Përurohet kisha e restauruar katolike në Rubik

Komuniteti Katolik në Rubik do të mbajë meshën e Krishtlindjes në kishën e rehabilituar falë programit “EU4Culture”.

Siti i parë i kompletuar nën “EU4Culture” u inaugurua mbrëmë në prani të ambasadorit të BE-së Luigi Soreca, ministres së Kulturës Elva Margariti, Dom Gjergj Metës, ambasadorëve të TeamEurope dhe autoriteteve lokale, njoftoi sot Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë.

Në fjalën e saj gjatë kësaj ceremonie ministrja Margariti tha se, “është me të vërtetë domethënëse që objekti i parë i përuruar, ndër ndërhyrjet e Programit “EU4Culture” është jo thjesht një monument kulture, por një objekt me një rëndësi të veçantë shpirtërore; një objekt shprese”.

“Restaurimi i kishës së T’Shëlbuemit në Rubik, është një ogur i mirë për programin EU4Culture të financuar nga BE dhe të zbatuar nga UNOPS, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës. Nuk është thjesht një restaurim çatie apo fasade, por një investim që sheh përtej mureve”, u shpreh ajo.

“Së bashku me ambasadorin Soreca, e miq që na nderuan në këtë ceremoni, iu bashkuam gëzimit të komunitetit, të cilit iu rikthye kjo shtëpi e përbashkët, që i ka rezistuar shekujve”, përfundoi Margariti.

Kisha e Manastirit të Rubikut, një monument françeskan, ndodhet mbi një kep shkëmbi me pamje nga lumi piktoresk Fan. Fillimisht u themelua në vitin 1166, si një nga katër Kuvendet Benediktine në rajonin e Mirditës.

Kisha është veçanërisht domethënëse, pasi forma e saj arkitekturore tregon kontekstin gjeohistorik të Shqipërisë, forma planimetrike e kishës dhe harqet e mbyllura në absidë janë të stilit tipik romanik, por stili i pikturës murale është qartësisht bizantin.

Nëpërmjet mbështetjes së programit “EU4Culture”, arkitektura dhe historia e rëndësishme e kishës dhe afresket e rralla do ta nxisin turizmin kombëtar dhe ndërkombëtar për ta shijuar këtë monument kulture.

Zbatuar nga UNOPS, EU4Culture synon të rehabilitojë dhe rigjallërojë trashëgiminë kulturore shqiptare të dëmtuar nga tërmeti i nëntorit të vitit 2019.

Paralelisht, punimet kanë nisur edhe në 5 objekte të tjera: Mozaiku i Muzeut Historik Kombëtar, Kisha e Rodonit, Ura e Kurçajt në Krujë, Kulla Veneciane dhe Hamami në Durrës. / KultPlus.com

Kisha mbi 700 vjeçare në Rubik me afresket ndër më të vjetrat

Punimet e restaurimit në Kishën e T’Shëlbuemit, monument kulture kategoria I, në Rubik, Mirditë janë në fazën përfundimtare.

Eu4Culture bën të ditur se “janë duke u kryer ndërhyrjet e fundit dhe kemi filluar numërimin mbrapsht deri në ditën e inaugurimit”. Një pjesë e rëndësishme e punimeve të konservimit ka të bëjë me stabilizimin emergjent të asaj çka ka mbetur nga pikturat murale të shekullit të 13-të.

Pikturat janë në muret e absidës së Kishës dhe po “mbrohen” nga specialistë të ruajtjes së veprave të artit.

Kisha e Rubikut ndodhet mbi një kodër shkëmbore në qytetin e Rubikut. Kisha përfaqëson një objekt të rëndësishëm kulti të shek. XII-XIII. Ajo ka përfunduar së ndërtuari në vitin 1272.

Vlerë unikale e saj janë afresket, piktura murale të stilit bizantin. Godina është monument kulture dhe paraqet interes të veçantë në aspektin ndërtimor dhe arkitektural. Kisha e Rubikut ka shërbyer si abaci benedikte dhe kuvend françeskan.Punimet restauruese u bënë të mundura nga programi EU4Culture, financuar nga BE dhe zbatuar nga UNOPS dhe në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës.

Ky objekt kulti ka vlera të rralla në vendin tonë. Në këtë kishë gjenden afreske ndër më të vjetrat në Shqipëri. Afresket janë të stilit bizantin, ku bazuar në shkrimet gotike që dallohen qartazi në to çka vërteton qartësisht se këto afreske datojnë me vitin 1272. / KultPlus.com