QRTK: Filluan punimet restauruese në ndërtesën e familjes së Xhemajli Herenit

Drejtori i Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren, Samir Hoxha i shoqëruar nga zyrtar të këtij institucioni sot ka vizituar punimet të cilat po zhvillohen në ndërtesën e familjes së Xhemajli Herenit, me ç’rast është njoftuar për së afërmi mbi ecurinë punimeve restauruese që po zbatohen në këtë ndërtesë, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

“Ky projekt po implementohet në kuadër të masave preventive – interevenimet emergjente, të cilat po zhvillohen nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në zbatim të planifikimeve të Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren”, thuhet në komunikatë.

Tutje thuhet se shtëpia e Xhemajli Herenit gjendet në pjesën perëndimore të qytetit të Prizrenit, në Lagjen e Terzive, në zonën e dytë mbrojtëse.

“Kjo ndërtesë është si një shembull mjaft reprezentativ i shtëpisë së hapur me çardak dhe paraqet karakteristika të arkitekturës së banimit në qytetin e Prizrenit që nga shek. XIX –të e cila është ruajtur deri më sot. Forma, organizimi funksional, elementet origjinale të ruajtura nga gjendja fillestare, si dhe marrëdhënia e vendosjes së shtëpisë në relacion me rrugën dhe oborrin, paraqesin elementet kyçe nëpërmjet të cilave ky monument sot interpreton ndërlidhjen e ngushtë ndërmjet kulturës së banimit të trashëguar ndër shekuj”, thuhet në komunikatë.

Hoxha ka premtuar angazhim për ruajtjen e trashëgimisë kulturore në Prizren.

“Me gjithë sfidat e shumta të cilat paraqiten në mbrojtjen dhe ruajtjen e aseteve të trashëgimisë kulturore në Prizren në asnjë rrethanë nuk do të mungojë angazhimi dhe përkushtimi institucional dhe profesional i Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren, që fusha e trashëgimisë kulturore të jetë ndër prioritetet më të larta të këtij institucioni”, është shprehur Hoxha gjatë kësaj vizite. / KultPlus.com

Filluan punët restauruese në kompleksin banues të familjes Xhjeshylmedine

Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren fillon së implementuari projektet e parapara për vitin 2018 për ndërhyrjet emergjente në monumentet e rëndësishme shumë shekullore të Prizrenit.

Një ndër monumentet të përzgjedhura për masa shpëtimtare është edhe Kompleksi banues i familjes Xhejshylmedine. Ky aset i rëndësishëm arkitekturor dhe kulturor për qytetin e Prizrenit është pjesë e historisë sonë, e cila ruhet akoma me zellshmëri nga banorët e kompleksit.

Këto komplekse, u ndërtuan kryesisht në periudhën osmane, respektivisht gjatë shekujve XVIII-XIX dhe paraqitnin rëndësinë dhe shkallën e diferencimit shoqërorë, me të cilin kuptojmë që familja kishte një pozitë të lartë shoqërore, ekonomike dhe politike.

Kompleksi përbëhet nga këto grupe ndërtesash si: shtëpia për banim, Selamllëku, Mutfaku me Ahur, Oborri dhe Nyja sanitare ku godina e shtëpisë shërbente për banim të familjes, Selamllëku për mikëpritje dhe pranim e miqëve, Mutfaku për ruajtjen dhe përgatitjen e ushqimit, Ahuri për ruajtjen e bagëtisë dhe kuajve, si dhe oborri zëvendësonte hapësirat gjelbëruese të qytetit. Enterieri dhe eksterieri i objektit është mjaft i ruajtur, me elemente origjinale të kohës dhe dëshmon mënyrën e organizimit të jetës sociale-kulturore dhe arsimore të shoqërisë sonë.

