Ikonat kushtuar Shën Mërisë, ekspozitë e Muzeut Historik Kombëtar në Berat

Muzeu Historik Kombëtar, në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Muzeumeve Berat, çeli sot ekspozitën fotografike “Ikonat mariane në Muzeun Historik Kombëtar”.

E çelur në ambientet e Muzeut Kombëtar të Ikonografisë “Onufri” në Berat, kjo ekspozitë sjell pranë publikut disa prej veprave më të rëndësishme të ikonografisë shqiptare, kushtuar Shën Mërisë.

Në ekspozitë shpalosen foto të ikonave të realizuara nga mjeshtrit e mëdhenj si Onufri, David Selenica, Onufër Qiprioti, Joan Athanasi, Mihal Anagnosti dhe Diço Zografi, duke treguar madhështinë dhe delikatesën e artit të tyre.

Ikona “Shën Maria me Krishtin” zë një vend të veçantë, duke treguar përmes kompozimeve të ndryshme përkushtimin dhe frymëzimin hyjnor të artistëve.

Po aq tërheqëse janë edhe “Dyert e bukura”, me skenën mbresëlënëse të “Ungjillëzimit të Hyjlindëses”, një kryevepër që simbolizon momentin e shenjtë të artit dhe besimit.

Kjo ekspozitë është një mundësi e jashtëzakonshme për publikun e Beratit dhe vizitorët që të zbulojnë një pjesë të rëndësishme të trashëgimisë sonë kulturore dhe shpirtërore./atsh/KultPlus.com

Nis restaurimi për dy ikona të vëllezërve Çetiri, të zbuluara në fshatin Libofshë

Në Laboratorin e Restaurimit të Veprave të Artit në DRTK Berat, ka nisur procedura restauruese e dy ikonave: Ikona “Shën Mëria” e gjetur në kishën e Shën Gjergjit në fshatin Libofshë të Qarkut Fier, me autorë vëllezërit Çetiri dhe ikona “Krishti” e gjetur po në Libofshë të Qarkut Fier, nga të njëjtët autorë.

Të dy ikonat që po i nënshtrohen këtij restaurimi janë pjesë e fondit të ikonave të Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Berat dhe ndërhyrjet po kryhen nga restauratorët e kësaj DRTK-je.

Procesi i ndërhyrjes restauruese do të kalojë nëpër këto faza: Konsolidimi i pikturës së ikonës, dezinfektim, pastrim dhe rivendosje e vernikut për mbrojtjen e pikturës së ikonës./atsh/KultPlus.com