Nata e tretë në RLIOF shpalosi madhështinë e muzikës shqipe, dedikim ndaj ikonës Nexhmije Pagarusha

Era Berisha

Arta Jashari, Zana Abazi, Mirlinda Koci, Klodjan Kaçani, Armand Likaj, Granit Musliu dhe Mennan Bërveniku kanë sjell mbrëmë një natë që gjurmët e saj i ka lënë të pashkoqitura nga kujtesa e gjithsecilit. Me një repertor të mrekullueshëm dhe vepra që erdhën për herë të parë në skenën tonë, nata e tretë në kuadër të “Ramë Lahaj International Opera Festival”, ka krijuar një urë lidhëse mes zërave sa të ndryshëm aq edhe energjik, që me fuqinë dhe vrullin e tyre jo të zakonshëm, kanë mbështjellë këtë natë që vjen dedikim ndaj ikonës së muzikës shqiptare, Nexhmije Pagarusha, shkruan KultPlus.

Fillimisht, ajo se çka dallohej qysh në hyrje të këtij koncerti ishte numri tejet i lartë i të pranishmëve të cilët kanë mbushur sallën qosh më qosh. As karriget e shtuara në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare nuk mjaftuan për t’i ulur të gjithë të pranishmit. Ndonëse qëndrimi në këmbë është tejet i lodhshëm, ishte publiku në pjesën e fundit ai që qëndroi nga nisja e këtij koncerti e deri në fund. Ndërkohë, nata e tretë e këtij festivali ka sjellë edhe disa ndryshime të vogla por që patën efektin e tyre. Reflektori në ngjyrë rozë në prapavijë veçse i ka shtuar hijeshi skenës, ndërkohë reflektorët në ngjyrën e portokalltë dhe verdhë që ishin të vendosura anash përgjatë hapësirës, i kanë dhënë një llojllojshmëri të bukur, dukjes në sallë. Në anën tjetër, ishin dritat e ngrohta përballë skenës dhe ato anash që kanë ndriçuar akoma më shumë vendin duke bërë që edhe veshjet e secilit interpretues të duken të mahnitshme.

Hapjen e kësaj mbrëmjeje të festivalit ‘RLIOF’ e nisi koordinatorja artistike e festivalit, Ulpiana Aliaj e cila u shpreh se kjo natë do ta ketë një repertor të mahnitshëm që publiku do ta shijojë.

“Jemi me të vërtetë të lumtur që sot e nderojmë një këngëtare e cila përfaqëson jo vetëm artin e të kënduarit por artin e magjisë së zërit të saj dhe gjithçkaje që ajo përfaqëson. Jemi të kënaqur që në këtë mbrëmje përveç të gjithave, festojmë sot edhe përvjetorin e kompozitorit Çesk Zadeja. Për nder të tij, për herë të parë në skenën tonë do të kemi prezantimin e një mori veprash që interpretohen nga artistët tanë të mrekullueshëm, zëra që përfaqësojnë denjësisht vendin tonë. Do të shijoni një larmi shumë të madhe të veprave që i përkasin këtij repertori shqiptar”, thotë ajo.

Të pranishmit dukshëm ishin të entuziazmuar për programin e veçantë që kishin mundësi ta shikonin ende pa nisur koncerti. Ndërkohë, para se melodia e parë të jehonte nëpër zemrën e secilit, ishte skena ajo që mori vëmendjen e plotë. E mbushur me mikrofona të ndryshme e të nevojshme për audion perfekte dhe pianon bardh e zi të vendosur sipër, skenës tash i mungonin vetëm artistët shqiptarë dhe zërat e tyre buçues dhe diversiv.

Ishin 17 vepra që absolutisht kanë përthekuar këtë natë me magjinë që sollën nga momenti në moment. “Eja vashë”, “Romancë”, “N’mes dashurive”, “O ju male t’nalta”, “Mori e bukura e mërhitur”, “Kjo shtëpi me ballë në erë”, “Te kroni”, “Ndalu që të flasim”, “Doli dielli doli hana”, “Dy kupa”, “Aria e Kalorit”, “Oh ky tregim…”, “Zemër e dashur”, “Djaloshare”, “Mall”, “Fjalët e qiririt” “Aria e Plakut flokëbardhë”, erdhën njëra pas tjetrës dhe me to së bashku u shfaq edhe diversiteti i mahnitshëm i zërave të artistëve, intensiteti i së cilave ka dalë edhe jashtë katër mureve.

Sopranoja Arta Jashari, sopranoja Zana Abazi, sopranoja Mirlinda Koci, tenori Klodjan Kaçani, baritoni Armand Likaj, tenori Granit Musliu si dhe pianisti Mennan Bërveniku kanë ndezur flakë skenën me interpretimin e tyre të një repertori krejtësisht të mbushur me vepra shqiptare. Veprat e kompozitorëve si: Lola Gjoka, Çesk Zadeja, Prenk Jakova, Zef Çoba, Avni Mula, Endri Sina, Rauf Dhomi, Tonin Harapi, Pirro Çako e Limoz Dizdari, kanë ardhur në një mënyrë që as s’do përshkrim. Mjaftonte të dëgjoje ritmin në publik që herë pas here i bashkëngjitej tekstit të secilës këngë, për të kuptuar se ky koncert ka përçuar emocione të jashtëzakonshme.

Herë në dyshe e herë në solo, mbrëmja kulmoi me kryevepra të njëpasnjëshme. Dukja mbresëlënëse e tri sopranove si dhe prezenca skenike që dy tenorët, baritoni dhe pianisti posedonin, kanë bërë që çdo tingull e çdo melodi të bëhej dyfish edhe më e bukur e të ndjehej akoma edhe më shumë. Lëvizjet e duarve të tyre, lëvizjet e kokës në kahje të ndryshme në një gërshetim të pakrahasueshëm me vijën melodike që pianisti e sillte vazhdimisht në një mënyrë të pashoq, ka dëshmuar se skena kulturore në Kosovë ka një dashuri e pasion të paepur për mbrëmje të mirëfillta klasike.

Edicioni i dytë i këtij festivali dukshëm ka sjellë surpriza unike kësaj here, dhe mbrëmja e ditës së djeshme qe e tillë. Interaktiviteti mes artistëve, zërat gërshetues të tyre dhe shikimet e ëmbla që pasonin në skenë, ishin vetëm disa nga copëzat magjepsëse që këtë natë e bënë aq të afërt e aq të ngrohtë për audiencën. Dëshmi për këtë ishin edhe duartrokitjet e shumta e të zgjatura pas secilës këngë, e herë edhe ato që lëshoheshin pak para se kënga të gjente fundin e saj.

Krejt në fund, ishte tenori Ramë Lahaj që njëkohësisht është themeluesi i festivalit ‘RLIOF”, si dhe sopranoja e njohur Elbenita Kajtazi, ata të cilët iu bashkëngjiten skenës për të lënë gjurmën e fundit për këtë natë. Vepra “Lule Borë” nga gjithsej tetë artistë ngriti publikun në këmbë për një përmbyllje sa të lezetshme aq edhe të fuqishme. Fishkëllimat e zgjatura në shoqërimin e duartrokitjeve nga ana e publikut, ishin ato që dëgjoheshin më së shumti e kjo veçse solli edhe buzëqeshjet e artistëve në skenë, si një sinjal që puna e tyre e palodhshme do të mbetet gjithmonë e vlerësuar dhe do të mbahet mend përherë.

Baritoni Armand Likaj për KultPlus foli rreth emocioneve të tij pas një koncerti të tillë.

“Duke dashur dhe duke vlerësuar këtë festival operistik, për mua ishte një mbrëmje dhe eksperiencë shumë e bukur. Duke parë investimin që është bërë, duke parë angazhimet e një stafi fantastik, realisht më jep këtë përgjegjësi për të realizuar një koncert të tillë që besoj se treguesi më i mirë për këtë ishin duartrokitjet e publikut. Jam ndjerë gjithmonë mirë kur është përmendur emri i Nexhmije Pagarushës dhe unë kam pasur fatin dhe e them me krenari që e kam njohur edhe nga afër. E mbaj mend që diku duhet ta kem të regjistruar nga Akademia e Shkencave të një koncerti, përqafimin e saj që të ngroh”, shpalos Likaj.

Sipas tij, ai sa më shumë po rritet profesionalisht, po kupton vlerën e mirëfilltë të artit tonë dhe muzikës së artistëve shqiptarë.

“Unë mbrëmjen e hapa me një baladë të të madhit, profesorit tim Zef Çoba, pastaj kur interpretova pjesën e dytë ishte romanca aq e bukur, aria “Dasma arbëreshe” e po një emrit të madh siç është Rauf Dhomi, pastaj edhe dueti aq i dashur i Prenk Jakovës me sopranon Arta Jashari, dhe krejt në fund ishte vepra pak e dhimbshme por kështu ishte ideja e organizimit. Prania e shumë artistëve që sot përfaqësojnë Kosovën kudo në botë është e bukur dhe pa diskutim që ishim të nderuar gjithsecili nga ky publik e sidomos nga ata që qëndruan në këmbë për një kohë të gjatë dhe për këtë mendoj që duhet një vullnet i lartë e një dashuri që ky popull e ka dhe prandaj ky popull meriton shumë”, përfundon ai.

Po ashtu, tenori Granit Musliu tregoi rreth ndërveprimit me artistët e tjerë në këtë mbrëmje.

“Ka qenë një mbrëmje fantastike dhe të gjithë artistët jemi ndjerë shumë mirë. Është gjithmonë kënaqësi e madhe për të kënduar para një publiku shumë të ngrohtë kosovar dhe jemi shumë të lumtur që ky festival gjendet në Kosovë dhe fton artistë nga Kosova që të kthehen e të këndojnë për publikun e Kosovës në skenën kosovare. Me të gjithë artistët njihem personalisht dhe jam shumë i lumtur që të ndaj skenën me ta. Mbrëmja u bë edhe më e mirë sidomos kur kemi kënduar këngën e fundit por kryesisht veprat kanë qenë të kompozitorëve shqiptarë dhe natyrisht që është kënaqësi që të këndoj në gjuhën time. Zërat kosovarë dhe shqiptarë gjithmonë më kanë lënë përshtypje dhe e di që Kosova dhe Shqipëria ka zëra shumë të bukura e njëlloj vlen edhe për muzikantët. Fatkeqësisht kushtet nuk janë ideale mirëpo për mua kjo mbrëmje ishte një veçanti e madhe e sidomos duke pasur parasysh repertorin e mahnitshëm” , ka thënë ai.

Gjithashtu, sopranoja Mirlinda Koci ka thënë se është ndjerë e lumtur që ka kënduar në këtë natë dedikuar ndaj Nexhmije Pagarushës.

