Kryeministri Edi Rama në rrjetet sociale ndau sot pamje dhe një mesazh për Parkun Arkeologjik të Bylisit, të cilin e cilëson si një pasuri të rrallë të trashëgimisë kulturore shqiptare dhe një nga qytetet më të ruajtura të Ilirisë.
“Bylis – Krenaria ilire mbi Vjosë”, shkruan Rama, duke e përshkruar si një qytet të lashtë të ndërtuar mbi një kodër që mbikëqyr luginën e Vjosës, me mure monumentale të shekullit IV para erës sonë, një teatër mbresëlënës, mozaikë të rrallë dhe pesë bazilika paleokristiane.
Kryeministri nënvizon se falë Planit të Menaxhimit 2024–2029, në kuadër të programit IPA “BE për zhvillimin ekonomik – drejtuar nga turizmi”, të zbatuar nga AICS, Bylisi dhe qyteti antik i Klosit po shndërrohen në qendra të reja zhvillimi, edukimi dhe bashkëpunimi.
Sipas postimit, projekti përfshin: restaurim profesional dhe mbrojtje të qëndrueshme; përmirësim të infrastrukturës dhe shërbimeve për vizitorët; mbështetje për komunitetin në fushën e turizmit dhe artizanatit; programe edukative për brezat e rinj.
Rama thekson se ky është një bashkëpunim mes Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, AICS, Delegacionit të BE-së në Shqipëri, Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore dhe Institutit të Arkeologjisë, me qëllim kthimin e trashëgimisë kulturore në një motor të zhvillimit të qëndrueshëm dhe të krenarisë kombëtare./ KultPlus.com
