Mbi 100,000 njerëz janë evakuuar nga Afganistani

Më shumë se 5,000 qytetarë amerikanë janë evakuuar në mënyrë të sigurt nga Afganistani, ka bërë të ditur të premten, gjenerali amerikan William Taylor.

Data 31 gusht është afati i fundit për tërheqjen e plotë të trupave amerikane nga Afganistani.

Sipas Taylor në total numri i njerëzve të cilët janë evakuuar nga Afganistani deri më tani si pjesë e misionit të evakuimit, është 111,000.

Ai ka thënë se edhe 5,400 persona janë ende duke pritur në aeroportin e Kabulit për të ikur nga Afganistani.

Gjatë të enjtes janë kryer dy sulme me bombë dhe armë zjarri jashtë aeroportit të Kabulit, si pasojë e të cilave mbetën të vdekur të paktën 100 persona.

Në mesin e të vrarëve raportohet se janë rreth 90 afganë dhe 13 anëtarë të shërbimit ushtarak amerikan.

Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë grupi Shteti Islamik.

Pentagoni ndërkohë ka deklaruar se sulmet e IS-is nuk do ta ndalin SHBA-në që të kryejë evakuime deri në ditën e fundit kur duhet të largohen. / KultPlus.com

Hapi llogari në Instagram për ndërgjegjësimin e situatës në Afganistan, Jolie thyen rekord

Angelina Jolie është bërë përdoruesja më e shpejtë në Instagram që ka fituar një milion ndjekës.

Aktorja 46-vjeçare iu bashkua rrjetit të famshëm social gjatë fundjavës dhe ajo shpejt ka grumbulluar më shumë se shtatë milionë ndjekës në Instagram, shkruan Daily Mail, transmeton KultPlus.

Aktorja e “Eternals” tejkaloi Rupert Grint dhe Sir David Attenborough për këtë rekord, pasi ajo grumbulloi 2.1 milionë ndjekës të rinj në më pak se tri orë.

Ajo ndiqet nga: Drew Barrymore, Bella Hadid, Bella Thorne, Gretchen Rossi, Chrishell Stause, Jamie Lee Curtis dhe Helena Christiansen, për të përmendur disa.

Ylli i Hollywoodit iu bashkua rrjetit social për të ndarë një fotografi të një letre që kishte marrë nga një vajzë adoleshente në Afganistan, ku talebanët kohët e fundit morën kontrollin e vendit.

Postimi i Angelinës citonte: “Kjo është një letër që më është dërguar nga një vajzë adoleshente në Afganistan. Tani për tani, njerëzit e Afganistanit po humbasin aftësinë e tyre për të komunikuar në rrjetet sociale dhe për t’u shprehur lirshëm. Kështu që unë kam ardhur në Instagram për të ndarë historitë e tyre dhe zërat e atyre në të gjithë globin që po luftojnë për të drejtat e tyre themelore të njeriut”.

Ajo shtoi: “Unë isha në kufirin e Afganistanit dy javë para 11 shtatorit, ku takova refugjatë afganë që kishin ikur nga talebanët. Kjo ishte njëzet vjet më parë.

“Është e dhimbshme të shikosh afganët të zhvendosen përsëri nga frika dhe pasiguria që ka kapluar vendin e tyre”.

“Të shpenzosh kaq shumë kohë dhe para, të kesh derdhur gjak dhe jetë të humbura vetëm për të arritur në këtë, është një dështim pothuajse i pamundur për t’u kuptuar”.

Angelina u zotua të vazhdojë mbështetjen për popullin afgan. / KultPlus.com

Foshnja që u bart dorë më dorë është ribashkuar me familjen e saj

Të enjtën në Aeroportin e Kabulit është bartur një foshnje dorë më dorë në mënyrë që të largohet nga regjimi i ri i talebanëve nën të cilin ra Afganistani. Videoja ku shihet foshnja duke u bartur raportohet se është ribashkuar me familjen e saj.

Në video shihet momenti kur foshnja kapet nga trupat ushtarake të SHBA’së pasi kaloi rrethojat me gjemba.

“Foshnja që shihej në video është dërguar tek shërbimi mjekësor”, thotë Major James Stenger, raporton NY Times.

Tutje, zëdhënësi i Marinsave konfirmoi “Mund të konfirmoj se foshnja u ribashkua me babanë e tyre dhe është e sigurt në aeroport”.