“Kjo mbrëmje ishte një ndjenjë shumë e veçantë. Jam shumë e lumtur që këndova sonte në natën e Nexhmije Pagarushës e sidomos edhe kur këndova vepra shqipe. U gëzova shumë për faktin që performova në mesin e artistëve shqiptarë të njohur. Pjesa ime e parë ka qenë që mua më ka fjet në zemër qysh prej kur kam filluar ta studiojë por gjithashtu edhe vepra “Fjalët e qiririt” që e këndoj kolegu Klodjan ishte shumë e veçantë. Sonte më ka lënë përshtypje publiku që ka qenë një numër i madh dhe kur dola për herë të parë në skenë, jam befasuar shumë dhe jam ndjerë shumë mirë që muzika klasike ndiqet dhe nga publiku”, thotë Koci.

Ndërsa, sopranoja kosovare Elbenita Kajtazi ka thënë për KultPlus se mbrëmje ishte një mrekulli më vete.

“Koncerti sonte ishte shumë i mirë. Ishte e mrekullueshme të shohësh shoqërinë tënde duke performuar në skenë e sidomos në pjesë shqiptare, kështu që jam ndjerë shumë bukur. Të gjitha veprat e interpretuara ishin shumë të mira dhe mua personalisht më pëlqeu shumë interpretimi i Zanës, i Mirlindës e natyrisht edhe i Artës. Ishte me të vërtetë një mrekulli dhe besoj që s’ka nder më të madh sesa kjo ndaj Nexhmijes. Vetë fakti që unë vij shumë rrallë në Kosovë, me i taku krejt përnjëherë është një përshtypje shumë e mirë”, ka thënë Kajtazi.

“Ramë Lahaj International Opera Festival” gjatë këtij edicioni do të prezantojë edhe 2 koncerte të tjera në vazhdim. Nata e katërt e këtij festivali vjen më datë 28 korrik nën emërtimin “New Generation” në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare. / KultPlus.com

Operat italiane premierë në ‘RLIOF’, nata kulmon me ‘O sole mio’ nga Ramë Lahaj, Erika Grimaldi dhe Leonardo Caimi (VIDEO)

Flonja Haxhaj

Magjia e veprave të Puccinit, Verdit, Mascagnit etj, erdhën mbrëmë për publikun e ‘Rame Lahaj International Opera Festival’ përmes artistëve që kishin ardhur nga Italia, Erika Grimaldi dhe Leonardo Caimi, nën shoqërimin e pashoq të pianistit kosovar, Menan Bërveniku, përcjell KultPlus.

Mbrëmja ‘Opera Night’ nisi me operën ‘Qual fiamma avea nel quardo’ e kompozitorit Roggero Leoncavallo, e të cilën e solli premierë në Prishtinë sopranoja Erika Grimaldi dhe pianisti Bërveniku, performancë kjo rrënqethëse e që u përcoll me duartrokitje të shumta në publik.

Më pas në qendër të skenës erdhi tenori Leonardo Caimi, i cili me një qetësi skenike dhe një zë kumbues performoi operën ‘E lucevan la stelle’ të Giacomo Puccinit, përcjellur më pas nga opera ‘Morrio ma prima in Grazia’ të kompozitorit të njohur italian, Guieseppe Verdi.

Por, pikërisht pas përfundimit të kësaj opere, mbrëmja mori kahje komplet ndryshe kur në skenë u ngjit Ulpiana Alijaj, koordinatorja artistike e festivalit, duke dhënë lajmin për një kërcënim me bombë që stafi kishin marrë dhe salla duhej boshatisur për kontrollën e policisë. E menjëherë pas kontrollës së policisë, publiku u rikthye në vendet ku ishin për të vazhduar ta shijojnë pjesën e mbetur të mbrëmjes, pasi policia raportoi se ishte një alarm i rremë dhe nuk kishte rrezik për të pranishmit.

Foto: RLIOF

E për t’iu dhënë kurajo artistëve dhe publikut, ndonëse i papërgatitur për të performuar në këtë mbrëmje , në skenë u ngjit vetë Ramë Lahaj bashkë me Erika Grimaldin dhe Leonardo Caimin për të kënduar operën e njohur italiane ‘O sole Mio’. Ky interpretim ngriti në këmbë publikun dhe sikur të gjithë harruan atë se çka kishte ndodhur pak minuta më parë.

Më pas, të gjithë vëmendjen e mori  pianisti Menan Bërveniku, i cili mjeshtërisht interpretoi në piano operën ‘Intermezo’ të Pietro Mascagni. E më pas u dhanë premierë edhe operat e tjera të njohura si ‘Un bel di vedremo’, ‘Addio, fiorito asil’, ‘Viene la sera’, ‘Musica proibita’ dhe ‘Brindisi’. E krejt kjo mbrëmje u kurorëzua me duartrokitjen e publikut e cila zgjati për disa minuta, për të shprehur mirënjohjen për artistët që performuan dhe dhanë kaq emocion.

Menjëherë pas përfundimit, për KultPlus foli sopranoja, Erika Grimaldi, e cila shprehet e lumtur për pjesëmarjen e saj në këtë festival, dhe për performancën e saj të parë në Kosovë.

Unë jam shumë e lumtur që po marr pjesë në këtë festival sepse unë e kam takuar për herë të parë Ramë Lahajn në Montolieu, diku 10 vjet më parë, pra shumë vjet më parë dhejam shumë e lumtur që po qëndroj këtu. Ai më ftoi mua dhe pas 10 vjetësh, këtë mbrëmje unë performova dhe për mua është një kënaqësi e madhe sepse zbulova këtë festival  dhe mendoj që është një ide e mrekullueshme e gjithë ajo që ai po bën për këtë festival”, tha Grimaldi për KultPlus, duke shtuar më tutje se është tejet e lumtur edhe për bashkëpunimin me Menan Bërvenikun, duke i cilësuar atë si një pianist të mrekulueshëm dhe briliant.

Pas një performancë mahnitëse, ku ai i shoqëroi me piano dy artistët e njohur italianë, foli edhe pianisti Bërveniku i cili shpreh i cili shpreh kënaqësinë e tij për këtë bashkëpunim

  “Është një kënaqësi e madhe kur njeriu punon me profesionistë të këtij kalibri sepse atëherë neve na nevojitet vetëm një provë me e realizu kalimthi për ta ditur a po përshtatet kima mes nesh edhe dalim në koncert. Kjo është kënaqësi e madhe sepse ky është repertori standard të cilin e ekzekutojmë çdo herë.”, tha Bërveniku për KultPlus.

Bërveniku poashtu foli edhe për alarmin për bombë, duke u shprehur se kjo informatë nuk i dekoncentroi aspak ata,përkundrazi, ajo i bëri që të kthehen më të fuqishëm dhe t’i performojnë dinjitetshëm këto opera të njohura.

Ai gjithashtu u shpreh i lumtur për pjesëmarrjen tij në këtë festival, i cili tashmë është kthyer në traditë meqë sivjet shënoi edicioin e tij të dytë.

 “Ramën e kam kolegë tash e disa viteve është kënaqësi e madhe që ka ardhë ftesa prej tij dhe nder i madh sepse ky festival vetëm se ka filluar të arrijë më larg dhe që do të ketë ndoshta edhe renome më të gjerë sesa vetëm në kombin tonë, por besoj që viteve të ardhshme do të shkojë edhe më tej”, tha Berveniku, pianisti i cili do të performojë edhe në dy netë të tjera të këtij festivali.

Ndërkaq, në këtë mbrëmje e cila kumboi me operat më të njohura italiane dhe jo vetëm, ishte i pranishëm edhe mjeshtri i zërit, Jean Bernard Thomas, i cili përveç që ka punuar me fytyra të njohura operistike, është edhe trajnues i zërit të Ramë Lahaj.

Ai pas kësaj performance foli për KultPlus, duke thënë lëvdata për të dy artistët, ndonëse sipas tij ishte një natë pak stresuese.

Ishte një performancë e mirë, pak me stres sepse asnjëherë më parë nuk kam parë një aksident të tillë. Për tenorin mendoj që është e vështirë të ballafaqohesh me diçka si kjo sepse duhet të ndërprehet koncerti dhe nëse më kishte ndodhur edhe mua kjo gjë do të ishte e njëjta, pra ishte pak e vështirë për të. Unë mendoj se ai në këtë mbrëmje ai ishte një profesionist i mirë, dhe gjithashtu edhe sopranoja më pëlqeu shumë’, u shpreh Jean Bernard Thoams.

Ndërkaq, ‘Rame Lahaj international Opera Festival’ do të vazhdojë deri më 31 korrik, e ku do të përmbyllet me koncertin ‘Rame Lahaj & Friends’ në sheshin ‘Skëndërbeu në Prishtinë./ KultPlus.com

“Udhëtim në kohë” hapi mbrëmë RLIOF, një mbrëmje e mahnitshme që jehoi kokë e këmbë shqip

Era Berisha

Një mbrëmje mbresëlënëse e mbushur plot me melodi shqipe rezultoi nga koncerti i Adhurim Grezdës dhe bendit “Don’t listen to your neighbors”, të cilët mbrëmë promovuan albumin e tyre të emërtuar “Udhëtim në kohë”, pikërisht në natën e parë të hapjes së edicionit të dytë të festivalit “Ramë Lahaj International Opera Festival”. Një udhëtim në kohë nëpër këngë të vjetra shqiptare që vinë të aranzhuar në një stil perfekt, e përjetuan të gjithë të pranishmit që u pushtuan ëmbëlsisht me prekjen madhështore të secilit tingull, shkruan KultPlus.  

Edicioni i dytë i këtij festivali nisi mbrëmë me një stil mjaft unik të elementeve të xhazit të përcjellura përmes aranzhimeve të sofistikuara. Ky koncert dukshëm pati pranë një numër të madh të artdashësve të cilët me padurim prisnin daljen në skenë të artistëve që do të performonin në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare. Me një ndriçim të ngrohtë në dy qoshet e skenës si dhe ato në distancë përbri skenës, reflektorët e kaltër të vendosura përreth sallës si dhe dritat në prapaskenë që ndërronin sa herë që publiku bëhej pjesë e koncertit, ishin ato që vinin në pah akoma më shumë interpretimin e veçantë të instrumentistëve në skenë. Me një logo të dizajnit në prapavijë dhe dritën natyrale që bie pingul në mes të hapësirës, të pranishmit mbushën sallën qosh më qosh, teksa disa nga ta edhe qëndruan në këmbë nga fillimi e deri në fund.

Hapjen e kësaj mbrëmjeje të festivalit ‘RLIOF’ e nisi koordinatorja artistike e festivalit, Ulpiana Aliaj e cila u shpreh se ndjehet mjaft e nderuar që salla ishte e mbushur plot.

