Profili i shkrimtarit Sabri Hamiti në ditëlindjen e tij të 70-të

Nga Muhamet Hamiti

Autor i më shumë se 40 veprave, Sabri Hamiti sot mbush 70 vjet.

Bëhet këtu përpjekje për të përvijuar profilin e tij krijues, të shkrimtarit që ka fuqinë e madhe krijuese edhe sot, siç e dëshmon libri i tij më i ri poetik Kukuta e Sokratit (2018) me 70 poezi.

Në shtatëdhjetë vjetorin e lindjes së Hamitit, që ka gjysmë shekulli pranie dhe njohjeje në skenën letrare, ky shkrim fokusohet te poezia dhe studimet e tij letrare, vlerat e tij kulmore në gjirin e letërsisë e të kulturës shqiptare.

Kanoni i veprës së Sabri Hamitit është i hapur.

Jeta, shkollimi, puna

Sabri Hamiti lindi më 10 maj 1950 në Dumnicë të Podujevës. Më 1968 mbaroi gjimnazin, nisi studimet dhe botimet letrare. Më 1972 diplomoi për gjuhë e letërsi shqipe në Universitetin e Prishtinës; botoi përmbledhjen e parë të poezive, Njeriu vdes i ri.

Kreu studimet pasuniversitare për letërsi të përgjithshme në Zagreb më 1975. Për një vit akademik (1980-81) specializoi teorinë e formave letrare në École des Hautes Études en Sciences Sociales në Paris dhe mori Diplomën e Shkallës së Lartë për letërsi frënge e qytetërim frëng në Universitetin e Sorbonës. Doktoroi në letërsi shqipe në Prishtinë më 1987.

Në vitet 1973-1993 Hamiti punoi te “Rilindja“; 15 vjet redaktor në Shtëpinë Botuese. Nga viti 1993 është Profesor i letërsisë në Universitetin e Prishtinës. Nga viti 2008 anëtar i rregullt i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës (ASHAK).

Sabri Hamiti ishte deputet i Kuvendit të Kosovës në shtatë legjislatura (në vitet 1992-2017), një kohë nënkryetar i Kuvendit. Nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës më 2008.

Poeti

Që në rini, Sabri Hamiti shkroi poezi që dilte dukshëm jashtë kornizës së poezisë aktiviste shqiptare që kishte dominuar çerekun e shekullit mbas Luftës së Dytë Botërore, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri. Poezi lirike, metafizike. Ai na fton në përmbledhjet e veta me titujt që u ka vënë: Njeriu vdes i ri, 1972, Faqe e fund, 1973, dhe Thikë harrimi, 1975. Kjo e fundit e shpërblyer si libri më i mirë i vitit nga Shoqata e Shkrimtarëve të Kosovës (SHSHK). Njohje e risisë së saj, e veçantisë së saj.

(Le të përmendet, në parantezë, se për romanin e tij të vetëm, Njëqind vjet vetmi, Hamiti mori Shpërblimin vjetor për librin më të mirë të autorëve të rinj në ish-Jugosllavi në vitin 1976).

Në vitin 1979 Hamiti botoi librin Trungu ilir, që u bë libër kult për shpejt, i dashur dhe i lexuar. U njoh si ngjarje letrare e kulturore e vitit dhe krijoi bujë të madhe. Iu dhanë dy shpërblimet kryesore atë vit, i SHSHK-së dhe i “Rilindjes”. Libri ka njohur pesë botime në këto 40 vjet, me tirazhe mijëra kopjesh secili.

Trungu ilir, libër poetik vëllimor (171 faqe) në dy libra (pjesë), “Trungu” dhe “Koha”, të mëvetësishëm e të ndërlidhur njëherësh, ka pasur sukses edhe në një dramatizim në Teatrin e Kosovës, në regjinë e Agim Sopit. U shpërblye në një festival teatrosh në Sarajevë më 1981 para se ta përlante censura që e ndaloi shfaqjen në Prishtinë për shpejt, mbas Ngjarjeve të marsit të atij viti në Kosovë. Shfaqja dhe libri u sulmuan nga rrjeti i policisë letrare-politike të kohës në ish-Jugosllavi.

Në dy dekada Sabri Hamiti botoi përmbledhjet Leja e njohtimit 1985, 1985, Kaosmos, 1990, ABC: Albetare për fëmijë të rritur, 1994, Melankolia, 1999, dhe Sympathia: Testamente për Urtakun, 2004. Kaosmosi u shpërblye si libër i vitit nga “Rilindja”, ndërsa tre librat vijues nga SHSHK si librat më të mirë për vitet përkatëse.

Leja e njohtimit 1985, libër binjak me pararendësin Trungu ilir, përfshin edhe poemën dramatike Kutia e zezë, që do të luhet në Teatrin e Kosovës njëzet e sa vjet më vonë.

Kaosmos kap dramatikën e marshit barbar, temë universale e përthyer ndërmjetshëm në ambient kombëtar, ndërsa ABC-ja dëfton një katalog të dhembjeve etnike shqiptare. Melankolia, e botuar më 1999, në vitin e tragjedisë dhe të mrekullisë shqiptare të Kosovës, figuron pasojat e njeriut që kalon nëpër botën e egërsive, duke përfshirë ndeshjen me vdekjen. Edhe prej vetë shkrimtarit, që më 24 shtator 1998 mezi i kishte shpëtuar vdekjes pas atentatit që iu bë në Prishtinë.

