Parashikimi i frikës

Nga Sali Bashota

Mos e hap derën
Brenda është frika
Gjithçka mund të ndodh
Për një fije floku
Me një fije shkrepëse
Pas pak digjet
Xhelozia e ëndrrave të bukura
Ndonjë pëshpëritje zilie
Në veshin e djathtë
Për çudi mahnitemi
Nga ai zjarr i madh
Pa filluar ende mrekullia
Për më shumë fantazi
Mos e hap derën
Asnjë shenjë tjetër
Nuk krahasohet me heshtjen
Si zakonisht fjala e parë
Thuhet në vend të fjalës së fundit
Në çdo mëngjes të pazakonshëm
Sa herë nis rrëfimi për vetveten
Pse në këtë botë ekzistojnë ngjyrat
Për ta pikturuar amshimin
E bardha si këmisha e lotve
E zeza si mëkati
E kuqja si buzët e lumtura
E verdha si trëndafilat e tharë
E kaltra si sytë e mi
Mjaftojnë vetëm këto
Dhe thellësia e admirimit
Ndoshta prapë mahnitemi
Deri në çastet e fundit
Pa mbaruar kurrë pendimi

(Prishtinë, 21 prill 2022) / KultPlus.com

Fundi i harrimit

Poezi nga Sali Bashota

Një ditë do ta harroj afshin
Si shiun e fundit të verës
S’do ta kujtoj më çastin
Kur më prisje në prag të derës

Një ditë do ta harroj shikimin
Bashkë me lamtumirën e shuar
Rrudhat e ballit e ndiejnë trishtimin
Si disa zogj të pikëlluar                                                 

Ndoshta do ta harroj hidhërimin
Derisa nuk bëhet shumë vonë
Dikush s’e kupton kurrë trazimin
Por është i çuditshëm gjithmonë

Një ditë do ta harroj heshtjen
Duke u përpëlitur mbi valë
Ndoshta s’është fjala për buzëqeshjen
Por për secilën ëndërr për secilën fjalë

Nëse e harroj edhe dashurinë
Asgjë nuk do të jetë si dikur
Kush do ta shkruajë librin për vetminë
Kur ndjenjat ngulen si gozhda në mur

(Prishtinë, 14 prill 2022)./ KultPlus.com

Hutimi

Nga Sali Bashota

Në tavolinën afër xhamit të thyer
Të dy ulen me buzë në gaz
Ajo shikon akrepat e orës
Ai tund kokën
Çdo hollësi tjetër është e tepërt

Në tavolinën përballë
Dy të dashuruar cakërrojnë gotat
Dhe ia ngulin sytë njëri-tjetrit
Derisa mbaron rituali
I shtrydhjes së buzëve

Diku afër banakut
Një poet reciton poezi për kafshët
Në dorën e djathtë mban çelësin
Trëndafilin e kaltër në dorën e majtë
Çdo krahasim tjetër është si nata

Imazhet luajnë me vetveten
Asgjë më nuk është e dehur
Pas pak këputet filli i ëndrrës
Nga hutimi i syve
Merr fund akti i zilisë

(Akti i frymëzimit: San Diego, korrik 2005. Shkruar më 8 prill 2022) / KultPlus.com



Eshka

Poezi nga Sali Bashota

ESHKA

Bënim shtëpiza
Si thnegla përgjakeshim
Duke i zbardhur drunjtë
Nuk kishim thikë Kosove
Për t’i prerë kujtimet
Për të bërë pak jetë në halucinacione
As eshkë për ta ndezur shpirtin
Po ajo ish vetë Lugina e Vdekjes
Gjaku dhe mishi i trupit kundërmonin
Në skenën e vuajtjes
Kur nuk udhëhiqeshim më nga instinktet
Ëndërronim tokën e varrit
A do të na mbulonte bari
Për ta ndriçuar të vërtetën
Kobin se thika shkëlqente në fyt
Lamtumira e atdheut
Zhveshte rrobën e zezë të pikëllimit
Dhe kur vinte çastndarja
Fushë e shkretë ulërinte
Po ajo ish vetë Lugina e Vdekjes
Nuk kishim thikë Kosove
Për t’i prerë kujtimet
As eshkë për ta ndezur shpirtin
As kohë për të vdekur

( Bllacë, 4 prill 1999)

Mbi portretin krijues të poetit dhe intelektualit utilitar të shekullit XX

Veprimtaria e shkrimtarit vështruar në disa domene, realizimi formal-përmbajtësor shpesh konsistent me përbrendësimin e aktualitetit, shkrimtari midis angazhimit nacional e human dhe vetëdija krijuese progresive janë aspekte kruciale që përbëjnë objektin e “Orës së shkrimtarit 2”, përmbledhje e shkrimeve të rastit të plejadës së studiuesve të decenieve të fundit.

Duke pasur për kriter kryesisht kronologjinë e shfaqjeve të autorëve si: Latif Berisha, Enver Gjerqeku, Azem Shkreli e Din Mehmeti qoftë në domenin poetik, publicistik apo edhe intelektual, vepra shpalos portretin që ata tashmë kanë formuar si identitete të pakapërcyeshme në letërsinë shqipe. Subjektet folëse në të vërtetë ndërtojnë kushtimisht një relacion më përmbledhës me objektet që trajtojnë kuptuar krejt natyrshëm kur dihet vetë kufizimi që ofron ideja e shkrimit të rastit. Të kuptuarit në esencë i aspektit aksiologjik të veprës e qenësisë së shkrimtarëve në kohën kur shkruajnë dhe vetë predestinimi i tyre për t’u bërë eminentë në fushën e kulturës dhe letërsisë shqipe bëhen pikat themelore ku takohen qasjet e studiuesve.

1.Aspekte të produksionit poetik dhe stilistik te vepra e Berishës, Gjerqekut dhe Shkrelit

(Sali Bashota, Milazim Krasniqi dhe Naime Beqiraj)

Në vështrimet e këtyre studiuesve bie në sy një planimetri e pasur metodash që kanë shfrytëzuar në qasjen e tyre, por është i pashmangshëm edhe fakti se ekziston një metodë dominuese të cilës ata i kanë dhënë a priorësi karshi tjerave. Njohja nga afër e figurës së Latif Berishës ka bërë që Sali Bashota të interferojë në qasjen e tij dromca të metodës pozitiviste me realizimin e një portreti më të plotë të tij duke nisur me një vështrim nga afër të asaj çka reflekton ai si karakter njerëzor, për ta nxjerrë kështu poezinë e Berishës si produkt të një shpirti të pastër, si diçka fisnike që lind po nga fisnikja.

Kjo hyrje e tij del si dytësore krahas rëndësisë që i jep Bashota vështrimit të stilit të Berishës në veprën poetike “Tufa”, diversitetit të produksionit të tij poetik me trajtimin tematik, të bukurën e universalen. Bashota shquhet me një stil detajizues e analitik në qasjen e tij çka i jep shkrimit të tij kritik një natyrë argumentuese dhe koncize.  Ai e sheh poezinë e Berishës si një poezi që asocon me kujtimin që bart në vete dhembjen dhe dashurinë si dy paralele sa përjashtuese aq edhe të njënjëshme. Tematika e vendlindjes, kënga e atdhedashurisë, natyrshmëria e vargut, kërkimi i së bukurës si sublime në lartësimin e shpirtit dhe ngritja e poezisë së Berishës  në nivel të përkushtimit dhe idealit njerëzor të cilat Bashota i specifikon si dominante në poezinë e tij dëshmojnë se ai e sheh atë si poet që frymëzimin nga lokalja arrin ta shndërrojë në përfytyrime poetike universale të fatit njerëzor.

Një qasje e ngjashme e Bashotës, pra fokusimi i tij në nivelin e realizimit formal-përmbajtësor të stilit të poetit derivohet edhe në shkrimin e tij kritik: “Lirika e Enver Gjerqekut”. Nga ky prizëm ai flet për tematikën e poezisë së Gjerqekut që tërhiqet midis dy binomeve: sociale-intime dhe histori-aktualitet. Në larushinë e poezisë së Gjerqekut, Bashota veçon poezinë përshkushtuese si tip poetik që i kontribuon vetëdijes krijuese të ngritet drejt përfytyrimeve sublime në rrafshin progresiv. Soneti si kod ligjërimor fundamental në poetikën e Gjerqekut në njërën anë dhe kontributi i Gjerqekut në kultivimin e vargut poetik shqip me gjuhën e zgjedhur figurative që ndërtojnë metaforat e avancuara poetike bëhen determinuese në përcaktimin aksiologjik që i bën Bashota vendit që zë vepra e tij në lirikën bashkëkohore shqipe.

Poezia e Gjerqekut bëhet objekt studimi edhe në fushën e rileximeve dhe rivlerësimeve të Milazim Krasniqit. Ky kritik e determinon leximin e tij aktual të Gjerqekut të ngjizur me kontaktin e parë me poezinë e tij si fëmijë, që vjen tashmë si reminishencë në përfytyrimet e tij për poetin. Çka e karakterizon kritikën e tij ndaj Gjerqekut është aplikimi konsistent i metodës formaliste gjë që del në a priorin që i jep formës në poezinë e poetit duke e cilësuar  si përmbajtje në vete dhe në përdorimin e një qasjeje që nuk e imponon mendimin, pra duke mos e dhënë si finalitet, por thjesht si një aspekt të mundshëm në vështrimin e poezisë së Gjerqekut.  Krasniqi potencon se te poetika e Gjerqekut vihet theksi në aspekte “si gjatësia e vargut, llojet e rimave, invencioni gjatë krijimi të magjistralit,etj., e më pak te informimi substancial për portretin njerëzor, moral të një figure që është tematizuar në vepër.”

Studimi i Naime Beqirajt që merret me stilin sui generis të poezisë së Azem Shkrelit, gjuhën plot finesa e stërhollime poetike të rafinuara që e ka ngritur poezinë e tij si art sipror divergjon me dy të parët, pra Bashotën dhe Krasniqin si ithtarë të një stili detajizues e argumentativ, meqë shquhet aty-këtu me reagime eseistike e konstatime në superlativen, p.sh: “e heshtura e tij nuk mbërthehet as zbërthehet, “poezia kjo mbretërishë mbretërore për të cilën ai nuk shfaqte epitete, ta zëmë princeshë, mbetet eter i tij.”

Si dominancë e stilit poetik të Shkrelit theksohet pasurimi i leksikut të vargut shqip duke përdorur si rekuizitë leksikun popullor që i shërben për konstruktimin e përfytyrimeve moderne poetike që nuk lakmon modelet e oralitetit. Beqiraj e sheh famën dhe influencën e Azem Shkrelit si tregues aksiologjik që i ka siguruar eternitetin veprës së tij duke e mbajtur gjallë në “Olimpin e ngritur, bashkë më poetët e rrallë të letërsisë shqipe.”

2.Impakti i kontekstit në formimin e personalitetit krijues të Berishës dhe Shkrelit

(Ibrahim Berisha, Avni Spahiu)

Kritika e gërshetuar me dromca eseistike e pozitiviste që dominon në qasjen e Ibrahim Berishës ndaj personalitetit krijues e intelektual të Latif Berishës shpalos lapidaritetin e kësaj figure si fenomen në një periudhë që me nevojat e angazhimit dhe çështjen kombëtare të rrezikuar vjen si reminishencë e modelit romantik. Figura e poetit Berisha reprezentohet si qenësi krijuese që nën impaktin e kontekstit sociopolitik destruktiv për njeriun dhe artin përgjithësisht, flijon nga frymëzimet personale për të gjeneruar kështu figurën e poetit intelektual të angazhuar në aktualitetin. Qasja eseistike në një anë dhe ky shtrëngim i poetit kuptohet më së miri përmes parabolës së studiuesit Berisha: “(poezia e poetit Berisha) Edhe kur shtrinë në dukje lirshëm konstruktet poetike të ndërtuara në pastërti të natyrës lokale, aty duket sikur era e shqetësimit dhe vetëkufizimit, e shtrëngon në shpirt dhe e bjen në zgripin e marrjes së frymës.” Portretin fizik kolorit të poetit e sheh si të atillë që reflekton dy tensione psikologjike të poezisë së tij: optimizmin si stimulim e besim shpirtëror dhe pesimizmin si dëshpërim introvert e ekstravert.