“Jemi vërtetë të nderuar që sot po e nisim edicionin e dytë të ‘Ramë Lahaj International Opera Festival’. Sa mirë të shohësh këtë sallë kaq të mbushur me të rinj, me artistë, me diplomatë dhe të gjithë ata që përfaqësojnë të gjitha kategoritë dhe që mbi të gjitha, vlerësojnë artin, e për këtë ju jemi shumë mirënjohës. Edicionin e dytë e nisim sot me një mbrëmje specifike dedikuar dhe kushtuar muzikës shqipe, një gjerdan shumë i vlefshëm për kulturën, artin dhe traditën tonë”, thotë Aliaj.

Për të pranishmit të cilët janë adhurues të muzikës unike të bendit “Don’t listen to your neighbors”, në hyrje të hapësirës ishin të vendosura rishtazi edhe një numër i madh i CD-ve, brenda të cilave gjendej edhe albumi më i ri i tyre. Ndërkaq, para se koncerti të gjente nisjen e tij, skena ishte ajo që ishte e mbushur plot në secilin cep. Instrumentet diversive pas pak do të gjallëroheshin nga një formacion i zgjeruar, pak më ndryshe sesa treshja tashmë e njohur e këtij bendi. Njëri pas tjetrit, dalja e tyre në skenë u shoqërua me një duartrokitje të paparë nga ana e publikut.

Gjithsej trembëdhjetë këngë pushtuan atmosferën që nga fillimi e gjerë në mbarim. Fiks në orën 20:15 u lëshua tingulli i parë dhe zëri i mrekullueshëm i baritonit Adhurim Grezda nuk u ndal për asnjë çast. Me një veshje elegante, secila notë muzikore i shkrihej natyrshëm zërit të tij të butë dhe njëkohësisht të fuqishëm, që në ndërlidhje me audion aq të pastër të instrumenteve, ky koncert dëshmoi për një çiltërsi të jashtëzakonshme autentike.

Kënga arbëreshe “Ishte një ditë e muajit t’majit”, “Valle arbëreshe”, kënga qytetare përmetare “A kanë uj’ ato burime”, poezia “Kroi i fshatit tonë”, kënga popullore e Shqipërisë së mesme “Jam bandill, trim i fortë”, kënga popullore korçare “25 gërsheta”, kënga popullore elbasanase “Malenake”, “Hala s’të ra ndërmend”, kënga qytetare shkodrane “Tash sa ditë e mot”, këngë qytetare beratase “Asaman, trëndafili i çelës”, kënga popullore durrsake “E vika Deti”, “Valle e Shqipërisë së mesme” si dhe “Mallëngjimi”, jehuan edhe përtej mureve të çdo shpirti të pranishëm. Kjo më së miri dallohej edhe atëherë kur secili person arriti që të krijojë ritme herë pas here në publik të cilat krijonin një gërshetim të mrekullueshëm mes artistëve dhe artdashësve.

Ndërkohë, anëtarët e tjerë që janë pjesë e këtij albumi si: Dalvin Mamusha në violinë, Endrit Xërxa në kitarë, Visar Kuçi në bas kitarë dhe mandolinë, Ervis Çaushi në fizarmonikë, Fatjon Miftari në piano, Ardian Bakalli në daulle si dhe Tanju Sulejman në perkusion, kanë sjellë copëza magjie përbrenda secilës këngë. Çdo herë ndryshe në stilin e tyre, ata arritën që këtë mbrëmje ta ndezin flakë e publikun ta bëjnë për vete lehtazi. Njëlloj si emërtimi i albumit, “Udhëtim në kohë”, ky koncert ishte me të vërtetë i tillë. Këngët e vjetra shqiptare dhe popullore janë ringjallur për të lënë gjurmë të dukshme moderne.

Edhe pse teksti këndohej pothuajse nga gjithsecili i pranishëm, ishte vija melodike ajo që kishte ndërruar formë dhe kjo veçse është mirëpritur nga audienca që me duartrokitje të shumta ka mirëpritur secilën këngë. Me buzëqeshje në fytyrat e secilit dhe lëvizjet e tyre në vend, ritmi i tyre trupor ishte i të njëjtit nivel me atë në skenë. Këngë pas kënge, duartrokitje pas duartrokitje e instrument pas instrumenti, kjo mbrëmje dëshmoi për një nevojë të pashtershme që ka skena kulturore në Kosovë.

Është vetëm edicioni i dytë i këtij festivali, por tashmë netët e radhës po priten me padurim që të vinë sa më shpejt në kryeqytet. Krejt kjo dëshirë e dalluar erdhi nga kjo mbrëmje që dëshmoi për kapacitetin e lartë të profesionistëve shqiptarë të cilët me muzikën e tyre krijuan një mbrëmje magjike.

Baritoni Adhurim Grezda për KultPlus foli rreth emocioneve të tij pas një koncerti të tillë.

“Ideja e albumit ka ardhur gjatë periudhës pandemike dhe atëherë kohën e gjallëruam shpirtërisht me muzikë dhe njëkohësisht arritëm të përzgjedhim trembëdhjetë këngë për këtë album. Kryesisht këngët që i zgjedh janë këngë që i përshtaten vokalit tim dhe janë këngë që të gjithë i njohin. Shumica nga këngët janë nga Berati, Shkodra, Durrësi, Korça, një është valle arbëreshe dhe normalisht kënga ‘Mallëngjimi’ nga Muharrem Qena”, thotë ai.

Sipas tij, emërtimi i albumit “Udhëtim në kohë” ka ardhur nga ideja se nëpërmjet muzikës së dikurshme të vjen muzika bashkëkohore.

“’Asaman, trëndafili i çelës’ është një këngë që e kam dëgjuar qysh fëmijë dhe kam nostalgji sa herë e dëgjoj andaj dhe këtyre këngëve i ka ardhur momenti që t’i punojmë në mënyrë profesionale”, thotë Grezda.

Po ashtu, kitaristi Endrit Xërxa tregoi pak për procesin e krijimit të një albumi si dhe përshtypjeve të tij për këtë mbrëmje.

“Normalisht ka qenë një emocion i madh për të qenë në skenë duke marrë parasysh që nuk jemi marrë vetëm me aranzhimin e këngëve por jemi marrë edhe me incizimin e tyre, dizajnimin e kopertinës, me ftesën për instrumentistë të tjerë ngase nuk kemi qenë vetëm ne si trio dhe pas krejt kësaj pune është shpërblyer mundi jonë. Në secilën këngë, ne kemi ndërhyrë me aranzhimet tona më moderne, por ka edhe këngë që ne ia kemi ndërruar komplet formën vetëm teksti ka mbetur siç ka qenë, p.sh poezinë “Kroi i fshatit tonë” e kemi shndërruar në këngë dhe llogaritet si me qenë një këngë e re”, thotë ai.

Gjithashtu, violinisti Dalvin Mamushaj e vlerësoi kohën pandemike si një kohë që ka rezultuar mirë për diçka, e në këtë rast, në krijimin e albumit të tyre.

“Ishte një kënaqësi me të vërtetë e veçantë që sonte ishim pjesë e festivalit të Ramë Lahajt dhe patëm rastin të prezantojmë punën tonë dy vjeçare. Ka qenë një periudhë e vështirë në fillim pasi që patëm edhe pandeminë por në këtë rast ka pasur edhe të mirat e veta ngaqë kemi pasur mundësinë të sjellim punën tonë. Në këtë rast kemi ardhur me një formacion më të zgjeruar dhe ka qenë një ndjenjë tjetër për neve e po ashtu edhe për publikun sepse kanë mundur të dëgjojnë shumëllojshmërinë e ngjyrave”, shpalos Mamushaj.

“Ramë Lahaj International Opera Festival” gjatë këtij edicioni do të prezantojë edhe 4 koncerte të tjera në vazhdim. Nata e dytë e këtij festivali vjen më datë 24 korrik nën emërtimin “Opera Night” në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare. 

Fotografitë: Arben Llapashtica / KultPlus.com

Sonte nis ‘Rame Lahaj International Opera Festival’, Çeku: Puna e RLIOF e vendosë Kosovën në rrafshin operistik ndërkombëtar

Flonja Haxhaj

Në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare, sot është mbajtur konferenca hapëse e festivalit ‘Ramë Lahaj International Opera Festival, shkruan KultPlus.

Koordinatorja artistike e këtij festivali, Ulpiana Alijaj e mori fjalën e para ku u shpreh e lumtur për hapjen e edicionit të dytë të RLIOF duke e cilësuar si një ndër festivalet më të shëndetshme dhe më të rëndësishme për ta vënë jo vetëm Kosovën por edhe artin operistik në një piedestal evropian por edhe më gjerë.

“Në festivalin tonë këtë edicion do të paraqesim një gamë shumë të gjerë të repertorit operistik, por nisur ky edhe nga thelbi dhe muzika shqipe dhe të cilës i kemi dhënë një vend shumë të rëndësishëm dhe që jo më kot e nisim sot festivalin tonë me ‘Ensamble evening’ dhe me një lëvrim të mirë të muzikës folklorike shqiptare e sjellë kjo në një mënyrë shumë të rafinuar nga “Don’t listen to your neighbours” për të vijuar pas me një mbrëmje speciale në kuadër të ‘Opera night’ ku do të kemi dy kolegë nga Italia, sopranoja Erika Grimaldi dhe tenori Leonardo Caimi shoqëruar nga pianisti kosovar Mennan Berveniku i cili vjen enkas për këtë event”, tha Alijaj duke dhënë detaje për programin operistik të këtij festivali.

Po ashtu me datën 26, do të ketë mbrëmje të dedikuar enkas për repertorin e këngëtares Nexhmije Pagarusha.

“Në këtë mbrëmje do të celebrojmë edhe një kompozitor shumë të rëndësishëm shqiptar siç është Çesk Zadeja në 95-vjetorin e lindjes së tij dhe në këtë kuadër do të kemi edhe vepra që do të jenë premierë për skenën kosovare edhe për skenën shqiptare, pasi kemi sjellë vepra të cilat janë premierë në skenën e festivalit  tonë”, tha Alijaj e cila tutje tregoi se më datë 28 do të jetw një mbrëmje shumë interesante, konkludimi i një pune intensive, i cili përmbyllet me koncertin e ‘New Generation’ dhe ofrohet nga e gjithë puna që do të zhvillohet gjatë këtyre ditëve nga mjeshtri i zërit, Jean Bernard Thomas shoqëruar në piano nga Fjorda Veizaj dhe për të arritur kulmin e festivalit në datën 31 në sheshin ‘Skënderbeu’ ku përkrah tenorit Lahaj dhe miqve të tjerë do të performojw për herë të parë në trojet shqiptare një soprano e nivelit ndërkombëtar siç është Angela Gheorghiu.

