Unazat e Saturnit shkëlqejnë për herë të parë në James Webb

Teleskopi i James Webb kapi për herë të parë unazat e Saturnit.

Kështu ai arriti të regjistrojë imazhin më të ndritshëm të planetit Saturn, konkretisht të unazave të tij. Imazhi i parë zyrtar i Saturnit i kapur nga teleskopi i NASA-s tregon detaje përmes sistemit unazor të planetit, së bashku me disa nga hënat e tij, Dione, Enceladus dhe Tethys.

Imazhet bardh e zi që u publikuan fillimisht janë marrë si pjesë e një studimi të astronomëve në Universitetin e Leicesterit në Britani për Saturnin, duke dashur të zbulojnë informacione të reja për planetin, unazat e tij mbresëlënëse dhe dhjetëra hëna.

Imazhet u kapën më 24 dhe 25 qershor, dhe planeti është kapur së bashku me unazat e tij që duket se kanë një ndriçim të ngjashëm me neonin./abcnews.al/KultPlus.com

Shkencëtarët zbulojnë në hënën e Saturnit elementin kyç për krijimin e jetës

Një ekip shkencëtarësh ka zbuluar prova të reja se oqeani nëntokësor i hënës së Saturnit Enceladus përmban fosfor, një element kyç ndërtues për jetën.

Ekipi përdori të dhëna nga misioni Cassini i NASA -s, i cili ka eksploruar Saturnin dhe sistemin e tij të unazave dhe hënave për më shumë se 13 vjet. Anija kozmike zbuloi ujin e lëngshëm nëntokësor të Enceladus dhe analizoi mostrat nga një re kokrrizash akulli dhe gazrash të nxjerra nga çarjet në sipërfaqen e akullt të hënës.

Analiza tregoi praninë e fosfateve të natriumit.

“Ne gjetëm fosfor të bollshëm në mostrat e akullit të marra nga oqeani nëntokësor,” tha Christopher Gline, një ekspert kryesor në oqeanografinë jashtëtokësore në Institutin Kërkimor Jugperëndimor në San Antonio dhe një nga autorët e një punimi në revistën Nature që përshkruan kërkimin.

Fosfori në formën e fosfateve është jetik për të gjithë jetën në Tokë. Është thelbësor për krijimin e ADN-së dhe ARN-së, molekulave që mbartin energji, membranave qelizore, eshtrave dhe dhëmbëve te njerëzit dhe kafshët, madje edhe mikrobiomën e planktonit të detit.

“Ne gjetëm përqendrime të fosfatit të paktën 100 herë më të larta në ujërat e oqeanit hënor që formojnë shtëllunga sesa në oqeanet e Tokës,” shpjegon Gline, duke shtuar, “Ky është një rezultat befasues për Astrobiologjinë dhe një hap i rëndësishëm në kërkimin e jetës përtej Tokës.”/KultPlus.com