Si e rindërtuan shkencëtarët statujën e perandorit Kostandini i Madh në Romë?

Dikur ulej madhështor në zemër të Romës së lashtë.

Tani një statujë e madhe e perandorit, Konstandini i Madh po kthehet në Qytetin e Përjetshëm falë një rindërtimi të teknologjisë së lartë bazuar në fragmente mermeri të mbijetuar, shkruan euronews, transmeton Klankosova.tv.

“Është diku mes dokumentimit, rikrijimit dhe interpretimit. Por me të vërtetë shpresoj se ky është fillimi i një revolucioni, se si të ndash dhe si të tregosh”, shpjegon Adam Lowe, drejtori i Fondacionit Factum, i cili mbikëqyri procesin e përpiktë të rindërtimit.

I lindur në vitin 306 pas Krishtit në Naissus, Konstandini u bë një nga udhëheqësit romakë më me ndikim të të gjitha kohërave, duke e forcuar jashtëzakonisht perandorinë.

Por ai është ndoshta më i famshëm për konvertimin në krishterim dhe ekspertët besojnë se statuja e madhe e tij shërbeu si një njohje se krishterimi ishte bërë feja e perandorisë.

I ashtuquajturi Kolos i Kostandinit, i cili daton në fillim të shekullit të 4-të, ishte një statujë monumentale e ngritur për të festuar mbretërimin e Kostandinit.

Fillimisht rreth 11 metra i gjatë, më vonë u shkatërrua dhe u plaçkit për bronz.

Pavarësisht se fragmentet e mbijetuara u rizbuluan në vitin 1486, fillimisht u gabua me një statujë të perandorit Commodus. Vetëm në fund të viteve 1800, fragmentet u identifikuan saktë si pjesë e Kolosit të Kostandinit.

Tani, romakët dhe turistët do të mund të admirojnë një kopje të statujës në tërësi, krejtësisht të ngjashme me origjinalin, falë 14 muajve të punës nga Fondacioni Factum.

Me qendër në Madrid, Fondacioni Factum krijon dokumentacion dixhital të saktë dhe me rezolucion të lartë të vendeve të trashëgimisë kulturore dhe veprave të artit në mbarë botën, për të bërë faksimile të veprave të artit të shkatërruara, të dëmtuara, të grabitura ose të humbura.

Ata kaluan tre ditë duke skanuar fragmentet në mars 2022 duke përdorur teknikat e fotogrametrisë. Më pas u bë një model 3D nga secili fragment, pas së cilës u vendos në versionin dixhital të statujës, i cili vizatonte në format e statujave të tjera të kultit të asaj epoke në poza të ngjashme./KlanKosova/ KultPlus.com

Koncerti i Travis Scott në Romë i dënuar nga arkeologët

Koncerti i Travis Scott në një vend historik në Romë shkaktoi lëkundje të barazvlefshme me një tërmet me magnitudë 1.3 ballë.

Arkeologët në qytetin italian kanë shprehur shqetësimin për koncertet që do të mbahen në ambientet e Circus Maximus pas shfaqjes së vetme të reperit atje të hënën (07.08.23) për të promovuar albumin e tij të ri ‘Utopia’ pasi ekspertët regjistruan lexime shqetësuese.

Arkeologët janë shqetësuar prej kohësh për koncertet në Circus Maximus duke vënë në rrezik stadiumin e lashtë romak të garave me karroca dhe tani ata kanë ripërtërirë thirrjet për t’i dhënë fund argëtimit live atje pas shfaqjes së fundit të Scott.

Koncertet e mëparshme të mbajtura në këtë vend përfshijnë koncerte nga Rolling Stones, Guns N’ Roses dhe Bruce Springsteen.

Scott tërhoqi një audiencë prej 70,000 personash në vendin e ngjarjes pasi shpalli shfaqjen e vetme më 1 gusht. Ai kishte planifikuar më parë të luante një koncert në piramidat e Gizës në Egjipt më 28 korrik, por ngjarja u anulua për shkak të “çështjeve komplekse të prodhimit” .

Një deklaratë nga organizatorët në Live Nation shpjegoi: “Me keqardhje ju informojmë se shfaqja Utopia, e planifikuar fillimisht për 28 korrik në Piramidat e Gizës në Egjipt, është anuluar. / KultPlus.com

Kryeministri Kurti për incidentin në Gjakovë: Nuk është në kulturën tonë të jemi diskriminues

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur keqardhje dhe e ka dënuar fuqishëm aktin e fundit të diskriminimit ndaj komunitetit Rom, Ashkali dhe Egjiptian, që sipas raportimeve, disa lokale të gastronomisë kanë refuzuar t’u shërbejnë këtyre komuniteteve.

Në fjalimin e mbajtur në Samitin e antigjipsizmit, kryeministri Kurti po ashtu dënoi ashpër dhunën fizike që u shpërfaqë po ndaj këtyre komuniteteve ditëve të fundit.

Këto janë akte të dënueshme si nga ligjet tona e po ashtu edhe nga ndërgjegjja jonë. Nuk është as në kulturën e as në historinë tonë që të jemi diskriminues e aq më pak përjashtues, tha kryeministri, duke shtuar se qytetarët e çdo etnie, komuniteti e race janë në radhë të parë qytetarë të barabartë të Republikës tonë.

Kryeministri tha se angazhohet njëlloj për të gjithë qytetarët e Republikës, e sidomos për ata që janë më të varfër, sepse siç tha ai, përveçse Kryeministër, jam edhe social-demokrat, e si social-demokrat progresin e zhvillimin e shoqërisë tonë e mati, jo me atë se sa mirë po jetojnë ata që kanë më së shumti, por ata që kanë më së paku.

Ai shtoi se si social-demokrat zhvillimin e matë me përfshirjen dhe kualitetin e edukimit që marrin jo vetëm pjesa e privilegjuar e shoqërisë, por pjesa më e diskriminuar e saj.

Në këtë drejtim, ai veçoi shpalljen e konkursit për ndarjen e bursave për nxënësit e shkollave të mesme të larta për komunitetet Rom, Ashkali dhe Egjiptian për vitin shkollor 2021/2022, me çka synohet përfshirja e këtyre nxënëseve në arsimin e mesëm të lartë në shkollat publike dhe sigurimi i iniciativave për të reduktuar braktisjen e mësimit. /KultPlus.com