Në ndërkohë, më 2002, në Prishtinë u botua vepra komplete e Sabri Hamitit në 10 vëllime; vepra e tridhjetë vjetëve.
Sympathia (2004) është libër që tematizon elementaritetin fizik dhe shpirtëror që dëfton frymë bashkëndjenjeje (sympathia e titullit).
Libri më i ri poetik i Hamitit, Kukuta e Sokratit, lirik e metafizik, u botua para një viti e gjysmë në Tiranë, në fund të vitit 2018. Mbas 14 vitesh prej kur kishte botuar librin pararendës, poeti riafirmon fuqinë krijuese, energjinë përtëritëse të poezisë së tij.

Kritiku, interpretuesi e poeticieni i letërsisë

Librat e Sabri Hamitit me studime dhe ese letrare Variante, 1974, Teksti i dramatizuar,1978, Arti i leximit, 1983, Vetëdija letrare, 1989 (libri më i mirë i vitit nga “Rilindja”), me ndikim të madh në studimet letrare shqiptare, dhe Letra shqipe, 1996, që lidhen nyje si “Sprova për një poetikë” 1-5, janë studime kritike e teorike të letërsisë shqipe të të gjitha periudhave, nga poetika e autorëve te poetika e periudhave dhe tutje te poetika e letërsisë shqipe. Dhe në fund të fundit poetika personale te Bioletra, 2000, e shfaqur si një teori e shkrimit dhe e leximit letrar.

Librat sistematizues për fenomene letrare e kufitare me letërsinë: Bioletra: një teori e shkrimit dhe e leximit (2000), Tematologjia (2005), Albanizma(2009), bëjnë trininë Poetika shqipe, siç është mbiquajtur në një botim tërësor të tre librave në vitin 2010. (Nderuar me Çmimin e Madh për Letërsinë për vitin 2010 nga Ministria e Kulturës e Shqipërisë.) Më tej, Utopia letrare(2013) studion veprat përfaqësuese utopike dhe distopike shqiptare në përqasje me letërsinë e përgjithshme utopike dhe distopike. Testamenti (2018), libri më i ri studimor i Hamitit, me ide e procedime letrare lidhet në një sistem me këta libra pararendës, siç e thotë edhe vetë autori.

Studiues i hershëm, ndoshta më i thelli, tash e 45 vjet, i poetit të madh Lasgush Poradeci, Hamiti ka botuar libra monografikë për Lasgushin, për Faik Konicën, Hivzi Sulejmanin, Bilal Xhaferrin, Nazmi Rrahmanin.
Sabri Hamiti ka botuar edhe libra të tjerë, libra monografikë për dy figura të mëdha kombëtare, shkrimtarë e misionarë: Presidenti Ibrahim Rugova: Memento për Rugovën(2007) dhe Zef Pllumi (2013), sikur edhe për shkrimtarin klasik Ndre Mjedja (2016) dhe shkrimtarin modern Anton Pashku (2017).

Sabri Hamiti shkrimtar – përgjithësime

Në letërsinë e vet dhe në shkrimet për letërsinë, Sabri Hamiti ka dëshmuar fuqitë shprehëse të shqipes, pjellorinë e invencionit verbal, dhe dijen e madhe. Figurimin në të dyja mënyrat e shkrimit. Edhe shkrimet e tij për letërsinë bëhen letërsi, qoftë kur interpretojnë, qoftë kur sistematizojnë.

Poezia e tij është një thesar i dëftimit të gjendjeve emocionale dhe intelektuale dhe i gjendjeve e i formave gjuhësore. Gjithsesi edhe i mjeshtërisë formale. Herë më e vështirë (test lakmusi i shkrimit të naltë, por edhe i lexuesit të kultivuar, se pa lexues poezi nuk ka, do të thoshte Borgesi), herë më lehtësisht e kuptueshme. Puna është si të bëhet poezia e qartë, pa e flijuar ndërliqësinë. Dhe Hamiti ia del në këtë ndërmarrje. I mbetet besnik sensibilitetit të vet.

‘Vështirësia’ është prej ngjeshjes (kompaktësisë), prej mënyrës si ndërlidhen fijet e shtresohen palët në hapësirë të vogël të poezisë. Sigurisht edhe prej ndërlojës së shtresave zanore e kuptimore, të referencave, por edhe të aluzioneve.

Në betejën e jetës të përthyer në letërsi, Sabri Hamiti ia del ta kondensojë realitetin në një poezi, në një strofë, në një frazë apo madje në një fjalë të vetme. Kjo fjalë bëhet ruajtëse e kujtesës epike. Ai di si të pajtojë temën epike të historisë me çastin lirik, të ngjeshë kohën epike në kohën lirike.