Studiuesi Berisha shquhet me një ton të butë dhe sugjerues në kritikën e tij spikatur përmes përdorimit të shpeshtë të vetës së dytë që e afron me audiencën të cilës i drejtohet si dhe përmes shtrimit të pyetjeve që qartësojnë objektin dhe e ftojnë lexuesin që të mbajë vëmendjen në ligjërimin e tij. Arsimimi, Kundërshtimi, Pajtimi dhe Liria të cilat studiuesi i quan preokupime tematike, nuk janë tjetër veçse aribute dhe angazhime të personalitetit të Berishës në mirëqenien e asaj çka është autentike dhe e dobishme për kombin. Çka bie në sy në këtë pjesë është toni lavdërues ndaj kontributit të tij, njohja intime me poetin, pra objektin e studimit kur tregon mbi modestinë dhe besimin që reflektonte ai në një takim me të në qytetin e Mitrovicës si dhe qasja sentimentale kur thotë “ua shëroi plagët që ndjenin deri atëherë dhembje.” Aspekt i stilit të studiuesit Berisha është edhe erudicioni që del përmes ndërfutjes së maksimave të Platonit mbi dijen si diçka e shëndoshë për shoqërinë dhe asaj të Horacit që e sheh të vetëidentifikueshme me jetën ideale të Latif Berishës: “Është e ëmbël dhe e nderuar të vdesësh për atdheun. Është ende më e ëmbël të jetosh për të.”

Një qasje të tillë koncize studimore Ibrahim Berisha do ta aplikojë edhe në shkrimin kritik “Publicistika e Azem Shkrelit: Kohë e shekullit të vocërr”, ku veçmas ndalet në dy përmbledhje të kësaj natyre që boton Shkreli nën petkun e intelektualit: “Zoti nuk është shqiptar” dhe “Muri përfundi shqipeve”. Berisha e cilëson publicistikën e Shkrelit të tipit ese, analiza opinione e intervista si vizionare për çështjet që trajton meqë sado aktuale në çështjet që trajton, zgjeron horizontin kohor të vështrimit të tyre. Pseudopatriotizmi, pseudointelektualizmi, monizmi serb, anarkizmi e nepotizmi piketohen nga Berisha si çështje në të cilat ndalet të vrojtojë, kritikojë e ofrojë zgjidhje publicistika e Shkrelit. Nga ajo çka përfshin ky vështrim i studiuesit del se ashtu si Kadare edhe Shkreli e sheh zgjidhjen te marrëveshja e shqiptarëve me vetveten, pra te tejkalimi i barrierave dhe puna në plotësimin e nevojave të tyre. Interesante në këtë pikë është se Berisha e paralelizon kohën e Shkrelit me të tijën dhe vë theksin në faktin se ato çështje që ka trajtuar publicistika e tij janë aktuale edhe për kohën e tij, pra situata kaotike nuk ka divergjuar për të mirë madje është intensifikuar në dëm të konstituimit të mirëqenë të shoqërisë e kulturës shqiptare.

Krahas Berishës që paralelizon kohën e tij më atë të objektit, në studimin e radhës “Azem Shkreli- i lidhur me fatin e njeriut dhe të atdheut” është vetë studiuesi Avni Spahiu që e situon veten si parcialitet të kontekstit kur shkruan Shkreli. Në pjesën e parë të studiuesit Spahiu interferohen biografema të Shkrelit; me të folurit në vetën e parë shumës ai përfshin bashkë me Shkrelin. veten dhe plejadën e disidencës intelektuale të viteve 90′ ta që mbronte dinjitetshëm idealin e lirisë, drejtësisë dhe tolerancës përballë faktorëve të brendshëm si: persekutimi, drama socio-politike, cenzurimi i ndjenjës dhe mendimit.”Azem Shkreli me veprën e tij jetësore e letrare, intelektualisht të angazhuar” bëhet figurë që ilustron idenë e Spahiut mbi utilitarizmin e altruizmin si virtytet më të larta të një shkrimtari dhe opusit të tij krijues.

Ashtu si Platoni, Spahiu e sheh krijimin në art si reflektim apo të lidhur ngushtë me realitetin, për rrjedhojë moralizimin, pra atë çka është e dobishme në art si primare, ndërsa të bukurën/estetikën si diçka krejt dytësore. Në pjesën e fundit të shkrimit ndjehet intimiteti i studiuesit me objektin përmes luciditetit në lavdërimin piedestal të figurës së Azem Shkrelit, madje duke e çuar deri në një shkallë mitizimi stoicizmin, vullnetin dhë këmbënguljen e tij, kur përfundon se “si poet dhe si njeri ishte qenie me fuqi të balancuara, njeri që nuk duronte pengesa përpara vetes, që shihej dhe ballafaqohej me atë që të tjerët e ëndërronin.”

3.Drama “Agu” e Din Mehmetit: çështje të zhanrit, mitit dhe karaktereve

Krahas poezisë e cila në shkrimet paraprake të studiuesve u cilësia si zhanër themelor me të cilën operojnë poetët emblematikë: Berisha, Gjerqeku e Shkreli, në studimin e Haqif Mulliqit lexuesi do të ndeshet me një konglemerat pikëpamjesh që flasin më gjerëisht duke pasur për trajtim vetëm një vepër dramatike: “Agun” e Din Mehmetit. Ai e nis shkrimin e tij me një konstatim absolut që shpalos një qëndrim aksiologjik ndaj veprës që trajton duke e cilësuar si vepër të atillë që “nuk bën pjesë në krijimtarinë më të mirë të Din Mehmetit.” Veçori kryesore e stilit të këtij shkrimtari është luciditeti përveçse në konstatime të tilla të prera dhe eksplicite edhe në titujtë sugjestivë e shpjegues të tezave.

Rifunksionalizimin e mitit të urës nga legjendat pagane, i atyre antike e biblike në kuadër të dramës së Din Mehmetit, Mulliqi e sheh në shërbim të idesë së dramës për të moralizuar mbi jetën me kundërthëniet e saj dhe fatin njerëzor në atë mënyrë që “ndjenjat e audiencës t’i shtyjë deri në ndërgjegjësim kolektiv. Pra, miti kthehet në një sistem të veçantë poetik që e ngrit në nivel gjuhën dhe qasjen spekulative të personazheve. Krahas trajtimit të mitit domeni tjetër i shkrimit kritik të Mulliqit merret me natyrën e karakterit që realizojnë personazhet në dramë. Në ndërtimin e tyre ai shquan qasjen subjektive, thënë më drejt shndërrimin e karaktereve në “objekte hetimore” të autorit duke derivuar modele të njeriut që i nënshtrohet në vazhdimësi transformimeve në kontakt me të tjerët dhe pamundësinë e njeriuit që t’i kundërvihet fatit dhe fakticitetit si determinues të ekzistencës së tij.

Mulliqi në një pjesë të mirë merret me realizimin e zhanrit dramatik në veprën e Din Mehmetit, duke e cilësuar si një zhanër të papërfunduar për dy arsye: në rend të parë për përmbajtjen e elementit epik me kanunin si pikëreferim për personazhet çka e rrudh dramatikën brenda veprës dhe e orienton drejt një zhanri jo të pastër, si dhe për faktin se ajo si vepër nuk jeton në kohën zero, pra nuk ka përcjellë evoluimin e teatrit dhe dramaturgjisë, por ka mbetur diku në mes. Krahas që studiuesi Mulliqi shquan një mozaik nëndramash që e ndërtojnë arkitektonikën e dramës “Agu” si pasuri të saj, faktin se Dini nuk e çon veprimin e personazhit deri në fund, nuk e zbërthen ndonjë enigmë, por e përballë lexuesin thjesht me një finale të përgjithësuar e specifikon si të metë të dramës që ndikon në mosrealizimin e mirëfilltë të strukturës së saj zhanrore.

Kjo plejadë e intelektualëve dhe kritikëve të decenieve të fundit bëhet treguese e një shumësie qasjesh vetanake që ngjasojnë në tipin e metodës, por divergjojnë në situimin e saj çka edhe shpalos para lexuesit vështrimin e autorëve nëpër domene të krijimit ku ata janë përfaqësues. Jo një herë është parë lidhja triadike poet-shoqëri-realitet si diçka e patejkalueshme në studimin e veprës letrare të krijuar në kronotopose dinamike. Konteksti determinon figurën e intelektualit të angazhuar për të piketuar e trajtuar çështje të aktualitetit në një anë dhe shkrimtarit që nga lokalja përpiqet të ndërtojë universalen poetike, duke shkruar shpesh poezinë me nentekst që kamuflon përmbajtjen e saj eterike për lirinë dhe humanen si reakson  ndaj një periudhë destruktive që tentoi ta shabllonojë letërsinë e artin.

Qasja me dromca pozitiviste, formaliste e zhanrore , stili që varion nga detajizimi drejt luciditetit, përskaj me vështrimin e utilitares në poezi si dicka a prior të bukurës/estetikës janë dominantat e këtyre shkrimeve kritike që me relevancën qe i japin objektit dhe segmenteve që përftojnë qenësinë e tij i kanë siguruar vetes një vend subtil në kritikën aktuale shqipe e paralelisht kanë ngritur në piedestal vlerat e shkrimtarëve të trajtuar.

Shënim: Punimi është paraqitur në lëndën “Letërsi aktuale shqipe”, që ligjërohet nga Prof. Dr. Sali Bashota, në studimet e nivelit master, Dega e Letërsisë shqipe, Fakulteti i Filologjisë, Prishtinë.

Leonora Hajra KultPlus.com

Elegji për poetin e vrarë

Poezi nga Sali Bashota

(Latif Berisha)

Trishtimi është fundi i botës
Baladë e vjetër ish vdekja testament i ndryshkur ëndrra
Thikë e prerë në fyt ligjërimi romantik
Në pragun e shtëpisë turma e korbave çmendet
Historia e shpirtit të vrarë vetëm një ofshamë lëshon
Pse e fike abazhurin të dyluftosh me përbindshat e territ
Ti ishe vetë llamba magjike
Përbindshat ta prishnin gjumin e vdekjes ta pinin gjakun
Rrudhat e ballit të thërrmoheshin deri tek ai tmerr
Trishtimi është fundi i botës

(24 mars 1999)

Kur zgjohet dhimbja

Poezi nga Sali Bashota

Dhimbja zgjohet
Kur këputen degët e ëndrrave të njoma
Pa asnjë zë
Kur digjen fjalët më të bukura të shpirtit
Pa asnjë ofshamë
Kur dridhen çastet e mërzitura të ikjes
Pa asnjë gjurmë
Dhimbja zgjohet
Sa herë trembet heshtja nga frika e natës
Pa trokitur askund
Nëse thahen pikat e lotve
Sa herë dridhen duart nga mëkati i buzëqeshjes
Dhimbja zgjohet
Nëse nuk përfundon tundimi i pritjes
Sa herë mbaron loja e fundit e fantazisë
Nëse nuk ngjallet përmallimi tjetër
Në shtegun e dallgëve të jetës
Dhimbja zgjohet
Derisa të gjitha gjethet bien në tokë
Diku afër kujtimeve të paharruara
Sa herë fjalët grinden përpara provës së zjarrit
Si gjysma e dashurisë së hidhëruar
Aty ku nuk ka dritë dielli
Dhimbja zgjohet

(18 mars 2022)./ KultPlus.com

Mëngjes marsi në Prishtinë

Shkruan: Sali Bashota

Liria bekohet kur e shikojmë njëri-tjetrin në sy
Sigurisht mirësia më nuk përmbyset
Çdo mars nuk e ka të njëjtën magji
Kur zgjohet fjala e dhimbja ngryset

Sikur të heshtim si shpirtra të druajtur
A do të ëndërrojmë pa bërë zë
Sigurisht disa kujtime tashmë janë ruajtur
“Shpejtoni ngadalë”- ka thënë Horaci- asgjë më

Në këtë ditë marsi në Prishtinë
Bora shkund dridhmat në pafundësi
Nëse prapë do ta bartim lirinë mbi shpinë
Si do ta pagëzohet kjo dashuri