“Ky është një shembull i vërtetë i profesionalizmit të marinsave në vend, të cilët po marrin vendime të shpejta në një situatë dinamike në mbështetje të operacioneve të evakuimit,” tha ai. / KultPlus.com

Shqiptarët e Afganistanit, sykaltërit që jetojnë mes këngëve dhe valleve

Kemi të bëjmë me një rast unik të ekzistencës së paraardhësve tanë ilirë. Në një cep të botës me mijëra kilometra larg ekziston një popullsi që ka mbajtur gjallë karakteristikat, gjuhën dhe zakonet pellazge dhe ilire. Kjo zonë ka rënë tanimë nën sundimin e talibanëve, duke bërë që shumë nga traditat e tyre të ndryshojnë.

Ekzistenca e ilirëve është në rajonin e Hindrokinës së madhe gjeografike në Qafiristab (sot Nuristan), një vend ku Afganistani, Pakistani, Kina dhe Taxhikistani bashkohen. Saktësisht ndodhet në zonën ku më parë u vra Bin Laden dhe u zbulua fillimisht nga skenaristi amerikan James Hilton, i cili realizoi një dokumentar të titulluar “Lost Horizons”.

Në maj 1983, Ernesto Skura shkroi në gazetën e Lidhjes arbëreshe së bashku me Antonio Bellushit një artikull me titull “Ilirët në Afganistan”. E njëjta gjë shkruhet edhe në librin “Arvanitasit” nga historiani i madh më prejardhje shqiptare, Aristides Kola, që përshkruan kohën e vendosjes së ilirëve në atë vend të largët.

Historia deri më sot tregon se ata janë pasardhës të 6000 luftëtarëve ilirë që u larguan nga vendi i tyre pas vrasjes së mbretit Kliti nga Aleksandëri i madh rreth vitit 300 p.e.s. Ata qëndruan aty, për shkak të distancës se nuk mund të ktheheshin në shtëpi dhe u vendosën në këtë rajon për gjithmonë, duke u detyruar të martoheshin më gratë në atë vend. Gjuha e tyre u quajt “burrashka” e cila ishte gjuha e burrave, ndërsa gratë flisnin gjuhë tjetër. Edhe në kohët e sotme kjo gjuhë quhet si më parë, por është vetëm e folur dhe jo e shkruar.

Karakteristikat e këtyre banorëve janë të ndryshme nga ato të pakistanezëve. Ata jetojnë më gjatë, kanë flokë ngjyrë kafe dhe bëjnë verë. Lugina ku ata jetojnë sot quhet “hundëza” dhe realisht është një pjesë e madhe tokë qe mbyllet me një nyje midis dy maleve që i rrethon.

Një tjetër mal pranë luginës është i mbuluar me akullnajat që rrëshqasin me kalimin e kohës. Ky mal quhet “rakoposhi”. Atje kultivohen perime, fruta dhe drithëra të ndryshme si, patate, bizele, tranguj, grurë, misër, elb, kajsi, dardha, mollë, pjeshkë, kumbulla, fiq dhe shalqi, produkte që vendasit nuk i kultivojnë. Banorët janë fermerë të shkëlqyer dhe kanë krijuar një sistem mahnitës dhe madhështor të ujitjes që vadisin tarraca të tëra me perime dhe fruta.

Njerëzit janë shumë miqësorë dhe të dobishëm për njëri-tjetrin. President i Hundëzës zgjidhet personi i cili cilësohet më i mirë dhe ai që ka ndihmuar njerëzit më shumë gjatë viteve, ndërsa festa kryesore e tyre është Viti i Ri diellor, të cilin ata e quajnë Narosh.

Këta njerëz janë shumë të ndryshëm në krahasim me pakistanezët me lëkurë të errët ose afganët dhe kinezët. Ata janë të bardhe dhe kanë faqet e kuqe. Shumica e tyre janë më sy të kaltër ose të gjelbër. Në lartësinë e maleve është një fis i madh i quajtur Kalash.

Zotat Kalash shfaqen në portat e tyre me një simbol që shpreh origjinën e tyre të lashtë të ilirëve dhe lidhjen e tyre me Aleksandrin e Madh, një dhi me dy brirë, ashtu si ishte edhe përkrenarja e Skënderbeut. Veshjet e tyre janë si të shqiptarëve në kohët e hershme, me poture dhe këmisha të zbukuruara.