Më pas fjalën e mori vetë themeluesi i festivalit, Ramë Lahaj i cili falënderoi të gjithë ata që e bënë të mundur realizimin e ‘Rame Lahaj International Opera Festival’ e që këtë vit shënon edicionin e dytë.

“Ajo që më bën të vazhdoj dhe ta përballoj tërë këtë stres është që në shoqërinë tonë të fillojë një lloj tradite ose një festival i natyrës së tillë, që jo vetëm që se ka pasë Kosova por as rajoni. Ajo që më shtyn për me jep tërë këtë energji është dëshira për ta realizuar një festival i cili do të kthehet në traditë dhe do të jetë pjesë e pandashme sepse jam i sigurt që i duhet edhe institucioneve të Kosovës, sidomos nëse flasim për operan, meqë jemi në planifikim të ndërtimit të Institucionit të Operas”, u shpreh Lahaj i cili shtoi se me këtë festival ka dashur të paraprijë, të ndihmojë dhe t’i dalë në ndihmë të gjithë talentëve rinj, që e kanë talentin, por mundësinë të dalin jashtë, të punojnë me trajnerë e kanë pothuajse të pamundur, përcjell KultPlus.

Në këtë konferencë ishte i pranishëm edhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrualla Çeku i cili u shpreh shumë i nderuar për prezencën e tij në këtë panel.

Ministri Çeku deklaroi se Kosova që nga viti i kaluar ka bërë hapa konkretë në themelimin e Institucionit të Operas së Kosovës dhe nga ky vit ka proceduar me funksionalizim të këshillit, me staf, me program vjetor dhe zhvillim të kapaciteteve infrastrukturore.

“Puna e komunitetit artistik që përfshin edhe kontributin e Ramë Lahaj dhe kolegët e tij vendorë e ndërkombëtar në festival ‘Rame Lahaj International Opera Festival’, që është unik në Kosovë e rajon po e vendosë Kosovën në rrafshin operistik ndërkombëtar gjë të cilën Ministria e Kulturës e vlerëson shumë në veçanti në aspektin e diplomacisë kulturore”, u shpreh Çeku, e i cili thotë poashtu se Ministria e Kulturës e vlerëson faktin që Ramë Lahaj si artist i skenës botërore operistike kthehet në Kosovë dhe kontribuon përmes festivalit dhe fondacionit ‘Rame Lahaj’.

Në panelin e konferencës hapëse të festivalit ‘Rame Lahaj International Opera Festival’ foli edhe i pari i Prishtinës, Përparim Rama.

“Ky festival operistik ofron kontribut të rëndësishëm e të drejtpërdrejtë  në pasurimin e jetës kulturore të kryeqytetit duke bërë Prishtinën një platformë të rëndësishme të artit operistik meqë festivali ‘RLIOF’ është i vetmi në Kosovë dhe rajon me strukturë të tillë ku përveç programit të pasur dhe artistëve kulminantë, punohet edhe me talentët e rinj për të ndihmuar institucionet kulturore të Kosovës”, tha Rama.

Përparim Rama u shpreh po ashtu se me këtë festival dhe me ngjarjen kulminante më 31 korrik në sheshin kryesor të Prishtinës, jo vetëm që publikut u ofrohet një program me cilësi të lartë artistik të këtij zhanri, por ardhja e artistëve të shquar e promovon Prishtinën në arenën ndërkombëtare, në aspektin më të rëndësishëm, atë të artit dhe të kulturës. 

E për fund, fjalën e mori mjeshtri i zërit, Jean Bernard Thomas, i cili njëherit është edhe trajnuesi i Ramë Lahaj dhe që në këtë festival ka ardhur të ushtrojë edhe shumë talentë të rinj kosovarë.

“Jam shumë i lumtur që ndodhem këtu për të marrë pjesë në festivalin e Ramë Lahaj, të cilin e kam njohur pak vite më parë dhe siç e dini unë jam trajnuesi tij, ne punojmë sëbashku ai është tenor edhe unë jam po ashtu tenor. Unë jetoj shumë larg nga këtu dhe po i thosha Ramës dy ditë para se të vija këtu që njerëzit më flisnin keq për Kosovën dhe jam shumë i surprizuar të shoh si janë evropianët këtu dhe se sa zëra të mirë ka këtu”, tha Jean Bernard Thomas, i cili pas përfundimit të konferencës filloi punëtorinë e tij.

Ramë Lahaj International Opera Festival, i vetmi festival i llojit të tij në rajon, prezanton edicionin e tij të dytë i cili do të zhvillohet në datat 21.07-31.07.2022. Synimi i festivalit është të ndërtojë një urë mes skenës kosovare dhe asaj ndërkombëtare, të nxitë dhe të ofrojë një mjedis ku artistë të rinj premtues zhvillohen dhe ekspozohen, duke hedhur kështu themelet e një tradite të artit të operas./ KultPlus.com

RLIOF dhe Teatri i Operas dhe Baletit në Shqipëri bashkojnë forcat në të mirë të edukimit e shkëmbimit kulturor

“Ramë Lahaj International Opera Festival”, festivali i parë Operistik në Kosovë po vjen me edicionin e dytë dhe çdo ditë po zbulojnë emra të pjesëmarrësve, ndërsa kësaj radhe kanë zbuluar një tjetër bashkëpunim të rëndësishëm, shkruan KultPlus.

Tenori i famshëm shqiptar, Ramë Lahaj ka bërë të ditur se në të mirë të edukimit e shkëmbimit kulturor, RLIOF dhe Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit në Shqipëri po bashkojnë forcat për një bashkëpunim ku me artistët e rinj dhe ata me karrierë do të shkëmbehen përvojat mes kolegëve muzikantë që do të vijnë nga e mbarë bota në Prishtinë, për të qenë pjesë e festivalit të vetëm operistik në Kosovë e rajon, RLIOF.

“Jemi një dhe e kemi për detyrë të jetësojmë bashkëpunime!

Për më tepër, kur bashkëpunimet ndodhin në të mirë të edukimit e shkëmbimit kulturor, është mrekulli!

Këtë vit, Rame Lahaj International Opera Festival (RLIOF) dhe Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit në Shqipëri po bashkojnë forcat për një bashkëpunim, ku me artistët e rinj dhe ata me karrierë do të shkëmbejmë përvojat tona me kolegët muzikantë që do të vijnë nga e mbarë bota në Prishtinë, për të qenë pjesë e festivalit të vetëm operistik në Kosovë e rajon, RLIOF.

Shihemi së shpejti në Prishtinë, e në një të ardhme të afërt edhe në Tiranë!”, ka shkruar Lahaj. / KultPlus.com

“Ramë Lahaj Opera Festival” prezanton të ftuarën speciale të mbrëmjes finale

“Ramë Lahaj International Opera Festival”, festivali i parë Operistik në Kosovë po vjen me edicionin e dytë, shkruan KultPlus.

Tenori i famshëm shqiptar, Ramë Lahaj ka bërë të ditur tashmë se ky edicion po vjen më shumë befasi.

Njëra ndër këto befasi është edhe pjesëmarrja e sopranos Angela Gheroghiu e cila nga kritika botërore është konsideruar si sopranoja magjepsëse dhe më e talentuar e kohës.

Më poshtë sjellim postimin e plotë të tenorit Lahaj:

Është ngjarje historike për artin dhe kulturën Kosovare të ju prezantojmë sopranon Angela Gheorghiu e cila nga kritika botërore është konsideruar si sopranoja magjepsëse dhe më e talentuar e kohës, këtë vit vjen në kuadër të Festivalit RLIOF si “Special Guest Star” në mbrëmjen finale Gala të Rame Lahaj & Friends. Ajo ka interpretuar në teatrot më të rëndësishme në të gjithë globin. Ka bashkëpunuar po ashtu me artistet më prestigjioz të botes së operës dhe jo vetëm.

Kemi nderin t’ju ftojmë për të shijuar çdo sekondë të kësaj ngjarjeje krejt unike, ku do marrin pjesë edhe artistet e mrekullueshëm dhe miq të ngushtë të festivalit, si: dirigjenti Valerio Galli, baritoni Franco Vassallo, tenori Jean Bernard Thomas, sopranoja ukrainase Anna Bondarenko, ylli jonë për ditë e në rritje Erza Muqolli, kori i fëmijëve Okarina të shoqëruar nga Filharmonia e Kosovës.

Të gjitha të ardhurat e kësaj mbrëmje do të shkojnë për zbulimin dhe përkrahjen e talenteve të rinj, nëpërmjet Fondacionit Rame Lahaj. Drejtpërdrejtë do mund të kontribuoni në rrugëtimin e shkollimin e një talenti të ri i cili do përzgjidhet nga stafi i festivalit në bashkëpunim me shkollat dhe universitetet e muzikës në vend.

Biletat mund ti gjeni në këtë faqe online: https://www.rave-travel.com/event-details-en.nspx…

Dhe në pikat e shitjes:

Prishtinë / Rave office

Prizren / Diamond vector travel

Ferizaj / Pika travel

Pejë / Soho Bar / KultPlus.com

“Ramë Lahaj Opera Festival” me mbrëmje kushtuar Nexhmije Pagarushës, një kombinim i mrekullueshëm i artistëve shqiptarë

“Ramë Lahaj International Opera Festival”, festivali i parë Operistik në Kosovë po vjen me edicionin e dytë, shkruan KultPlus.

Tenori i famshëm shqiptar, Ramë Lahaj ka bërë të ditur tashmë se ky edicion po vjen më shumë befasi.

Njëra ndër to është edhe mbrëmja kushtuar artistes së madhe shqiptare, Nexhmije Pagarushës.

Më poshtë sjellim postimin e plotë të tenorit Lahaj:

“Nexhmije Pagarusha”

Këtë vit kjo mbrëmje e veçantë, kushtuar artistes së madhe shqiptare Nexhmije Pagarusha, vjen me një kombinim të mrekullueshëm të artistëve shqiptarë, duke filluar që nga solistët e Teatrit të Operas dhe Baletit të Tiranës, si Armando Likaj tenori shqiptar Klodjan Kacani e deri tek sopranot tona të shquara, Zana Abazi e Arta Jashari, duke përfshirë edhe talentët tanë të rinj, Granit Musliu e Mirlinda Koci që u veçuan në edicionin e vitit të kaluar të RLIOF.

Kjo mbhere sjellim versione të larmishme të repertorit të bukur të këngës shqipe, përfshirë edhe ato të kënduara nga artistja e madhe Pagarusha.Artistët do të shoqërohen nga Menan Berveniku në Piano.

Një vend të veçantë në këtë mbrëmje me që edhe i kushtohet muzikës sonë shqipe i kemi dhënë edhe të madhit të muzikës shqiptare Çesk Zadeja në shënim të 95 vjetorit të lindjes së tij.

