Rose Wilder Lane është një amerikane e njohur për shkrimet e saj mbi Shqipërinë. Interesimi i saj për Shqipërinë nis në vitin 1921, e zgjat deri në vitin 1967, pasi në këtë vend ajo kishte lënë djaloshin Rexh Meta, jetën e të cilit, në mënyrë të drejtpërdrejtë apo tërthorazi, ajo e ndoqi gjatë gjithë jetës. Lane nuk u martua e nuk pati fëmijë të saj, edhe pse gjatë jetës pati lidhje sentimentale. Megjithatë, gjatë gjithë jetës ajo u kujdes për disa fëmijë e të rinj në nevojë.
Ndjenja e paplotësuar e amësisë e shtyu në fillim të
kujdesej për djaloshin jetim shqiptar, Rexh Meta; pastaj për dy vëllezërit:
John dhe Al Turner nga Misuri dhe, në vitet e fundit të jetës, për një vajzë të
re vietnameze, motrën e përkthyeses së saj, të cilën e ndihmoi të vinte në SHBA
dhe të hynte në universitet. Po, me sa duket, dëshirën e fortë të Lane për t’i
parë të suksesshëm ata fëmijë, e plotësoi vetëm Roxher Mekbrajd (Roger
McBride), “nipi” i saj i adoptuar, djali i një botueses së saj. Ai e quante
“gjyshe”. Mek-brajd u bë jurist i njohur dhe ndjekës i mendimeve të saj
liberale.
Ai ndoqi rrugën e veprën e saj, si një prej themeluesve të
neo-liberalizmit amerikan. Deri në fund të jetës ai u kujdes jo vetëm për
problemet ligjore e trashëgiminë e Lane, po edhe për t’i plotësuar një amanet:
të ndihmonte familjen e Rexh Metës. Në vitin 1990, edhe pse vetë Rexha kishte
ndërruar jetë në vitin 1985, Roxher Mekbrajd u lidh me familjen e Bora-Rozës,
vajzën e Rexhës, dhe e mori atë, bashkëshortin e saj, Genc Koka, dhe dy djemtë e
tyre në Shtetet e Bashkuara, ku ata jetojnë edhe sot.
Studiuesja Eleni Laperi e tregon këtë histori në librin mbi
jetën e Rose Lane. Zemra e saj e dhimbsur dridhej para padrejtësive të kësaj
bote. “Barra e pafuqisë së botës para atij mjerimi më rëndonte në shpirt më
shumë, se barra e teshave të leshta, të nginjura me ujë mbi muskujt e
rraskapitur”, shkruan ajo në një prej tregimeve të saj shqiptare.
Para se të largohej nga Shqipëria, Lane arriti të bënte një
marrëveshje me Qeverinë shqiptare, dhe Rexh Meta, që mbaroi shkollën Teknike të
Tiranës, shkoi për studime në Kembrixh. Marrëveshja ishte: Qeveria shqiptare,
Ahmet Zogu, do i jepnin Rexhës 100 napolona në vit, ndërsa ajo do i dërgonte 50
dollarë në muaj për të plotësuar bursën e tij. Rexha u diplomua në Kembrixh, po
nuk pranoi të shkojë të jetojë në Shtetet e Bashkuara, kur e ftoi Lane. Edhe ai
kishte ëndrrën e tij: të punonte për të përmirësuar jetën e malësorëve të
Dukagjinit e Pejës.
Kur Italia fashiste pushtoi Shqipërinë, ai i shkroi Lane të
shihte mundësinë e vajtjes së tij në ShBA, duke i shkruar një letër Xhemil
Dinos, i cili ishte në atë kohë ministër i Jashtëm, apo duke i shkruar kapiten
Kroulit, i cili kishte në Nju-Jork një pozitë të rëndësishme në një bankë të
madhe.
Ai dëshironte të siguronte gruan dhe fëmijët e tij. Po asgjë
prej këtyre nuk u bë e mundur, edhe pse Lane i kërkoi ndihmë edhe ambasadorit
shqiptar në Uashington, Faik Konicës. Pas Luftës së Dytë Botërore, kur Shqipëria
mbylli kufijtë, Lane u përpoq përsëri ta merrte në ShBA, Rexhën e familjen e
tij, po qeveria e re shqiptare nuk pranoi.
Ajo i shkroi disa letra mikut të saj, ish presidentit
Herbert Huver, iu drejtua edhe gruas së presidentit amerikan Eleonor Ruzveltit.
Po pa asnjë rezultat. Madje, sipas Roxher Mekbrajdit, një përfaqësues i
Shqipërisë në OKB e kishte kërcënuar duke i thënë se Rexha dhe familja e tij do
të kishin pasoja të rënda, nëse ajo do vijonte të kishte lidhje me ta.
Për të mbrojtur Rexhën dhe familjen e tij, ajo pranoi të
ndërpresë lidhje me ta. Po vijoi ta ndihmojë familjen e Rexh Metës në fillim
nëpërmjet Harri Fullcit, e, më vonë, kur Rexha u burgos, lidhjet midis gruas së
Rexhës dhe Lane i ndihmoi Sami Repishti, i cili njihej me familjen e Qazim
Danit nga Shkodra, vjehrri i Rexhës. Lane mendonte se gjithë ky zemërim i
Qeverisë së re shqiptare ndaj saj lidhej me artikullin “Credo”, të botuar në
vitin 1936.
Në vitin 1935, në një skicë autobiografike të botuar në
“Saturday Evening Post”, Llejn shkruan: “…Nga 1914 deri në 1920, kur vajta për
herë të parë në Evropë, kam qenë pacifiste. Votova për Uillsonin, sepse ai nuk
na futi në luftë. Në 1917 u bëra komuniste e bindur, ndonëse jo anëtare partie.
Pasi vajta në Rusi nuk isha më… Tani jam një fondamentaliste amerikane.
Më jepni pak kohë dhe unë do ju them pse individualizmi,
laissez faire dhe anarkia e përmbajtur e kapitalizmit ofron mundësitë më të
mira për zhvilli-min e shpirtit njerëzor.” Idetë e saj mbi komunizmin ndryshuan
kryekëput, kur në një fshat të Rusisë, mësoi nga bujqit se qeve-ria ndërhynte
shumë në punët e fshatit. Ata iu ankuan për rritjen e burokracisë, që merrte
gjithnjë e më shumë njerëz nga fusha e prodhimit. Fshatari parashihte kaos dhe
vuajtje nga centralizimi i skajshëm i pushtetit ekonomik nga Moska.
Kur u largova nga Bash-kimi Sovjetik nuk isha më komuniste, shkruan Lane, sepse unë besoj në lirinë e individit. Në 1936, pas një udhëtimi me gazetarin Garret Garet, nëpër SHBA, dhe e nxitur nga ai, Lane botoi në “Saturday Evening Post” artikullin me titull “Credo”. Garet i entuziazmuar prej ideve të saj mbi politikën, i tha: “Shkruaj për të fituar jetesën, po mos hiq dorë nga idetë e tua dhe shkruaj për atë që të pëlqen”./KultPlus.com