Ndërsa vallet e tyre shoqërohen nga tinguj të baterisë dhe fyellit. Një vallëzim tradicional popullor është kërcimi i shpatave, që kërcehet gjithmonë nga burrat të cilët mbajnë të veshura rroba shumëngjyrëshe të quajtura “kamarbunde”.

Ky komunitet ka shumë histori dhe mite që tregojnë se ata jetojnë shumë të lumtur dhe të shëndetshëm për një kohë të gjatë. Ka edhe njerëz që kurrë nuk sëmurën apo të kenë ndonjë sëmundje.

Por cili është sekreti i jetës së gjatë dhe të shëndetshme të tyre?

Disa mite tregojnë se ata kurrë nuk hanë ushqim të përpunuar, por përkundrazi konsumojnë produktet që mbjellin në tokat e tyre. Ata konsumojnë veçanërisht kajsitë. Njerëzit shpesh habiten nga ajo që mësojnë për këtë popull (i njohur edhe si Burusho) që zakonisht jetojnë gjatë.

Ndërsa në Pakistan, jetëgjatësia mesatare e një personi është 67 vjeç, në Hundëza mosha 100 vjeçare nuk përbën plakje. Edhe në këtë moshë ata janë të fuqishme dhe të shëndetshme. Ata hanë ushqim dy herë në ditë, një mëngjes të shëndetshëm dhe një darkë të mirë pas perëndimit të diellit. Për më tepër, ata hanë fruta, perime, qumësht dhe djathë. Nuk ka kimikate ose acide në ushqimet e tyre.

Sëmundjet e ndryshme si tensioni nuk i njohin. Ata janë krejtësisht të paprekur nga sëmundjet e lidhura me stresin, duke u bërë krejtësisht imun ndaj tyre. Sipas hulumtimeve, kajsia e Luginës së Hundëzës thuhet të jetë sekreti i mungesës së tumoreve.

Ky komunitet ha sasi të mëdha të këtij fruti që është i pasur me amigdalin (vitamina B-17). Në vend që të shikojnë filma dhe të qëndrojnë brenda, ata ecin shumë. Gjithashtu, një herë në vit në një periudhë prej dy muajsh komuniteti i Hundëzës konsumon vetëm lëngun e kajsisë, duke përmbushur një traditë shumë vjeçare. Shumë ekspertë kanë treguar se mënyra e konsumimit është sekreti i jetëgjatësisë së tyre. / Oculus News / KultPlus.com

Gazetarja e CNN-it largohet me 300 afganë nga Kabuli: Nuk jam sy patrembur, frikësohesha çdo ditë

Gazetarja e vlerësuar me çmime e CNN-it, Clarissa Ward u largua nga Afganistani pas disa ditësh raportimi nga rrugët e Kabulit teksa Talebanët tashmë kanë marrë pushtetin në atë vend.

Ward njoftoi në Twitter rreth orës 4.25 të shtunën në mëngjes se kishte zbritur në Doha me ekipin e saj dhe rreth 300 refugjatë nga Afganistani.

“Shumë falënderime për të gjithë kujdesin dhe mbështetjen e tyre Forcës Ajrore Amerikane, e cila na transportoi, dhe Katarin, që na priti. Ne jemi shumë të lumtur”, shkroi Ward në Twitter.

Gazetarja raportoi për Talebanët dhe kishte situata më të tensionuara me anëtarët e atij grupi në Kabul, kujton The Hill. Një luftëtar i Talebanit gati sa nuk e kishte goditur gazetaren amerikane.

“Njerëzit thanë, “Kjo grua është sy e patrembur”, por unë me të vërtetë ju them se jo. Unë isha shumë e frikësuar dhe nuk më pëlqen të jem aty ku plumbat fluturojnë… Unë dridhem sa herë që dëgjoj një të shtënë. Unë i urrej të shtënat si të gjithë të tjerët”, tha Ward në një intervistë për The Hill.

Shumë gazetarë u larguan nga vendi në fillim të kësaj jave, ndërsa evakuimi i mijëra të huajve dhe afganëve që bashkëpunuan me faktorin ndërkombëtar vazhdon në aeroportin në Kabul. / KultPlus.com

Presidentja Osmani: Jemi gati për pritjen e afganëve, askush më shumë se qytetarët e Kosovës nuk e kupton dhimbjen e refugjatëve

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani në një intervistë për SkyNews ka thënë se shteti po shton kapacitetet për t’i pranuar refugjatët afganë, ndërsa nuk ka treguar numrin se sa pritet të vijnë dhe datën se kur do të arrijnë, transmeton KultPlus.