Për të falenderuar përjetësisht dhe mos harruar kurrë atë, që i dhuroi thesarit të bukur të muzikës shqiptare. Shumë vepra premierë do të ju presin në mbrëmjet e të mëdhenjve shqiptarë. / KultPlus.com

“Rame Lahaj International Opera Festival” këtë vit mbahet nën patronazhin e Komunës së Prishtinës

Festivali i parë Operistik në vend dhe rajon, “Rame Lahaj International Opera Festival” këtë vit, me përkrahje unanime do të mbahet nën patronazhin e Komunës së Prishtinës, shkruan KultPlus.

Lajmin e ka bërë të ditur, kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama i cili është shprehur shumë i lumtur.

“Jam tejet i lumtur që sivjet, me përkrahjen unanime të komunës së Prishtinës, marrim nën patronazh Festivalin e parë Operistik në vend e rajon, Rame Lahaj International Opera Festival.

Për artistin tonë Rame Lahaj nuk kam pse të them shumë, pasi vlerësimin ia ka dhënë bota, e ia kam ndjekur shfaqjet edhe personalisht në Berlin e në Londër. Por ajo që për mua, Prishtinën dhe Kosovën ka rëndësi shumë, prandaj edhe do ta përkrahim gjithmonë, është investimi në platformën edukativo/arsimore, të ideuar për talentët lirikë të rinj e në karrierë, e po ashtu në mundësitë e depërtimit të tyre në arenën ndërkombëtare”, ka shkruar Rama.

RLIOF sivjet do të ketë 5 mbrëmje koncertale, ku përveç yjeve operistike nga shtete të ndryshme, vend të rëndësishëm në repertorin e festivalit do të zërë edhe muzika e mirëfilltë shqipe.

“I dashur Ramë Lahaj, Prishtina dhe vendlindja të mirëpresin ty dhe kolegët e tu ndërkombëtarë”, shkruan tutje Rama. / KultPlus.com

Adhurim Grezda, Leonardo Caimi dhe Erika Grimaldi, pjesë e “Ramë Lahaj Opera Festival”

Tenori i njohur, Ramë Lahaj ditë më parë kishte lajmëruar publikun se festivali i muzikës klasike ‘Ramë Lahaj Opera festival’ do të mbahet nga data 21 deri me 31 korrik duke shënuar kështu edicionin e dytë me radhë.

Pos muzikës klasike, të ftuar do të jenë edhe tingujt e muzikës së bukur shqipe, do të ketë dyzim mes artistëve më të dalluar shqiptar të shoqëruar nga yjet më të mirë të skenës ndërkombëtare.

Disa prej emrave të artistëve prezent që dihen deri tani janë: Adhurim Grezda (vokalist), Leonardo Caimi (tenor), Erika Grimaldi (soprano).

Adhurim Grezda, vjen bashkë me grupin ‘Don’t listën to your neighbors’ për të promovuar më 21 korrik nga ora 20:00.

Grezda, baritoni, është kultivues i muzikës së pastër shqiptare. Ai u diplomua për këngë në Akademinë e Arteve të Bukura të Tiranës dhe më pas vazhdoi studimet Master në Fakultetin e Arteve të Prishtinës ku mori Diplomën e Masterit. Prejardhja e tij klasike dhe njohja e thellë e muzikës popullore shqiptare, shkrihen natyrshëm në zërin e tij të butë, por rrezatues. Z. Grezda synon të gjejë forma krijuese për të transmetuar thelbin e notave dhe çiltërsinë e akustikës. Ai ka një përvojë të pasur dhe të njohur në veprat teatrale. Ai ka qenë aktiv gjatë studimeve, por edhe tani, në projekte të ndryshme artistike dhe kulturore duke përfshirë bashkëpunimin e tij si solist në Orkestrën Filharmonike të Kosovës dhe koncerte solo në mjedise historike si një mënyrë për të promovuar trashëgiminë kulturore në bashkëpunim me shoqata kombëtare dhe ndërkombëtare. Nga viti 2011 punon si mësimdhënës i Këndimit në Shkollën e Mesme të Muzikës Prenk Jakova në Gjakovë.

Leonardo Caimi, është i mirënjohur për zërin e tij të kadiftë, muzikalitet të thellë dhe aftësi aktrimi të jashtëzakonshme. Ai u diplomua në degën e Kantos në Konservatorin “A.Corelli” të Mesinës. Caimi gjithashtu ka studiuar Kompozicion dhe Klarinetë në Konservatorin e “F.Torrefranca” në Vibo Valentina. Përveç këtyre, ai është diplomuar në degën e Filozofisë në “Universitetin e Studimeve” të Mesinës. Ai ka performuar në teatro dhe festivale prestigjoze si Royal Opera House Covent Garden, Teatro alla Scala, Teatro Real, Bayerische Staatsoper, Teatro Colón, Deutsche Oper Berlin, dhe Festivali i Salzburg-ut ndër shumë të tjerë. Ai ka interpretuar role të ndryshme si Don José nga opera Carmen në Leipzig Opera House, Deutsche Oper Berlin dhe po ashtu rol me të cilin ka debutuar në Royal Opera House; Calaf nga Turnadot në Oper Köln dhe në Leipzig Opera. Cavaradossi nga opera Tosca në Frankfurt Opera, Municipal Theatre Santiago dhe Royal Opera House; Gustavo nga Un ballo in Maschera at the Municipal Theater Rio de Janeiro dhe Staatstheater Darmstadt. Ndër angazhime të tjera mund të përmendim debutimin në rolin e Des Grieux nga opera Manon në Israeli Opera Tel-Aviv, Turiddu nga Cavalleria Rusticana dhe Pinkerton nga Madama Butterfly në La Monnaie të Brukselit. Maurizio di Sassonia nga opera Adriana Lecouvreur në Teatro Colon; Hoffmann nga The Tales of Hoffmann në Royal Opera House Covent Garden, Ruggero nga opera La Rondine në festivalin Puccini në Torre del Lago dhe shumë të tjerë.

Erika Grimaldi, soprano nga Italia, konsiderohet si një nga artistet më të suksesshme ndërkombëtare. Zëri i saj dallohet për pastërtinë lirike, qartësinë dhe thellësinë mbreslënëse, elementë të cilët i japin asaj një shprehi muzikore të mrekullueshme të shoqëruar me një prezencë joshëse në çdo skenë. Ajo është diplomuar në dy disiplina: Kanto (2001) dhe Piano (2003) në Konservatorin “Giusseppe Verdi” në Torino. Grimaldi ka arritur të sjellë role të shumta, të mirënjohura për rëndësinë dhe peshën e tyre, në shumë teatro dhe festivale prestigjoze siç është Teatro dell’Opera di Roma, Bayerische Staatsoper, Deutsche Oper Berlin, San Carlo dhe në Opéra National Montpellier. Grimaldi ka marrë pjesë në Festivalin Ndërkombëtar të 70-të Edinburg-ut ku performoi Mimí nga opera La Bohéme dhe Requiem nga Verdi. Aftësitë e saj në të kënduar i dhanë mundësi që në moshën 18 vjeçare të bënte debutimin e saj të parë si soliste në rolin Serpina nga opera La serva padrona. Në vitet në vazhdim ajo përformoi role të ndryshme ku dallohen veçanërisht roli i Micaëla nga opera Carmen në San Francisco Opera, Teatro dell’Opera Romë” dhe në Teatrin Regio; Mimí nga La Bohéme në Teatro Campoamor, Royal Danish Opera, Teatro San Carlo, Opéra National Montpellier dhe në shumë teatro të tjerë; Liù nga opera Turandot në Teatro Verdi dhe Teatro Regio; debutimi si Giovanna d’Arco e G. Verdi në Teatro alla Scala; Mathilde nga opera Guglielmo Tell në Bayerische Staatsoper ; Nedda nga Pagliacci në Bayerische Staatsoper dhe Deutsche Oper Berlin; Donna Anna nga Don Giovanni në Teatro Regio; Countess Almaviva nga Le nozze di Figaro në Bolshoi Teather. Angazhime të tjera artisike përshijnë rolin e Alice Ford nga opera Falstaff në Festivalin e Verberit; Requiem nga Verdi në Konzerthaus të Dortmundit dhe në Alte Oper; Stabat Mater nga Rossini në Tuluzë në bashkëpunim me Orkestrën Kombëtare të Tuluzës.

Përformancat e artistëve do të mbahen në ambientet e Amfiteatrit të ri të bibliotekës Universitare, në Prishtinë./Express/ KultPlus.com

Lahaj: T’jam pshtjellë e katrrithë nëpër pshollak e ndër kule, e zhag m’ke marr’ me vete, kurrë pa m’hjeke qafe

Tenori Ramë Lahaj, i cili përgjatë edicionit të vitit të kaluar të Festivalit RLIOF kishte humbur nënën, tashmë në përgatitje të edicionit të dytë të këtij festivali i ka dedikuar një mesazh nënës së tij. KultPlus ju sjell të plotë dedikimin e Lahajt.

Vera, stina qe e kam dashte ma se shumti! Plot jete e gjallni. Veres t’kam gjete ne çdo cep te shpise e t’oborrit. Ti me punet e magjes e t’kopshtit, plot dashni, drite, bujari e buzeqeshje… vet jeta. Nane, ti dilli i jem!

Plot e plot hera, si majmun i malit, t’jam pshtjelle e katrrithe neper pshollak e nder kule. E zhag m’ke marr’ me vete, kurr pa m’hjeke qafe!

Vera! E masi u rrita u bona me pa shume ma shume stine e ngjyra t’dynjase, vera jone meti e preferumja jeme perjete. Se veç veres u shlirojsha prej studimeve, puneve e obligimeve qe jeta me to na i lidhe kamt. E turr e vrap me ardhe te ti, me t’besafu e me ta knaqe shpirtin me sukseset e mija qe ma shume ishin tuat. Ato vishin si rezultat i edukates tane.

Masi u bana i zoti i vetes u mundova me ba vere tan’ vitin, me ardhe fluturim n’perqafimi tan’. Ner qershi tonen me e nda çdo merzi, gezim e suksese me ty. Veç qashtu vera, vitit e vet jeta kish vlere.

Ama ksaj vere qysh kemi me ja ba pa ty !? Nane! Çfare vere asht kjo?

Kush e merr persiper rrezatimin e diellit tan’ !?/ KultPlus.com

“Ramë Lahaj Opera Festival” vjen me edicionin e dytë, paralajmërohen shumë befasi

“Ramë Lahaj International Opera Festival”, festivali i parë Operistik në Kosovë po vjen me edicionin e dytë, shkruan KultPlus.

Tenori i famshëm shqiptar, Ramë Lahaj ka bërë të ditur sot se ky edicion po vjen më shumë befasi.

