Bushpepa për KultPlus: Kosova është shtëpia ime e dytë

Xhemile Hysenaj

Ishte vetëm pesë vjeç kur për herë të parë u bë një me skenën, që prej atëherë, skena dhe muzika ishin dy elementet e pandashme të tij. Bëhet fjalë për këngëtarin e njohur shqiptar, Eugent Bushpepa, zëri i fuqishëm i të cilit mbrëmë mahniti publikun e Prishtinës në hapësirën e ”Roof Terrace”, shkruan KultPlus.

Zëri i veçantë i Bushpepës, deportoi në shpirtin e secilit që ndodhej aty, duke ngjallur kështu emocione të mëdha që dijnë të dalin vetëm nga vokali i një këngëtari si ai. Një shpirt artisti, të cilit paraqitja e hatashme skenike i buronte nga shpirti, duke e mbajtur atmosferën e gjallërisë verore në ajër.

Ekipi i KultPlus ishte i pranishëm dhe pati rastin të realizonte edhe një intervistë me Bushpepën.

”Kanë qenë prindërit e mi ata që për herë të parë panë se unë kisha talent minimal për këngën dhe që në moshën 6 vjeçare e deri në moshën 10 vjeçare më kanë angazhuar me pinoerët e asaj kohe në Rrëshen, në vendin tim të lindjes, dhe që atëherë nuk jam shkëputur më nga muzika”, ka theksuar Bushpepa për KultPlus.

Bushpepa ndër të tjera ka shpalosur për KultPlus se ka qenë vetëm 10 vjeç kur është lidhur me muzikën Rock dhe se që atëherë nuk i është ndarë këtij zhanri, duke u bërë kështu një me të.

Bushpepa ka qenë ndër këngëtarët shqiptar pjesëmarrës në Eurovision, i cili do të mbetet gjatë në kujtesën e atij festivali të madh të muzikës. Mirëpo, edhe pse me një vokal tejet të veçantë, Bushpepa tregohet modest dhe shprehet se ka pasur shumë emocione në atë periudhë, madje ka bllokuar edhe rrjetet sociale për të mos parë se çfarë diskutohet në trojet shqipfolëse për performancën e tij.

”Periudhën e Eurovisionit e kam pasur me shumë siklet nga ana emocionale sepse kisha shkuar në limitet e mia vokale dhe kam qenë shumë i stresuar. Atë tre minutësh që kam qenë në skenë jam përpjeur që të jap maksimumin. Edhe pse i kisha mbyllur të gjitha rrjetet sociale dhe nuk dija se çfarë po flitej për mua, kur jam kthyer më ka pëlqyer shumë feedback-u që e kam marrur nga gjithë shqiptarët dhe jam ndarë shumë i kënaqur”, ka theksuar tutje Bushpepa për KultPlus.

Artisti tenton që përmes artit të tij të shfaqë gjithmonë emocionet apo përjetimet më të mëdha të shoqërisë, i tillë është edhe Bushpepa, ai e konsideron veten pak anarkik dhe thekson se artisti duhet të jetë gjithmonë në opozitë.

”Përveç se unë shpreh vetveten, me artin tim përpiqem që të nxjerri emocionet e mia të momentit dhe gjithçka që shoh rreth e rrotull meje, çdo lloj padrejtësie apo çdo lloj ndjesie qoftë kjo ndjesi e mirë apo e keqe. Arti është mënyra ime e vetme përmes së cilit mund të shprehem, kshtuqë fal zotit kam këtë dhunti që arrij të shprehehm përmes muzikës sime”, deklaroi Bushpepa për KultPlus.

Ndikimi që artistët e mëdhenj kanë pasur në formimin artistik të Bushpepës është i paevitueshëm. Bëhet fjalë për artistët e njohur si Jimi Hendrix, Jim Morrison, Michael Jackson, Freddie Mercury, Elvis Presley etj, për të cilët Bushpepa deklaron të kenë ndikuar në artin e tij.

”Sonte jam kënaqur shumë, Kosova është shtëpia ime e dytë, kam performuar para një publiku të ngrohtë. Shpresoj që njerëzit që dëgjojnë këngët e mia, ta gjejnë veten sado pak tek ato”, deklaroi Bushpepa për KultPlus.

Për fund, Bushpepa ka treguar për KultPlus se është duke punuar në dy projekte sëbashku me pjesëtarët e tjerë të grupit, ndërkaq thekson se ka kohë që dëshiron të përgatisë një album por rrethana të ndryshme si pandemia Covid19, kanë bërë që albumi të shtyhet. Mirëpo, Bushpepa tutje thekson se shpreson që vitin tjetër të mbajë koncerte në Shqipëri me albumin e tij të radhës. / KultPlus.com

(Fotografia në ballinë: Atdhe Mulla)