Te krijimtaria e Hamitit shpërfaqet natyra e ndryshme e letërsisë: në lirikë koncentrike, në dramatikë dialektike, në prozë lineare (terma të Helen Vendlerit, kritikes-intepretueses më të mirë të poezisë në Amerikë). Edhe poezia e tij e shkurtër ndonjëherë funksionon si dramë. Ai e nisi me poemë dramatike dhe shkroi tri drama (Futa, 1988, Misioni, 1997, Pasioni, 2018; e luajtur, por ende e pabotuar) me inde poetike. Pasioni një dramë kujtese.

Struktura dhe gjuha e poezisë së Sabri Hamitit mbajnë peshën emocionale, ruajnë kujtesën personale; edhe topikën e vendit. Gjuha e tij është intime dhe impersonale, besnike ndaj vetes, e besueshme dhe e vërtetë për të tjerët. Ai freskon gjuhën arkaike, ripërtërin fuqinë e dialektit, për ta bërë poezi. Lëndën e parë e kthen në krijim që jep kënaqësi estetike dhe intelektuale. Fjala që vjen e vetme si grimcë bëhet valë në ndërveprim me të tjerat, në frazë, në varg, apo në strofë.

Paleta gjuhësore e poezisë së tij është pasuruar vazhdimisht. Fjala e duhur kërkohet e nderohet prej Hamitit.

Ai është mjeshtër i formës, të cilën s’e bën assesi uniformë, siç e bëjnë poetët kur u shterr fuqia e invencioni krijues ose u humb apetiti për poezi.
Sabri Hamiti e di se shkrimtari traditën nuk e trashëgon, por e fiton (merr) me punë, me lexime e rilexime. Tradita është e gjallë, organike, siç e ka dëshmuar T. S. Eliot, poet dhe studiues i letërsisë, në eseun e vet “Tradita dhe talenti individual“ para njëqind vjetësh.

Poezia e Sabri Hamitit është në dialog me poezinë e kaluar, me trashëgiminë, si kombëtare ashtu edhe botërore. Ai bëhet poet me kujtesën kulturore e historike të dijetarit.
Hamiti ka ruajtur impulsin lirik. Muza është pjekur me poetin, ende në kërkim të jetës së fshehtë të gjuhës. Kumbimet e jetës e zërat e dijes orkestrohen në poezinë e tij.

Gjithë letërsinë e tij e lidh fuqia e tij e figurimit në poezi, në prozë e në dramë, por edhe në studimet letrare.
Parashtresat e gjera sintetike për letërsinë e bëjnë Sabri Hamitin mendimtar. Mirëpo kjo nuk e pengon të jetë interpretues e kritik para së gjithash. Interpretues ka shumë, të mirë ka pak. Dijetarët janë të rrallë.
Sabri Hamiti nuk i nënshtrohet asnjë teorie, asnjë metode studimi, ndonëse i ka studiuar rrënjësisht dhe i njeh mirë. Nëse ka një metodë, ajo është metoda e tij, vetanake. Në kohën kur Teoria (me germë të madhe!) ka zëvendësuar studimin e letërsisë në Perëndim në dekadat e mbrama të shekullit XX, Hamiti i ka mbetur besnik të dytës, studimit, kritikës, interpretimit, atëherë e tani. Gërshetimi i kritikës me interpretimin, puna e ngulmët me tekstin që analizon, është kredoja e tij si studiues letërsie.

Natyrisht, ai vetë, bashkë me kolegë të tij në Prishtinë, ka bërë punë të madhe për rimarrje të fijeve të këputura të letërsisë shqiptare, mbasi dogma e Realizmit Socialist në Shqipëri kishte shkretuar letërsinë dhe studimet për letërsi atje; kishte gjymtuar Historinë e Letërsisë Shqipe.

Edhe kur duket se thotë fjalën e mbramë për ndonjë autor, vepër, apo fenomen letrar, Sabri Hamiti nuk vë pikë. Mbetet aty, nëse edhe të tjerët e lënë aty.

Shkruan bukur, hirshëm për letërsinë.

Sabri Hamiti është kuptues i letërsisë, përdallues i të veçantave dhe i përhershmërive. Këtë kuptim të letërsisë ai e ka vënë në punë jo vetëm në fushën dijetare/studimore, por edhe në veprimtarinë pedagogjike, si profesor e autor librash për mësim të letërsisë tash e një çerek shekulli.

Si anëtar i Komisionit Kombëtar punoi më 1995, në kohën kur Kosova ishte nën okupim, për njësimin e programeve shkollore të lëndëve nacionale dhe për hartimin e teksteve të përbashkëta për të gjitha shkollat shqipe në Kosovë e në Shqipëri.

Për veprën e tij, për letërsi e veprimtari kombëtare, Sabri Hamiti është dekoruar me “Medaljen e Artë të Lidhjes së Prizrenit” nga Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova më 2003. Në 60-vjetorin e lindjes, më 2010, Presidenti i Shqipërisë Bamir Topi i ka akorduar “Urdhrin Gjergj Kastrioti Skënderbeu”. Po atë vit, Hamiti mori Çmimin kombëtar “Azem Shkreli”, për vepër jetësore në fushën e letërsisë, nga Ministria e Kulturës e Kosovës.

