Çka mund t’iu ikë panaireve

Shkruan: Serbeze Haxhiaj

Panairet e librit shpesh ngjajnë me një vazhdim reklame, për librin, ku shiten e blihen titujt që në të shumtën u është bërë një promovim paraprak. Përveç veprave klasike, shumë prej librave të mirë shpesh janë më shumë punë jehone që marrin me ndihmën mediatike. Kjo ngjan kudo. Këtë madje më së miri na e tregojnë çdo vit librat e fituesve të çmimit “Nobël” në letërsi, që ndodh të mos dimë aq shumë për ta ose për autorët e tyre deri në ditën kur gjithçka ndryshon. Në hapësirën tonë shqiptare viteve të fundit është një libër që mund t’u ketë ikur nga vëmendja  vizitorëve të panaireve të librit në Prishtinë e në Tiranë;  “Valbona” e Kolë Kurtit, një botim i shtëpisë botuese “Onufri” në Tiranë.

Ky libër është një dëshmi e fuqishme për dy anë të realitetit shqiptar. Frikën për t’u ballafaquar me të kaluarën dhe me realitetin, shpesh të zymtë, të vajzave nga zona ku zakonet e forta tradicionale përthyhen në cepat e errët të kryeqytetit. Interesi i Kurtit është përqendruar te traditat e dallueshme e të ashpra të Ballkanit, ku askush nuk harron asgjë. Libri që në origjinal u shkrua në gjuhën angleze në vitin 2015, dhe u përkthye në vitin 2023, ndërthur, pa hetuar, dimensione të një realiteti tronditës brenda gjashtë dekadave në Shqipëri.

Diktatura komuniste e Shqipërisë normalizoi izolimin, internimet, burgosjet, ekzekutimet e përhapura, ndalimin e fesë dhe të pronës private, një dorë që ia theu shpinën lirisë së Shqipërisë, duke e sjellë një kohë çnjerëzimi.

Demokracia normalizoi goxha shumë një pajtim metafizik me të.

 Në librin e Kurtit trashëgimia e terrorit komunist vazhdon të peshojë fuqishëm, në të paktën tre breza në familjen e tij shkodrane dhe në shoqërinë shqiptare në tërësi.

Paraardhësit e tij në Shkodër ishin të arsimuar jashtë vendit e të pasur, dhe komunistët i urrenin ata. Si një djalë që u rrit jashtë atdheut të tij, oreksi i tij i të shkruarit gjeti mjaft ushqim në këtë errësirë ​​dhe mister.

“Valbona”- personazhi i librit është një fije e lidhjes së përpjekjes së njeriut për të ndryshuar, adaptuar, shpesh duke bërë kapërcime imagjinare në një botë gjithnjë e më të pamëshirshme teknologjike.

“Valbona”  eksploron se si vendi ka ndryshuar, por në kontraste të forta pasuria dhe varfëria, moderniteti dhe tradicionalizmi jetojnë nën një kulm. Në këtë mjedis një e re nuk është  aq e lehtë të integrohet në skenën shoqërore të kryeqytetit dhe fasadave komplekse që shumë njerëz duket se kanë ndërtuar.

Ai zbulon diçka nga marrëdhënia e tendosur që ka ekzistuar prej kohësh pothuajse kudo mes urbanes e rurales, mes qytetit dhe fshatit.

E kaluara e zymtë peshon fuqishëm në të tashmen, pavarësisht se një shtrese të shoqërisë shqiptare i pëlqen për ta shmangur.

Në përshkrimet thellësisht tronditëse të dhunës, ata që flasin në këtë libër janë personazhe që në shëmbëllimin e atë Zef Pllumit “rrojnë për të treguar” në një pikë kulminante agonizuese, ku asgjë nuk është më e frikshme. Kujtimet e familjes së Kolë Kurtit gjithashtu japin mësime të qarta për të sotmen.

Kapitujt e historitë e librit ndjekin një trajektore mbërthyese, duke të kthyer pas në kohë dhe në hapësirë, në mjedise e ngjarje të jetuara ose të dëgjuara, në një botë të vogël e të mjerueshme në vuajtje, e po kaq të madhe në reflektimet e autorit mbi to. 

Ta lexosh atë nuk do të thotë të gjesh jetë të ndriçuara nga stili drithërues i jetës, por jetë të ngecura në lavjerrësin e madh të historisë, të së kaluarës dhe të ardhmes së Shqipërisë./ KultPlus.com