Osmani për televizionin britanik ka thënë se vendi thuajse është gati për t’i pranuar refugjatët e parë, ndërsa u shpreh se askush më shumë se qytetarët e Kosovës nuk e kuptojnë se çfarë do të thotë të jesh refugjatë.

“…Çfarë po bëjmë tani është se po rrisim kapacitetet ashtu që të mund të pranojmë më shumë…Është çështje ditësh, por jemi gati t’i pranojmë grupin e parë, kështu që do të varet nga ajo se si aranzhohet transporti i tyre nga SHBA-ja”, ka thënë Osmani, duke shtuar se janë në kontakt në baza ditore me qeverinë amerikane lidhur me këtë çështje.

“Është çështje ditësh se kur do të kuptojmë se kur do të vijnë grupi i parë, po ajo çfarë është e rëndësishme është se ne jemi gati, me dyer dhe zemër të hapur”, tha Osmani.

Ajo më tej ka treguar se ndonëse vitin e kaluar ka pasur shumë shtetas të Kosovës që kanë punuar në Afganistan, shumica nga ta janë larguar vitin e kaluar apo para disa muajsh.

Osmani ka treguar se janë pesë shtetas të Kosovës në Afganistan që kishin kërkuar ndihmë nga institucionet për evakuim.

Presidentja e vendit në intervistën për SkyNews ka folur edhe rreth asaj se a do të ofrojë Kosova leje qëndrim për këta refugjatë.

Ajo tha se nuk ka pasur kërkesë të tillë. “…Bisedimet që kemi pasur me SHBA-në janë lidhur me njerëzit që punonin me ushtrinë amerikane të cilët kishin shprehur interesimin që të shkojnë në SHBA, mirëpo për shkak se aplikimet e tyre po marrin kohë, ne do t’i mirëpresim ata për sa kohë që ka nevojë”.

“Ne e kemi derën e hapur dhe nuk ka ndonjë shtet në botë që e kupton dhimbjen e refugjatëve më shumë se sa ne”, u shpreh ndër të tjera, presidentja Osmani. / KultPlus.com

Kurti mban takim me Nuland për çështjen e afganëve, SHBA do të mbulojë financiarisht strehimin e tyre

Kryeministri Albin Kurti, ka mbajtur një takim virtual me nën sekretaren e shtetit amerikan për Çështje Politike, Victoria Nuland, si dhe zv. sekretaren e shtetit, Wendy R. Sherman, lidhur me çështjen e strehimit të afganëve në Kosovë.

Një gjë të tillë e ka bërë me dije zyra e kryeministrit me anë të një komunikate dërguar medieve, teksa ka bërë të ditur se shpenzimet për të strehuarit do t’i mbulojë SHBA’ja.

“Ata shprehën vlerësimin e tyre të thellë për shtetet mike, duke përfshirë këtu edhe Kosovën, që kanë treguar vullnetin dhe ofruar gatishmërinë e tyre për të strehuar përkohësisht qytetarët afganë, aplikantë në procesin për ‘Viza Speciale të Imigrimit’ (SIV) në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sherman potencoi se të gjitha shpenzimet nga strehimi i përkohshëm i qytetarëve afganë do të mbulohet nga qeveria amerikane”, thuhet ndër të tjera në komunikatë.

Në mbledhjen 26-të, Qeveria ka miratuar kërkesën e ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, për dhënien e mbrojtjes së përkohshme të personave të rrezikuar nga konflikti i brendshëm në Afganistan.

Ende nuk dihet numri i saktë i afganëve që do të strehohen në Kosovë, ndonëse ekspertë të fushës së sigurisë kanë vlerësuar se shteti mund t’iu bëjë vend rreth 3,500 personave.

Dy vendet të cilat janë përfolur për strehimin e personave që vijnë nga Afganistani është Parku Inovativ në Prizren, si dhe kampi i KFOR-it francez në Vushtrri. / Gazeta Express / KultPlus.com

Presidentja Osmani konfirmon se Kosova i ka dhënë përgjigje pozitive kërkesës amerikane për strehimin e afganëve

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me anë të një postimi të gjatë në profilin e saj në Facebook ka folur për kërkesën e ShBA-së për strehimin e përkohshëm të afganëve, duke theksuar se për këtë çështje ishte kontaktuar në korrik nga ambasadori Kossnet. Të cilit thotë se menjëherë, pa asnjë hezitim ia ka dhënë pëlqimin, për siç e quan – operacion humanitar.