Të gjithë s’e kuptojnë ftesën për flijim
Nëse kushtrimi shpërthen ashtu papritur
As shpirtrat s’e kanë më të njëjtin shëmbëllim
Çdo gjë në këtë botë është në të ikur /KultPlus.com

‘Me mbetë aty ku s’vdesin kurrë më ëndrrat’

Poezi nga Sali Bashota

PORTRET I PAMBARUAR

Për Rozafën

Asgjë nuk i kujtohet pos shushuritjes së gjetheve
Më vonë edhe fërfëllima e krahëve të zogjve
Shumë zëra në hapësirën që e përpinte flaka
Dhe avujt e shpirtit si ngjiteshin lart në qiell
Sepse ajo i kishte vetëm 365 ditë kur e përjetoi luftën
Asnjëherë tjetër nuk vinte ashtu vdekja
Fshehur nga sytë e frikës
Duke shtrënguar shpirtin me dhëmbë
Sepse ajo i kishte vetëm 365 ditë kur e përjetoi luftën
Secila klithmë e çmendur i ngjante kobit të natës
Mëngjeset prisnin fundin e ëndrrave
Sytë vetëm një ditë të re e zgjonin nga liria
Veshët vetëm një krismë e dëgjonin pa dhembje
Duart vetëm një uratë e prisnin në shiun e verës
Këmbët vetëm një ikje e ëndërronin deri në fundin e vet
Sepse ajo i kishte vetëm 365 ditë kur e përjetoi luftën
Në udhëtimin e zjarreve teksa ringjallet portreti i pambaruar
Me mbetë aty ku s’vdesin kurrë më ëndrrat

(1 gusht 1998) / KultPlus.com

E diela e fundit e shkurtit

Poezi nga Sali Bashota

E DIELA E FUNDIT E SHKURTIT

A ikim andej nga s’vjen më zemërimi
Ndoshta mund t’i besojmë vetvetes si dikur
Disa do të thonë pikërisht këtu fillon rrëfimi
Por papritmas shndërrohemi si dy hije në mur

A ikim këndej me shumë kujdes
Nuk ka më arsye për të dyshuar
Pse kjo nostalgji s’e ka më asnjë ves
Siç e kishte atëbotë ëndrra e vetmuar

Ikim andej e këndej si vetëtimë
Ndoshta prapë s’bëhet vonë
Ndjesia e lumturisë ngjan me pantomimë
E mahnitur qenka kjo parandjenja jonë

Kështu një ditë ikim papritur
Edhe kur sytë shohin tjetrën fshehtësi
Secili poet ka më shumë se një kujtim të ndritur
Por njësoj nuk është asnjëra dashuri

(Prishtinë, 27 shkurt 2022)./ KultPlus.com

“Debati për Kulturën dhe Letërsinë në kohë pandemie”, Kelmendi: Prodhimi i librave është shndërruar në një industri përfituese

Era Berisha

Projekti më i ri i titulluar titulluar “Debati për Kulturën dhe Letërsinë në kohë pandemie” i cili po zhvillohet për herë të parë nën organizimin e PEN Qendrës së Kosovës, tashmë ka shënuar natën e dytë me radhë, me ç’rast mbrëmë u zhvillua edhe një aktivitet tjetër kulturor e letrar në ambientin e KultPlus Caffe Gallery, shkruan KultPlus.

Me këtë projekt origjinal, nata e dytë solli pranë të pranishmëve debatin rreth temës ‘Botimi dhe vlerësimi i letërsisë sot’, ku për të diskutuar më thellësisht, në panel të ftuar ishin: shkrimtari dhe profesori në Universitetin e Prishtinës, Sali Bashota, prozatori, përkthyesi dhe publicisti, Binak Kelmendi si dhe moderatori Ibrahim Berisha.

Këto ngjarje të cilat gjithmonë nisin fiks në orën 17:00, kanë mbajtur pranë vetes edhe një numër të vogël të publikut i cili gjithmonë qëndron besnik ndaj këtyre aktiviteve. Andaj, për të diskutuar më gjerë për temën ‘Botimi dhe vlerësimi i letërsisë sot’, në bashkëbisedim janë bashkangjitur edhe të pranishmit.

‘Botimi dhe vlerësimi i letërsisë sot’, është një temë kjo që shpeshherë gjen rreth vetes argumente  e analiza nga më të ndryshmet nga njerëz që i përkasin fushave diversive. Duke pasur parasysh se letërsia shqiptare, sidomos në Kosovë, është një letërsi që ka nevojë për një kujdes e përkushtim më të veçantë ndaj saj, janë pikërisht këto dy pika kryesore si botimi dhe vlerësimi që prekin thellë brenda problematikave në letërsi e që shpesh mbesin të pazgjidhura për arsye të ndryshme, kurse mbrëmë ishin pikërisht ato që janë shtjelluar në vazhdim nga të ftuarit në panel.

Ndërsa, kujtojmë se të gjitha punimet e pjesëmarrësve në panel do të botohen në një libër kur të përfundojë i gjithë projekti. Në këtë projekt të përfshirë janë gjithsej 22 intelektualë që do të flasin nga kontekste të ndryshme për tema të caktuara përgjatë muajit janar dhe shkurt.

Mbrëmjen e hapi moderatori Ibrahim Berisha, i cili fillimisht nisi këtë mbrëmje duke folur pak për temën dhe rëndësinë e saj.

“Sot tema është e përqendruar në botimet, sidomos në vitet e fundit. Natyrisht që botimet e fundit sot nënshtrohen ndaj shumë dimensione nga ajo që lidhet me vetë përgatitjet në shtyp pastaj me marketingun, shpërndarjen dhe formën më të re të publikimit të veprave, forma elektronike”, thotë Berisha.

Fillimisht në këtë ngjarje për të folur nga një anë studimore për sa i përket botimeve dhe vlerësimit të letërsisë sot, përkthyesi dhe publicisti, Binak Kelmendi ka prekur qasjen e lirisë jo vetëm brenda shkrimtarëve por edhe atë të mediumeve.

“E sotmja, të paktën sipas perceptimit tim, gjithmonë duhet të ketë qenë më e vështirë sesa e djeshmja. Nuk është këtu për liri e joliri, as për kushte pushtimi e çlirimi dhe as për luftë e paqe. Fjala është për letërsi dhe për letërsinë në kushtet dhe në rrethanat tona. Për botimin e saj në ditët e sotme dhe për vlerësimin që i bëhet kësaj letërsie jo vetëm në këtë kohë pandemie. Dhe nuk ka si të mos mendohet, natyrisht, edhe për brezat që do të vijnë. Sepse edhe ata do ta kenë, të sotmen dhe të djeshmen e tyre sikur dhe të ardhmen e tyre për veprimtari krijuese”, thotë Kelmendi.

Sipas tij, letërsia, në përgjithësi, nuk ka dje dhe sot, letërsia nuk ka kohë, ajo mund të ketë vetëm vazhdimësi kohore. Prandaj, në vend të kohës, letërsia ka vetëm letërsi. Për këtë dëshmojnë më së miri autorë botërorë të mesjetës, të hershëm e të vonshëm por edhe ata nga antikiteti i kahershëm pasi që vlera artistike e veprave të tyre edhe sot konsiderohet dhe është kulminante, e ndoshta edhe e paarritshme.

“Ofrimi shkrimeve autoriale letrare te lexuesi dhe tek opinioni bëhet përmes botimit dhe shpërndarjes së veprës së shkruar. Botimi, pra, është vetë dhe vetëm finalja e krijimit të një vepre letrare. Ndërsa shpërndarja, shkuarja ose arritja e saj te lexuesi është një rrugëtim tjetër që te ne, në periudhën e pas luftës, ka qenë relativisht vështirë, ndërsa tani, në këtë kohë pandemie, nuk do mend, është bërë edhe shumë më i vështirë. Këtu nuk pse të përmendet decenia e parë e para luftës, kur pushtuesi serb kishte zhbërë të gjitha institucionet tona kulturore dhe kur kultura ndoshta ishte, apo dhe konsiderohej luks, sado që edhe në këtë periudhë të pushtimit të egër, u botuan kryevepra letrare shqiptare filluar nga Fishta e të tjerë me të cilat synohej armatosja shpirtërore për rezistencë, por edhe vepra të reja të krijuesve që për patos kishin poashtu qëndresën”, shpalos ai.

Për të, sot është e vështirë të numërohen shtëpitë botuese që botojnë libra. E me këtë edhe shtypshkronjat që i prodhojnë ato. Ai thotë se prodhohen librat, dhe këtë ai nuk e përdor vetëm në kuptimin pezhorativ. Ky prodhim librash është bërë ose është shndërruar në një industri përfituese, para së gjithash për këta botues, por, ndoshta shumë më shumë, për pronarë, poashtu, të shumtë, shtypshkronjash. Me një fjalë, veprimtaria botuese e printuese sa nuk është shndërruar në veprimtari botore.

“Portalet që në Kosovë janë me shumicë, “harrojnë” ose nduk duan ta dinë se letërsia është ushqimi shpirtëror i njeriut dhe shumë pak merren me trendin letrar në vend. Përjashtim bën portali i specializuar për çështje kulturore “KultPlus” në të cilin pothuaj çdo ditë zënë vend krijimet letrare të autorëve të gjinive të ndryshme. Këtu shpesh botohen edhe kritika, recensione e vështrime dhe vlerësime letrare për botimet më të fundit. Në disa televizione tona nacionale, ka emisione javore përgjithësisht për letërsinë dhe ato shpesh prezantojnë botimet më të reja bashkë me autorët e atyre botimeve. Ndonjë lajm, herë pas here emetohet edhe për botimin e ndonjë libri”, përfundon Kelmendi.

Ndërsa, shkrimtari dhe profesori në Universitetin e Prishtinës, Sali Bashota, foli rreth mungesës së një strategjie efikase në fushën e kulturës si dhe mungesës së mendimit kritik për librin e ri.

U bënë më shumë se njëzet vite dhe Kosova ende nuk ka krijuar një strategji të qartë dhe efikase në fushën e kulturës, edhe sa i përket botimeve dhe vlerësimit të letërsisë së vet, pothuajse, në të gjitha nivelet, mbase duke filluar nga Abetarja e deri te librat me karakter enciklopedik. Nuk do të thotë se kanë munguar përpjekjet institucionale të disa niveleve udhëheqëse, por nuk është arritur diçka e vlefshme në këtë drejtim që do të duhej të mbahej në mendje, madje të jetë edhe si pikë referimi. Edhe pse në masë jo të mjaftueshme, ndoshta i vetmi përjashtim mund të jetë Ministria e Kulturës, e cila ka arritur në një mënyrë të ofrojë përkrahje në këtë drejtim”, thotë Bashota.

Sipas tij, ka vepra të shumta me poezi, disa në prozë, tepër pak vepra me ese dhe studime letrare, disa sosh me përkthime, ndërkaq përkthimi i letërsisë shqipe jashtë vendit, pra në gjuhë të ndryshme botërore, kryesisht bëhet me nisma individuale të autorëve dhe deri më tani nuk mund të evidentohet ndonjë projekt serioz që udhëhiqet nga institucionet vendore për të prezantuar vlerat e letërsisë shqipe në mënyrë dinjitoze, kur dihet se këto vlera ekzistojnë dhe janë brenda nesh.

“Letërsia shqipe në Kosovë, pothuajse, në të gjitha periudhat e zhvillimit të saj paraqet vlera të rëndësishme në kuadrin e letërsisë shqipe në përgjithësi, edhe pse sot e gjithë ditën mungon integrimi i saj në raport me letërsinë që krijohet në Shqipëri dhe për më tepër, botimi i librit në Kosovë dhe botimi i librit në Shqipëri, mbase edhe në kohë të pandemisë janë dy botë me vete. Ka disa vite me radhë që maksimumi i tirazhit të botimit të një libri në Kosovë është pesëqind ekzemplarë. Tirazhi i një libri me gjithsej pesëqind ekzemplarë që nuk arrin të shpërndahet nëpër bibliotekat e qyteteve të Kosovës apo që nuk e gjen lexuesin e vet përmes formës së shitjes, meqë interesimi për të është minimal apo për disa libra nuk ekziston fare, tregon për anomalitë që janë të pranishme në mjedisin tonë kulturor”, shpalos Bashota.

