Rruga “Marin Barleti” në Prizren po rijetësohet

Nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit kanë njoftuar se rruga “Marin Barleti” në Prizren po rijetësohet, përcjell KultPlus.

Kjo pjesë e Qendrës historike të Prizrenit ka nisur të revitalizohet vitin e kaluar, ndërsa sivjet pritet të përfundojë restaurimi i disa shtëpive.

Pas përfundimit të të gjitha punëve në vitin 2025, përfshi rehabilitimin e infrastrukturës nëntokësore, “Marin Barleti” do të jetë rrugë model se si duhen trajtuar vlerat historike në shkallë të gjerë.

Kjo rrugë së shpejti do të shndërrohet në lokacion tërheqës për vizitorët dhe qytetarët. / KultPlus.com

Qendra Historike e Prizrenit dhe Kalaja e Prizrenit drejt zbatimit të dy Planeve të Menaxhimit (DOKUMENT)

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka bërë të ditur sot hapat e parë drejt zbatimit të dy Planeve të Menaxhimit, për Qendrën Historike të Prizrenit dhe Kalanë e Prizrenit, përcjellë KultPlus.

Pas aprovimit dhe publikimit të Planeve të Menaxhimit për Qendrën Historike të Prizrenit dhe atij për Kalanë e Prizrenit, janë zhvilluar një numër i takimeve konsultuese me palët kyçe të interesit.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku ka emëruar Komisionin Mbikëqyrës për Zbatimin e Planit të Menaxhimit për Qendrën Historike të Prizrenit dhe Njësinë Menaxhuese për Kalanë e Prizrenit.

Komisioni Mbikëqyrës për Zbatimin e Planit të Menaxhimit për Qendrën Historike të Prizrenit përbëhet nga përfaqësues të institucioneve qendrore, lokale dhe të shoqërisë civile, dhe ka për detyrë koordinimin e veprimeve për të siguruar zbatim efikas të prioriteteve dhe objektivave të paraqitura në planin e veprimit dhe menaxhimit për Qendrën Historike të Prizrenit.

Njësia Menaxhuese për “Kalanë e Prizrenit” përbëhet nga përfaqësues të MKRS, IAK dhe Komunës së Prizrenit, ndërsa është përgjegjëse për administrimin, zhvillimin, mirëmbajtjen dhe promovimin e Kalasë së Prizrenit, duke mundësuar shfrytëzimin si hapësirë multi-finksionale, në përputhje me vlerat e trashëgimisë kulturore.

Bashkangjitur gjeni dy vendimet:

https://mkrs-ks.org/repository/docs/3293.pdf

https://mkrs-ks.org/repository/docs/3292.pdf

Një hapë tutje drejt mbrojtjes së karakteristikave tradicionale, historike e urbane të Qendrës historike të Prizrenit

Drejtori i Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren Samir Hoxha, nënshkroi memorandum bashkëpunimi me drejtorin e Urbanizimit dhe Planifikimit Hapësinor Beni Kizolli.

Qëllimi i këtij Memorandumi është që të zhvillojë një platformë bashkëpunimi të ngushtë dhe efikas në mes të Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren dhe Drejtorisë së Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor në Komunën e Prizrenit me qëllim të mbrojtjes, ruajtjes, rehabilitimit dhe mirëmbajtjes së karakteristikave tradicionale, historike e urbane të Qendrës historike të Prizrenit.

Përzgjedhja e dy shtëpive ajo e familje Arapi dhe familjes Gjonaj që janë pjesë e listës së trashëgimisë kulturore nën mbrojtje, është bërë nga ana e Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren, ndërkaq Komuna e Prizrenit përmes Drejtorisë së Urbanizimit dhe Planifikimit Hapësinor do të siguroj mjetet financiare në vlerë rreth 90 mijë euro për investimin e projekteve të planifikuara, i cili  do të bëhet gjatë vitit 2021.

Pas nënshkrimit të memorandumit drejtori i Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren Samir Hoxha, tha se qëllimi i nënshkrimit të këtij memorandumi është realizimi i interesave të dyanshme në fushën e ruajtjes, mbrojtjes dhe promovimit të Trashëgimisë Kulturore në Komunën e Prizrenit, në përputhje me kriteret, standardet dhe legjislacionin në fuqi.

