Ambasadori i Azerbajxhanit dhuron libra për bibliotekën “Qemal Baholli” në Elbasan

Kryetari i bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, priti në një vizitë zyrtare ambasadorin e Azerbajxhanit në Shqipëri, Anar Huseynov.

Gjatë vizitës, kryebashkiaku Llatja shoqëroi ambasadorin Huseynov në ambientet e Bibliotekës “Qemal Baholli”, një nga institucionet më të rëndësishme kulturore të Elbasanit.

Me këtë rast, ambasadori Huseynov dhuroi disa tituj në gjuhën shqipe mbi kulturën, historinë dhe ekonominë e Azerbajxhanit, duke pasuruar më tej fondin e bibliotekës dhe duke thelluar bashkëpunimin kulturor mes dy vendeve.

Biblioteka e qytetit të Elbasanit mbart një trashëgimi të pasur kulturore, përfshirë fondin e albanologjisë të studiuesit të njohur Lef Nosi, si dhe një arkiv të gjerë materialesh të digjitalizuara që pasqyrojnë historinë dhe zhvillimin kulturor të vendit.

Kjo vizitë shënoi një moment domethënës në rritjen e ndërsjellë të lidhjeve kulturore dhe nxitjen e dialogut mes dy popujve miq./atsh/KultPlus.com

Biblioteka publike “Qemal Baholli”, Monument Kulture dhe ndër më të pasurat në vend

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Korçë  në kuadër të prezantimit të pasurive kulturore të Qarkut Korçë, ndau në rrjetet sociale një album fotografik nga biblioteka publike “Qemal Baholli” Elbasan, e cila është Monument Kulture i Kategorisë II.

Kjo ndërtesë është dhuratë e familjes Baholli, e ndërtuar posaçërisht si bibliotekë publike dhe është përuruar më 21 korrik 1935 .

Në bibliotekë ndodhet një sasi e konsiderueshme librash në sektorin albano-ballkanologjik, numri i të cilëve është mbi 5000 ekzemplarë. Librat në këtë fond janë në gjuhën shqipe dhe të huaj. Një pjesë e tyre janë latinisht, duke qenë se latinishtja përgjatë shekujve XV-XVI ka qenë gjuhë zyrtare në Evropë.

Një pjesë e rëndësishme e këtij fondi janë antikuarët, afërsisht 600 ekzemplarë, në të cilën janë përfshirë botime të historianëve të shquar të kohës. Libri më i vjetër që ndodhet në bibliotekën publike është “De Bellis Civilius Romanorum” i Appianit, botim i vitit 1526, në Venecia.

Tek vlerat e rralla të fondit të bibliotekës hyjnë dhe një sasi e konsiderueshme librash të orientit, tematika e të cilave është nga fushat e matematikës, mjekësisë, historisë, fesë, etj.
Librat e fondit albano-ballkanologjik kanë vlera të rralla për historinë, gjuhën, etnografinë dhe kulturën shqiptare.

Duke zotëruar këtë fond, së bashku me fondin e periodikut të vjetër, biblioteka publike “Qemal Baholli” renditet ndër më të pasurat në vend.