Muzeu Etnologjik në Prishtinë, në pritje të restaurimit

Të enjten janë bërë fiks dy muaj prej se njëri prej objekteve të Muzeut Etnologjik në kompleksin “Emin Gjik”, është zbrazur. Të gjitha eksponatet janë paketuar në përdhesen e objektit krahas tij. Një gjë e tillë është bërë për ta liruar hapësirën për restaurim e konservim.

Krahas kësaj, në ditën e fundit të gushtit Ministria e Kulturës, Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve dhe Muzeu i Kosovës kanë nënshkruar një Memorandum për realizimin e projektit për konservimin dhe restaurimin e dy objekteve të kompleksit që përdorën nga Muzeu Etnologjik. Përderisa ka dy muaj që vizitorët nuk kanë qasje në njërin objekt, restaurimi e konservimi nuk ka nisur ende, megjithëse buxheti është ndarë qysh në fund të vitit të kaluar dhe projekti është gati, po ashtu, qysh prej vitit 2016. Këtë javë është pastruar hapësira përreth objektit, por ende nuk dihet saktë se kur do të nisë puna restauruese e konservuese.

“Nëse mund të sigurohen skelet, nesër e pasnesër ato do të vendosen. Në krejt Prishtinën flitet se si nuk ka punë, por nuk kemi gjetur skele. Përndryshe nuk ka ndonjë pengesë”, ka thënë drejtori i Muzeut të Kosovës, Skender Boshtrakaj. / KultPlus.com