Përzgjedhja e dy ndërtesave ajo e familjes Arapi dhe familjes Gjonaj të cilat do t’i nënshtrohen procesit të restaurimit dhe konservimit, është bërë nga ana e Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren, marrë për bazë vlerat dhe rëndësinë e veçantë historike dhe arkitektonike që kanë ndërtesat në fjalë, ka theksuar drejtori i QRTK-së në Prizren Samir Hoxha.

Realizimi i këtyre projekteve sipas drejtorit Hoxha, bëhen me qëllim të realizimit të objektivave dhe synimeve të Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren për vitin 2021, përkatësisht për zbatimin e prioriteteve programore për ruajtjen e ndërtesave tradicionale, të cilat gjendën në kuadër të Qendrës Historike të Prizrenit.

Ndërkaq drejtori i Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor në Komunën e Prizrenit Beni Kizolli, falënderoj drejtorin e QRTK-së në Prizren për gatishmërinë e treguar në realizimin e këtyre projekteve në Komunën e Prizrenit. / KultPlus.com

‘Pronarët e shtëpive tradicionale brenda Qendrës Historike të Prizrenit të përkrahen me investime’

Javëve të fundit janë raportuar punë ndërtimore të paligjshme në Qendrën Historike të Prizrenit (QHP). Disa nga këto ndërhyrje janë bërë edhe nga pronarët privat. EC Ma Ndryshe apelon tek institucionet përgjegjëse që të përkrahin pronarët që posedojnë ndërtesa me vlerë përmes programeve të veçanta të investimit për restaurime e rehabilitime, pasi që në këtë mënyrë mund të mbrohen ato dhe njëkohësisht të parandalohen veprimet e paligjshme, përcjellë KultPlus.

 Qendra Historike e Prizrenit sipas Ligjit Nr. 04/L-066 (2012) trajtohet si pronë e trashëgimisë kulturore dhe historike në mbrojtje të përhershme dhe të klasifikuar si Zonë e veçantë e mbrojtur me vlera të interesit lokal, shtetëror dhe ndërkombëtar. Tendencat për ti relativizuar problemet brenda kësaj zone të mbrojtur nuk i shërbejnë zgjidhjes së problemeve të shumta ekzistuese.

 Në javët e fundit EC Ma Ndryshe ka raportuar për raste të ndryshme të rrënimeve e ndërhyrjeve të paligjshme në Qendrën Historike të Prizrenit. Këto rrënime e ndërhyrje janë konfirmuar se janë të paligjshme edhe me shkresat zyrtare të marra nga Drejtoria e Urbanizmit dhe Drejtoria e Inspektoratit në Komunë të Prizrenit, por edhe nga Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Prizren dhe Këshilli i Trashëgimisë Kulturore për QHP.

 Në shumë raste të përcjella edhe nga EC Ma Ndryshe, edhe Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren si institucion vartës i MKRS ka dhënë përgjigje negative për kërkesat e ndryshme të pronarëve për meremetime e restaurime të shtëpive, për shkak të mungesës së fondeve për financimin e këtyre kërkesave.

 Kjo qasje refuzuese e institucioneve dhe planifikimet e investimet e pabazuara në gjendjen reale në terren po i vendosin pronarët para një akti të kryer dhe pas mospërkrahjes institucionale ata po i dëmtojnë objektet e tyre që të kenë alibi për rrënim të mëtutjeshëm. Është shumë e rëndësishme të ceket që ndërtesat e vjetra tradicionale kanë nevojë për mirëmbajtje e meremetim të vazhdueshëm dhe pronarët në shumicën e rasteve nuk kanë kapacitet financiar për ti mbuluar këto shpenzime. Poashtu kërkesat për hapësira shtesë dhe funksione të reja në prona të QHP-së duhet të përshtaten me dispozitat e ligjit në fuqi. / KultPlus.com

EC Ma Ndryshe përsërit kërkesën për vigjilencë nga institucionet përgjegjëse për investime bazuar në kritere profesionale dhe ndërprerjen e praktikave të rrënimit të ndërtesave me vlerë të trashëgimisë kulturore, në veçanti ato që gjenden brenda kufijve të QHP-së si zonë e mbrojtur. Ndërtesat e vjetra po dëmtohen edhe qëllimisht, sidomos tash para fillimit të sezonit së vjeshtës pasi që me dëmtim të pjesshëm po krijohen kushtet që strukturat e ndërtesave të dobësohen dhe në këtë mënyrë të krijohen alibitë për kërkesa për rrënime dhe rindërtime në të ardhmen.

