100 vjetori i marrëdhënieve Shqipëri-SHBA dhe hapja e negociatave, koncert festiv në sheshin “Skënderbej”

Mijëra qytetarë kanë festuar mbrëmjen e djeshme në sheshin “Skënderbej” koncertin festiv me rastin e 100-vjetorit të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe hapjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Në këtë koncert kanë performuar hitet e tyre muzikore disa nga artistët më të dashur për publikun shqiptar, si Soni Malaj, Alban Skënderaj, Ylli Limani, Xhensila Myrtezaj, Çiljeta Xhilaga, Threedots, Anxhela Peristeri, Eneda Tarifa, Fifi dhe Flori Mumajesi.

Koncerti u zhvillua në një atmosferë të zjarrtë festive, teksa artistët e ngjitur në skenë kanë argëtuar publikun, i cili feston këto dy ngjarje madhore për vendin tonë.

Sheshi “Skënderbej” është shndërruar në një arenë të madhe festive ku skena është dekoruar me yjet e Bashkimit Evropian, teksa qytetarë të shumtë të cilët kanë shijuar ritmet e hiteve të këngëtarëve dhe valëvitën flamujt e Shqipërisë, SHBA-së dhe Bashkimit Evropian.

Përveç qytetarëve të shumtë të pranishëm në këtë superkoncert ishin edhe kryeministri Edi Rama dhe kabineti qeveritar.

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden ka uruar shqiptarët me rastin e 100-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike Shqipëri-Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Marrëdhëniet diplomatike Shqipëri-SHBA kanë nisur më 28 korrik 1922, pak muaj pas përfundimit të Konferencës së Paqes në Paris, ku presidenti amerikan Wilson doli në krah të vendit tonë. Ambasadori i parë amerikan në Tiranë ishte Ulysses Grant Smith, i cili e nisi misionin diplomatik më 4 dhjetor 1922. Ambasadori i parë shqiptar në Uashington ishte Faik Konica, i cili u emërua në këtë detyrë në vitin 1929 nga Ahmet Zogu.

Ndërsa më 19 korrik 2022 Shqipëria shënoi një hap historik drejt integrimit të vendit në BE, atë të çeljes së negociatave, pas pritjes disavjeçare./atsh/ KultPlus.com

Të shtunën do të përkujtohen viktimat e gjenocidit të Srebrenicës në sheshin Skënderbeu

Të shtunën, përmes ndezjes së qirinjve do të kujtohen të gjitha viktimat e gjenocidit të Srebrenicës duke filluar nga ora 20:00, në sheshin Skënderbeu (tek Teatri Kombëtar). Vetëm përmes njohjes dhe pranimit të së kaluarës dhe vendosjes së drejtësisë për viktimat, mund të synohet drejtësia shoqërore dhe dialogu ndëretnik për të ardhmen, përcjellë KultPlus.

Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë (YIHR KS) po shënon 26 vjetorin e gjenocidit në Srebrenicë. Në gjenocidin e korrikut të vitit 1995 në Srebrenicë, rreth 8372 civil u vranë. Rreth 25,000 persona të tjerë të vënë para dy zgjedhjeve “zhdukuni apo do vriteni” u detyruan të largohen nga shtëpitë e tyre.

Aksionit simbolik do i paraprijë ekspozita online e cila do të prezantohet gjatë ditës së 10 korrikut nga YIHR KS në bashkëpunim dhe e krijuar nga Qendra për Hulumtim Pas Konfliktit (PCRC) në Bosnje dhe Hercegovinë. Kjo ekspozitë vjen në kuadër të fushatës “Gjenocidi në Srebrenicë përmes Gjykimeve Ligjore” të PCRC.

Në kuadër të shënimit të përvjetorit të gjenocidit në Srebrenicë, do të ketë edhe aktivitete nga kampanja “SREBRENICA 26: SË BASHKU KUNDËR VIRUSIT TË MOHIMIT” të udhëhequr nga SENSE – Qendra për Drejtësi Tranzicionale së bashku me Fondin për të Drejtën Humanitare në Kosovë. Po ashtu, nga iniciativa të qytetarëve, më 10 korrik nga ora 11:00 në fshatin Vitomiricë të Pejës, do të bëhet përurimi i pllakës përkujtimore për viktimat e gjenocidit në Srebrenicë. Ndërsa edhe një pllakë tjetër përkujtimore do të përurohet në Prizren më 11 korrik nga ora 11:00.

Së bashku sfidohet tendenca për të mohuar dhe harruar ngjarjet e së kaluarës dhe krimet e luftës. / KultPlus.com