Suspendohet Kryeprokurori i Gjakovës që ia çoi pyetjet e testit gazetares

Këshilli Prokurorial i Kosovës e ka suspenduar Kryeprokurorin e Gjakovës, Ramiz Buzhala, i cili dyshohet se i ka shpërndarë pyetjet e testit për “bashkëpunëtorë profesional”.

KPK’ja ka themeluar edhe panelin hetimor për zhvillimin e procedurës disiplinore për Buzhalën.

“Gjatë këtij takimi, Këshilli Prokurorial ka themeluar panelin hetimor për zhvillimin e procedurës disiplinore ndaj Kryeprokurorit Buzhala. Gjithashtu, KPK ka marr vendim për suspendimin e Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore të Gjakovës, Ramiz Buzhala”, thuhet në komunikatën e KPK’së.

Në vend të tij ushtrues detyre i kryeprokurorit është caktuar prokurori Enis Gashi.

Buzhala ka dërguar në numrin e gazetares pyetjet e testit, duke shkruar “këto janë pyetjet për testin me shkrim”.

Këto pyetje i ka dërguar duke menduar se po i dërgon te një person tjetër. Ai në mesazhin e tij dërguar gazetares, i bën thirrje kandidates po ashtu me emrin Adelina që ta shfrytëzojë kohën deri në ora 13:00.

Komunikata e plotë e KPK’së:

Prishtinë, 14 korrik 2022 – Me kërkesë të U.D. Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), i udhëhequr nga Kryesuesi, Jetish Maloku, ka mbajtur sot takim urgjent për të diskutuar lidhur me rastin e Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Ramiz Buzhala.

Gjatë këtij takimi, Këshilli Prokurorial ka themeluar panelin hetimor për zhvillimin e procedurës disiplinore ndaj Kryeprokurorit Buzhala.

Gjithashtu, KPK ka marr vendim për suspendimin e Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore të Gjakovës, Ramiz Buzhala.

Pas suspendimit të Kryeprokurori Buzhala, Këshilli Prokurorial ka marr vendim për caktimin e prokurorit, Enis Gashi, ushtrues detyre të Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore të Gjakovës.

Po ashtu, ushtruesi i detyrës së Drejtorit të  përgjithshëm të Sekretariatit të KPK-së, pas anulimit të konkursit ka filluar procedurën disiplinore ndaj anëtarëve të komisionit përzgjedhës të shërbimit civil për zhvillimin e procedurës së rekrutimit, për pozitën Bashkëpunëtorë profesional për Prokuroritë Themelore në Gjakovë, Prizren dhe Pejë./ Gazeta express / KultPlus.com