EC Ma Ndryshe apelon prapë tek Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve si dhe Komuna e Prizrenit të themelojnë fond për mbrojtje, restaurim dhe rehabilitim të ndërtesave në QHP si një zgjidhje e vetme dhe e qëndrueshme, por dhe si masë parandaluese për evitim të fenomeneve të dëmtimit të qëllimshëm që po ndodhin në terren. / KultPlus.com


Kundër kaosit në Qendrën Historike të Prizrenit

Grupi joformal i hisedarëve të Qendrës Historike të Prizrenit (QHP), në një takim të hapur të mbajtur në hapësirat e Kino Lumbardhit të shtunën me 17 gusht, në prani të banorëve, pronarëve të bizneseve, asamblistëve, organizatave joqeveritare, përfaqësuesve të Policisë së Kosovës, diskutoi për problemet e QHP në raport me sundimin e ligjit në veçanti për zhurmën dhe lirinë e lëvizjes.

Përkundër kornizës së avancuar ligjore, mosimplementimi i ligjit dhe pandëshkueshmëria lidhur me respektimin e orarit të punës, nivelin dhe orarin e zhurmës, llojin e veprimtarive të lejuara sipas Ligjit për Qendër Historike, shfrytëzimin e hapësirës publike, si dhe qarkullimin dhe parkimin e veturave, janë duke e degraduar cilësinë e jetës, cenuar liritë bazike qytetare si dhe ndikuar negativisht në eksperiencën e vizitorëve në Komunën e Prizrenit dhe veçanti qendrën historike”, thuhet në njoftimin e tyre, transmeton KultPlus.com.

Ky grup pas diskutimeve u është drejtuar institucioneve relevante me disa rekomandime:

“1. Të merren të gjitha masat e duhura urgjente që të respektohet ligji për zhurmën – të ndalet zhurma!

2. Të fillon monitorimi me kamera i parkingjeve dhe hapësirave të QHP-së

3. Të ndalohen veprimtaritë afariste të kundërligjshme sipas Ligjit për QHP

4. Të konsiderohet hapja e qasjes me vetura nga Qafa e Kishës për banorët e zonës përreth

5. Të konsiderohet vendosja e patrullës policore tek “Ura e Gani Tadës”

6. Te bëhet kategorizimi i lejeve të qarkullimit sipas vendit të hyrjes në zonë, duke u ndarë në dy kategori: ata që kanë vendparkim dhe ata që kanë vetëm leje qarkullimi në këtë zonë

7. Të hartohet plani i mobilitetit me synim të shkarkimit të trafikut të tepërt në Qendrën Historike të Prizrenit dhe standardizimit të sistemit të parkingjeve

8. Të ngritën kapacitetet njerëzore të inspektoratit dhe policisë, përmes patrullave të rregullta dhe praktikimit të gjobave konsekuente për zë joadekuat dhe zhurmë pas orës 23:00

9. Të organizohen kampanja vetëdijesimi dhe komunikimi për ligjet, rolet e institucioneve dhe kufizimet e QHP, me adresë tek banoret, bizneset dhe akterët tjerë

10. Të thirret një takim me hisedarët, përfshi përfaqësuesit e bizneseve, parkingjeve, zejtarëve dhe drejtorive relevante”. / KultPlus.com

Restaurohet edhe një ndërtesë e Trashëgimisë Kulturore në Qendrën Historike të Prizrenit (FOTO)

Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren ka vazhduar edhe këtë vit restaurimin e ndërtesave të Trashëgimisë Kulturore. Njëra ndër to është edhe shtëpia e familjes Puka, përcjellë KultPlus.

