Anibar hapi Qendrën Frankofone në Pejë


Organizata kulturore Anibar njofton për hapjen e Qendrës Frankofone, të parës në qytetin e Pejës, në kuadër të kinema “Jusuf Gërvalla”, respektivisht hapësirave të Akademisë së Animacionit. Si organizatë e cila në vazhdimësi ka punuar për intensifikimin e bashkëpunimeve kulturore me botën e jashtme dhe ofrimin e sa më shumë mundësive, sidomos për të rinjtë, jo vetëm nga Peja, por gjithë Kosova.

Hapja e kësaj qendre u mundësua me arritjen e një Marrëveshje të Bashkëpunimit ndërmjet Ambasadës Franceze, Komunës së Pejës dhe Anibar, e cila u nënshkrua sot. Në ceremoninë e nënshkrimit të kësaj marrëveshje prezent ishin edhe ambasadorja franceze, znj. Marie Christine Butel, kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri dhe drejtoresha e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit të Animuar – Anibar, Arba Hatashi. Përgjatë ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes, znj. Marie Christine Butel foli për historikun e bashkëpunimit të Ambasadës Franceze me Anibar, ndërsa Arba Hatashi, përveç prezentimit të tri animacioneve të shkurtra, të realizuara nga nxënësit e Akademisë së Animacionit Anibar, prezentoi edhe punën e Anibar, Kinema “Jusuf Gërvalla” dhe Akademisë së Animacionit.

Marrëveshja e Bashkëpunimit ndërmjet Ambasadës Franceze, Komunës së Pejës dhe Anibar ka për qëllim ofrimin e programeve edukative dhe kulturore në qytetin e Pejës. Qendra Frankofone në Pejë do të shërbejë si urë lidhëse e organizatave të ndryshme që punojnë në Pejë e Kosovë, me organizata të ndryshme që fushën e veprimit ose prejardhjen e kanë në Francë. Kjo qendër, ndër tjera, do të promovojë kulturën franceze, duke ofruar kurse të gjuhës frënge si dhe aktivitete të tjera kulturore e edukative në Komunën e Pejës. Përmes Qendrës Frankofone në Pejë, të rinjtë dhe të rejat, por jo vetëm, do të kenë mundësi të shumta për të mësuar mbi kulturën e pasur franceze. Marrëveshja e sotme me Ambasadën Franceze është një hap tjetër në shtegun e gjatë të bashkëpunimit që Anibar ka realizuar në fusha të ndryshme.

Hapësira e Qendrës Frankofone është po ajo që përdoret edhe nga Akademia e Animacionit, e themeluar nga Anibar, dhe që është restauruar dhe rivitalizuar si pjesë e Kinema “Jusuf Gërvalla” në vitin e kaluar me financim të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë. / KultPlus.com