Premiera “Art” nesër në TKK, regjisori Ramadani: Një pasqyrë ironike dhe e dhimbshme mbi egoizmin, krenarinë dhe frikën nga vetmia

Era Berisha

Në një hapësirë që nuk është as shtëpi, as galeri, por një terren neutral ku gjithçka shpërfaqet, tre miq përballen me vetveten dhe njëri-tjetrin. Shfaqja “Art”, vepra e famshme e autores franceze Yasmina Reza, vjen në skenë me një regji nga Bashkim Ramadani që nuk nguron të gërmojë thellë nën sipërfaqen e një konflikti të vogël – një pikturë e bardhë që bëhet katalizator për shpërbërjen e një miqësie. Shfaqja “Art” është një komedi tragjike – ose një dramë e mbështjellë me humor të zi. Situatat janë absurde, por ndjenjat që i nxisin ato janë të vërteta dhe të thella.

Në qendër të shfaqjes është një “art i bardhë”, një tablo e diskutueshme, që për të tre protagonistët (Ard Islami, Ylber Bardhi, Butrint Lumi) shndërrohet në pretekst për të rihapur plagët e vjetra të një miqësie. Regjisori Ramadani e zgjedh këtë tekst pikërisht për mënyrën se si ai zbërthen tensionet e pathëna mes njerëzve: “Nuk është debati për pikturën që më intereson, por gjithçka që ajo shpërfaq teksa hesht.”

Autoria franceze Yasmina Reza njihet për stilin e saj minimalist e të drejtpërdrejtë. Regjisori Ramadani nuk e trajton “Art”-in si një komedi klasike apo dramë të rëndë, por si një zonë gri ku humori i zi, ironia dhe zhgënjimi bashkëjetojnë në një ekuilibër të brishtë. “Kjo është një komedi tragjike,” – shprehet ai – “ku qeshja nuk është zbavitje, por një reagim ndaj ndjenjave që nuk guxojmë t’i themi me zë.”

Skenografia nga Burim Arifi është e menduar për të reflektuar boshllëkun që rritet mes personazheve, ndërsa ndriçimi dhe tingujt nga kompozitori Tomor Kuçi vijnë kujdesshëm dhe pasqyrojnë trazimin e brendshëm. Vetë piktura, si objekt i debatit, trajtohet si një figurë e katërt – një prani e heshtur që ndikon në gjithçka pa thënë asgjë.

“Kam dashur ta ruaj thjeshtësinë e hapësirës, por në mënyrë që të krijojë thellësi, jo sterilitet. Skenografia është menduar si një fushë neutrale – jo banesë, e as galeri – por një vend kalimi, ku personazhet përballen me veten dhe njëri-tjetrin.”

Gjithçka ka nisur me analizë të thellë të tekstit – duke ndërtuar historitë e përbashkëta të personazheve, çka i ka lidhur dhe çka i ka larguar me kalimin e kohës.

Regjisori Ramadani punon ngushtë me aktorët për të zhvilluar dinamika të ndërlikuara – aty ku fjala s’është e mjaftueshme dhe ku shikimi, pauza, gjesti bëhen më elokuentë se çdo debat filozofik. Ai shton: “Miqësitë këtu nuk thyhen nga grindja, por nga pamundësia për të parë tjetrin me sytë e duhur.”

Në thelb, “Art” nuk merret me definimin e artit, por me nevojën për pranim dhe miratim. Pyetja nuk është nëse tabloja është “e mirë” apo jo, por pse kaq shumë na dhemb kur dikush nuk ndan shijen tonë.

“Art” është reflektim i ndjeshëm mbi identitetin, vetminë dhe iluzionin e intimitetit. Një shfaqje që nuk kërkon të bindë, por të trazojë. “Art” nuk është vetëm një shfaqje për një pikturë të bardhë. Është një përballje me veten, një pasqyrë e marrëdhënieve tona, dhe një reflektim i heshtur mbi atë që kemi humbur në emër të “civilizimit” shoqëror.

Në fund, publiku ndoshta nuk do të largohet me një përgjigje, por me një ndjesi: se diçka brenda tyre është lëkundur.

