Një botë e fshehur, zbulohet ‘Qyteti i Humbur’ nën oqeanin Atlantik

Thellë në zemër të Oqeanit Atlantik, shkencëtarët kanë zbuluar një botë nënujore të pabesueshme dhe të mistershme, që mund të mbajë çelësin për të kuptuar se si filloi jeta në Tokë.

Kjo fushë e gjerë me kulla minerale, e njohur si Qyteti i Humbur (Lost City), është sistemi më i vjetër hidrotermal i njohur në oqean. E vendosur më shumë se 700 metra nën sipërfaqe, në shpatet e një mali nënujor përgjatë Rripit Mes-Atlantik, ajo është aktive prej më shumë se 120,000 vitesh.

Kullat që përbëjnë Qytetin e Humbur janë të ndërtuara nga guri karbonatik dhe disa prej tyre arrijnë lartësinë e afro 60 metrave. Ato formohen përmes një procesi unik gjeologjik të quajtur serpentinizim, ku uji i detit depërton thellë në skorjen e Tokës dhe reagon me shkëmbinj të mantelit, shkruan Daily Mail.

Këto reaksione çlirojnë gazra si metani dhe hidrogjeni, të cilët shërbejnë si burim ushqimi për mikroorganizmat që jetojnë në mungesë totale të dritës dhe oksigjenit – kushte të rralla në Tokën moderne, por të ngjashme me ato që mund të kenë ekzistuar në fillimet e planetit.

Në një zbulim të fundit, studiuesit kanë arritur të nxjerrin një kampion bërthamor shkëmbi nga manteli i Tokës, që është burimi kimik i sistemit të ventilimit të Qytetit të Humbur. Ky kampion pritet të ndihmojë shkencëtarët të kuptojnë më mirë reaksionet kimike që ndodhin nën dyshemenë e detit – procese që mund të kenë krijuar molekulat e para të jetës miliarda vite më parë.

I ndodhur rreth 15 kilometra në perëndim të boshtit të Rripit Mes-Atlantik, në jug të ishujve Azore, ky vend ka mbetur pothuajse i padëmtuar nga aktiviteti njerëzor, duke ruajtur një mjedis të paprekur dhe të jashtëzakonshëm për studime shkencore.

Çdo burim hidrotermal në këtë fushë ka marrë emra simbolikë si IMAX, Poseidon, Seeps dhe Nature, dhe secili prej tyre lëshon lëngje të ngrohta dhe alkaline që krijojnë një habitat të qëndrueshëm për jetën, edhe në një nga mjediset më ekstreme në Tokë.

Sot, ndërsa vëmendja globale është rikthyer tek misteret e fillimit të jetës, Qyteti i Humbur shihet si një laborator natyror unik, që mund të ndihmojë në zgjidhjen e një prej pyetjeve më të mëdha të biologjisë: Si lindi jeta nga materia jo e gjallë?

Kërkimet vazhdojnë dhe premtojnë të sjellin përgjigje që jo vetëm shpjegojnë të kaluarën tonë të largët, por mund të ndihmojnë edhe në kërkimin për jetë në planetë të tjerë./KultPlus.com

‘Qyteti i humbur’, mrekullia antike më e lashtë se Machu Picchu

I fshehur në xhunglën e maleve të Sierra Nevadas, në Kolumbi, gjendet “Ciudad Perdida”, apo “Qyteti i humbur”. I ndërtuar rreth viteve 800, ai u zbulua në vitin 1970.

I njohur edhe me emrin Teyuna, mrekullia antike shpesh krahasohet me qytetin e Perusë, Machu Picchu, pasi të dy vendet arkeologjike janë të vendosura në kodra, në pyjet e shiut të Amerikës së Jugut. Sidoqoftë, Teyuna është 650 vjet më i vjetër sesa Machu Picchu dhe për të mbërritur atje nuk ka trena ose autobusë, mënyra e vetme është ecja në këmbë për shumë ditë.

Udhëtimi deri në “Qytetin e humbur” kalon nëpër një rrugë të vështirë, që nis me një shteg të vështirë, me bimësi të dendur, pemë të larta bananesh, hardhi të varura, për t’u ngjitur më pas në katër male. E gjithë guida realizohet me mushka, në kushte të vështira atmosferike, mes temperaturave të larta dhe lagështisë së tmerrshme, por edhe rrezikut nga gjarpërinjtë e lumenjve.

Komuniteti Wiwa, pasardhës i fiseve Tairona, themelues i këtij qytetërimi të lashtë në Kolumbi, vazhdon të ketë lidhje të fortë me trashëgiminë e tij. Ata ndjekin ende kulte dhe rite si të parët e tyre, duke demonstruar p.sh. një lidhje të fortë shpirtërore me tokën dhe pyjet. Të veshur të gjithë me të bardha, anëtarët e fisit jetojnë shumë larg jetës moderne të botës sot.

Mendohet se në këtë zonë të humbur me terren të vështirë, jetuan 2000 anëtarë të fisit Tairona, për shekuj, derisa e braktisën atë diku midis viteve 1580 dhe 1650, kohë e kolonizimit spanjoll.

Fatkeqësisht, në vitin 1972 në këtë qytet antik u vodhën shumë thesare ari, bizhuteri dhe qeramika. \ a2news/ KultPlus.com