26-vjeçarja Romina Pourmokhtari ministrja e re e Mjedisit në Suedi

Kryeministri suedez, Ulf Kristersson emëroi sot 26-vjeçaren Romina Pourmokhtari ministre për Klimën dhe Mjedisin.

Pourmokhtari është ministrja më e re e Suedisë dhe një nga pesë ministrat e Partisë Liberale në kabinetin 23 anëtarësh.

Ajo është me origjinë iraniane dhe kryetare e Liberalëve të Rinj, post nga i cili do të japë dorëheqjen në nëntor.

Partia konservatore e Moderuar e Kristersson do të vendosë 12 anëtarë të kabinetit të ri dhe gjashtë të mbeturit janë nga kristian-demokratët.

Ministri i ri i Jashtëm është politikani konservator me përvojë Tobias Billstrom.

Ebba Busch, kreu i kristian-demokratëve do të jetë ministre e Energjisë dhe Ekonomisë si edhe zëvendëskryeministre.

Johan Pehrson, kreu i Partisë Liberale, do të shërbejë si ministër i Punës dhe Integrimit.

Në deklaratën e tij në parlament, Kristersson parashikoi kohë të vështira përpara, përballë krizave të shumta.

”Është një situatë serioze që ende mund të përkeqësohet”, tha ai.

Qeveria e re pas zgjedhjeve të 11 shtatorit do të betohet sot pasdite përpara mbretit, Carl XVI Gustaf./ atsh / KultPlus.com