“QilimFest” gjallëron kalldrëmet e Gjirokastrës, tërheq turistët vendas e të huaj

Qilimat tradicionalë të zonës së Gjirokastrës u ekspozuan fundjavën që lamë pas në Pazarin e qytetit të gurtë.

“QilimFest” ishte konceptuar si një mënyrë e veçantë për njohjen me mënyrat e përpunimit të tekstilit tradicional dhe punimeve karakteristike me të si: qilima, rrugica, sixhade, etj.

Në pika të ndryshme të Pazarit karakteristik ishin vendosur elementët e përgatitjes dhe endjes së qilimave tradicionalë.  Pjesë e guidës për të pranishmit ishte këndi i qethjes së bagëtive, tjerrjes dhe endjes  së leshit, dizenjimit, këndi i tezgjahut etj.

Pjesë tërheqëse e këtij aktiviteti ishin edhe performancat artistike të grupeve të muzikës popullore, të lehtë dhe muzikës instrumentale. Sipas kryetarit të bashkisë Flamur Golemi, organizimi i “QilimFest” është pjesë e programit të aktiviteteve për gjallërimin e qytetit dhe tërheqjen e turistëve vendas dhe të huaj.

“Prej fillimit të vitit ne kemi organizuar aktivitete të ndryshme të cilat i shërbejnë edhe zhvillimit të turizmit”, tha Golemi.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, u shpreh se aktivitetet që promovojnë vlerat e traditës popullore, janë elementë të veçantë për nxitjen e turizmit dhe tërheqjen e vizitorëve vendas dhe të huaj, aq më tepër në atraksione të tilla siç është Gjirokastra.

”Synojmë që tashmë në Gjirokastër të kemi një zhvillim cilësor dhe të qëndrueshëm të turizmit gjithëvjetor”, u shpreh Kumbaro.

Kumbaro u shpreh se “meritën për organizimin e këtij aktiviteti e ka bashkia dhe shoqata e bizneseve të Pazarit, të cilat kanë hyrë në kalendarin e tyre të përjavshëm e përmuajshëm për ta bërë Gjirokastrën jo vetëm me 3 muaj turizëm, por me 12 muaj”.

Pjesëmarrës në këtë aktivitet kanë qenë edhe disa ministra të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Hajrulla Çeku, ministër i Kulturës së Kosovës, është shprehur se Shqipëria dhe Kosova tashmë po formësojnë një treg të përbashkët turistik.

“Ne do të mbështesim gjithmonë e më shumë organizimin e aktivitete të tilla të cilat promovojnë vlerat e traditës sonë kombëtare dhe  janë të kërkuara për turizmin”, u shpreh ministri Çeku.

Qilimat me motive dhe ngjyra të shumëllojta, të cilët mbuluan kalldrëmet e gurta, janë realizuar që prej fillimit shekullit të kaluar si pjesë e një traditë po aq të vjetër sa Gjirokastra.

Gjatë gjithë ditës artizanet gjirokastrite demonstruan traditën e punës në tezgjah, të shoqëruar me kënde të ndryshme muzikore të polifonisë, muzikës instrumentale dhe grupeve live të jetës së natës.

Sipas artizaneve gjirokastrite, këto aktivitete vlejnë shumë për të promovuar këtë traditë të hershme të endjes së qilimave, por edhe për të mësuar brezin e ri në mënyrë që trashëgohet brez pas brezi.

“Procesi i punës për një qilim fillon me endjen me fill pambuku, më pas fillohet thurja me fill leshi që është i cilësisë së parë. Gjithashtu, për bërjen e një qilimi duhet dhe vizatimi teknik, i cili ka të bëjë me simbolet kombëtare dhe kulturore të vendit tonë. Për prodhimin e një qilimi prej 1 metër katror duhen gati shtatë ditë dhe një punë intensive prej tetë orësh”, shprehen artizanet.

Përgjatë muajit maj bashkia Gjirokastër do të vazhdojë organizimin e aktiviteteve të ndryshme duke mundësuar edhe tërheqjen e turistëve në qytetin e gurtë./ atsh / KultPlus.com