Jeta e njeriut dhe e shkrimtarit Sabri Hamiti është dëshmi se jeta e njeriut të dijshëm e të ndjeshëm është vetëflijim i vazhdueshëm. Sabri Hamitit është dëshmi për jetën e jetuar e të përmbushur me pasion e moralitet. / KultPlus.com

“Gjithmonë kur merr ngricë, sjellim ndërmend emrin Tënd”

Poezi nga Sabri Hamiti

Gjithmonë kur merr ngricë
Sjellim ndërmend emrin Tënd,
Atë të parin dhe atë tjetrin,
Mundohemi t’ua mësojmë fëmijëve.

Nga terri i kohës dalin emrat,
Nishi, Kruja, Albulena e Berati.
E prapë dy emrat: i pari, i dyti
Njëri për veten, tjetri për tjerët.

Gjithmonë kur merr ngricë
Sjellim ndërmend emrin Tënd.
Të gjallë, të mjerë. Sa vlen jeta
Kur mbahet fryma me kujtime?

Fëmijët, që emrat i kapin shpejt,
Nuk donë vetëm kaq, donë më shumë,
Ata donë jetën, një emër për veten,
Fëmijët që nuk rriten nga kujtimet.

Gjithmonë kur merr ngricë
Sjellim ndërmend emrin Tënd,
Kur shurdhësinë e fellë, të pafund
E prishin lehjet e qenëve natën.

Një emër për veten e për të tjerët,
Qoftë edhe duke arrnuar jetën
Lypin fëmijët kur e rrisin shtatin.
Ata s’njohin kujtime, po ëndrra.

Nga përmbledhja me poezi “Leja e njohtimit 1985”, Rilindja, Prishtinë, 1985. / KultPlus.com

Nexhmije Pagarusha

Poezi nga Sabri Hamiti

Jeta nuk është këngë,
as fustan i qëndisur –
mish i gjallë e gjak.

Sekush do një copë bukuri
të fshehë huqet e veta…
Edhe qorri, edhe shurdhani.

E gjithkujt po si e kurrkujt:
madhështitë e drunjta
pijnë ujë në pusin e ëmbël.

Del në derë me sy të njomë
ndihet jehonë e Bareshës,
Rexha nën patkonj të kalit.

Kënga s’ia çon bishtin kandarit!
Ankthi ngjitet në qiell.
Mish i gjallë e gjak.

Trungu ilir, 1979

Në Ulqin organizohet mbrëmje letrare me poetin dhe studiuesin, Sabri Hamiti

Art Club-i i Ulqinit në kuadër të edicionit të 27-të të Kalimerës Poetike “Basri Çapriqi”, organizon mbrëmje autoriale me poetin e studiuesin e letërsisë, Sabri Hamiti.

Për krijimtarinë e Sabri Hamitit do të flasë profesori e publicisti, Dr. Mark Marku. Poezi të autorit do të deklamojë aktori Simon Shkreli, ndërsa mbrëmjen do ta moderojë Liridona Sinishtaj. 

Akademik Sabri Hamiti njihet për studimet e tij në fushën e letërsisë shqipe,dhe për shkrimet në lëminë e kritikës letrare. Por, edhe për shkrimet e tij në roman dhe poezi.

E hënë, 29 korrik, Muzeu në Kalanë e Ulqinit, ora 21.00 / KultPlus.com

Letërsia bashkëkohore në veprën “Testamenti” të Sabri Hamitit

Elhame Demi

Testamenti’ është vepra më e re e studiuesit Sabri Hamiti, e cila përmban shkrime kritike për letërsinë shqipe, si dhe është vepër që na ndihmon në krijimin e një kritike të re për letërsinë. Ky studim apo reflektim i ri me shkrime kritike, na vie me koceptin e thellë të trashëgimisë, dhe si një testament në kuptimin e asaj që u lihet lexuesve në duar, si vlerë e trashëgueshme.

Në analizat e tekstit dhe në përkufizimet krijuese kemi një kontakt të dyfishtë, nga njëra anë me poetin dhe dukurinë letrare, ndërsa nga ana tjetër njihemi me përceptimin shpesh të pazakontë të studiusit Sabri Hamiti.

Libri Testamenti ndahet në tri pjesë: Lirika shqipe, leksione dhe testamenti.
Në pjesën e tretë “Testamenti” përfshihet letërsia filolobiblike, romantike, moderne, bashkëkohore dhe historia e letërsisë.

Letërsia bashkëkohore përfshin letërsinë shqipe në Shqipëri, Kosovë e diasporë të gjysmës së dytë të shekullit XX.
Letërsia e kësaj periudhe kaloi nëpër shtigje të vështira, duke u detyruar të kufizohet brenda metodës së realizmit socrealist. Pati edhe autorë të shumtë që krijimtarinë e tyre u detyruan ta ndërprenin për periudha të ndryshme kohore.