Për të, brezi i ri letrar, sidomos lexuesi i ri në Kosovë, do ta kenë vështirë të krijojnë përfytyrimin e qartë dhe të saktë për përcaktimin e e gjykimit të tyre: për vlerat që mbesin në heshtje dhe askush nuk merret me to dhe për pseudovlerat që përpiqen ta diktojnë ritmin e kësaj shoqërie, madje jo rrallë tentojnë ta marrin primatin e vlerës përfaqësuese.

“Mendimi kritik profesional për librin e ri, pothuajse, sot mungon. Pra, kritika e përditshme në formë të recensionit, ku bëhet vlerësimi i parë nga kritikët profesionalë për botimin e librit të ri, pa dyshim, se do ta afirmonte vlerën letrare, në njërën anë, por edhe do ta pengonte në masë të madhe vërshimin e pseudovlerave në mjedisin tonë kulturor, në anën tjetër. Misioni i shkrimtarit të mirë sot është përpara një sfide, sepse asnjë shkrimtar në Kosovë, madje asnjë nuk mund të jetojë nga puna e vet në fushën e botimit dhe të shitjes së librit. Ky është një fakt për cilën ka kohë që diskutohet dhe nuk ndërmerret ndonjë veprim që së paku të krijohet një fond institucional për mbështetje financiare të autorëve që kanë kontribuar dhe kontribuojnë në afirmimin e vlerave të letërsisë shqipe”, përfundon Bashota.

Kështu krejt në fund, biseda u zgjerua edhe më shumë me bashkëngjitjen e Avni Spahiut, shkrimtarit dhe prozatorit, Ibrahim Kadriu dhe poetit Lulzim Tafa, të cilët së bashku me të pranishmit bisedën e dërguan edhe në një nivel më të gjerë e më të afërt, duke krijuar kështu një atmosferë komode mes tyre nën ngrohtësinë shpirtërore të bibliotekës së KultPlus Caffe Gallery.

Ndërkaq, projekti “Debati për Kulturën dhe Letërsinë në kohë pandemie” do të mbahet deri në fund të muajit shkurt, ku çdo të martë dhe të enjte në KultPlus Caffe Gallery, duke filluar nga ora 17:00, do të debatohet rreth temave si: Leximi dhe biblioteka, Krijimtaria letrare në periudhën e pandemisë, Komunikimi ndërkulturor, Gjuha e shkrimit letrar sot, Letërsia dhe teknologjia, Letërsia e gruas, Roli i letërsisë në periudha krizash dhe Letërsia e përkthyer.

Kujtojmë se deri më tani janë trajtuar dy tema si: Liria dhe e drejta e autorit dhe Botimi dhe vlerësimi i letërsisë sot. / KultPlus.com

S’ke me dalë nga parajsa

Shkruan: Sali Bashota

S’KE ME DALË NGA PARAJSA

(Mikut e poetit Basri Çapriqi)

Nuk ke me ikë kurrë më nga pika e ujit
As kur çmenden valët e detit
Asnjë pulëbardhë nuk do ta bartë mbi shpinë
Ëndrrën trishtuese të natës
Matanë vetmisë e këndej pikëllimit

Nuk ke me ikë kurrë më nga gjuha e zjarrit
Asnjë bimë e egër 
Nuk do të thahet nga kripa e lotëve
Në asnjë stinë të vitit
As kur piqen e bien në tokë ullinjtë 
Në ullishtat e Krythës së Ulqinit
As kur shtegtarët presin me dritë ndezur
Buzë gjirit të qetësisë
Se vetëm gjumi ty të ka zënë

Duke prekur dhimbjen mbi barin e fjetur
Nuk ke me ikë kurrë më nga vetmia e stuhisë
Shpirti yt pushon i qetë në tokën e Prishtinës
Në krahun e djathtë të Ali Podrimjes 
Të dy u lexoni poezi të amshuarve
Poetët nuk vdesin më pate thënë
Kur u takuam për herë të parë
Në amfiteatrin e Fakultetit Filozofik
Atëbotë secila ëndërr e kishte ankthin e vet

Nuk ke me ikë kurrë më në fund të udhëtimit
Asnjë ditë nuk do t’i ngjajë durimit tënd
Në fillim të vjeshtës kur i shkundnim ullinjtë
Që na piknin çdo ditë mbi kokë 
Për Zotin me vete e merrnim çastin e parë të lumturisë
Këndej dashurisë e matanë qirinjve të fikur
Ti njëmend thoshe të qërohen trangujt
Se na plasi inati për lëvozhgën e fatit të tyre
Të mos na zihet fryma nga liria
As të dielen kur lëshove ofshamën tënde të fundit

Nuk ke me ikë kurrë më nga zemërimi i shiut
Teksa zbrazej nga dhoma frymë e thatë
Dhe të fluturonin të gjitha dallëndyshet
Si nëpër det si nëpër tokë si nëpër qiell
Ti po nisesh këmbë në mbrëmjen poetike
Në Kullën e Balshajve
Pa trembur asnjë zog të bardhë
Në jastëkun me pupla të zeza 
Pa trembur asnjë flutur në dhomë
Një ditë para ditëlindjes tënde
Prapë pëshpërite se poetët nuk vdesin 
Për herë të fundit në kafenenë Symphony
Sikur ta dinim se nuk ke me dalë nga parajsa

(14 janar 2018)

(Shënim: Poezia ribotohet me rastin e përkujtimit të Poetit, në katërvjetorin e ikjes në amshim).

Bëhet publike juria profesionale e edicionit të katërt të “KultStrofa”

Konkursi për edicionin e katërt të konkursit mbarëkombëtar të poezisë “KultStrofa”, tashmë është mbyllur, dhe organizatorët janë duke punuar për mbrëmjen finale të këtij konkursi, që tashmë konsiderohet si një ndër konkurset më serioze në nivel mbarëkombëtar.

Ardianë Pajaziti drejtoreshë e KultPlus, ka njoftuar për prurjet e këtij edicioni, e cila ka vlerësuar se edhe ky edicion ka një përfshirje të poetëve nga të gjitha trojet  shqiptare, por që sikurse edhe edicionet e shkuara përfshinë edhe poetët nga diaspora.

“Është kënaqësi që në edicionin e sivjetmë kanë arrite poezi nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi e Lugina e Preshevës, kurse nga diaspora, këtë vit kemi poetë që kanë aplikuar nga shtetet si: Gjermania, Spanja, Italia dhe Zvicra”, ka thënë Pajaziti.

Ajo ka njoftuar se janë duke u bërë përgatitjet e fundit për mbetjen e ceremonisë së edicionit të katërt të këtij konkursi poetik, përderisa tashmë është përzgjedhë edhe juria profesionale.

“Juria profesionale e këtij edicioni është në përbërje të Sali Bashotës, kryetar i jurisë, dhe Nerimane Kamberit e Arbër Selmanit”, ka thënë Pajaziti.

Gjatë javës që vjen do të bëhet e ditur lista prej dhjetë finalistëve, sikurse që do të bëhet e ditur edhe data e ceremonisë së ndarjes së shpërblimeve, ceremoni që do të mbahet në KultPlus Caffe Gallery./ KultPlus.com

Nëse trishtohet dashuria

Sali Bashota

Befas shpirti im është mërzitur
Fjalëve të këqija s’iu beson
Të gjitha kujtimet i kam grisur
Edhe pse nostalgjia më s’loton

Nëse fati yt mbështillet me furtunë
Nuk heq dorë nga poezia
Sa i trishtuar jam unë
Sa e trishtuar është dashuria

Befas jeta hesht në vetmi
Ndryshe s’kuptohet tjetri shqetësim
Edhe kur shpirti yt gjen qetësi
Edhe kur s’ruhet ky letërkëmbim./ KultPlus.com

‘Ora e Shkrimtarit 2’ me mbrëmje letrare përkujton poetin e njohur, Enver Gjerqeku

Era Berisha

Krijimtaria letrare dhe jeta e poetit e profesorit të ndjerë, Enver Gjerqekut, dje u përkujtua në aktivitetin e dytë me radhë në kuadër të projektit “Ora e Shkrimtarit 2” nga PEN Qendra e Kosovës të mbajtur në KultPlus Caffe Gallery, me ç’rast në këtë mbrëmje letrare, përveç mendimeve dhe analizave letrare të shpalosura me radhë nga të pranishmit, u recituan edhe poezi të autorit duke bërë që kjo mbrëmje të zhvillohej nën një frymë poetike e tejet të veçantë, shkruan KultPlus.

Fillimisht, moderatori Ibrahim Kadriu, nisi takimin letrar me fjalimin e tij duke folur fillimisht për jetën e poetit e më pas edhe për fillet e  veprimtarisë së tij.

“Enveri i takon një gjenerate të hershme, një brezi të pasluftës së dytë botërore. Ai si student ka qenë edhe anëtar i redaksisë së revistës së parë në gjuhën shqipe që ka dalur si zëri i mëvonshëm i rinisë, e andaj që atëherë ai e tregon interesimin për shprehjen poetike duke botuar për herë të parë vjershën e tij të parë”, thotë Kadriu.

Gjithashtu, të pranishëm në këtë ngjarje për të folur më thellësisht për aspektet e poezisë së Gjerqekut e për të shpalosur observimin në tërësinë e vlerave të veprës letrare të autorit, foli shkrimtari dhe ish-profesori në Universitetin e Prishtinës, Milazim Krasniqi.

“Gjerqeku mbetet i ngjizur edhe me përjetimin e hershëm, i cili kthehet si reminishencë, ngase poezia e tij ka qenë pjesë e arsenalit letrar në librat shkollorë dhe në manifestimet publike shkollore, me të cilat breza të tërë jemi edukuar nga fusha e artit poetik, po të prezantuar edhe si ideologji. Nga kjo pikëpamje, mund të thuhet se poezia e tij ka ushtruar një ndikim të dukshëm në edukimin letrar e jashtë letrar të njeriut shqiptar në Kosovë për decenie të tëra, ndoshta dhe më shumë nga ç’janë vlerat reale të vetë kësaj poezie. Në larminë e kontakteve të reja me këtë poezi, nuk mund të shmanget as përjetimi i një aspekti të saj tematik e ideor, i cili ka qenë si produkt i realitetit social e politik të kohës”, thotë Krasniqi.

Sipas tij, disa nga poezitë e dy vëllimeve të para konceptohen si mjet i emancipimit arsimor e shoqëror, si mjet i afirmimit të revolucionit dhe ideologjisë së proklamuar të tij, me ateizmin si tharm ideologjik, etj. E po ashtu, tematizimi poetik i disa figurave dhe i disa ideve me prejardhje jashtë ambientit dhe historisë shqiptare, krahas tematizimit të figurave lokale të flijuara në revolucionin socialist, është konsideruar se ka të bëjë me jehonën e zhvillimeve politiko-sociale, të cilat synonin integrimin e shqiptarëve në një projekt ideologjik global.

“Poezia e Enver Gjerqekut, që nga vëllimi i parë, ‘Gjurmat e jetës’ e deri te ‘Flatrimi i fjalës’ dhe poezitë e botuara pas tij, identifikohet me një strukturë vargu stabil dhe me një leksik që krijon legjitimimin autorial. Po të shihen vargjet e poezisë “Agimi ynë” nga vëllimi i parë, dhe të krahasohen me vargjet nga vëllimi i fundit, (Duke kërkuar blerimin), është e qartë se ekziston një formë e përafërt e vargëzimit dhe madje edhe në planin leksikor është ruajtur afiniteti për një fond të caktuar, i cili poetit i jep mundësinë që të shpalos më mirë idetë e veta poetike”, thotë ai.

Për Krasniqin, duke u bazuar në planin leksikor dhe sintagmatik, konsiderohet se poezia e Enver Gjerqekut ka ndjekur një rrugë standarde, duke futur në mekanizmat e vargut fjalë e sintagma që shprehin drejt për së drejti një realitet social, psikik dhe ambiental, me ç’rast Gjerqeku nuk ka ndjekur rrymimet dhe eksperimentimet e kohës, po ka ndjekur logjikën e motiveve dhe temave të poezisë së vet.

