’New Generation’, zërat e rinj të operës shpalosin punën me maestron Ramón Vargas

Flonja Haxhaj

Në kuadër ‘Rame Lahaj International Opera Festival’, mbrëmë, në ambientet e Fakultetit të Arteve në Prishtinë, u zhvillua një mbrëmje e veçantë koncertale me pjesëmarrjen e të rinjve premtues në fushën e këndimit operistik në koncertin ‘New Generation’. Duke nisur nga ora 19:30, zëri i pasionit, përkushtimit dhe talentit u shpalos me elegancë përpara publikut, shkruan KultPlus.

Ky koncert prezantonte punën e masterclassit të  veçantë të ofruar nga një prej yjeve të operës botërore, mjeshtri Ramon Vargas, i cili përmes përvojës së tij u dha të rinjve një mundësi të rrallë për të kultivuar më tej potencialin e tyre artistik.

Një punë një javore kulmoi me performancën e pjesëmarrësve të kësaj masterklase, një gjeneratë e re, por me pjekurinë dhe ambicien për të lënë gjurmë në skenat ndërkombëtare të operës. Programi, i kuruar me kujdes dhe elegancë, solli një mozaik të pasur operash klasike nga repertori ndërkombëtar.

Fromba Krasniqi hapi mbrëmjen me interpretimin plot ndjeshmëri të “O mio babbino caro” nga opera Gianni Schicchi e G. Puccinit. Më pas, Elvira Mazhiqi solli gjallërinë dhe finesën e “Una voce poco fa” nga II Barbiere di Siviglia e Rossinit. Markela Jakaj preku emocionet e thella me “Depuis hier je cherche en vain mon maître” nga Roméo et Juliette e C. Gounod.

Pas saj, Fiona Llapashtica u shfaq me elegancën lirike të “Ach, ich fühl’s” nga Die Zauberflöte të  Mozart. Valeria Beliman emocionoi publikun me interpretimin e ndjerë të “Eccomi in lieta vesta… Oh, quante volte” nga opera I Capuleti e i Montecchi .

Sory Kim dhe Laura Avila bashkuan zërat në duetin delikat “Sull’aria” nga Le Nozze di Figaro e Ë.A. Mozart. Luis Hernandez Luque impresionoi me notat e larta dhe virtuozitetin e tij në “Ah! Mes amis… Pour mon âme” nga La Fille du Régiment e Donizettit.

Laura Avila riktheu atmosferën me karakterin dramatik të “Heia, heia, in den Bergen ist mein Heimatland” të Kálmán. Më pas Sory Kim shkëlqeu me “È strano… Ah, fors’è lui… Sempre libera” nga La Traviata e G. Verdit.

E pas tyre, Georgia Artemis mbushi sallën me solemnitetin e “Casta Diva” nga opera  Norma e  Bellinit.

Përmbyllja madhështore i takoi duetit të Luis Hernandez-Luque dhe Valeria Beliman, të cilët sollën “Caro elisir sei mio… Esulti pur la barbara” nga L’elisir d’amore e G. Donizettit, një interpretim i cili mbushi zemrat me dritën e shpresës dhe të së ardhmes së muzikës klasike.

Kjo mbrëmje, përveç se solli emocionin e kryeveprave të repertorit operistik, dëshmoi përpara publikut edhe potencialin e rrallë të gjeneratës së kësaj muzike në botë.

Pas këtij koncerti që ishte rezultat i punës së tij me gjeneratën e re, tenori Ramon Vargas, u shpreh për Kultlus se ndjehet i lumtur që ishte pjesë e RLIOF dhe se ky festival  është një mundësi e mirë për të ndryshuar jetën kulturore në Kosovë.

“Ishte një eksperiencë e mrekullueshme, jam i lumtur që mora pjesë. Shprsoj që ky festival të rritet akoma më shumë përgjatë viteve. Mendoj se kjo ide për të ndihmuar gjeneratat e reja është shumë e rëndësishme dhe mendoj që ëpërmjet këtij festivali mund të bëhet një ndryshim i mirë për jetën kulturore në Kosovë dhe për këtë jam shumë i lumtur. Mendoj që kjo gjeneratë ka një potencial të rrallë dhe informacionet që kanë marrë në këtë kohë kaq të shkurtë është shumë e rëndësishme dhe se do t’u ndihmojë më tutje dhe do të jetë një përparësi e madhe për ta”, u shpreh Vargas.