“Shpresoj të largohen duke menduar për miqësitë e tyre – sa janë të vërteta, sa janë kompromise? A kemi guximin të jemi të sinqertë me ata që i duam, apo jemi bërë të kujdesshëm deri në pikën që fshehim veten? Po ashtu, dua që të largohen me ndjesinë se arti nuk është një luks, por një mënyrë për të zbuluar vetveten dhe tjetrin. Shpresoj të dalin me ndjenjën që diçka u lëvizi brenda, por pa mundur ta emërtojnë menjëherë. Të mendojnë për marrëdhëniet e tyre, për kompromiset, për të vërtetat që i kanë lënë pa u thënë. Dhe të pyesin veten: a e duam shokun për atë që është, apo për atë që duam të jetë?”, thotë Ramadani.

Në këtë intervistë për KultPlus, regjisori Ramadani ka thënë se shfaqja “Art” është një ftesë për të parë më thellë.

“Më tërhoqi mënyra se si një tekst që në pamje të parë duket i thjeshtë – një debat mbi një pikturë të bardhë – zbërthen me delikatesë mekanizmat e brendshëm të miqësisë. Shfaqja “Art” nuk flet vetëm për artin, por për ndjeshmërinë, krenarinë, heshtjet dhe tensionet që rrinë nën sipërfaqe mes njerëzve që pretendojnë se e njohin njëri-tjetrin. Shumë mirë që tani vendoset në skenë sepse jetojmë në një kohë kur marrëdhëniet shpesh janë sipërfaqësore, të fragmentuara, dhe të kushtëzuara nga pritshmëritë. Kjo shfaqje është një ftesë për të parë më thellë – jo vetëm te ajo çka quajmë “art”, por edhe te ajo çka quajmë “miqësi””, thotë ai.

Sipas tij, autorja e shfaqjes, Reza, shkruan me një intensitet të heshtur. Dialogët e saj janë të mprehtë e të drejtpërdrejtë, por nën sipërfaqe fshehin shtresa të thella emocionale. Ajo kap tensionet e vogla që gërryejnë marrëdhëniet – jo shpërthimet e mëdha, por çarjet e heshtura që i ndiejnë të gjithë. Ajo e ka sfiduar Ramadanin si regjisor dhe aktor sepse e ka detyruar të mos mbështetet te fjalët/teksti, por te çka është mes tyre – nënteksti.

“Për një audiencë moderne, mësuar me zhurmë dhe fjalë të tepërta, kjo mënyrë e të shkruarit është një pasqyrë ironike dhe e dhimbshme mbi egoizmin, krenarinë dhe frikën nga vetmia.”

Shfaqja ka zgjedhje të veçanta stilistike – ndriçimi, tingulli, lëvizja – që ndihmojnë në nxjerrjen në pah të ndryshimeve emocionale midis personazheve.

“Çdo element stilistik është përdorur me kujdes për të pasqyruar klimën emocionale. Ndriçimi ndryshon gradualisht – sa më shumë tension, aq më të thella bëhen hijet. Tingulli është minimalist, më shumë zhvendosje zhurmash sesa muzikë, për të rritur ndjesinë e vetmisë. Lëvizjet e aktorëve janë të kontrolluara dhe të përmbajtura, që përplasjet emocionale të ndihen më fort – jo përmes zhurmës, por përmes heshtjes dhe përmbajtjes”, thotë Ramadani.

“Art” prek me delikatesë dhe tallet me temën e snobizmit dhe mënyrën se si njerëzit përdorin shijet për të ndërtuar identitetin. Shfaqja sfidon me pyetjet: a e vlerësojmë një vepër sepse na flet realisht, apo sepse shoqëria thotë që duhet? Dhe kur dikush nuk pajtohet me ne – a e dëgjojmë, apo e përjashtojmë?

“Nuk është kritikë e drejtpërdrejtë, por një ftesë për reflektim mbi nevojën njerëzore për me u ndjerë i kuptuar, përmes artit apo miqësisë.”

Po ashtu, konsiderohet se shfaqja ka shumë momente të forta, që vijnë njëra pas tjetrës dhe e mbajnë publikun të angazhuar gjatë gjithë kohës. “Art” nuk mbështetet te një moment i vetëm, por ndërton tensionin në mënyrë të qëndrueshme. Çdo skenë sjell diçka të re – një thyerje, një përballje, një ndjesi që nxit reflektim. Janë situata që flasin qartë, pa u mbështetur te dramatizimi i tepërt, por me një intensitet që rritet gradualisht.

Premiera e shfaqjes epet me 16 maj (e premte), në Teatrin Kombëtar të Kosovës, duke filluar nga ora 20:00./ KultPlus.com