“Poezia e Enver Gjerqekut dallohet me intonimin dhe strukturimin e saj specifik në poezinë shqip, duke qenë edhe një urë lidhëse e poezisë bashkëkohore me poezinë e traditës, së paku në formë dhe në disa elementë leksikorë e konceptual. E lexuar pa ngarkesa për autorin dhe ambientin politiko-kulturor, sot kjo poezi shpalos vlerat e saj me një diskrecion që është tipar i saj”, përfundon Krasniqi.

Tutje, profesori i Letërsisë në Universitetin e Prishtinës, Sali Bashota foli rreth krijimtarisë poetike të Gjerqekut, duke e cilësuar poetin si autorin më reprezantiv të sonetit në poezinë e sotme shqipe.

“Vepra e Enver Gjerqekut është e pranishme afër gjysmëshekulli në letërsinë shqipe. Poet i cili shquhet me ndjeshmërinë e veçantë poetike, me lirizmin, tematikën dhe motivet e poezisë së tij, Gjerqeku ka arritur të ruajë natyrën dhe vokacionin e verbit të tij poetik, që nga fillimet krijuese e deri më sot. Poezia e tij është nxitje frymëzimi nga situatat intime, sociale, historike, kombëtare. Nga temat sociale, kalon furishëm te preokupimet intime, ndërsa nga historia te aktualiteti. Në fillimet e tij krijuese, esenciale qe përmbajtja e poezisë, pra vetë tema”, thotë Bashota.

Sipas tij, Gjerqeku kërkon formën e përsosur poetike, për të ndërtuar gjuhën, stilin, figurën në një pozicion të ri krijues, dhe në këtë mënyrë për të krijuar një vetëdije të re shkrimore, me ç’rast gjuha e tij poetike e ushqyer me metafora magjike e magjepsëse, pra e funksionalizon, formën e re të shkrimit të tij: sonetin dhe kurorën sonetike, për të krijuar një ndërlidhje edhe me traditën më të avancuar poetike shqipe.

“Në ligjërimin e tij poetik, brenda një procesi dinamik, strukturohet forma dhe përmbajtja, me ç’rast krijohen varacione poetike shumë të fuqishme, të cilat bartin mesazhe domethënëse, duke e racionalizuar gjithmonë mendimin dhe duke disiplinuar gjithmonë gjuhën. Këto veçori shihen në relacione kuptimore përbrenda pikëshikimit: frymëzim-gjuhë figurë-komunikim. Këso mënyre, përbrenda botës së vet poetike, Gjerqeku e hulumton dhe e formëson kategorinë e së bukurës dhe kategoritë tjera estetike. Prandaj, ligjërimi i tij poetik krijon imazhe dhe struktura të veçanta gjuhësore e stilistike, qoftë përmes vargut të lirë, qoftë përmes vargut ritmik e të rimuar”, thotë Bashota.

Për Bashotën, shprehja poetike e Enver Gjerqekut duket se krijon një koncept vetanak krijues, aty ku motiv inicial i frymëzimit bëhet njeriu, aty ku buron fjala magjike për jetën, pikërisht aty poeti e shpalos aventurën e tij shpirtërore e krijuese, duke e zgjuar fshehtësinë e fjalës, dinamikën e dhembjes, fuqinë e shprehjes poetike.

“Poeti Enver Gjerqeku i kërkon dhe i gjen zgjidhjet simbolike të poezisë së tij. Pikërisht, që nga titujt e librave të tij poetikë funksionalizohet domethënia e tekstit lirik. Po ashtu, në poezinë e Enver Gjerqekut sublimohen tema dhe motive që e kapërthurin një realitet të formësuar në relacione historike dhe aktuale. Përbrenda laboratorit të tij krijues frymon historia, identiteti, e sotmja. Dhe pikërisht poezia-përkushtim bëhet model i kërkimit, i konceptimit dhe i realizimit krijues. Poezia e këtij autori e ka ndërtuar një kod ligjërimor sa i përket formave poetike sonetike. Ky kod ligjërimor rezulton deri tek konstatimi se Gjerqeku është autori më reprezantiv i sonetit në poezinë e sotme shqipe”, përfundon Bashota.

Në këtë mbrëmje letrare, patjetër se nuk do të mungonte as edhe atmosfera poetike, që erdhi nën recitimin e gjithsej tri poezive të Enver Gjerqekut të interpretuara nga studentja e letërsisë shqipe, Edlira Musliu, e cila para publikut me një qëndrim preciz e zë të ëmbël, solli poezitë e titulluara “Dhoma e poetit”, “Syri i Pranverës” si dhe “Dilema e këngës”.

Krejt në fund, të pranishmit vazhduan bisedimet e tyre të mëtutjeshme nën praninë e dritave të ngrohta të vendosura anash bibliotekës së KultPlus Caffe Gallery.

Ndërkaq, ‘Ora e Shkrimtarit 2’ do të mbahet deri më 16 nëntor, ku çdo të martë dhe të enjte në KultPlus Caffe Gallery do të përkujtohen edhe shkrimtarë të tjerë si: Azem Shkreli, Din Mehmeti, Ramiz Kelmendi, Rrahman Dedaj dhe Musa Ramadani. / KultPlus.com

‘Ora e Shkrimtarit’ nis me përkujtimin e Latif Berishës, Fatmire Berisha: Babai ka qenë një njeri vërtet shumë i veçantë

Flonja Haxhaj

Sot në ambientin e KultPlus Caffe Gallery është mbajtur takimi i parë i ngjarjeve ‘Ora e shkrimtarit’, organizuar nga Pen Qendra  e Kosovës, ku u përkujtua poeti, profesori dhe veprimtari, Latif Berisha, shkruan KultPlus.

Në takimin ku u fol për jetën e veprimtarit Berisha, moderatori Binak Kelmendi, fjalën ia dha kushëririt të tij, shkrimtarit dhe publicistit, Ibrahim Berisha, i cili e nis fjalimin e tij duke folur fillimisht për jetën e poetit e më pas edhe për veprimtarinë e tij.

“Ai ngreh kokën e fjalës së shtypur në një qiell të dendur. Në fotot e tij, edhe në tekste shkollore që do të përfshihet nga vitet  1960, madje edhe shumë vite më vonë, shquhet fotoja, me ngjyrën e zezë, sikur ky njeri të kishte jetuar në kohë të lashta. Por nga fotografia kuptohet sa butësia po kaq edhe rezgnimi i tij. Ai sikur jeton me njërën dorë në degën e optimizmit dhe me tjetrën, në degën e pesimizmit. Cfarë thonë 30 vjersha për lexuesin e paktë, për shkak të anlafabetizmit masiv, për të parë si mendon dhe komunikon estetikisht shkrimtari i ri thuajse, nga modesita, ireal. Një libër që botohet në Prishtinë nga një i ri që vinte nga një familje pa traditën revolucionare të zakonshme të shumicës së shkrimtarëve të kohës, dhe nga një ambient tradicional rural, por ai i arsimuar maksimalisht për moshën dhe ambientin.” – thotë Berisha.

Ibrahim Berisha më pas analizon poezinë e tij, ‘Tufa’ e cila sipas Berishës jep një mesazh për ekzistimin edhe të një bote tjetër, por, bota e re e poetit Berisha, nuk është ireale.

“Për të gjetur këtë harmoni, prandaj kanga e tij do të jetë mesazh për ekzistimin edhe të një bote tjetër, por, bota e re e poetit Berisha, nuk është ireale. Është në poezinë e tij, bota, që e ai e ndjen dhe e transmenton vetëm si jehonë të largët, ambientale, po aq edhe emocionale, e shkrirë në detajet e pasura të natyrës së jetuar të tij dhe të njerëzve të tij. Edhe memorie sugjestive, edhe ëndërr ndëshkuese, po edhe mendim i pakryer qëllimshëm.”- shton më tutje Berisha.

Publicisti Berisha gjatë analizës së jetës dhe veprës së Latif Berishës, vë në pah edhe katër tematikat që e kanë karakterizuar atë, e që sipas tij janë Arsimimi, Kundërshtimi, Pajtimi dhe Liria.

E fjalimin e tij në përkujtimin e Latif Berishës, Ibrahim Berisha e përmbylli me një maksimë të Horacit. “Është e ëmbël dhe e nderuar të vdesësh për atdheun. Është ende më e ëmbël të jetosh për të. Profesor Latif Berisha edhe jetoi edhe vdiq për atdheun. Domethënë vazdon të jetojë përherë në të”-përfundoi ai.

Në takimin ku u përkujtua profesori Latif Berisha, i cili u vlerësua edhe për kontributin në çështjet e atdheut, ishte i pranishëm edhe doktori i Letërsisë, Sali Bashota.

“Latif Berisha ishte njeri i letrave. Trazimet dhe shqetësimet e hershme shpirtërore, fillimisht i manifestoi përmes poezisë, kur më 1957 e botoi edhe vëllimin “Tufa”. Gjatë jetës së tij nuk botoi me libra me poezi. Veprimtarinë e tij e funksionalizoi me studimin letrar duke shkruar për autoret e traditës poetike shqipe: Naim Frashëri, Jeronim de Rada, Zef Serembe, Hil Mosi, Ali Asllani etj., ndërsa projektet e tij shkencore të pambaruara mbeten epoka e Skënderbeut në letërsinë e Rilindjes, si dhe krijimtaria letrare e arbëreshëve.” – tregon Bashota, shkruan KultPlus.

Duke folur më tutje, Bashota e cilëson vrasjen e tij në vitin 1999 nga serbët, një humbje të madhe për tërë kombin shqiptar.

“Portreti tij poetit e intelektualit mund të përplotësohet me visaret më të çmueshme që ka njeriu. Ai nuk urrente, nuk kishte zili, as nuk hidhërohej. Gëzohej për sukseset e të tjerëve dhe e admironte punën e vërtetë krijuese, talentin, dijen, përkushtimin. Latif Berisha me kohë e kishte formuar identitetin intelektual, si një krijues pasionuar, i cili punonte në fushën e letërsise, te kultures, por edhe për çështjen kombëtare. Kishte respekt dhe dashuri të madhe te njerëzit. Ai ishte veçante ne jetë dhe në vepër. Vrasja e tij me 24 mars 1999 nga serbët është humbje e madhe për letërsinë, kulturën shqiptare dhe tërë kombin.” – shton ai.

Profesori i Letërsisë në Universitetin e Prishtinës, në këtë fjalin nuk lë pa e përmendur dhe analizuar veprën e tij e sidomos  vëllimin me poezi ‘Tufa’.

“Dialogu me veprën e Latif Berishës pas me shume se dyzet vjetësh të botimit të saj, i ngjan kujtimit, i cili ringjallet tashti në formë të dhembjes për njeriun dhe te dashurisë për poetin. Ky karakterizim ka të bëjë me “Tufën”, vëllim qe ndahet në tre cikle: “Vargje për lin”, “Mbresa katundi” dhe “Gjurmave të rinise”. Frymezimet e poetit mbeshteten në fatin njerezor, ambientin rural, temat intime. Ne pamjen e pare “Tufa” e Latif Berishës shtreson ide dhe imazhe qe funksionalizohen me vrullet dhe çastet e zgjimit të shpirtit krijues. Fati atdheut i ka ushqyer simbolet e enderrimit të tij poetik dhe teme themelore bëhet gjithsesi liria.” –shton më tutje Bashota.

I pranishëm në këtë takim ishte edhe shkrimtari dhe ish-profesori në Universitetin e Prishtinës, Milazim Krasniqi, i cili foli para pjesëmarrësve  për jetën dhe veprimtarinë e Latif Berishës, të cilin fillimisht e pati professor e më pas edhe bashkëpunëtor.