Këtë pjesë studimore me vizion gjithëpërfshirës Hamiti e fillon me një studim të hollë bërë karshi autorëve më të qëndrueshëm të kohës, duke theksuar që veprat letrare arrijnë t’i rezistojnë kohës, pavarësisht që fshesa e rrafshimit kolektiv, komunizmi, kishte përmbysur autoritetet letrare të epokës pararendëse.
“Fishta ka vdekur më 1940. Me fshesën e rrafshimit kolektiv me kriter të karikaturimit provincial, komunizmi përmbys autoritetet letrare të epokës pararendëse. Mid’hat Frashëri e Koliqi emigrojnë, Lasgushi e Kuteli heshten, Vangjel Koça mbytet, Haxhiademi e Floqi burgosen, Prenushi e Anton Harapi burgosen e vriten. Autorët e rinj, të artikuluar, të periudhës pararendëse konvertohen në metodën letrare” shkruan Hamiti. (Testamenti, f.351)

Letërsinë shqipe në dy dekadat e para e zotëronin fryma të ndryshme, siç ishin: lufta çlirimtare, utopia e përparimit, internacionalizmi, si dhe nënvizime të forta të ideologjisë komuniste.

Shkrimtari më i famshëm i letërsisë bashkëkohore shqipe, i cili gëzon edhe njohje ndërkombëtare është Ismail Kadare (1936), i cili me romanin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”(1963), krijoi përmbysje të habitshme duke krijuar shpirtin liridashës të popullit shqiptar. Kadare shkroi e botoi edhe vepra të tjera, që për letërsinë shqipe patën një vlerë të jashtëzakonshme, sepse në to trajtoheshin tema të ndryshme të aktualitetit shqiptar me referenca reale-historike, poashtu ai mes tjerash kritikoi edhe psikologjinë provinciale dhe traditat prapanike. Kadare është poashtu shkrimtar i propozuar për Nobel.

Plejadën e autorëve në këtë pjesë e përbëjnë edhe shumë emra të tjerë të autorëve siç janë: Jakov Xoxa, Dritëro Agolli, Bilal Xhaferri, Kasëm Terbeshina, Fatos Arapi e shumë të tjerë.

Edhe në Kosovë letërsia bashkëkohore kishte nisur të shkruhej e të botohej, autorët që nisën të botonin të parët ishin: Esad Mekuli, Martin Camaj e Hivzi Sulejamani në vitet 50-të.

“Këta autorë duke pasur përvojën letrare të periudhës së përparme, bëhen referencë për brezat e ardhshëm. Kjo letërsi e nisur si adhurim për kulturë e arsim, nëpër decenie shpalos mënyra krijimi, duke arritur kështu deri në krijimin e një letërsie me vlera estetike. Kalon nga letërsia e utilitaritetit te letërsia e literaritetit, që është provë e modernitetit letrar shqiptar” shkruan Hamiti. (Testamenti, f.354)

Gjatë viteve të 60-ta artikulohet një brez shkrimtarësh të shkolluar për letërsi. U rrit numri i krijuesve dhe veprave letrare. Kështu dalëngadalë në letërsinë shqipe filloi të depërtojë fryma e drejtimeve dhe e ndjeshmërive të reja krijuese e letrare.

Poashtu edhe kritika letrare pati një zhvillim të hovshëm gjatë kësaj periudhe. Duke njohur situatën delikate nëpër të cilën zhvillohet dhe funksionon kritika letrare, duhet vlerësuar kontributi i saj, që vazhdon të jetë i pranishëm edhe në ditët e sotme. Kritika letrare ka historinë e vlerave të krijuara dhe përcjellësit e këtyre vlerave mbeten personalitetet më të çmuara të botës shqiptare. Sabri Hamiti kritikët letrar i konsideron si njerëz me virtyte shumë të larta dhe më të shquarit në këtë fushë ai cilëson: Ali Aliun, Rexhep Qosjen, Mensur Arifin, Ibrahim Rugovën, Rexhep Ismajlin, Agim Vincën si dhe Sabri Hamitin.

Letërsia gjatë periudhës së krijimit kontrollohej e censurohej nga shteti, si pasojë e rrethanave politike. Hapësirat në të cilat shkruhej letërsia e asaj kohe ishte mjaftë e ngushtë. Poashtu edhe komunikimi i autorëve dhe i librave është bërë me shkëputje. Mirëpo me kalimin e kohës, letërsia filloi të shfaqej më e hapur. Liria në shkrim solli një dyndje veprash letrare, por jo të gjitha ishin në nivelin e pëlqyeshmërisë./KultPlus.com

Promovohen librat “Testamenti” dhe “Kukuta e Sokratit” nga Sabri Hamiti

Sot është bërë promovimi i dy librave, “Testamenti” dhe “Kukuta e Sokratit”, të shkruara nga autori Sabri Hamiti.

Sipas akademikëve Ali Aliu e Rexhep Ismajli, këto libra janë me vizion gjithëpërfshirës. Sipas tyre, “Testamenti” është vepër studimore. Ndërsa “Kukuta e Sokratit” është libër me poezi, njofton Klan Kosova.

Përurimi i këtyre dy librave është bërë në hapësirat e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës.


“Pasioni”, bashkëdyzimi mes mitologjisë dhe modernes erdhi mbrëmë në TKK

Gili Hoxhaj

Mbrëmë në skenën e madhe të Teatrit Kombëtar të Kosovës, erdhi premierë shfaqja “Pasioni”, me tekst të Sabri Hamitit e regji të Martin Kočovckit, shkruan KultPlus.

