Sërish në fokus: Shtypi i huaj, për “reliket komuniste”?

   

Faqja prestigjioze MSN, në kategorinë kushtuar të apasionuarve pas udhëtimeve, së fundmi ka përfshirë edhe një tematikë shumë interesante, titulluar: “Reliket e komunizmit nëpër botë”.

Siç kuptohet edhe nga titulli, bëhet fjalë për disa nga veprat që lanë shenjë në histori gjatë sundimit të diktatorëve komunistë.

Mes këtyre relikeve, faqja ka përfshirë edhe bunkerët në Shqipëri, që u ndërtuan masivisht si një mekanizëm mbrojtjeje nga armiku i jashtëm, prej diktatorit Enver Hoxha.

Kështu i përshkruan revista prestigjioze:

“Në Shqipëri, bunkerët prej betoni nga vitet 1960 në 1980, janë një pamje që e has ngado.

Ato u ndërtuan gjatë qeverisë komuniste të Enver Hoxhës, i cili, e pa vendin e tij nën kërcënimin e vendeve fqinje.

Pas rënies së Perdes së Hekurt, bunkerët u lanë të braktisur dhe shumë syresh, janë tani të shkretuar. Disa prej tyre, janë kthyer në muze, strehim për kafshët endacake e madje, në shumë raste edhe vendstrehim për njerëzit.”

Bunkerët vazhdojnë të tërheqin shumë turistë në Shqipëri dhe tashmë, fakti që ato kanë përfituar edhe titullin si “relike”, nga një faqe e famshme ndërkombëtare, i bën këto mbetje nga komunizmi, si objekte të rralla që duhen vizituar, duke ndikuar në këtë mënyrë edhe në turizmin shqiptar, me interesin që ngjall për të huajt Shqipëria ish-komuniste. / Konica.al / KultPlus.com