Tre motrat sjellin ekspozitën “Qielli në ToKë”, do të prezantohet të shtunën në Galerinë ODA

Galeria ODA do ta mirëpres ekspozitën “Qielli në ToKë” të shtunën, kur edhe do të bëhet prezantimin i saj nga tre motra të lindura dhe rritura në Belsh të Elbasanit, shkruan KultPlus.

Puna e tyre i drejtohet disa mediumeve të artit pamor si pikturë, fotografi dhe dizajn.

Duke mos e toleruar realitetin e padrejtë, shpeshherë janë bërë pjesë e kauzave politike dhe sociale në vend. Ato kanë marrë pjesë në disa ekspozita kolektive brenda dhe jashtë vendit.

Kjo ekspozitë vjen si një përmbledhje nga disa punime në pikturë dhe skica të realizuara përgjatë udhëtimeve.

Piktura e tyre fakton si një ditar autobiografik të imazhit gjatë udhës, brenda tokës së tyre të brendshme, apo pranë intimitetit familjar, i cili qartëson nevojën humane të njeriut.

Ekspozita e pikturës do të jetë e hapur nga ora 17:00, më 20 nëntor në Galerinë Oda. /KultPlus.com