Pamja e kësaj skene fillimisht vjen e mjegulluar, duke i lenë kështu të paidentifikuar personazhet e shfaqjes. Ata do të shfaqen më pas e jo dhe pak herë gjatë shfaqjes do të nisin në kor refrenin që nis me fjalët “Na duhet gjak”. Ata jetojnë në një tokë të djegur katër herë nga lufta e si e tillë qëndrojnë në plagët qindravjeçare. Në një vend ku kanë mbetur gjurmët e pashlyeshme të luftës, aty ku përditshmëria karakterizohet nga shtëpitë e djegura, fëmijë jetim e gra të përdhunuara. Në një vend në të cilin gjithçka merret si e mirëqenë, për ta përshkruar kështu masën amorfe në të cilën individët nuk kanë emra e as individualitet, një botë ku njerëzit janë shndërruar në numra përbrenda një jete virtuale, pa emocion, pa respekt e pa dashuri.

Dy vëllezër binjak qëndrojnë peng i një historie të pa rrëfyer për njëzetë vite, e në qendër të tyre qëndron nëna e tyre (Hana), e cila rrëfen vuajtjet për ta mbajtur gjallë familjen.

Regjisori i shfaqjes Martin Kočovcki tregoi për KultPlus se fillimisht ishte impresionuar nga teksti dhe kishte menduar që do të nxjerrë diçka të veçantë, por me kalimin e kohës e kishte kuptuar që teksti nuk ishte edhe aq i thjeshtë por gjatë punës me gjithë ekipin thotë se e kanë gjetur mënyrë për të sjellë diçka të veçantë.

“E gjithë shfaqja ka për qëllim të nxjerrë në pah se jeta jonë është si një rreth, ne jetojmë në kohë të paqes por gjithnjë shqetësohemi edhe për kohën e luftës. Le ta jetojmë kohën e paqes, le ta gjejmë atë që kemi brenda vetes dhe kështu mund t’i shtyjmë të këqijat që vijnë”, ishte mesazhi i regjisorit Kočovcki.

Loja e kësaj shfaqje u jetësua nga aktorët: ShkëlzenVeseli, Gresa Pallaska, Ard Islami, Arta Selimi, Shpejtim Kastrati, Ismet Azemi, Lumnie Sopi, Semira Latifi dhe Shengyl Ismaili.

Për regjisori Kočovcki, kjo është hera e dytë që punon me aktorët e Teatrit Kombëtar të Kosovës, por shfaqjet e tij kanë ardhur edhe më parë në Kosovë, gjë që ka bërë që disa nga aktorët të njoftohen me punën e tij. Ai tha për KultPlus se ndihet i kënaqur me punën e aktorëve të Kosovës dhe se ndihet i vlerësuar për ftesën që të punoj me ta.

“Përkundër që kam punuar në shumë vende të Ballkanit dhe Evropës, me sinqeritet e them se ansambli i këtyre aktorëve është një nga më të mirët, një nga tre ansamblet më të mira në Ballkan, andaj dhe e vlerësojë shumë që kam qenë i ftuar të punoj këtu me ta”, u shpreh regjisori Kočovcki.

Për aktorin Shkëlzen Veselin, kjo është hera e dytë e bashkëpunimit me regjisorin Kočovcki. Ai në këtë shfaqje e sjellë një nga rolet kryesore, atë të Ukit, një ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që kalon nga mitologjia, si linjë e gjakut prej Mujës së mitologjisë e deri tek Uki. Ai tha për KultPlus se kjo shfaqje është një bashkëdyzim i mitologjisë dhe kohës moderne, aty ku ka ndodhur lufta e fundit. Ai krahas të tjerash gjatë shfaqjes ballafaqohet edhe me vëllanë, që për shumë vite e kishte konsideruar si djalë të tezës. Në këtë përballje ata kuptojnë se të dy janë të fiksuar pas të njëjtës femër.

Aktori Veseli tregoj se procesi i provave deri tek finalizimi i shfaqjes ka rrjedhë shumë mirë për kundër problemeve me hapësirën në Teatër, për shkak se kanë filluar edhe disa projekte të tjera, në të njëjtën kohë.

“Është një punë dy mujore e gjysmë, procesi ka qenë mjaft i mirë edhe për faktin se është hera e dytë që po punoj me Martinin . Të punosh me të është një ndjenjë shumë e mirë, pavarësisht lodhjes e ndjen dhe një kënaqësi për shkak se evoluon puna çdo ditë e më shumë”, tregoi aktori Veseli.

Regjisori Agim Selimi tha për KultPlus se kjo shfaqje ishte shumë e qëllueshme, ndërsa veçoi lojën e aktores Gresa Pallaska.

“Mendoj që ishte kapur thelbi i një lloj autobiografie dhe një lloj kalvari në të cilin kemi kaluar ne. Mendoj që edhe regjisori kishte arritur të krijoi një dramë prej dromcave skenike dhe ishte brilante Gresa Pallaska. Mendoj që është një shfaqje në të cilën dominoj, pa lënë anash edhe lojën e aktorëve të tjerë”, tha regjisori Selimi për KultPlus.