Sot ndeshemi shumë rrallë me këto asete historike, herë të braktisura, e herë të transformuara, apo edhe tërësisht të shkatërruara, prandaj konsiderojmë që Kompleksi i familjes Xhejshylmedine paraqet vlera të larta artistike, historike, shoqërore, ekonomike, rariteti, dhe duhet ruajtur për breza të ardhshme.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren do të angazhohet për ruajtjen, restaurimin dhe konservimin e objekteve të trashëgimisë kulturore të regjionit të Prizrenit. Edhe këtë vit janë përzgjedhur objektet më të rrezikuara dhe do të vazhdohet me ndërhyrje emergjente për ruajtjen e tyre./ KultPlus.com

QRTK evidenton tejkalim të lejes në “Sheshin e lidhjes” në Prizren

Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Prizren një muaj më parë ka evidentuar tejkalimin e një lejeje për renovim të një ndërtese në rrugën “Adem Jashari” përkatësisht “Sheshin e Lidhjes” dhe e ka njoftuar për këtë drejtorinë e Inspektorateve të Komunës së Prizrenit, e cila ditë më parë ka konfirmuar tejkalimin e lejes dhe ka bërë të ditur se lënda është në procedim e sipër.

Sipas shkresës së QRTK-së, autoritetet kanë miratuar projektin e rinovimit në këtë pjesë të ndërtesës me rekomandimin që pala obligohet që ta bëjë përshtatjen e elementeve që do ti vendosë në fasadën e lokalit, me arkitekturën e ndërtesës ekzistuese dhe në bashkëpunim me QRTK-në, duke respektuar Planin e Konservimit dhe Zhvillimit për Zonën Historike të Prizrenit. Por në shkresë thuhet se gjatë verifikimit të punimeve në datën 14 dhjetor 2017, “zyrtarët e QRTK-Prizren kanë vërejtur mosrespektimin e lejes dhe nëpërmjet një letre përcjellëse kanë njoftuar Komunën e Prizrenit-Drejtorinë e Inspektorateve, MKRS-DTK dhe IMMK”.

Në shkresën përkatëse QRTK ka bërë të ditur se punët e rinovimit në këtë ndërtesë kanë nisur pasi që është aprovuar projekti nga Komisionit përkatës i IKMM-së, sipas vendimit nr. 23/2016, të datës 21.06.2016. “Gjatë inspektimit të punëve në terren ekipi i QRTK Prizren ka vërejtur që investitori nuk po i përmbahet kushteve të lëshuara në vendimin nr.23/2016”, thuhet në shkresë. QRTK, më 14 dhjetor 2017, ka kërkuar nga Inspektorati ndërmarrjen e hapave të nevojshme për ndalimin e punimeve dhe largimin e pjesëve që paraqiten si tejkalim i lejes së lëshuar.

Kërkesës së EC-it për qasje në informata zyrtare lidhur me këtë rast, Drejtoria e Inspektorateve të Komunës së Prizrenit i është përgjigjur më 17 janar 2018, ku ky organ thekson se pala posedon leje për renovim të objektit në fjalë si dhe në aneks të projektit kryesor është lejuar vendosja e konstruksionit prej hekurit përqark shtyllave të betonit të lokalit afarist.

“Pas kontrollit është konstatuar se ka tejkalim të lejes dhe është urdhëruar të ndërpriten punimet derisa të pajiset me leje shtesë për shfrytëzimin e hapësirës publike, në afat prej 15 ditësh nga dita e kontrollit. Pas skadimit të afatit ligjor të aktvendimit për ndërprerje punimesh, ka pasuar aktvendimi për largim vullnetar të konstruksionit të hekurt nga hapësira publike. Për shkaqe objektive shtyhet ekzekutimi i detyrueshëm. Lënda është në procedim e sipër”, thuhet në përgjigjen e DI-së.

EC Ma Ndryshe përkujton se shumë herë ka bërë thirrje për mbikëqyrje më rigoroze të çdo aktiviteti ndërtimor në Qendrën Historike të Prizrenit. Drejtuesit e QRTK-së patën konfirmuar se në 90 për qind të lejeve ndërtimore për objektet në Qendrën Historike të Prizrenit ka tejkalime të natyrave të ndryshme, si në gabarit, në etazhitet, në detaje apo në fasada.

EC edhe njëherë e përsërit qëndrimin se është çasti i fundit që organet shtetërore të veprojnë në mënyrë serioze dhe më energjike për zbatimin e plotë të legjislacionit në raport me këtë zonë të mbrojtur./ KultPlus.com