Dy katastrofa natyrore godasin Meksikën

Dy katastrofa natyrore goditën Meksikën gjatë 24-orëve të fundit, një përmbytje në rajonet qendrore dhe një tërmet i magnitudës 7.1 Rihter në brigjet jugperëndimore.

Bilancin më të rëndë deri më tani e shkaktuan përmbytjet me 17 të vdekur.

Përmbytjet goditën qytetin e Tulës në shtetin federal të Higalgos. Shumica e viktimave janë pacientë  në gjendje të rëndë, të cilët e patën të pamundur të largoheshin në kohë nga një spital që u përmbyt menjëherë nga ujërat e furishëm.

Ndërsa rreth orës 4 të mëngjesit të kësaj të Mërkure, tërmeti i fuqishëm i magnitudës 7.1 Rihter goditi qytetin e Akapulkos dhe u ndje deri në kryeqytetin Meksiko, duke shkaktuar të paktën 1 viktimë.

Banorët braktisën ndërtesat të terrorizuar dhe dolën rrugëve, ndërsa dëmet materiale janë të shumta, ku mes rrënojave mund të ketë edhe viktima të tjera. / KultPlus.com