“Unë kam qenë student i Latif Berishës, ai ka qenë një professor komplet, në kuptimin më të mirë të fjalës, për shumë vite kemi bashkëunuruar me të dhe Ibrahimin në LDK dhe unë për disa vite kam qenë i komanduar bashkë me Fatmir Sejdiun të punoj në degët e Skenderajit, Mitrovicës, Vushtrrisë dhe të Leposaviqit ku ai ka qenë kryetar i degës. Dhe ne kemi pasur situatën më komode ë Mitrovicë sepse ai ka qenë një njeri që e ka ruajtur unitetin, e ka ruajtur fuqinë e e veprimit. Dega e LDK-së në Mitrovicë,në mësin e shumë gjërave të tjera ka furnizuar edhe UÇK-në me ushqime dhe me furnizime të tjera që kanë pasë nevojë, dhe profesori Berisha ka qenë ideatori dhe njeriu kryesor që është marrë me organizime të kësaj natyre. Vrasja e tij më 24 mars dhe e Agim Hajrizit e ka një simbolikë për ndarjen e Mitrovicës sepse këta kanë qenë dy liderë shumë të rëndësishëm të Mitrovicës pa të cilët nuk do të mund të shpërbëej kompaktësia e Mitrovicës.” – thotë profesori Krasiniqi.

Për fund,  fjalën e mori edhe vajza e tij, Fatmire Berisha, e cila rrëfeu momente nga jeta e shkrimtarit, dhe lidhjen e veçantë që ajo kishte me babanë e saj.

 “Ora e Shkrimtarit, sikur më lidhi për një moment me një orë që e kemi ndoshta atë kemi të vetmen gjë që na ka mbetur prej Latifit, dhe më vjen mirë që dëgjova shumëçka që edhe unë si vajzë e tij në faza të ndryshme të jetës së tij dhe times i kam jetuar bashkë me të, ndoshta kjo është pak personale por unë fillimisht kam qenë student e fakultetit të mjekësisë mirëpo ajo lidhja e veçantë që e kam pasë me të më ka bërë të riorientohëm dhe të kthehem nga letërsia, dhe pa modesti e them që gjithmonë e kam pyetur vetën se a jam e vetëdijshme se çfarë njeriu kam afër vetes se vërtet qëndron ajo që e tha profesori Bashota, se ai ka qenë një njeri shumë shumë i veçantë. “-rrëfen ajo

Ajo ndan me të pranishmit edhe një rrëfim të përpjekjeve  që ajo dhe profesori Berisha bënë për të fshehur dorëshkrimet e tij, që të mos digjeshin nga forcat serbe, e për të cilat dorëshkrime, vajza e tij Fatmirja thotë se i ka mbetur peng që nuk kanë mundur t’i shpëtojnë.

“Ka qenë dy ditë para fillimit të bombardimeve, provuam unë bashkë me të dhe e hapëm një gropë, shtëpia jonë qëndron ende, në lagjen më promblematike të qytetit të Mitrovicës, aty ku kemi jetuar më tepër se 40 vite dhe provuam që t’i shmangim ato dorëshkrimet e tij dhe dolëm bashkë në oborr e hapëm një gropë të madhe në oborr dhe aty filluam t’i  strehojmë, mirëpo ai e ka ditur shumë saktë çfarë do të ndodhë, e hapëm gropën, por shtëpia jonë ka qenë në mesin e fqinjve serb, e në mometin e fundit ai tha t’i lëmë aty ku janë, sepse po t’i vendosim këtu është si t’i vëmë në gojën e ujkut. “– thotë vajza e Latif Berishës e cila për fund thotë se më së shumti mërzitet që serbët i kanë djegur dorëshkrimet dhe bibliotëkën e tij, duke mos u mbetur asgjë si kujtim.

Ndërkaq, ‘Ora e Shkrimtarit’ do të mbahet deri më 16 nëntor, ku çdo të martë dhe të enjte në KultPlus Caffe Gallery do të përkujtohen edhe shkrimtarë të tjerë si Enver Gjerqeku, Azem Shkreli, Din Mehmeti, Ramiz Kelmendi, Rrahman Dedaj dhe Musa Ramadani./KultPlus.com

Botohet ‘Shkallët e natës’ e poetit Sali Bashota

Vepra me prozë poetike “Shkallët e natës”, e shkrimtarit Sali Bashota, është në vazhdën e kërkimit të ideve, motiveve, temave që ndërlidhen me përjetimet e realitetit aktual.

Në fakt, gjuha, stili, ligjërimi, figuracioni i kësaj vepre, është një dëshmi se kemi të bëjmë me llojin e një proze poetike, e cila është ndër më të veçantat në letërsinë shqipe.Si në veprat e tjera me prozë poetike: “Ëndrra në parajsë”, “Sytë e vetmisë”, “Zemërimi i heshtjes”, edhe në këtë vepër më të re të Bashotës shfaqen dhe trajtohen preokupime dhe shqetësime të ndryshme, të cilat emërues të përbashkët e kanë ndjeshmërinë e veçantë krijuese, sidomos për gjërat e bukura që sigurisht do të mbesin në kujtesën e lexuesit.

Vepra “Shkallët e natës”, ka një përmbajtje emocionale me shenjat e teknikës poetike të Bashotës.

Lirizmi i kulluar, hollësia e vegimeve, loja e ritmuar e figurave, trajtat simbolike të fjalës, imazhet e renditura në harmoni me ndjesinë e frymëzimit, ndërtohen dhe funksionalizohen me një invencion të rrallë Vepra “Shkallët e natës”, është një kronologji poetike e zanafillës dhe e perceptimit të dashurisë nëpër etapat e jetës njerëzore. Prozat poetike, si: “Blirët e Prishtinës”, “Akti i dashurisë”, “Shkallët e natës”, ” Portreti me figurën e shiut”, “Përfytyrimi i pambaruar”, “Ata që dashurojnë vetëm në vjeshtë”, “Një shkëndijë si ajo tjetra”, “Përse vdesim çdo ditë pak nga pak”, “Shpejtësia e dhimbjes”, “Ëndrrat nuk kanë varre”, “Gjumi i shpirtit në vendlindje”, “Gjumi i shpirtit në vendlindje”, “Gjumi i shpirtit buzë detit”, “Duart e zeza”, “Metafiksioni për gishtërinjtë”, e shumë të tjera dëshmojnë për njē vepër me vlera të veçanta poetike dhe estetike, që në fund të 2020-tës, erdhi me bukurinë e shkēlqimin e vet para lexuesve, me firmën e Shtëpisë Botuese “OLYMP”. / KultPlus.com

“Sytë ngjanin me dallgën hyjnore, e cila shkreptinte si përfytyrimi i fundit i flakës së dashurisë”

Sali Bashota

PORTRETI I VAJZËS SË BUKUR
( Skicë për një roman)

Sytë gjithmonë i fshehnin shikimet që grindeshin nga shtangimi i vonuar i buzëqeshjeve. Secili çast e kishte magjepsjen e vet, derisa të pushonte zjarrmia e parë e koloritit të përfytyrimeve, si gjithnjë me dekorin e beftë të përqafimit.
Vetëm sytë ngjanin me dallgën hyjnore, e cila shkreptinte si përfytyrimi i fundit i flakës së dashurisë.
Kjo përmasë e përjetimit do të ishte njësoj sikur vetë vrulli i metaforave të Dantes për Beatriçën e bukur, kur ajo zbriste nga shkallët e natës, veshur me fustan të bardhë, duke grumbulluar afshin e imazheve të shkapërderdhura në dritën e hënës. Ajo kishte një shirit të kuqërrembtë mbi krahun e djathtë, për ta mbrojtur bardhësinë e padurueshme në hapësirën e pushtuar nga shikimet e krahasuara me zbukurimin e ndjenjave të përflakura.
Sigurisht sytë do ta dallonin parajsën, kur trazimi nuk e kishte më pamjen e njëjtë, si fuqia e shpërthimit të shikimeve të kryqëzuara pa fajin e tyre, pas mbrojtjes së bukurisë.
Prapë sytë e pushtonin botën e ëndrrave, si tingujt e simfonisë së nëntë të Bethovenit, derisa qepallat sinjalizonin dritën në fund të ngjizjes së vrulleve. Joshja qe si një pikturë abstrakte e Pikasos, kur krijesat e gjalla papritur shndërrohesh në hije, ditë e natë.
Nëntë rrathët e dallgëve ishin:shiu, vjeshta, vranësira, zjarri, dheu, përflakja, përmallimi, puthja dhe shtangimi, sa herë portreti i vajzës së bukur shpërfytyrohej në galerinë e artit, si imagjinata e bekuar e poetëve…. / KultPlus.com

Botohet ‘Esenca e ligjërimit letrar’, e studiuesit Sali Bashota

Këto ditë PEN Qendra e Kosovës e botoi veprën më të re të Sali Bashotës, me ese dhe studime letrare, me titullin “Esenca e ligjërimit letrar”. Në këtë vepër, autori trajton probleme të ndryshme të letërsisë shqipe, si në rrafshin kritik, po ashtu edhe në rrafshin teorik dhe estetik.

Fusha e interesimit të këtij studiuesi përqendrohet kryesisht në temat që ndërlidhen me autorë dhe vepra të ndryshme letrare, kryesisht prozë, poezi dhe kritikë letrare, por edhe shkrime të tjera të ndryshme me karakter problematizues, siç janë: “Skënderbeu i historisë dhe Skënderbeu i letërsisë”, “Santori në 200-vjetorin e lindjes”, “Vetëdija për shkrimin dhe shkrimtarinë”, për veprën e nobelistit Elias Kaneti. etj.

Po kështu, në veprën e tij më të re, Bashota ka shfaqur mendime kritike dhe për veprat letrare të autorëve: Esad Mekuli, Rifat Ismaili, Demë Topalli, Ibrahim Berisha, Basri Çapriqi, Virion Graçi, Lulzim Tafa, Gëzim Aliu, Meliza Krasniqi, etj.

Përmes këtyre shkrimeve autori ofron një mundësi të komunikimit me vlerat e letërsisë shqipe, por edhe më gjerë. Esetë dhe vështrimet kritike të Bashotës, shquhen përmes qasjes analitike me një këndvështrim mjaft interesant, pikërisht në zbërthimin e esencave të ligjërimit letrar, të paraqitura dhe të trajtuara me pikëpamje origjinale, sa i përket metodës, gjuhës, stilit, etj.

“Esenca e ligjërimit letrar”, pa dyshim, është një vepër e rëndësishme, e cila shquhet me qenësinë e saj estetike, pastaj me llojllojshmërinë e tematikës që trajton, me faktet dhe argumentet letrare, si dhe me artikulimin e veçantë kritik. Gjithsesi, është një vepër kritike, që e pasuron kritikën letrare shqipe sot.

Sali Bashota është autor i mbi dyzet veprave me poezi, prozë poetike dhe kritikë letrare. Në fushën e kritikës, deri më tani ka botuar veprat: “Shqipshkrimi krik” (1997),”Kuteli poet, prozator, kritik” (1999), “Domethënia e ideve letrare” (2001),”Proza e filleve të moderniteti” (2006), “Studime letrare”(2008), “Enigma e shkrimit”(2018).

Veprat e Bashotës janë përkhyer në shumë gjuhë të botës, ndërsa autori është nderuar me çmime të larta kombëtare për letërsi. / KultPlus.com

Kulti i fjalës poetike

Violeta Allmuça

(Vëzhgim mbi vëllimin poetik të Sali Bashotës, “Në fillim ishte drita”)

          Pas disa botimeve të vlerësuara nga kritika letrare dhe lexuesi, këtë herë poeti tashmë i mirënjohur Sali Bashota na sjell përsëri një element hyjnor në këtë vëllim polivalent, dritën, e cila përbën tërësinë e kohës njerëzore si term për artin e poezisë. Të shprehur si përfytyrim artistik autori operon me vargjet lirike, nëpërmjet një shtresimi të veçantë filozofik. Ndoshta duke e adhuruar dhe konsideruar dritën si diçka hyjnore, ai mediton dhe përqendrohet mbi ndjenjat dhe emocionet pikërisht tek energjia e dritës, duke e përdorur këtë burim për të ndriçuar vargjet e tij. Jo rastësisht e ka përdorur një element tjetër ekzistencial (zjarrin) edhe në librin: “Rruzullimi i zjarrit”), me prozë poetike, po ashtu një vepër Unike në krijimtarinë e tij letrare. Poeti është i lirë të përjetësojë e afirmojë pafund në një vepër letrare bashkëkohësinë, pikëvështrimin dhe fjalën artistike.