Osmani thotë se ka qenë kërkesë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që kjo çështje të mbetet konfideciale për arsye të sigurisë dhe të procesit të largimit të qytetarëve afganë nga Afghanistani

Tutje, presidentja Osmani thotë se Qeveria e Kosovës, menjëherë pas kërkesës dhe diskutimit e dakordimit institucional, ka formuar grupin punues që merret me cështjet organizative bashkë me partnerët tanë amerikanë.

Ajo shprehet se askush më mirë sesa Kosova nuk e di çka do të thotë të dëbohesh e të largohesh me dhunë nga vendi ku je rritur.

Postimi i plotë i presidentes Osmani:

Më 16 korrik, pak ditë pasi bota, e sidonomos ne në Kosovë shënuam Ditën Botërore të Refugjatëve, jam kontaktuar nga Ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Philip Kosnett, i cili përcillte një kërkesë nga Presidenti Biden dhe Sekretari i Shtetit Blinken. Kërkesa kishte të bënte me strehimin e përkohshëm të afganëve, civilë të pafajshëm, të cilët tani ishin në shënjestër të Talibanëve, vetëm sepse kishin qëndruar në anën e aleatëve tanë, në anën e paqes e demokracisë, në anën e barazisë e të drejtësisë. Ata ishin punëtorët lokal që kishin punuar bashkë me forcat amerikane, si dhe familjet e tyre, përfshirë fëmijë.

Pa asnjë hezitim apo kushtëzim të vetëm, kam dhënë pëlqimin tim për një operacion të tillë humanitar, duke u nisur së pari nga parimi njerëzor se nuk i mbyllen dyert atyre që pa fajin e dëshirën e tyre janë janë të detyruar të lënë vatrat e tyre  për t’i ikur përndjekjeve dhe për të shpëtuar jetë; së dyti, për shkak se si anëtare e denjë e komunitetit të shteteve të lira, Kosova e respekton të drejtën ndërkombëtare dhe obligimin që rrjedh nga ajo për mos t’i mbyllur derën refugjatëve; dhe e treta, për shkak se ne duhet t’u qëndrojmë miqve tanë, e sidomos Shteteve të Bashkuara në krah, ashtu sic na qëndruan ata neve në të mirë e në të keq.

Qytetarët afganë do ta kenë të kryer të gjithë vlerësimin e sigurisë nga ana e Shteteve të Bashkuara, sepse ata edhe ashtu do të qëndrojnë vetëm përkohësisht në Kosovë deri sa të rregullohet dokumentacioni i tyre për vizat e emigrimit për në SHBA ku do të vendosen pastaj. Qeveria e Kosovës, menjëherë pas kërkesës dhe diskutimit e dakordimit institucional, ka formuar grupin punues që merret me cështjet organizative bashkë me partnerët tanë amerikanë. Ka qenë kërkesë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që kjo çështje të mbetet konfideciale për arsye të sigurisë dhe të procesit të largimit të qytetarëve afganë nga Afghanistani. Si të tillë, ne e kemi respektuar këtë kërkesë, por punën nuk e kemi ndalur.

Të dashur qytetarë,

Askush më mirë se ne nuk e di çka do të thotë të dëbohesh e të largohesh me dhunë nga vendi ku je rritur, të ndahesh nga më të dashurit, të detyrohesh të ikësh për të shpëtuar jetën. Atëherë, shumë vende anembanë botës, hapën dyert për ne pa asnjë kërkesë e asnjë kusht. Na shpëtuan. 22 vite pas atij tmerri, tani Kosova do të dëshmojë se ne kurrë nuk e humbim njerëzoren brenda nesh.

Populli ynë i urtë thotë: ‘Shtëpia është e Zotit dhe e Mikut”. Me këtë mirëseardhje ne duhet t’i  presim miqtë tanë për të shpëtuar jetë, ashtu siç na shpëtuan ne bota demokratike, kur patëm më së shumti nevojë.

Kosova gjithnjë do të jetë në anën e humanizmit, paqes e demokracisë. / KultPlus.com