Festivali në këtë edicion po zgjerohet më tej, ku përveç muzikës së bukur shqipe, kësaj radhe i është dhënë hapësirë e veçantë edhe punëtorive.

“Të dashtun miq e adhurues të artit muzikor, me kënaqësi të madhe ju njoftoj që këtë vit festivali RLIOF vjen me edicionin e tij të dytë me shumë befasi, duke filluar nga muzika e bukur shqipe, për të vazhduar me atë që ne konsiderojmë shumë të rëndësishme për edukimin mbi këndimin e brezave të rinj e në karrierë. Toka jonë ka shumë talent ndaj edhe i kemi dhënë hapësirë të veçantë Workshop-eve ( Punëtorive)”, ka shkruar tenori Lahaj i cili tutje ka njoftuar se festivali në mbrëmjet e tij do ketë artistët më të dalluar shqiptar, të cilët do të shoqërohen nga yjet më të mirë të skenës ndërkombëtare.

Festivali do të mbahet mes datave 21-31 korrik me qëllim që rreth vetes të ketë edhe mërgimtarët.

“Qëllimisht kemi zgjedhur periudhën 21-31 Korrik 2022, atëherë kur e gjithë mërgata është në mesin tonë, sepse ne pa ata jemi gjysmak”, thotë Lahaj. / KultPlus.com

‘Për ty Atdhe, ma të bukurën kangë, me fuqinë e kësaj zemre do të kendoj’ (VIDEO)

Tenori i njohur shqiptar, Rama Lahaj pat publikuar këngën “Për ty Atdhe”, këngë që po e risjellim në përvjetorin e çlirimit të Kosovës.

Prishtina, Prizreni, Tirana, Kruja e vendet tjera të dy shteteve shqiptare u bënë nikoqire e këngës “Për ty Atdhe” të tenorit, teksa përgjatë videoklipit shfaqen motive të kulturës shqiptare, si veshja, plisi dhe shumë elemente të tjera të cilat e kurorëzojnë këtë këngë.

Kënga muzikën e së cilës e kreu Pjetër Gaci, orkestrimin Shpëtim Saraçi dhe me video produksion nga Entermedia, në të gjitha pamjet shfaq dashurinë e një çifti të ri që vizitojnë vende shqiptare dhe praktikojnë tradita tona, teksa përmbyllja e këngës bëhet me propozimin e Lahajt ndaj vajzës pranë monumentit të Skënderbeut.

Për ty Atdhe

Për ty Atdhe,
ma të bukurën kangë,
me fuqinë e kësaj zemre do të kendoj,
për këto male,
për këto fusha të gjana,
për këtë vend ku sot i lumtur jetoj.

Për këto male,
për këto fusha të gjana,
për këtë vend ku,sot i lumtur jetoj.

x2
I bukur je,
ngrihesh madhështor,
si një kështjellë e pamposhtur ti qëndron,
në mes dallgësh
shkëmb graniti vigan,
s’u përkule nga çdo stuhi e tufan./ KultPlus.com

Lahaj thirrje për artistët rusë: E keni obligim kombëtar që ta kundërshtoni luftën

Tenori i njohur shqiptar Ramë Lahaj, së fundi është duke qëndruar në Poloni, në produksionin e radhës, dhe i njëjti ka njoftuar se gjatë qëdnrimit të tij në Poloni, ka vizituar kampin më të madh të Luftës së Dytë Botërore, atë të Aushvicit, shkruan KultPlus.

Duke bërë një paralale mes Hitlerit, Mollosheviqit, e së fundi edhe të Putinit, tenori Lahaj bën thirrje për arrtistët rus, që të dalin me një protestë në favor të paqes. KultPlus ju sjell të plotë reagimin e tenorit Lahaj.

Të dashtun miq, fillimisht uroj të jeni mirë. Ketë periudhe ndodhem në Poloni për produskionin tim të radhës. Sigurisht shfrytëzova rastin që të vizitoj kampin më të madh të Luftës se Dyte Botërore, atë të Aushvicit. Çka mund të them për atë që pash!

Si një fëmijë që adoleshenca e ka gjetur në luftën e vitit 1999, ku Milosheviqi provonte ti spastronte shqiptarët nga shtëpitë e tyre e që shkatërroi gjithçka përveç andrrave, mund të them së dhembjen e keqardhjen i ndjeva në palce kur pash edhe nga afër vendin ku mijëra njerëz kanë vuajtur në formën më çnjerëzore vetëm si pasojë e një mendje psikopatike si ajo e Hitlerit.

Në të njëjtën kohë natyrshëm i bej pyetje vetes: Ne si qenie humane a nuk kemi mësuar mjaftueshëm nga historia, se lufta asht e tmerrshme dhe se nuk mjaftojnë shekuj për tu rikuperuar nga ajo.

Duke e pas parasysh situatën momentale, një pyetje që do një përgjigje urgjente është: A e do vërtet luftën populli rus? Apo është vetëm psikopatia e Putinint dhe diktaturës së tij që është në gjendje të shkatërroj vendin e qytetaret e saj, e po ashtu ta destabilizoj gjithë botën për botëkuptimet e tij të ndryshkëta sovjetike.

Nuk mund ta besoj që artisteve rus shpirti as mendja nuk ua thotë që nuk duan luftë dhe që janë kundër saj. Nëse ka vlerë çfarëdo monedhe që mund ti ketë paguar Putin ndër vite e që tejkalon humanitetin e tyre dhe ua mbylle gojën, do doja shumë ta dija se çfarë vlere ajo ka, kur si pasojë e luftës ata mund të humbin vendin, e më të dashurit e tyre, e që jeta pa to nuk ka fare vlerë.

Ju drejtohem artisteve rusë si komunitet sepse besoj që secili në fushën e vet ka obligim kombëtar e moral të kontribuoj e të thërras, e protestoj në favor të paqes.

Përgjegjësia e luftës tani po kalon tek populli Rus që duhet i tëri të protestoj kundër diktaturës së Putinit për të mirën e tyre, dhe të ardhmen e fëmijëve të tyre dhe mbarë botës.

Zoti çoftë paqe mbi të gjithë ne, në mënyrën që gjithçka të përfundoj shumë shpejt./ KultPlus.com

Ramë Lahaj: Poshtë Putini dhe psikopatët që e mbështesin destabilizimin

Tenori kosovar Ramë Lahaj ka reaguar për shpërthimin e luftës në Ukrainë, i cili ka shkruar se Rusia nuk e meriton një përfaqësues si Putini, shkruan KultPlus.

Duke iu referuar edhe përvojës artistike në Rusi, Lahaj ka specifikuar se në botën e operës ka shumë miq rus, ku disa prej tyre edhe e kanë shprehë keqardhjen për zhvillimet e fundit.

KultPlus ju sjell të plotë reagimin e Ramë Lahaj.

Si artist kam qenë disa herë në Moskë të Rusisë për të performuar në “Bolshoi teatër”, teatër ky me një kulturë shumë vjeçare. Ata janë artistë e njerëz të mëdhenj. Në boten e operës kam shumë miq rus të cilët janë njerëz e artist të mrekullueshëm. Njerëz paqësor dhe të emancipuar. Këto ditë kam diskutuar me disa prej tyre, ku kam kuptuar keqardhjen që shprehnin ndaj situatës me Ukrainën. Përfundimisht Rusia nuk meriton një përfaqësues si Putini. E gjithë kjo psikopati për destabilizim i adresohet direkt atij. Si një fëmijë që ka përjetuar luftën, ndjej keqardhje për Ukrainën dhe qytetaret e saj. Dhe uroj që gjendja të stabilizohet shumë shpejt. Sikur nuk kaluam mjaftueshëm dy vjet trauma nga pandemia. Veç edhe lufta na mungonte. Poshtë Putini dhe psikopatët që e mbështesin destabilizimin e çfarëdo provokimi për luftë./ KultPlus.com

оформить займ безработным

‘Kosova po qanë, Kosova po thërret, bijë mos më lini të mjerë e të shkretë’ (VIDEO)

Vitin e kaluar, tenori shqiptar Ramë Lahaj solli një version të këngës ”Ktheu Rini”, e cila u pritë tejet mirë nga publiku, përcjell KultPlus.

Ramë Lahaj shumë shpesh publikon këngë të ndryshme të cilat janë kënduar nga figura të mëdha të muzikës shqiptare.

Më poshtë, KultPlus sjell këngën e plotë ”Kthehu Rini” nën zërin e fuqishëm të tenorit të njohur shqiptar, Ramë Lahaj. / KultPlus.com

Ramë Lahaj mban koncert në Dubai më 17 shkurt

Tenori i famshëm kosovar, Ramë Lahaj do të mbajë një koncert në Ditën e Pavarësisë së Kosovës në Amfiteatrin Milenium në Dubai, përcjell KultPlus.

Kjo gjë është bërë e ditur nga Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari.

Ajo ka thënë se të gjithë bashkatdhetarët dhe qytetarët tanë në Kosovë, që duan të jenë pjesë e kësaj feste, ftohen ti marrin biletat falas për të hyrë në ”EXPO 2020 Dubai” me 17 shkurt 2022.

KultPlus ua sjell njoftimin e plotë:

Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës, Për herë të parë Kosova po prezantohet në expozitën botërore ”EXPO 2020 Dubai” në mesin e 192 shteteve nga i gjithë globi.

Qeveria e Republikës së Kosovës e përfaqësuar përmes Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ka marrë të gjitha masat që shteti ynë të prezantohet në formën më dinjitoze duke sjellur në pah potencialet dhe vlerat më të mira të kombit tonë. Për ti dhënë akoma më shumë vlerë kësaj paraqitje, tenori ynë i skenave ndërkombëtare njëherësh dhe Ambasadori i Kulturës, Rame Lahaj do të mbajë koncert në Ditën e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, më 17 shkurt 2022 në Amfiteatrin Milenium në Dubai, prej orës 21:30 (18:30 – zona kohore e Kosovës).

Të gjithë bashkatdhetarët dhe qytetarët tanë në Kosovë, që duan të jenë pjesë e kësaj feste, ftohen ti marrin biletat falas për të hyrë në ”EXPO 2020 Dubai” me 17 shkurt 2022 . Ndërsa ceremoninë zyrtare të intonimit të himneve, e ngritjes së flamurit tonë, fjalimet përshëndetëse dhe paraqitjen e Ansamblit kombëtar të këngëve dhe valleve “SHOTA”, mund ti ndiqni prej orës 16:00 ( 13:00 – zona kohore e Kosovës), në të njëjtën ditë 17 Shkurt, në Al Was Plaza në Dubai. Të interesuarit mund të lajmërohen për biletat pa pagesë deri më datën 15.02.2022 në numrin e telefonit: +971506648749″. /KultPlus.com

Tenori Lahaj: Vllau i madh asht e duhet të jetë krah për të voglin

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, po qëndron në Prishtinë, në vizitën e tij të parë zyrtare pas marrjes së mandatit të tretë në krye të Qeverisë së Shqipërisë, me ç’rast ka reaguar edhe tenori i njohur shqiptar Ramë Lahaj përmes një postimi në rrjetin social Facebook, shkruan KultPlus.

