Rikthehet Festivali i Këngës Arbëreshe në Kalabri

Pas një ndërpreje thuajse dy vjeçare, në Horën e Arbëreshëve do të jehojë kënga dhe vallja shqiptare.

Kësaj radhe Festivali i XXXIX- të, do të zhvillohet përmes një koncerti me grupe dhe solistë eminentë arbëresh, kësaj të shtune, më 21 gusht 2021, në orën 20:30.

Festivali do të zhvillohet në Shën Mitër, siç njihet San Demetrio Corone nga shqiptarët, në këtë qytezë me peshë sa kulturore e arsimore aq edhe e historike, jo vetëm për arbëreshët, por edhe për mbarë shqiptarinë, me që aty veproi me shumë sukses kolegji i mirënjohur Shën Adriano (1794) e ku ligjëroi edhe poeti ynë i madh rilindës Jeronim De Rada. Po aty pati nxënës edhe nga Shqipëria, që do të bëheshin më vonë emra të njohur të lëvizjeve kulturore e atdhetare.

Shën Mitri apo San Demetrio Corone është një ndër qendrat më të rëndësishme të komunitetit arbëresh, edhe nga fakti se ka ruajtur gjuhën, zakonet, kulturën, ritet fetare dhe identitetin etnik të tij. / KultPlus.com