Të dhënat mbi masakrën e Rakinicës gjenden në arkivin e Beogradit, KultPlus sjellë fragment të monodramës mbi këtë masakër

“Shenjtëria e madhe” është një monodramë e shkruar nga Hasan Dajaku gjatë viteve 90′ , ndërsa është botuar në vitin 1996 për herë të parë. Po prej rrethanave të asaj kohe kjo vepër nuk është shpërndarë siç duhet. Redaktor ka qenë prof. Latif Berisha, i vrarë gjatë luftës, recensent Isa Qosja dhe Mehmet Haziri. Kjo vepër është ribotuar në vitin 2015, shkruan KultPlus.

Monodrama e trajton një masakër të ndodhur më 28 qershor të vitit 1920 në Rakinicë të Drenicës., aty ku janë vrarë 33 fshatar, gra, fëmijë e pleq të fshatit, masakra më e madhe e ndodhur në Drenicë gjatë viteve 20′. Rrëfyesi është plaku Mal Bardheza, i verbër. I verbuar me zjarr në ditën kur i është masakruar familja. Rrëfimin e bën para arkivolit të nipit të tij, Ndriçimit, student i arkitekturës, i vrarë në demostratat e vitit 90′ dmth, në skenë është me nipin e vogël, Agimin, i cili e mbanë përdore Plakun dhe katër kesolltare që rrinë pranë arkivolit. Është një vepër që është krahasuar me tragjeditë e lashta greke. Vepra nuk është vënë akoma në skenë edhe pse është një nga monodramat më të mira që trajton një tragjedi, të cilat i kanë përjetuar shqiptarët edhe në kohën e fundit.

Më poshtë po ju sjellim një fragment ku Plaku bën akuzë për ata që kanë goditur familjen e fisin e tij.

“Ai me emrin Marko mund të mos jetë gjallë, ai me emrin Marko me shokë mund të ketë vdekur, por unë sot i akuzoj para botës për të gjithë fëmijët, gratë e pleqtë që i qëlluan me plumb, që i therën me singi, që i dogjën në zjarr për së gjalli. I akuzoj për shtëpitë dhe kullat e djegura, për bagëtinë e plaçkitur; i akuzoj për plagët e marra, për dëshirat e shuara, për gëzimet e pakta, për ëndrrat që na i vranë; i akuzoj për çdo gjë që kishim e për çdo gjë që kishim dëshirë ta kishim e na mungonte. I akuzoj edhe për dallëndyshet që u dogjën nën strehë të shtëpisë! I akuzoj për murtajën gënjeshtër që e përhapën nëpër botë! Në Bardhëz atë ditë nuk ka pasur kaçakë. Të masakruarit qenë fëmijë, gra, burra e pleq të Bardhëzës, katundarë paqësorë e duarthatë. Gënjeshtër, në Bardhëz nuk e keni zënë askënd robër. Akuzoj në emër të të gjithë martirëve të shqipes dhe për veten time që mbeta pa sy, për vete dhe për tim nip, Ndriçimin, që po e varros sot! Akuzoj për fatin tonë lëvar në maje të shpatës, për fatin tonë të pambrojtur, të lënë në mëshirën e të pamëshirëve, akuzoj për të gjitha dhe për çdo gjë, unë, Mal Bardhëza, sot në prillin e 1990-tës dhe e kujtoj qershorin e 1920-tës kur na bëtë rrafsh me tokë e na kërcënuat: – Në tokën e shenjtë jeni krejt të përkohshëm. Dielli juaj është sosur. Kush nuk dëshiron të shkohet në singi, kush nuk dëshiron të digjet në zjarr, të niset përtej detit. Ata fatmjerë që mbesin, shpejt do të harrojnë të flasin shqip dhe, përvuajtërisht, duhet ta bekojnë kryqin serb!…”

Për masakrën e ndodhur nuk shkruhet askund, vetëm kjo vepër e trajton këtë tragjedi. Vetëm në arkivat e Beogradit ndodhen të dhënat për këtë masakër. / KultPlus.com