Repriza e parë e kësaj shfaqje vjen sonte më 20 mars, duke filluar nga ora 20:00. / KultPlus.com

Premiera e “Pasioni”-t të Sabri Hamitit, i dedikohet iniciativës për Bekim Lumin

Teatri Kombëtar i Kosovës ka kënaqësinë të ju njoftojë lidhur me shfaqjen “PASIONI” nga Sabri Hamiti dhe me regji nga Martin Kočovcki e cila vjen si Premierë përpara publikut me datën 19.03.2018 (E hënë) ora 20:00, dhe do të përcillet me dy reprizat e para në ditët në vijim me datë 20 dhe 21.03.2018.

Në vazhdën e aktiviteteve kulturore që po organizohen nga Komuniteti i Artistëve të Kosovës për ta ndihmuar financiarisht shërimin e njërit prej artistëve më eminent të kulturës sonë dhe të skenës teatrore në veçanti, regjisorit dhe profesorit Bekim Lumi, Këshilli Drejtues në bashkëpunim të ngushtë me Menaxhmentin e TKK-së kanë marrë vendim që të hollat e mbledhura nga shitja e biletave për Premierën “Pasioni” t’i dedikohen kësaj iniciative. Bileta për premierë do të kushtojnë 5€. Teatri Kombëtar i Kosovës i ka vënë biletat në shitje në dispozicion të publikut të gjerë andaj ju fton që të jeni pjesë e kësaj ngjarjeje kulturore duke e ndihmuar dhe duke i uruar bashkërisht Bekim Lumi rikthimin e tij të plotë në jetën normale dhe profesionale.

“Shfaqja “Pasioni” zhvillohet si një strukturë e ndërthurur dramaturgjike mes dy vëllezërve bijakë dhe një nëne, Hana, që mbledhin gjithë fuqinë jetësore duke u përpjekur për ta rikonstruktuar botën e dashurisë, botën e emocioneve të thella, raporteve të vlerave, refuzimin karshi vdekjes së paevitueshme nga njëra anë, dhe botës së dehumanizuar të shtrirë si shoqëri e uniformuar, masë amorfe në të cilën individët nuk kanë emra e as individualitet, një botë ku njerëzit janë shndërruar në numra përbrenda një jete virtuale, pa emocion, pa rrespekt, pa dashuri. Një bote në të cilën shitet gjithçka, një botë e kriminalizuar dhe e materializuar deri në çmenduri.”

Luajnë: Shkelzen Veseli, Gresa Pallaska, Ard Islami, Arta Selimi, Shpejtim Kastrati, Ismet Azemi, Lumnie Sopi, Semira Latifi, Shengyl Ismaili.


Produksion i Teatrit Kombëtar të Kosovës
Autor: Sabri Hamiti
Regjisor: Martin Kočovski
Skenografe dhe Kostumografe: Youliana Voykova – Najman
Kompozitor: Oliver Josifovski
Dizajni i ndriçimit:
Kori i SH.M.M “Prenkë Jakova” – Prishtinë

Shfaqja ‘Pasioni’ vjen me premierën e saj në 19 mars

Teatri Kombëtar i Kosovës ka kënaqësinë të ju njoftojë lidhur me shfaqjen “PASIONI” nga Sabri Hamiti dhe me regji nga Martin Kočovcki e cila vjen si Premierë përpara publikut me datën 19.03.2018 (E hënë) ora 20:00, dhe do të përcjellet me dy reprizat e para në ditët në vijim me datë 20 dhe 21.03.2018.

Në vazhdën e aktiviteteve kulturore që po organizohen nga Komuniteti i Artistëve të Kosovës për ta ndihmuar financiarisht shërimin e njërit prej artistëve më eminent të kulturës sonë dhe të skenës teatrore në veçanti, regjisorit dhe profesorit z. Bekim Lumi, Këshilli Drejtues në bashkëpunim të ngushtë me Menaxhmentin e TKK-së kanë marrë vendim që të hollat e mbledhura nga shitja e biletave për Premierën “Pasioni” t’i dedikohen kësaj iniciative. Bileta për premierë do të kushtojë 5€. Teatri Kombëtar i Kosovës që nga sot i ka vënë biletat në shitje në dispozicion të publikut të gjerë andaj ju fton që të jeni pjesë e kësaj ngjarjeje kulturore duke e ndihmuar dhe duke i uruar bashkërisht z. Bekim Lumi rikthimin e tij të plotë në jetën normale dhe profesionale.

“Shfaqja “Pasioni” zhvillohet si një strukturë e ndërthurur dramaturgjike mes dy vëllezërve bijakë dhe një nëne, Hana, që mbledhin gjithë fuqinë jetësore duke u përpjekur për ta rikonstruktuar botën e dashurisë, botën e emocioneve të thella, raporteve të vlerave, refuzimin karshi vdekjes së paevitueshme nga njëra anë, dhe botës së dehumanizuar të shtrirë si shoqëri e uniformuar, masë amorfe në të cilën individët nuk kanë emra e as individualitet, një botë ku njerëzit janë shndërruar në numra përbrenda një jete virtuale, pa emocion, pa rrespekt, pa dashuri. Një bote në të cilën shitet gjithçka, një botë e kriminalizuar dhe e materializuar deri në çmenduri.”