“Kemi vuajt mjaftueshëm, ju andej kufini e na knej. Asht koha ma shumë se kurr të bashkohmi për të mirën e perbashkët”, ka shkruar Lahaj.

KultPlus ju sjell postimin e tij të plotë:

Vllau i madh asht e duhet të jetë krah për të voglin, për ma shumë që nxen edhe vendin e babës, atëherë kur ai nuk rron ma. Si asnjiherë ma parë, i lumtunum jam me qasjen e Kryeministrit Edi Rama, si me takimin e tij me OKB, e po ashtu edhe me vizitën e tij në Prishtinë.
Kështu të duam ne shqiptaret gjithandej globit. Si vllazen duam me ju pa gjithmonë krah për krah me njani tjetrin. Kemi vuajt mjaftueshëm, ju andej kufini e na knej. Asht koha ma shumë se kurr të bashkohmi për të mirën e perbashkët! / KultPlus.com

Ramë Lahaj sjell versionin e këngës ‘Për mu paska ken’kismet’, ia dedikon nënës së tij (VIDEO)

Tenori shqiptar, Ramë Lahaj sjell një version të këngës “Për mu paska ken’kismet”, nën dirigjimin e Gridi Krajës dhe shoqëruar nga Orkestra Filharmonike e Maqedonisë, deri më tani duket se po pritet tejet mirë nga publiku, shkruan KultPlus.

KultPlus ju sjell njoftimin e tij të plotë:

Në ato netët e rralla të viteve të fundit, kur jemi ulë me pa televizor bashkë si dikur, kur u mbledhshim mas darke e sigurisht unë kryet n’prehnin tand, televizori e dha kangën “Për mua paska ken’kismet ” ja rrite zanin e me the “fort e du qet kangë”.
E kisha majtë shënim me ta knu por dojsha me konë një datë e rëndësishme për ty e mue, për ne. U gëzova fort që ma ne fund i erdh reni kësaj vere me rastin e krijimit te festivalit, platformës së edukimit të gjeneratës se re, projekt ky që fort më gëzoj e ma shumë më idhnoi.
Nanë nuk m’prite as mu, as kangën. Por unë ty kangën ta knova edhe natën e frymës tande të fundit, e kam me vazhdue me t’knu edhe atëhere kur të më shteron zani.
Se me zanin tand jam rritë, me zanin tand zgjohem edh sot e kësaj dite.
Je zani i jetës e motivit, për të vazhdu para, za qe nuk shteron kurrë, nanë.
Gabeli jot!

Lahaj shumë shpesh publikon këngë të ndryshme të cilat janë kënduar nga figura të mëdha të muzikës shqiptare.

Më poshtë, KultPlus sjell këngën e plotë “Për mu paska ken’kismet” nën zërin e fuqishëm të tenorit të njohur shqiptar, Ramë Lahaj. / KultPlus.com

‘Kosova po qanë, Kosova po thërret, bijë mos më lini të mjerë e të shkretë’ (VIDEO)

Vitin e kaluar, tenori shqiptare Ramë Lahaj solli një version të këngës ”Ktheu Rini”, e cila u pritë tejet mirë nga publiku, përcjell KultPlus.

Ramë Lahaj shumë shpesh publikon këngë të ndryshme të cilat janë kënduar nga figura të mëdha të muzikës shqiptare.

Më poshtë, KultPlus sjell këngën e plotë ”Kthehu Rini” nën zërin e fuqishëm të tenorit të njohur shqiptar, Ramë Lahaj. / KultPlus.com

Reagon tenori Lahaj: Shipërisë nuk i ka hije me bo dasëm me dajre t’çetnikëve

Tenori shqiptar Ramë Lahaj ka reaguar për pjesëmarrjen e këngëtarit Goran Bregoviq në festivalin e birrës në Korçë, shkruan KultPlus.

“Unë jam vet artist, e misioni i artistit është me ndjellë paqe përmes artit, por ky rast asht krejt ndryshe dhe ju e dini pse! E sa i përket renditjes se kush erdh i pari e kush i mrami kur Shqipninë e dridhi tërmeti, n’ ketë punë renditja asht krejt e pa ransishme!”, ka shkruar Lahaj në rrjetet sociale.

KultPlus ju sjell njoftimin e tij të plotë:

Z. Edi Rama po të drejtohem në emnin e të gjithë kosovareve, anulo Goran Bregoviqin!
Ai dhe kangët e tij që ishin himni i çetnikëve serb për të prerë fëmijët, nanat, motrat, vëllezërit e baballarët tanë nuk mund t’ jene në Shqipni për të festuar në festen e birrës. Zgjidh ke të duash nga artistet me mua në krye, ani pse nuk këndoj në festa birrash, por po të vij unë dhe gjithë koleget pa asnjë lloj detyrimi, me festu së bashku me muzikën tone të bukur shqipe. Po jo me atë që neve na i prenë fëmijët në djep . Tregohu burrë nji here në jetë e mos na lëndo ma shumë. Mos na i qit krip plagës. Unë jam vet artist, e misioni i artistit është me ndjellë paqe përmes artit, por ky rast asht krejt ndryshe dhe ju e dini pse! E sa i përket renditjes se kush erdh i pari e kush i mrami kur Shqipninë e dridhi tërmeti, n’ ketë punë renditja asht krejt e pa ransishme! Shipnija asht bo sofra e shtrati jone at‘here kur çetniket serb me kangët e Goranit na i ka permys e djegë shpiat e baballarëve. Mos i rafte kurrë Shipnisë me u provu në të keq, se t’ madh e t’ vogël aty na ka. T’ paret!
Thuaj jo Bregoviqit z. Kryeministër!
Shipnisë nuk i ka hije me bo dasem me dajre t’ çetnikëve. / KultPlus.com

“Isha tue dalë n’skenë kur mora lajmin ‘sot t’vdiq nana’” – Çun Lajçi rrëfen historinë e ngjashme me Ramë Lahajn

Mbrëmjen e së shtunës, tenori kosovar me famë botërore, Ramë Lahaj, u ngjit në skenë për koncertin e tij në Prishtinë. Por, këtë koncert nuk e përfundoi siç kishte planifikuar, pasi dy orë para se të dilte para publikut, atij i vdiq e ëma. E aktori i njohur kosovar, Çun Lajçi, ka treguar se e ka pasur historinë e ngjashme me të Lahajt.

Lajçi ka komentuar në një postim të Lahajt në Facebook, ku ka thënë se në vitin 1972 derisa po dilte në skenë për të luajtur shfaqjen “Hamleti”, i kishte ardhur lajmi se i ka vdekur nëna.

Lajçi thotë se për këtë nuk iu kishte treguar as kolegëve, pasi salla ishte e mbushur me shikues të cilët kishin shkuar për ta parë shfaqjen.

“Eh more artist! S’ma beson, por po ta them, se njisoj si ty me pati vdekë nana me 1972. Isha tue dalë n’skenë me luejt Halmetin kur mora lajmin, si ti “sot t’ vdiq nana”. Nuk u tregova kolegve, sepse salla ishte përplot shikues. Dola dhe e luejta shfaqjen, e pastaj mora rrogë natën për Pejë! Oh sa ta njoh dhimbjen artist, por bahu i fortë se nanat na ikin gjithmonë pa na e hequr mallin!”, ka shkruar Lajçi.

Ndryshe, nëna e tenorit Ramë Lahaj, Hale Lahaj, vdiq të shtunën në moshën 77-vjeçare./Kultplus.com

Kryeministri Kurti: Ramë Lahaj mbylli koncertin, njësoj siç e fillon Kamy romanin “I huaji”

Kryeministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti, i cili kishte ndjekur nga afër koncertin e tenorit shqiptar Ramë Lahaj, lajmin nga vet Lahaj, se nëna i kishte vdekur dy orë para se të fillonte koncerti, kryeministri Kurti e krahason me romanin “I huaji” nga Albert Kamy.

KultPlus ju sjell të plotë reagimin e kryeministrit Kurti mbi emocionet e kësaj mbrëmje artistike.

“Nëna vdiq sot”, kështu e mbylli koncertin mbrëmë Ramë Lahaj, njësoj siç e fillon Albert Kamy romanin e tij të famshëm “I huaji”.

Në sheshin “Skënderbeu”, në Prishtinë, Ramë Lahaj&Friends na mblodhën për të na dhuruar emocione rrënqethëse. 13 vepra, 7 performues, një orkestër e tërë.

Filloi me “Bareshën” e Rexho Mulliqit, pastaj “Granada”, “Nemico della patria?!”, “Tacea La Notte Placida… Di Tale Amor”, “La forza del destino”, “Dio, che nell’alma infondere”, “Për ty Atdhe”, “Për mu paska ken kismet”, “E lucevan le stelle”, “Time to say goodbye”, “Non ti scordar di me”, “O moj e bukura Arbëri” dhe “O vendi im”.

Vlera të larta muzikore dëgjuam mbrëmë. Përveç Ramës sonë ishin edhe Simone Piazzola, Lana Kos, Xhelal Bakraqi, Isaneli e Arditi dhe Adhurim Grezda.

Pas një viti të mundimshëm, jeta ka filluar t’i rimerr ngjyrat e saj. Interesimi i madh i qytetarëve mbrëmë është edhe thirrje për aktivitete të tjera kulturore e artistike./ KultPlus.com

Mes dhimbjes e dashurisë, Ramë Lahaj jetësoi Festivalin Operistik në Kosovë

Era Berisha

Fotografitë: Arben Llapashtica

Ngjyrat operistike të zërave që të lënë pa mend por të mbushura me emocione nga më të ndryshmet e që depërtojnë përtej lëkurës së njeriut për të arrirë në thellësinë e fshehur të tij, aty ku rrahjet e zemrës buçojnë furishëm teksa valëviten mes vete si një harmoni melodish, erdhi pikërisht nga mbizotërimi i tre zërave botërorë si: tenori Ramë Lahaj, sopranoja Lana Kos dhe baritoni Simone Piazzola, të cilët nën dirigjimin e veçantë të italianit Antonello Allemandi, mbrëmë atmosfera në sheshin ‘Skënderbeu’ u pushtua nga madhështia e zërave artistik, që porsi një ylber lëkundeshin në ngjyra diversive e magjishëm ndërlidheshin me tingujt e instrumenteve të cilat u gjallëruan nga Orkestra e Filharmonisë së Kosovës, me ç’rast koncerti ‘Ramë Lahaj & Friends’ në kuadër të edicionit të parë të festivalit “Ramë Lahaj International Opera Festival”, pikturoi Prishtinën me ndjenja aq të fuqishme sa që gjurmën e pashlyeshme nuk do të donte ta zëvendësonte askush, shkruan KultPlus.

