Kanë filluar punimet për projektin “Rrugët për Fëmijë”, synohet transformimi i hapësirave para shkollave

Kanë filluar sot punimet për projektin e parë “Rrugët për Fëmijë”, projekt ky që synon transformimin e hapësirave para shkollave, shkruan KultPlus.

Pas disa muajsh analizë, matje, projektim e planifikim ekipet e projektit në kryeqytet e kanë filluar këtë projekt fillimisht tek shkolla SHFMU “Elena Gjika”.

Lajmin e ka bërë të ditur nënkryetarja e Prishtinës, Donjeta Sahatçiu e cila ka njoftuar se për 10 deri në 15 ditë do të festohet transformimi i hapësirës para shkollës, duke premtuar kështu se do të ketë projekte të tilla edhe në shkollat tjera për të krijuar hapësira më të sigurta për fëmijët.

Ky projekt është inspiruar nga Bashkia e Tiranës dhe është projekti i parë nën konceptin “Rrugët për Fëmijë” në bashkëpunim me Qendra Marrëdhënie në Tiranë dhe Urban95 i realizuar në Prishtinë. /KultPlus.com