Pasi performoi pjesën nga ‘Berberi i Seviljes’ të Rossinit, për KultPlus foli Elvira Mazhiqi, e cila shpjegoi eksperiencën e saj në këtë masterclass, si dhe përvojën e saj me festivalin RLIOF.

“Kjo është hera ime e dytë që vij në këtë masterclass në kuadër të këtij festivali. Këtë herë ka qenë një nga më të mrekullueshmet ndonjëherë. Përjetuam një eksperiencë shumë të bukur me maestron, kemi mësuar gjëra të reja që do të na ndihmojnë gjatë gjithë karrierës tonë”, tha Mazhiqi, duke falënderuar më tutje festivalin dhe organizatorët që ia mundësuan të jenë pjesë e kësaj eksperience.

Pjesë për të dytën herë në këtë festival mori edhe sopranoja Fiona Llapashtica. Ajo e përshkruan këtë pjesëmarrje si një eksperiencë të veçantë dhe që ka mësuar shumë nga maestro.

“Unë kam qenë pjesëmarrëse e masterclassit edhe vitin e kaluar në kuadër të Rame Lahaj International Opera Festival, edhe kësaj here ka qenë një eksperiencë shumë e veçantë. Maestro Vargas është një artist që ka shumë eksperiencë dhe e ka mënyrën që të na japë edhe neve eksperiencën e tij, pjesë nga arritjet e tij, ishte vërtet një përvojë e veçantë. Veprën që interpretova e dua shumë sepse bëhet fjalë për dashurinë dhe sjell ndjenja melankolie”. theksoi Llapastica për KultPlus.

Pas disa performancave në duet dhe solo, për KultPlus foli sopranoja Sory Kim, e cila përveç se foli për punën me maestro Vargas, u shpreh e mahnitur edhe nga mirëpritja që iu bë në Prishtinë.

“Nuk kam qenë asnjëherë në Prishtinë më parë, kisha pak shqetësime për situatën, mirëpo Prishtina për mua është një qytet i mrekullueshëm dhe një nga qytetet më romantike që kam qenë ndonjëherë. Është një kënaqësi e veçantë të punoj me Ramon Vargas, është një legjendë por me këmbë në tokë në të njëjtën kohë, na ka mësuar shumë gjëra, isha e impresionuar nga gjithë puna dhe jam shumë e lumtur që isha pjesë e saj”, tha Kim.

Po ashtu, për herë të parë në Prishtinë dhe në kuadër të këtij festivali interpretoi edhe tenori Luis Hernandes – Luque. Pas koncertit ai tha për KultPlus se është i lumtur që punoi me mjeshtrin e zërit Ramon Vargas, dhe vlerësoi  lart po ashtu edhe festivalin dhe koncertin që prezantuan.

“Jam shumë i lumtur që isha pjesë e këtij festivali dhe i këtij masterclassi, sepse kisha mundësinë që të punoj sërish me maestro Vargas, i cili është një prej tenorëve më të rëndësishëm të shekullit, ai është një legjendë, jam shumë e fat sepse kisha mundësinë që të punoj me të në Vjenë. Tani,kisha mundësinë që të punoj me të për një javë  në këtë festival të mrekullueshëm, në këtë qytet të bukur, ishte një eksperiencë e jashtëzakonshme për mua”, u shpreh Hernandes – Luque, duke shtuar se koncerti i sotëm me gjithë vështirësitë dhe teknikën e kërkuar, ishte më shumë një mbrëmje argëtimi e kënaqësie.

Ndërkaq, ju kujtojmë se festivai ‘Rame Lahaj International Opera Festival’, këtë vit shënoi edicionin e tij të pestë. Me moton ‘Ëndrra pa kufi, opera pa mure’, RLIOF përmbyllet me datë 2 gusht me mbrëmjen gala ‘Rame Lahaj & Friends’./KultPlus.com