Zogjtë me vallëzimin e cicërimave të tyre, flladi i butë i netëve verore, dritat e ngrohta lartë në qiell, shushurimat e melodive që lehtas dëgjoheshin nga instrumentet e të cilat po bëheshin gati të ringjallen përsëri, dhe sytë e kalimtarëve që kthenin kokën për të njëqindtën herë për të shikuar se çfarë po ndodhte, ishin këto veçanti të bukura që po shoqëronin çdo njeri fiks një orë para se magjia operistike të zinte vendin kryesor në skenën gjigande të vendosur përballë audiencës. E gjysma e karrigeve tashmë ishin të mbushura plot teksa një varg njerëzish që nuk po i dihej fundi, me padurim po prisnin radhën për të hyrë brenda e disa të tjerë preferonin të shfrytëzonin shkallët e Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Ora shënoi 20:40 e duke filluar nga karriget e kuqe në fillim, të katërtat e të zezat mu në mes e deri tek ato të bardhat në fund, publiku tashmë kishte mbushur çdo hapësirë të mundshme për të shijuar atë që pas pak minutash do të fillonte e që në vete ngërtheheshin surprizat e shumta të njëpasnjëshme. Ndonëse qetësia absolute në një ambient të tillë është tejet e paimagjinuar, në publik mbizotëroi respekti i madh kur lëvizja e parë e dirigjentit të njohur italian, Antonello Allemandi papritmas theu pritjen e publikut e Orkestra e Filharmonisë së Kosovës filloi jetësimin e instrumenteve diversive të cilat qysh në sekondën e parë u shndërruan në trupa të dytë në skenë krahas instrumentistëve, lëvizjet e së cilëve për bazë kishin ashpërsinë e ëmbël që vërehej lehtësisht gjer në fund të audiencës.

Pas interpretimit të mahnitshëm e tejet emocionues të veprës ‘Baresha’, që shënoi fillimin e koncertit e njëkohësisht nderoi lartë ikonën, Nexhmije Pagarusha, në skenë doli tenori shqiptar Ramë Lahaj, i cili u mirëprit me duartrokitjet e publikut që pas disa sekondave pushuan për t’i dhënë rastin të marrë fjalën. Ai filloi me një fjalim të shkurtër, dukë falënderuar të pranishmit për pjesëmarrjen e tyre që me padurim prisnin magjinë e zërit të tij, e gjithashtu për të shprehur se Nexhmija gjithmonë do të mbetet në zemrat e çdo kujt, teksa fotografitë e saj lëshoheshin anash si një rrjedhë e bukur kujtimesh.

Një artist me famë ndërkombëtare që ka prekur skenat e mëdha botërore, Ramë Lahaj mu në mesin e Prishtinës të mbushur me artdashës e krijues artistik, me një qëndrim pingul në skenë e me një orkestër të tërë prapa tij, zëri i tij i cili posedonte nota të larta në çast zgjoi terqethët e qenies njerëzore që po përjetonin timbrin shkëlqyes të vokalit të tij unik, me ç’rast tingujt e këngës spanjolle u interpretuan në një mënyrë aq mbresëlënëse sa që kur zëri i tenorit arriti deri në kulm, ishte publiku ai që shikonte e dëgjonte me entuziazëm majën shurdhuese të talentit që Lahaj me një mjeshtëri madhështore e derdhte nga brendësia shpirtërore e tij.

Pas këtij interpretimi, në skenë performuan ndaras edhe dy yje botërore si baritoni Simone Piazzola dhe sopranoja Lana Kos. Piazzola i veshur në të zezë në një kostum klasik, interpretoi veprën ‘Nemico della patria’ e sopranoja Kos u shfaq me një fustan të bardhë duke dhënë një iluzion se një engjëll i bardhë sapo kishte shkelur këtë skenë magjepsëse e po këndonte pikërisht për publikun kosovar.

Sheshi kumbonte nga turma e brohoritjet e duartrokitjet e publikut që tashmë ishin bërë pjesë kyçe e çdo vepre të performuar dukë lënë gjurmë në atmosferën e krijuar kurse nuk munguan as video prezantimet e dedikuara për atdheun e mërgimtarët që shfaqeshin anash skenës e që ringjallnin kujtime e zgjonin emocione të veçanta e të ndryshme për qytetarët e Kosovës. Ndërkaq, pas përfundimit të këtyre videove që shikoheshin me admirimin e syve të pranishëm, tenori Lahaj bëri të ditur se një surprizë e vogël pas pak momentesh, nuk do të jetë më e tillë.

Përpara audiencës që nuk po ngopej dot me madhështinë e këtyre talenteve e tek të cilët gjithmonë vërehej uria e tyre për të dëgjuar hyjnizimin operistik të gërshetuar me simfoniken e Orkestrës së Kosovës, doli tenori i njohur botëror, Xhelal Bakraqi. Dëshmia se dashuria e papërmbajtur për operën e dëshira e madhe për ti dhuruar publikut tonë një natë që do ngelet në kujtesën tonë e ku harresa nuk vihej në pyetje, u shpalos mbrëmë më së miri nga vetë Bakraqi i cili pushtoi skenën me një timbër të jashtëzakonshëm, teksa duart e dirigjentit Allemando dhuronin imazhin e një dallëndysheje, krahët e të cilit përplaseshin në një harmoni të lëvizjeve të shpejta, precize e shumë delikate.

Në këtë natë e cila solli së bashku tenorin Lahaj, sopranon Kos dhe baritonin Piazzola, nuk do të kishte kuptim nëse të tretë së bashku nuk do të gërshetonin talentin e tyre në një tingëllimë të vetme e që në të vërtetë interpretimi i tyre së bashku pushtoi tërë Prishtinën duke kapluar zemrat e të pranishmëve në guaskën e ngjyrave të zërit që lehtësisht jehonte në qiellin e hapur të qytetit e depërtonin deri në mbulojën e shpirtit të publikut që kishte kohë pa dëgjuar një koncert të tillë të papërsëritshëm.

Ndërkohë, vepra e titulluar ‘O moj e bukura Arbëri’ nga Adhurim Grezda dhe Endrit Xerxa erdhi në një frymë të shumëpritur nga publiku që po adhuronte muzikën shqipe e edhe më shumë kur këndohej nga këta shqiptar të cilët prekin skenën botërore por rikthehen sërish në vendin e tyre për të performuar me sukses të plotë një program të pasur në përmbajtje e që pothuajse ulërinte në veshin e çdo kujt duke lënë momente të ngulitura thellë në shpirtin e publikut. Por kjo natë e cila në secilin moment frymonte copëza magjike, u përmbyll më herët, për arsye se tenori Lahaj në skenë bëri të ditur se dy orë para se koncerti të fillonte, nëna e tij fatkeqësisht kishe vdekur por dashuria e tij e madhe për të interpretuar para publikut kosovar nuk e ndaloi atë që të mos e anulonte koncertin.

Pas këtij lajmërimi të paparashikuar, gulçimet në publik ishin në numër të madh e lotët e tyre përcilleshin me duartrokitjet nga më të zjarrta që një njeriu mund ti përjetonte ndonjëherë në jetë. Andaj, programi i plotë i planifikuar nuk u interpretua por që ky koncert i cili filloi me emocione të hareshme e u mbyll me ndjenja të papërshkruara, vendosi përkufizimin e saktë se talenti i tenorit Ramë Lahaj kalon përtej çdo limiti e shpresa se një artist i tillë të rikthehet çdo vit në Prishtinë u vulos dukshëm në zemrën e secilës qenie njerëzore të pranishme.

Për të treguar më shumë rreth natë së mbrëmshme, për KultPlus foli tenori Xhelal Bakraqi.

“Ka qenë një natë e mrekullueshme, nuk e mbaj mend që ka pasur ndonjëherë kaq shumë njerëz në Prishtinë. Me të vërtetë ka qenë një koncert shumë i mirë andaj edhe unë u mundova ta dhuroj maksimumin nga vetja për të kënaqur të gjithë këta mysafirë sonte. Të gjitha veprat ishin të bukura sepse këngëtari e ngjall secilën vepër e edhe Orkestra më ka pëlqyer shumë. Por, në fund Lahaj na brengosi të gjithëve, por artistët gjithmonë janë pajtuar me të mirën e të keqën”, thotë Bakraqi.

Sipas tij, publiku është gjithmonë ai që lë më së shumti përshtypje sepse pa publik nuk ka performancë e tërheqja mes të dyjave është tejet e madhe.

Ndërsa, drejtori i Filharmonisë së Kosovës, Baki Jashari për KultPlus e cilësoi këtë natë tejet të veçantë meqë për herë të parë po organizohet një festival operistik ku pjesë e tij është Filharmonia e Kosovës.

“Orkestra simfonike ka realizuar një program të larmishëm operistik dhe ajo se cka më ka bërë përshtypje është dëshmia se Prishtina e kombi ynë ka kulturë. Mbi 2,500 ulëse së bashku me shkallët e Teatrit dhe përqendrimi i jashtëzakonshëm nga orkestra e solistëve, tregon për një nivel të jashtëzakonshëm që seriozisht komuniteti artistik duhet ta ketë parasysh se tashmë mund të llogaritet një seriozitet i organizimit të koncerteve të muzikës klasike”, thotë Jashari.

Sipas tij, ajo se çfarë muzika klasike interpreton nuk është thjeshtë vetëm për 400 njerëz por për mijëra njerëz.

“Përcjellja me vëmendje e krejt publikut prezent në çdo moment dhe mos lëshimi i koncertit nga asnjë person, është arritja më e madhe krahas fillimit të një festivali mjaft të rëndësishëm e cila koincidon me fillimin e themelimit të institucionit të Operës së fundmi nga Qeveria e Kosovës”, përfundon Jashari për KultPlus.

Kjo ngjarje vjen si bashkëpunim ndërinstitucional në mes të Komunës së Prishtinës, Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe në bashkëpunim të ngushtë me Filharmoninë e Kosovës. / KultPlus.com

Lahaj shkurton programin e koncertit, njofton se i vdiq nëna

Tenori i shquar Ramë Lahaj ka mbajtur më shkurt koncertin në Prishtinë, pasi njoftoi se i ka vdekur nëna.

Këtë e tha para publikut, duke thënë se nuk e interpretoi as 1/3 e programit.

“Ju kërkoj falje që duhet me mbyll më herët. As 1/3 e koncertit nuk ishte, sepse dy orë para koncertit ka ndërruar jetë personi më i dashur për mua, nëna, por s’desha ta anuloj”, ka deklaruar ai para të pranishmëve.