Shtëpia e familjes Puka gjendet në Qendrën Historike të Prizrenit, respektivisht në zonën e tetë (Zona e banimit sipas trendeve aktuale të ndërtimit) sipas Planit të Konservimit dhe Zhvillimit për Qendrën Historike të Prizrenit. Ndërtesa gjendet në lagjen e vjetër të ashtuquajtur Qafa e Kishës, e rrethuar me ndërtesa të banimit individual.

Shtëpia i takon tipit të banesave të mbyllura me kat, me fasadën ballore të orientuar kah oborri perëndimor. Ka planimetri drejtkëndëshe, e ndërtuar në përdhes dhe kat.

Si rezultat i vjetërsisë së ndërtesës, mungesës së ndërhyrjeve konservuese, shtëpia është vlerësuar në gjendje të keqe fizike dhe rrezikohej nga dëmtimet e mëtutjeshme.

Problemi kryesor ishte depërtimi i lagështisë nga struktura e amortizuar dhe e dëmtuar e kulmit, deformimi i strukturës së mureve dhe depërtimi i lagështisë nga toka.

Pas vlerësimit të dëmeve dhe hartimit të projektit për gjendjen ekzistuese dhe ndërhyrjet konservuese në ndërtesë, janë implementuar ndërhyrjet e restaurimit të pjesshëm, me ç ‘rast janë kryer këto punë: Shtangimi i strukturës së mureve dhe formimi i skeletit metalik mbajtës të konstruksionit të kulmit; Rindërtimi i strukturës së kulmit me të gjitha elementet përcjellëse; Restaurimi i nyjës sanitare duke përfshirë edhe ndërhyrjet dhe instalimet e reja; Restaurimi i murit jugor; dhe restaurimi i tavanit të çardakut.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit do të vazhdojë të mbështes projektet të cilat kanë për qëllim mbrojtjen dhe ruajtjen e Trashëgimisë sonë Kulturore./KultPlus.com

Vazhdon tejkalimi i lejeve ndërtimore në Qendrën Historike të Prizrenit

Praktika e mos respektimit të pëlqimeve të autoriteteve të trashëgimisë kulturore gjatë aktiviteteve ndërtimore në Qendrën Historike të Prizrenit po vazhdon. Sipas zyrtarëve të Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Prizren, rasti i fundit i kësaj natyre po ndodh në objektin përballë Xhamisë së Sinan Pashës.

Zyrtarët e QRTK-së thonë se për objektin në fjalë nga organet kompetente është lëshuar leja për renovim të brendshëm dhe për rregullimin e kulmit, por se kjo leje nuk po respektohet gjatë kryerjes së punimeve. Gjithashtu pohojnë se 3 here brenda 2 javëve QRTK ka lajmëruar inspektoratin e Komunës së Prizrenit dhe se ky organ nuk ka reaguar lidhur me këtë rast.

EC Ma Ndryshe përkujton se shumë herë ka bërë thirrje për mbikëqyrje më rigoroze të çdo aktiviteti ndërtimor në Qendrën Historike të Prizrenit, gjë që bazuar në informatat e fundit nga QRTK-ja nuk po ndodh. EC po ashtu përkujton se drejtuesit e QRTK-së, vitin e kaluar konfirmuan se në 90 për qind të lejeve ndërtimore për objektet në Qendrën Historike të Prizrenit ka tejkalime të natyrave të ndryshme, si në gabarit, në etazhitet, në detaje apo në fasada.

Në vizitat e fundit në Prizren, udhëheqësit e ministrive të MMPH-së dhe të MKRS-së janë zotuar për mbrojtjen dhe promovimin e vlerave në Qendrën Historike të Prizrenit. EC konsideron se është koha e fundit që këto institucione të veprojnë më konkretisht për zbatimin e legjislacionit për këtë zonë të mbrojtur dhe funksionalizimin e inspektoratit qendror, pasi që ai lokal deri më tani ka dështuar në vendosjen e rregullit në këtë hapësirë./ KultPlus.com