Vëllimi poetik “Në fillim ishte drita” është ndarë në tre cikle të ndryshme: SI, NËSE, KUR. Mesa duket poeti i mbetet besnik traditës së kësaj paraqitjeje të poezisë së tij. Le të njihemi me poezinë: “Si pagjumësia e fjalës”. /Nuk dua të fle sonte pa të kujtuar ty/Duke i ujitur lulet në kopshtin e qiellit/E kam të vështirë t`i këpus kujtimet përsëri/ Në javën e parë të prillit/ Nuk dua sonte fare gjumë në sy/Jam bërë kopshtar që lulet i çel/ Kur në damarët e mi të kam ty/Klithma e dashurisë ndihet thellë/.

Të gjitha këto vargje metaforike i paraprijnë kultit të fjalës poetike dhe janë përshkuar  nga një shpirt i vetëm nëpërmjet të cilit krijuesi atribuon frymën e dashurisë. Pra çdo varg poetik është krijuar në shpirt, ku dëgjohet fryma e tij. Autori ka ecur përtej vargjeve derisa ka ndjerë klithmën e dashurisë. Muza e dashurisë nuk pyet për rastësinë por duke zgjedhur të priret me pasurimin e krijimit të çdo fjale poetike. Dhe ia arrin deri në shpirtin e fjalës hyjnore kur agu shkrihet në dritë. Ka ndodhur që pothuajse shumica e poezive me të cilat poeti ka shkrirë edhe vetveten të vijnë për lexuesin me adhurimin e fjalës së përzgjedhur. Të jesh poet i vlerave artistike dhe estetike duhet të frymëzohesh nga dashuria. Asnjë qenie njerëzore nuk mund të jetojë pa dashuri. Poetët, jo se jo. Mesa shihet edhe në këtë poezi, derisa të jetë drita poeti Sali Bashota do të shkruajë vargje të larmishme dhe magjepsëse, si poezitë: “Si mosha e dashurisë”, “Si pritja e zemëruar”, “Si paraloja”, etj.

Në poezinë tjetër , “Si melankolia” krijuesi shkruan: /Nuk të shoh as në kopshtin me lule/Duke ujitur trëndafilët blu/Kumbon zëri yt kur u përkule/Si pulëbardhat e detit gjithashtu/Kjo poezi e harroi vapën e verës/Si akrepat e ndalur në orë/Çelësin e dyshimit mos ia vë derës/Letrat e dashurisë tani i shkruan me dorë/.

Qenia e poetit është e përshkruar gjithashtu në këto vargje dhe poezia ka esencën e vet, respektivisht qenësinë e tij poetike që shkrihet me qenien letrare artistike dhe estetike. Simboli i dritës ashtu si liria i ndihmon poetët t`i qasen dritës. Secili e pikturon dritën me ngjyrën shpirtërore. Në vetëdijen e poetit shfaqen vargje që lindin thellë në shpirt bashkë me relacionin semantik. Figuracioni letrar e zbulon fjalën në imagjinatën e krijimit të botës së brendshme shpirtërore artistike në kohë dhe hapësirë. Poeti mediton rreth dritës duke u bashkuar me qenien njerëzore dhe poezia nëpërmjet frymëzimit shpirtëror kthehet në materie.

Lexojmë poezinë emocionuese që lind në universin e imazheve. “Nëse zgjohen kujtimet e tretura”. /Zgjohen kujtimet e tretura/ Në shtegun e vet/Ngrihen dallgët e fjetura/Që as hija nuk i pret/ S`ka gjë më të bukur sa ta gdhend portretin tënd/ Në ashtin e shpirtit tim/Jeta pa vdekje tashmë aty ka zënë vend/ Deri në amshim/.

Forca e krijmit të kësaj poezie gjallon në forcën e vargut 1-3, 2-4 duke shprehur vetveten me zërin e vet dhe duke u shkrirë në zërin kujtesës njerëzore. Poeti bashkon dy zëra duke komunikuar artistikisht me të vërtetën e dritës artistike-poetike. Gjithashtu në këtë cikël lexojmë edhe poezi me metafora të rralla: “Nëse klith për secilën fjalë”, “Nëse mbaron prova e zjarrit”, “Nëse ngjallet vetmia”, “Nëse këndojnë zogjtë at ty” etj.  

Vijojmë me poezinë, “Kur heshtin zogjtë”. /Mjafton të vish e buzëqeshur/ Duke e shkundur qerpikun e zi/Edhe zogjtë tashmë kanë heshtur/Ashtu siç hesht nganjëherë ti/Mjafton ta përqafosh mëngjesin/Me mallin e përshëndetjes/Të dashuruarit gjithnjë presin/Lojën midis shkrumbit dhe etjes/Mjafton të jesh zgjuar/Deri në mesnatën e vonë/Me lulen e dashurisë në duar/Ashtu siç ëndërroje gjithmonë/.

Në këtë cikël lexojmë edhe poezitë: “Kur zgjohen engjëjt”, “Kur ti vjen në vjeshtë”, “Kur fiken qirinjtë”, e të tjera, ku mendimi lexuesit mbetet po aq i vlerësuar.

Në poezitë e vëllimit “Në fillim ishte drita”,  Sali Bashota është mjeshtër i fjalës për dashurinë sublime, me një lirikë sa shpirtërore po aq me nuanca erotike dhe ndjesi humane, ku përpos mesazhit poetik, figurave letrare, metaforave befasuese, simbolit, krahasimit dhe një strukturë gjuhësore letrare, plot lirizëm të hollë shpreh pasurinë e përjetimit artistik. Bashota duket sikur i largohet reales ndërkohë që zbulon më shumë botën e imazheve. Brendësia shpirtërore-metafizike e këtij poeti dallohet pikërisht për vlerat e përzgjedhjes së fjalës artistike që na sjell po ashtu edhe vlerat estetike të një vepre poetike. Krijuesit nuk kanë mision të qartësojnë motivin, por fjalën. Poezia nuk mund të jetojë pa dritë, as në hije. Në ciklet poetike: SI, NËSE, KUR shkrimtari i dashurisë Sali Bashota, priret nga krijuesi tipik modern për të zgjedhur artin e fjalës së përsosur. Ky burim magjik për ta ngritur fjalën e shkruar në kultin e saj i sjell leximit të librit një risi të re. Vetë poeti si idealist ka imunitetin e fjalës së vërtetë artistike. / KultPlus.com           

Në KultPlus Caffe Gallery përkujtohet Jusuf Gërvalla, poeti librat e të cilit mungojnë në librari e biblioteka

Suada Qorraj

Jusufi i këngës, i lapsit e letrës, shkrimtari e poeti, zëri i këngës shqipe, por edhe veprimtari i çështjes kombëtare, për disa minuta që ishin pak, u bë i gjallë në mesin e të pranishmëve që kishin zënë karriget për të marr pak nga ajo që Jusufi la pas. Dikur fëmija i një fshati të vogël, kurse sot një ndër krenaritë më të mëdha, Jusuf Gërvalla, shënoi një tjetër përkujtim, natën e dytë të nëntorit, në ambientet e ngrohta të KultPlus Caffe Gallery, në kuadër të Orës së Shkrimtarit të organizuar nga PEN Qendra e Kosovës, shkruan KultPlus.

“Lajmin për vrasjen e Jusufit e mora në Algjer ku gazetarët shqiptarë të Kosovës me gazetarë jugosllav qëndronin për një vizitë. Dhe lajmi më shokoi shumë. Por më shumë se lajmi më pati shokuar gëzimi i gazetarëve të Beogrdit tek flisnin me britma ngazëllimi rreth vrasjes së tij”, tha kështu Binak Kelmendi, teksa bëri hapjen e ‘Orës së Shkrimtarit’, natës së Jusufit  e veprës së tij.

Ndonëse me një fat tragjik, Jusuf Gërvalla i fali letërsisë shqipe poezi, përkthime e romane që i qëndruan kohës, po njëlloj si vetë figura e Jusufit. Por, për poeten Naime Beqiraj, Jusufi, sikur të mos kishte një fat të tillë, Jusufi krahas letërsisë, do t’i dhuronte artit edhe vetë kombit shqiptar një shije ndryshe për muzikën, zëri tij do t’na bënte të dashuronim rishtas.

“Por, u këputën krahët e poetit për tu kthyer në një marathonomak, një luftëtar që nuk u harrua asnjëherë. Brezat u ndërruan, emrat u harruan, edhe mbiemrat, por letërsia mbet. Ashtu siç mbeti i ri, vetëm 36 vjeçar – Jusuf Gërvalla”, tha me zërin përplot emocione poetja.

Beqiraj theksoi faktin se poezia e Jusufit, e rikthen lexuesin në fëmijërinë e vet autorit. Sipas saj, sikur Jusufi t’i përkushtohej më shumë poezisë, sot nën emrin e tij do të ishin të jetësuara poezi edhe më të arrira.

“Mjeshtër i përzgjedhjes së fjalëve, i ndërtimit të togfjalëshave, Gërvalla, po t’i ishte përkushtuar poezisë, sot do të kishim nën emrin e tij krijimtari të bollshme e poezi edhe më të arrira. Fëmijëria, herë e nxjerrur jashtë hullinave, herë e thelluar në hullinat e saj bashkë me hithërat që ia djegin këmbët fëmijës ëndërrimtar, e risjellin në një ditë kur do ta ndiqte rrugën e dëshirave të veta, do të bëhej poet plot muzikalitet kur do të shkruante për fëmijërinë”, shtoi ajo.

Jusuf Gërvalla nuk shkroi vetëm për fëmijërinë, fjalët që hidhte në letër nuk i dhanë jetë vetëm fshatit ku ai jetoj jetën. Fëmijës të kullës së Dubovikut, të pashlyer në kujtesë, e mbi të gjitha kujtimet e veprimtaritë e tija, qëndronte Nëna Ajshe.

E për poeten Beqiraj, pikërisht nëna e Jusufit ishte ajo që u kthye në simbol të qëndresës, Ajshen që lexuesi para se ta njihte si qënderstari, u njoftua me Nënë Ajshe, personazhin poetik, të letrave, poezive e këngëve të Gërvallës.

“Ajo grua e cila u kthye shënjesë e qëndrestarisë, ishte person i gjallë, i prekshëm, ajo grua e cila pas vrasjes së të bijëve, e dyfishoi ashtin e qëndresës e të kujtesës dhe u bë ngushllimtare e qindra nënave shqiptare që i humbën bijat e bijtë për ta luftuar armikun. Nënën Ajshe, lexuesi, më parë e njohu si personazh poetik, pastaj si qëndrestari”, theksoi Beqiraj.

Naime Beqiraj shtoi se Jusuf Gërvalla mbetet poet, shkronjës e artist. Ai arriti që ti shoqëronte vargjet e tij me atmosferë muzikore, përshkrimi i të cilave krijoj në mënyrë vizuale katër dimensione. Ai ishte autori modern i kohës, por edhe një këngëtar modern i tingujve.

Poetja vuri në pah faktin që ndonëse për vrasjen e Jusufit është shkruar shumë, madje janë krijuar edhe dokumentar, këngë e intervista, fati i krijimtarisë së tij poetike ishte ndryshe. Kompleti i librave të tij që u botua një herë të vetme, sot nuk arrin të gjej vend në librari, e të rralla janë rastet kur ato i gjen në bibliotekat publike.

“Veprimtaria ta quajmë atdhetare, jetën e Jusufit e ndau në dysh. Përgjatë këtyre gati katër dekadave është shkruar aq shumë për aktin e vrasjes së Jusufit me vëlla e me shok, janë punuar dokumentarë, janë bërë këngë e intervista, akademi e komemoracione, tubime e përvjetorë, janë shkruar libra: romane, novela, drama e mijëra poezi, por është botuar vetëm një herë kompleti i librave të tij. Librat e Jusufit nuk gjenden as në librari, e rrallë në biblioteka publike”, përfundoi poetja, Naime Beqiraj.

Ndërkaq Agron Gashi tha se Gërvalla më mirë se kudo tjetër, la gjurmë në poezi. Sipas tij poezia e Jusuf Gërvallës vie me e pasur me figura, por edhe më e pasur për nga ana stilistike.

“Jusuf Gërvalla më mirë se ku tjetër la gjurmë në poezi. Poezia e Jusuf Gërvallës parë në kontekstin kohor a hapsinorë, përgjithnjë vjen më e ardhun si nga figuratika në t’menduem, ashtu edhe për nga stilistika në të shprehun, gjithnjë duke latue vargun e shkri fjalën”, pohoi Gashi.

