Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore nuk i miratohet Raporti i punës

Me 39 vota kundër, 12 për dhe 17 abstenime, Kuvendi i Kosovës nuk e ka miratuar Raportin e punës për vitin 2017 të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore.

Komisioni parlamentar për arsim, shkencë, teknologji, kulturë, rini, sporte inovacion dhe ndërmarrësi i kishte rekomanduar Kuvendit të Kosovës që raporti të mos miratohet për shkak të përmbajtjes së tij, shkruan sot “Koha Ditore”.

Andaj në seancën plenare të së hënës, Raporti nuk është miratuar. Sipas arsyetimit të Komisionit, Raporti nuk shpjegon punën e KKTK-së, por për mënyrën se si duhet mbrojtur trashëgimia kulturore.

Aktualisht KKTK-ja ka mbetur pa anëtarë pasi që shtatë anëtarëve të zgjedhur nga Kuvendi i Kosovës u ka kaluar mandati këtë muaj. Qysh prej themelimit, më 2009, Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore nuk kishte përbërje të plotë. E prej tre vjetësh deri në korrik të vitit 2015 nuk kishte asnjë anëtar. Pos Shafi Gashit, anëtarë para tre vjetësh ishin zgjedhur edhe Florim Isufi, Arietë Miftari, Doruntinë Matoshi, Visar Haxhibeqiri, Bego Kululleri dhe Filjko Jovanoviq.

Deri në korrik, Shafi Gashi ishte kryetar i këtij Këshilli. Ai ka thënë se nuk mund ta komentojë mosmiratimin e Raportit të punës të organit që ka udhëhequr./ KultPlus.com