Ndërron jetë Shefqet Hoxha, muzicienti i njohur kosovar

Ka ndërruar jetë muzicienti i njohur Shefqet Hoxha.

I ndjeri është babai i këngëtares dhe deputetes, Eliza Hoxha.

Lajmin e ka dhënë vëllai i Elizës, Fatos Hoxha, përmes një fotografie të babait të tyre tashmë të ndjerë, të publikuar në Facebook.

“Me pikëllim të thellë ju njoftojmë se sot me datë 19.08.2021 ndërroi jetë Babai, Gjyshi dhe i dashuri ynë Shefqet Hoxha. Njoftojmë familjarët, miqtë, kolegët dhe të gjithë dashamirët se varrimi i të ndjerit do të bëhet sot në varrezat e Prishtinës në Arbëri (Dragodan) me ikindi në ora 16:30”, ka shkruar Fatos Hoxha në Facebook.

Eliza ka treguar në disa intervista se frymëzimin për t’u marrë me muzikë e kishte marrë nga babai i saj.

Ai madje ka qenë kompozitor dhe tekstshkrues i shumë këngëve të saj si fëmijë, kur Hoxha sapo kishte nisur rrugëtimin e saj muzikor./KultPlus.com

Filologu Shefqet Hoxha dekorohet me çmimin ‘Mjeshtër i Madh’

Presidenti Ilir Meta dekoroi filologun dhe intelektualin e njohur kuksian, Shefqet Hoxha me titullin “Mjeshtër i Madh” me motivacionin: “Qëmtues i thellë i traditave etnokulturore në krahinat e Kukësit. Studiues i mprehtë i tyre të botuar në dymbëdhjetë vëllime, që e pasurojnë visarin kombëtar me vlera të shquara për brezat e ardhshëm”.

Në fjalën përshëndetëse drejtuar personaliteteve të artit dhe kulturës, të pranishëm në ceremoninë solemne, presidenti Meta tha se kishte kënaqësinë e veçantë, që me rastin e 87-vjetorit të lindjes, të vlerësojë profesor Shefqet Hoxhën, të cilit i urojmë jetë të gjatë dhe krijimtari të re.

Profesor Shefqeti është doktor i shkencave filologjike, profesor i asociuar, gjuhëtar, dialektolog, muzeolog, gjurmues arkivash, udhëheqës shoqatash shkencore, studimore e kulturore, pjesëmarrës i Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, drejtues i lëvizjes demokratike në Kukës e më pas deputet në Kuvendin e Shqipërisë, ‘Mësues i Popullit’, ‘Qytetar Nderi’ dhe personalitet i shquar i qarkut të Kukësit dhe jo vetëm.

Profesor Shefqet Hoxha, ka të botuar mbi 65 libra e disa të tjera i ka në proces, ndërsa ka botuar edhe rreth 700 artikuj shkencorë, publicistikë dhe kulturorë.

Profesor Shefqet Hoxha ka mbi 60 vite punë kërkimore e shkencore në dobi të kulturës kombëtare e albanologjisë, një shembull dhe model shkencëtari për të gjithë.

Profesor Shefqeti, ka arritur të botojë 10 volumet kapitale të etnologjisë për qarkun e Kukësit, një pasuri e rrallë shpirtërore që u shpëtua nga humbja e sigurt dhe harresa, për shkak se shumica e mbartësve të tyre, patriotët dhe pasionantët e kulturës nuk janë gjallë, si profesor Shefqet Hoxha, që ua ka kushtuar gjithë jetën e tij këtyre vlerave shpirtërore kombëtare.

“Në një Shqipëri europiane, këto vlera shpirtërore që na sjell Profesor Shefqeti, janë prova e dëshmi kulturore e historike të dorës së parë që na veçojnë dhe dëshmojnë fytyrën e shpirtin tonë shqiptar, që pohojnë identitetin tonë kombëtar për të cilin duhet të jemi gjithmonë krenar”, tha Meta.

“Të shpëtosh gjuhën dhe të folurën e para një shekulli të një krahine si Luma, Hasi, Malziu, Fani apo Malësia e Gjakovës, ta regjistrosh e botosh këtë pasuri të rrallë shpirtërore, të folurën, këngët, legjendat, doket, zakonet e traditat është një shërbim i madh për ruajtjen e shpirtit dhe identitetit të kombit tonë”, tha ai. /atsh/ KultPlus.com