Restaurim digjital i filmit “Koncert në vitin 1936”

Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit bën të ditur se është duke u restauruar filmi “Koncert në vitin 1936”.

“Një pasuri e shtuar dhe e shpëtuar për trashëgiminë audiovizive shqiptare”, shkruan në një postim në rrjetet sociale Arkivi i Filmit, sipas të cilit po bëhet një punë e mrekullueshme nga ekipi i specialistëve të restaurimit digjital Koushik Bhattacharya dhe Ritajit Raychaudhuri në Mumbai Indi, për rikthimin e ngjyrave të dekoloruara të filmit “Koncert në vitin 1936”.

Arkivi sjell edhe foto që dëshmojnë për punën e bërë. Në kuadrin majtas shihet imazhi i përftuar nga skanimi i negativit të dekoloruar ku mungon ngjyra e kuqe në kanalet RGB; në kuadrin e mesit shihet rikthimi i kanalit të ngjyrës së kuqe R; dhe në kuadrin djathtas shihet një TEST për color grading të imazhit.

Filmi “Koncert në vitin 1936” është prodhim i vitit 1978, me regji të Saimir Kumbaros dhe skenar të shkruar nga Kiço Blushi, bazuar mbi tregimet e novelës së Dhimitër Shuteriqit. / atsh / KultPlus.com