Tutje ai shtoi se Gërvalla ishte edhe erudit, veprat e të cilit vënë në pah figurën shumëdimensionale të tij. Sipas tij vepra letrare e Jusuf Gërvallës është shpirti i tij që ka mbetur gjallë në jetë, zëri prej këngëtari, poeti, prozatori, kitaristi e piktori.

“Jusuf Gërvalla ishte erudit. Vepra e tij, duke qenë e gjerë dhe e larmishme, vë në pah figurën shumëdimensionale të tij, si publicistin e regjur e këngëtarin e ndejës së hollë. Në tanësi, vepra letrare e Jusuf Gërvallës është shpirti i tij i mbetur gjallë në jetë, është zani i tij prej këngëtari, poeti e prozatori, kitaristi e piktori, është zani i thelllë i medituesit të madh”, përfundoi Agron Gashi.

Përkujtimi për Jusuf Gërvallën ishte mbrëmja e gjashtë e PEN Qendrës së Kosovës që mbahet në kuadrin e projektit “Ora e Shkrimtarit” që përkrahet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Një mbrëmje që ngërtheu shumë emocion e nostalgji.

PEN Qendra ka paraparë edhe katër mbrëmje përkujtimore për shkrimtarët e ndjerë që do të mbahen gjatë javëve në vijim./ KultPlus.com

PEN Qendra përkujton Hasan Mekulin, Gashi: Ai ishte një shpirt i madh

Mbrëmë në ambientet e KultPlus Caffe Gallery u përkujtua figura e Hasan Mekulit, një intelektual i shquar që la gjurmë të pashlyeshme në historinë e letërsisë shqipe. Kjo mbrëmje që i dedikohej këtij kritiku të madh, për publikun erdhi në kuadër të aktiviteteve letrare të organizuara nga PEN Qendra e Kosovës.

Për të nderuar Mekulin, në panel të ftuar ishin Sali Bashota e Osman Gashi, nën moderimin e Ibrahim Berishës, të cilët diskutuan e shpalosën para publikut me një nostalgji të madhe se çfarë vlerash të mëdha kishte dhe vazhdon t’i ketë Mekuli dhe vepra e tij, shkruan KultPlus.

Mbrëmjen e hapi Ibrahim Berisha, i cili Mekulin e konsideronte një intelektual të jashtëzakonshëm. ‘Ishte një intelektual i tejguximshëm, i panënshtrueshëm. Këtë e ka treguar edhe në vitet e 80-ta kur fillon fushata shtetërore e Serbisë, po në fakt e Jugosllavisë, kundër shqiptarëve’, potencoi Berisha para se t’iu ipte fjalën dy panelistëve.

Sali Bashota e kujtonte me shumë emocion e nostalgji Mekulin, pasi ky i fundit kishte qenë edhe profesor i tij. Ai tregoi para të pranishmëve se profesorin, për të cilin edhe ishin mbledhur, e kujtonte gjithmonë me çantën e zezë në dorë e me plot libra, duke potencuar se kishte mësuar shumë nga Mekuli, pasi sipas Bashotës, ai ishte një enciklopedi.

Veprimtaria e Hasan Mekulit fokusohet kryesisht në kritikën letrare, për të cilën vlerësohet shumë lart nga pasuesit e tij. Bashota e kosnideron largëpamës gjykimin e tij, të drejtë, parimor e të formësuar estetikisht. Ndër të tjera, potencon se gjykimi i Mekulit ishte i veçantë dhe i pajisur me kulturë të gjerë teorike e shkencore.

”Pa dyshim, Hasan Mekuli është njëri ndër mjeshtrit e rrallë të mendimit kritik shqiptar. Ai gjithnjë prej tekstit poetik nxirrte nuanca të imëta kuptimore duke i shkokëluar veçoritë esencuale të vëprave në dritën e fakteve dhe argumenteve të qëndrueshme letrare. Gjithnjë, Mekuli dallohej për përgatitjen e gjerë e të thellë, në radhë të parë, teorike, letrare, metodologjike, me stilin e veçantë, shprehjen e guximshme, vlerësim-gjykimin e pavarur, origjinalitetin e theksuar. Kritik i qartë. Me ide të forta. Me dije të pashtershme kreative”, përfundoi Sali Bashota.

Osman Gashi, i cili kishte qenë edhe asistent i Mekulit e kujtonte atë me një respekt të pashoq, duke u shprehur se të gjithë ata që kanë pasur rastin ta kenë profesor kanë qenë shumë me fat, ndërsa pjesa tjetër që nuk ka pasur rastin ta njohë Mekulin apo së paku të ketë pasur një herë kontakt me të, sipas Gashit, atyre ju mungon diçka në jetën e tyre.

‘Ka qenë një shpirt i madh edhe pse shpesh thojnë që ka qenë i ashpër. E vërtetë, ka qenë shumë i ashpër, deri në pikën ku studenti e shihte se çfarë dëshironte të bënte me jetën e tij’, theksoi Gashi.

‘Pa dyshim se sot tek ne ekzistojnë përgjithësisht botëkuptime të tjera mbi letërsinë, qasje të tjera, konepte e preferenca të tjera leximesh, por vendi i kritikut letrar Hasan Meuli, mbetet krejtësisht i veçantë. Bota e tij e ideve, gjerësia dhe thelësia e këndvështrimeve nuk është e largët as sot’, përfundoi Gashi.

Përkujtimi për Hasan Mekulin ishte mbrëmja e pestë e PEN Qendrës së Kosovës që mbahet në kuadrin e projektit “Ora e Shkrimtarit” që përkrahet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Një mbrëmje që ngërtheu shumë emocion e nostalgji.

PEN Qendra ka paraparë edhe pesë mbrëmje përkujtimore për shkrimtarët e ndjerë që do të mbahen gjatë javëve në vijim. / KultPlus.com

Thaçi nderon me Medalje Presidenciale shkrimtarët, Konushevci, Krasniqi dhe Bashota

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë ditës së sotme ka dekoruar me Medalje Presidenciale të Meritave shkrimtarët, Milazim Krasniqi dhe Sali Bashota.

Thaçi në një postim në “Facebook” po ashtu bëri të ditur se këtë medalje e ndau edhe për shkrimtarin e shquar Avdullah Konushevci pas vdekjes së tij.

Sipas Thaçit, të dekoruarit me punë dhe përkushtim të pandalshëm i ka dhënë frymë të re studimeve albanologjike dhe vlera kombëtare letërsisë shqipe. / KultPlus.com

“Ora e Shkrimtarit” përkujton Anton Pashkun, Lule Pashku: Babai ka qenë një shpirt i madh dhe shumë i bardhë

Suada Qorraj

Autori ikonik i letërsisë shqipe, Anton Pashku, shkrimtari i letërsisë së shekullit njëzet u përkujtua sonte në ambientet e KultPlus Caffe Galery, në kuadër të “Orës së Shkrimtarit” të organizuar nga PEN Qendra e Kosovës, shkruan KultPlus.

Diskutimi mbi jetën dhe veprën e Pashkut filloi me fjalimin hyrës të moderuesit Binak Kelmendi, i cili tha se Pashku shquhet për stilin e tij karakteristik dhe për ngritjen kundër normave që ekzistonin në atë kohë.

“Antoni shquhet për stilin e tij karakteristik, modelin që e kishte vetëm ai për shpërfilljen e normave letrare që atëherë aplikoheshin ose zbatoheshin nga krijues të ndryshe, krijues të kohës dhe ai ishte hapur, ose fshehtas bashkë me një grup tjetër intelektualësh kundër normave të realizmit socialist”, theksoi Kelmendi.

Ndërkaq  profesori Anton Berishaj gjatë fjalimit të tij mbi veprën kolosale të Anton Pshkut tha se do të fokusohet në veprën ‘Oh’ të Pashkut, me të cilën ai kultivoi trashëgimi të madhe.

“Unë sonte do të fokusohem në romanin ‘Oh’ të Pashkut, me të cilin ai kultivoi trashëgiminë e dadaizmit dhe surrealizmit, trashëgimi kjo që besohet se ishte kyqe në poetikën e Pashkut. Tre kategoritë që janë përdorur shumë në poetikë nga Pashku janë loja, ëndërrimi dhe shkrimi automatik si trashëgimi e surealizmit”, tha ndër të tjera Berishaj.

Shkrimtari Adil Olluri tha se ndonëse kanë kaluar më shumë se katërmbëdhjetë vjet që prej herës së parë kur kishte lexuar tregimin ‘Kulla’, për të ky tregim mbetet tregimi më i bukur i prozës së shkurtër shqipe.

“Megjithëse kanë kaluar më shumë se katërmbëdhjetë vite nga leximi i parë, ende kam qëndrimin tim se tregimi ‘Kulla’ është një nga krijimet më të bukura të prozës së shkurtër shqipe. Një krijim imagjiantiv simbolik që mund të lexohet nga kënde të ndryshme, gjë që e bënë krijim të arrirë”, pohoi Olluri.

Ai ka shtuar se rrëfimi i Anton Pashkut në të shumtën e rasteve është rrëfim asociativ sepse ka si armë të fortë idetë që janë gjëja parësore e letërsisë së shkrimtarit.

“Rrëfimi i Pashkut në prozën e tij të shkurtër në të shumtën e rasteve është rrëfim asociativ, jo i drejtpërdrejtë, dhe tregimet e tij janë tregime të ideve, sepse përveç reprezentimit figurativ e stilistik, armë e fortë e tregimeve të Pashkut janë pikërisht idetë, që shpesh herë janë lënë në plan të dytë nga interpretuesit e teksteve të tij për t’u trajtuar forma dhe struktura letrare e tregimeve si gjëja parësore dhe shpeshherë edhe e vetme e letërsisë së këtij romani”, ka thënë shkrimtari Olluri.

E pranishme gjatë kësaj nate ishte edhe e bija e vetme e Pashkut, Lule Pashku e cila e konsideronte përkujtimin për babain e saj si një ndjenjë të bukur sepse siç tregoi ajo, ai ishte nga ata shkrimtarët që ka punuar shumë dhe çdo herë ka përkrahur personat që kanë pasur dashur për artin.

“Është ndjenjë e mirë që kohë pas kohe të përkujtohet meqenëse ai me të vërtetë ka punu shumë, ka qenë një njeri që e ka dashtë shumë artin edhe njerëzit të cilët janë marrë me artin i ka përkrahë gjithmonë. Ai ka pas diapazon te gjere te dijes, pavarësisht qe ishte shkrimtar njohurit e tij ishin të gjëra edhe për degët e tjera të artit. Ai i ka përkrah të gjithë, sidomos ata që ju kanë qas, mirëpo mua më erdh mire që pash njerëz që ishin mirënjohës për atë pjesë”, tha për KultPlus Lule Pashku.

Ajo ka shtuar se është krenare që ka pasur një baba si Anton Pashku, sepse ai nuk ka qenë një baba autoritativ, por mbi të gjitha ai i ka udhëzuar çdo herë. Sipas saj Anton Pashku ka qenë një shpirt i madh.

“Unë jam krenare që kam pas baba meqenëse ka pasë shumë vlera, përveç këtyre letrare ai edhe si njeri ka qenë shumë i formuar, nuk ka qenë nga ata prindërit tradicional e të pasurit autoritetin në shtëpi. AI na ka mësu me e ngrite zërin kur nk na ka pëlqyer diçka, ai çdo herë na ka udhëzuar por nuk ka paneguar që të shprehim mendimin tonë. Ai ka qenë një shpirtë shumë i mire, shumë i madh edhe shumë i bardhë. Më vie mirë që e përkujtojnë dhe e falenderojnë për punën e tij”, ka përfunduar Pashku.

PEN Qendra e Kosovës ka paraparë edhe gjashtë mbrëmje të tjera kulturore kushtuar shkrimtarëve të ndjerë: Hasan Mekuli, Jusuf Gërvalla, Xhemail Mustafa, Rifat Kukaj, Mensur Raifi dhe Mirko Gashi të cilat do të mbahen javëve në vazhdim./ KultPlus.com