Produksion i Teatrit Kombëtar të Kosovës
Autor: Sabri Hamiti
Regjisor: Martin Kočovski
Skenografe dhe Kostumografe: Youliana Voykova – Najman
Kompozitor: Oliver Josifovski
Dizajni i ndriçimit:
Kori i SH.M.M “Prenkë Jakova” – Prishtinë

Luajnë:
Shkelzen Veseli
Gresa Pallaska
Ard Islami
Arta Selimi
Shpejtim Kastrati
Ismet Azemi
Lumnie Sopi
Semira Latifi
Shengyl Ismaili

Martin Kochovski rikthehet edhe njëherë në TKK, jetëson “Pasioni” e Sabri Hamitit

Gili Hoxhaj

Viti 2016-të, në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës, solli para publikut prishtinas shfaqjen me tekst të Teki Dervishit e regji të Martin Kochovskit “Eshtrat që vijnë vonë”. Kjo shfaqje ka korrur mjaft suksese, udhëtoi në disa festivale ndërkombëtare dhe fitoi disa çmime. E pas dy vitesh, Martin Kochovski, regjisori maqedonas që bëri goxha shumë bujë me shfaqjen “Eshtrat që vijnë vonë”, kthehet në Teatrin Kombëtar të Kosovës, për të inskenuar tashmë tekstin e Sabri Hamitit “Pasioni”.

Në sallën e leximit të TKK-së, veç është përzgjedhur kasta që do ta jetësoj këtë vepër dhe ka nisë leximi i tekstit të Sabri Hamitit. Për këtë gjë, KultPlus, ishte në një ditë të provave në Teatrin Kombëtar të Kosovës, për të biseduar nga afër me regjisorin Martin Kochovski, për shfaqjen e re që pritet të ngjitet në skenën e madhe të Teatrit Kombëtar të Kosovës, në fillim të muajit mars.

Koncepti i shfaqjes “Pasioni” është të pyeturit e vetes lidhur me kuptimin e luftës dhe sakrificat që bëhen për qëllime e ideale më të mëdha. Shfaqja vë në pikëpyetje se sa ia vlen të bëhen sakrifica të tillë. Do të jetë një shfaqje dinamike, e cila ka një lojë intensive, loja e aktorëve ecën me hapa të shpejt duke mos i lënë vend monotonisë.

Krejt si fillim të këtij rrëfimi regjisori maqedonas Martin Koschovski thotë se ndihet i mahnitur nga përkushtimi dhe profesionalizmi i aktorëve të teatrit në përgjithësi.

“Komunikimi me aktorët është më të vërtetë i shkëlqyer dhe unë shpeshherë e them se janë dy ansamble, unë kam punuar në disa shfaqje në disa vende të Ballkanit, e në disa vende të tjera të Evropës dhe mund t’i shoh vetëm dy ansamble të aktorëve, një në Maqedoni dhe një në Kosovë. Unë jam i kënaqur me punën e të gjithëve këtu dhe secili në këtë teatër është një aktor i mirë”, tregoi fillimisht për KultPlus, regjisori Kochovski i cili vazhdoi tutje të tregoi, se ideja e shfaqjes ka ardhur në mënyrë shumë spontane ndërsa, pasi që, ai kishte lexuar tekstin nuk kishte hezituar të vijë sërish në Kosovës për ta punuar një shfaqje të radhës.

“Kur e lexova tekstin më është dukur e ngjashme me pjesët e mija. Sabri Hamiti është si të thuash Gabriel Garcia Marquezi shqiptar, kjo vepër është shumë bukur e shkruar. Në anën tjetër jam i mahnitur nga ansambli i këtij teatri dhe nga profesionalizmi i këtij teatri dhe kjo është arsyeja që unë menjëherë e pranova rolin e regjisorit në këtë shfaqje”, është shprehur regjisori Kochovski.

“Pasioni”, do të jetësohet nga aktorët: Arta Selimi, Ard Islami, Shkëlzen Veseli, Semira Latifi, Ismet Azemi, Lumnije Sopi- Mucaj, Gresa Pallaska, Shpëtim Kastrati e Shengyl Ismaili.

Sa i përket pritshmërisë së regjisorit për këtë shfaqje, se a do të jetë e suksesshme ashtu siç ishte edhe “Eshtrat që vijnë vonë”, Martin Kochovski, tha për KultPlus, se “Pasioni” do ta tejkalojë atë.

“Kjo shfaqje do të jetë një nivel më të lartë se shfaqja e kaluar, e kam këtë ndjenjë dhe ambiciet e gjithë ekipit janë të tilla”, pohoi Kochovskit.

Ai krejt në fund tregoi se bashkëpunimi me skenografen Juliana Voykova, me kompozitorin Oliver Josifovski dhe aktorët do të sjellin një shfaqje që do ta kënaq publikun.

“Pasioni”, është projekt i trashëguar i vitit 2017-të dhe që inskenohet në TKK në këtë vit. Shfaqja, pritet të dalë me premierë në fillim të muajit mars, ndërsa pas saj, pritet të nisin projektet e miratuara për vitin 2018-të./ KultPlus.com