës së Poshtme, monument kulture i kategorisë së parë. Kjo urë ndodhet në bashkinë Finiq dhe punimet janë pjesë e paketës së mirëmbajtjes të Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Vlorë, për vitin 2022.

Pas hartimit të projektit nga Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Vlorë dhe miratimit të projektit në Këshillin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Materiale, zbatimi i punimeve të mirëmbajtjes, restaurimit e konsolidimit, kryesisht konsiston në pastrim nga bimësia e ulët dhe injektim solucioni për tharjen e tyre, konsolidim i çarjeve në trupin e urës, konsolidim i muraturës së urës nëpërmjet plotësimit të fugave, vendosje gabionash për mbrojtjen e shpatullave të urës nga rryma e lumit, restaurim i kalldrëmit të urës, etj.

Për vetë rëndësinë arkitektonike dhe historike që mbart kjo urë e shek. XIX, e cila ka gjatësi 11 m, gjerësi 2 m, hapësirë drite të harkut 6 m dhe është një prej akseseve kryesore të fshatit nëpërmjet përroit të Leshnicës, pas restaurimit, ajo do të jetë plotësisht funksionale dhe një vlerë e shtuar ndër atraksionet natyrore e kulturore të ndodhura në bashkinë Finiq. /atsh / KultPlus.com